Ndërkohë që lufta në Ukrainë ka kthyer në vëmendje statusin e vendeve të Europës Qendrore, ose më mirë kërkesën e Rusisë për neutralitetin ushtarak të tyre, ish-kryeministri i Finlandës, Alecander Stubb deklaron në një intervistë për gazetën greke, “Kathimerini” se i vetmi vend që thotë se Finlanda është neutral, është Rusia.

Si një partner aktiv i Aleancës, Finlanda ka në themel gjithçka si detyrim, përveç nenit 5, shprehet ai.

Sipas Stubb ajo çfarë po ndodh nuk duhet parë si një kërcënim i ri në Europë.

Ne duhet të përgatitemi për çdo gjë, sepse Putin nuk ka për ta ndalur detyrimisht luftën në Ukrainë. Ai ka deklaruar se ka tre qëllime: pushtimin e Ukrainës për të detyruar Perëndimin të njohë Krimenë, të ndryshojë sistemin e sigurisë në Europë duke marrë garanci për nxjerrjen nga NATO të vendeve të Europës Qendrore dhe të parandalojë pranimin në Aleancë të Suedisë dhe Finlandës. Për këtë arsye ne duhet ta marrim kërcënimin ushtarak të Putinit shumë seriozisht, shprehet politikani finlandez.

Sipas tij sondazhet e opinionit publik në Finlandë po anojnë nga anëtarësimi në NATO, një organizatë “të cilës ne i përkasim”.

Finlanda nuk është neutral, nuk ka qenë e tillë që në fillim të viteve ’90. Qëkurse ne u bashkuam me BE-në dhe u bëmë partnerë të NATO-s, neutraliteti i Finalndës u bë një përrallë, vijon ai duke nënvizuar se lufta e Gjeorgjisë duhet të kishte shërbyer si këmbanë alarmi.

Hyrja e Finlandës në NATO do të nxiste padyshim një marrëdhënie shumë të acaruar me Rusinë dhe do të provokonte ndarje ekonomike dhe politike që shkojnë kundër interesit të gjithkujt, ndërkohë që skenari i luftës e ka lidhur tashmë edhe fatin e Putinit që është i detyruar të vazhdojë.

Putin nuk e ka luksin të humbasë këtë luftë. Ai e di se diktatorët ose shkojnë në burg, ose në ekzil në ndonjë vend tjetër. Dhe kjo është arsyeja pse do të kalojë në luftë të madhe dhe mandej në paqe të madhe. Ose do ta çojë deri në fund, duke shkatërruar Ukrainën dhe kthyer atë në një shtet të dështuar. Ose do të pranojë armëpushimin dhe do të përpiqet të krijojë një Perëndim dhe një Lindje në Ukrainë, ka përfunduar Stubb.