Në Prishtinë ka filluar festivali me fëmijët e diasporës, i cili është organizuar në kuadër të “Ditëve të Diasporës”. Ky festival do të zgjasë dy ditë, kurse ditën e tretë për pjesëmarrësit do të organizohet një ekskursion.

Pjesëmarrësit nga vende të ndryshme kanë defiluar nga Teatri Kombëtar te sheshi “Zahir Pajaziti”, për të vazhduar në bibliotekën “Hivzi Sylejmani”, ku do të ketë orë letrare, ekspozitë të arteve pamore dhe interpretime nga nxënësit e diasporës.

Në hapje të këtij festivali, drejtoresha e departamentit për Ruajtjen dhe Kultivimin e Arsimit dhe Kulturës në Diasporë, në kuadër të Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Maliqe Hashani, tha se ky është edicioni i parë i këtij festivali.

Ajo ka falënderuar të gjithë mësuesit shqiptarë që japin mësim plotësues për fëmijët e diasporës, duke thënë se në këtë mënyrë ata po ruajnë traditat shqiptare.

“Më lejoni që në këtë rast të gjithë nxënësve dhe mësuesve tanë kudo që ndodhen në diasporë t’i falënderojmë në mënyrë të posaçme për punën e tyre të palodhshme që bëjnë për ta mbajtur gjallë traditën tonë. Me mundin, vendosmërinë dhe përkushtimin e tyre shkolla shqipe sot mbahet gjallë në Austri, Greqi, Gjermani, Zvicër, Itali, Suedi dhe në shumë vende të tjera të botës. Me gjithë vështirësitë për ta mbajtur gjallë mësimin plotësues të gjuhës shqipe, mësuesit tanë me shumë përkushtim, me shumë dashuri mbajnë gjallë shkollën shqip, identitetin tonë”, tha ajo, raporton Ksp.

Fëmijët e diasporës janë ata të cilëve më së shumti po iu pëlqejnë këto aktivitete që janë organizuar enkas për ata.

Nga Italia për të marrë pjesë në këtë festival kishte ardhur Sara Hoxha, e cila thotë se ky aktivitet është shumë i mirë pasi janë mbledhur shumë fëmijë që jetojnë jashtë Kosovës.

“Jemi të gjithë, jemi me gjithë komunitetin shqiptar që jeton nëpër botë. Është shumë bukur”, tha ajo.

Se po i pëlqen festivali me fëmijët e diasporës e thotë edhe Marigona Zeka, madje ajo shprehet shumë e lumtur që ka ardhur në Kosovë me shokët dhe shoqet e saj.

“Jam shumë e lumtur që kemi ardhur këtu dhe që kemi një mësuese që na mëson shqip dhe që na ka organizuar këtë aktivitet”, tha ajo.

Festivali me fëmijët e diasporës do të vazhdojë edhe ditëve në vijim, ku do të ketë organizime të ndryshme. – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën MekuliPress