nga Arbër Zaimi:

Kur lexoj për bizneset që interesohen për krijimin e vendeve të punës, për ruajtjen e mjedisit, apo për buzëqeshjen e konsumatorit, apo për barazi e emancipim, më vjen ndërmend një gjë e tillë:

Filozofi prodhon ide, poeti poema, kleriku predikime, profesori ligjërata e kështu me radhë. Krimineli prodhon krime.

Po ta shohim më me kujdes këtë degë të prodhimit dhe impaktin e saj shoqëror, do t’i tejkalojmë shumë paragjykime që kemi për të.

Krimineli nuk prodhon vetëm krime, prodhon edhe ligjin penal, e bashkë me të edhe profesorin që ligjëron të drejtë penale, e si shtesë edhe librat e paevitueshëm përmes të cilave profesori ia gjuan ligjëratat e tij tregut të gjerë, si mallra.

E gjithë kjo sjell një rritje të ekonomisë kombëtare, e cila është krejtësisht e dallueshme prej kënaqësisë personale që shkrimi i librit ia sjell autorit.

Përmbi këto, krimineli prodhon edhe gjithë policinë e gjyqësinë kriminale (pa kriminelin këto s’do të ekzistonin), pra vende pune për gardianë, gjyqtarë, përmbarues, juristë etj. dhe gjithë ato linja të veçanta biznesesh të cilat formojnë llojllojshmëri kategorish të ndarjes së punës, zhvillojnë kapacitete të ndryshme të shpirtit njerëzor, krijojnë nevoja të reja dhe mënyra të reja për t’i përmbushur ato. Psh. veç torturën nëse e shohim si zanat, sa e sa teknologji e mekanizma inovativë, sa e sa profesionistë të nderuar janë angazhuar në prodhimin e mjeteve të torturës.

Krimineli prodhon edhe përjetim, pjesërisht moral e pjesërisht tragjik, sipas rastit, dhe kështu i shërben ngacmimit të ndjenjave morale e estetike të publikut të gjerë. Ai jo vetëm që prodhon librat e drejtësisë penale e bashkë me ta ligjvënësit e asaj fushe, por prodhon edhe art, letërsi, novela, madje dhe tragjedi, që nga Mbreti Edip e deri te Rikardi i Tretë.

Krimineli e thyen monotoninë dhe sigurinë e jetës së përditshme. Kështu ai na mbron prej stagnacionit dhe i jep vrull atij tensionit të parehatisë e asaj zhdërvjellësisë pa të cilën impulsi i konkurrencës do të topitej.

Pra krimineli i stimulon forcat prodhuese. E meqenëse krimi vret një pjesë të popullsisë së varfër që është në treg të punës, ai shërben edhe për të zvogëluar konkurrencën mes punëtorëve, gjë që ndihmon në mos-zvogëlimin e rrogave. Për më tepër, një pjesë tjetër të kësaj popullsie, krimi bën të mundur që të punësohet në agjensitë krim-luftuese, si në polici etj./MekuliPress.com/
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress