Kush është femra e vetme e Njësisë Speciale të Kosovës? Cili është momenti më i vështirë me të cilin ajo është përballur? Si e kujton ajo arrestimin e parë që kishte kryer? Si është përballuar ajo me paragjykime? Për karrierën e saj gjashtë vjeçare në Njësinë Speciale Operative si dhe për sukseset e saja si sportiste.

Dikur kampione në sportin e Boksit dhe Karatesë, tash pjesëtare e Njësisë Speciale.

Marigona Beadini, 35-vjeçarja nga Prishtina, ka treguar përvojën e saj gjashtë vjeçare si police e Njësisë Speciale Operative të Kosovës.

Ju pëlqen!

Marigona ka rrëfyer eksperiencat më të vështira që është përballur, tash e gjashtë vjet në Njësinë Speciale, por edhe për periudhën e saj si sportiste e suksesshme.

“Si pjesëtare e Njësisë Speciale prej vitit 2014. Gjithë jetën ja kam kushtuar dy sporteve luftarake. Me sportin e karatesë prej vitit 1996 deri në 2005, ku pastaj me boks kam vazhduar prej 2006 deri në vitin 2012, kur jam bërë pjesë e Policisë së Kosovës. Kam pas rezultate në të dyja sportet. Në karate, kam qenë kampione e botës”, ka thënë fillimisht Beadini.

Ajo vet nuk e kishte menduar kurrë që të bëhet police në Policinë e Kosovës. E këtë propozim, Marigona tregon se e kishte marr nga familja dhe miqtë. Ndërsa kur është hapë konkursi, ajo tregon se deri në ditën e fundit nuk i ka dorëzuar dokumentet.

“Po në Policinë e Kosovës, shoqëria dhe familja kanë qenë ata që më kanë bërë si propozim. Ka pas konkurs në atë kohë edhe nuk o që kam menduar me u bë ndonjëherë police, se kam qenë boksiere në Klubin e Boksit Prishtina, e mendoja që po e ndërroj profilin. Në ditën e fundit i kam dorëzuar dokumentet, dhe nuk është që e kam pas ndonjë entuziazëm që ka me u pranuar ose qe ka me filluar”, pohoi ajo.

Marigona Beadini, tregoi se kur e ka nënshkruar kontratën si kadete në Akademinë e Policisë në Vushtrri, gjithçka në jetën e saj ka ndryshuar. Ajo thotë se po atë ditë filloi një dimension tjetër i jetës. Pas gjithë kësaj, Marigona pretendonte që gjithmonë të shkojë lart e më lart. Tani ajo e cila është pjesë e Njësisë Speciale, duket se po i nxjerr telash me të ëmën, pasi që, siç tregon Marigona, gjithmonë familja dhe nëna e saj është në stres, duke qenë se ky njësit është pak me rrezik.

Kanë kaluar gati 8 vite që kur Marigona Beadini është bërë pjesë e Policisë së Kosovës. Edhe pse ka kaluar kohë e gjatë, ajo ende e ka të freskët momentin e arrestimit të parë.

“Po, ka qenë shumë interesant. Ka qenë dita e parë qe e kemi kryer trajnimin fushorë jashtë në teren. Ka qenë dita e parë që kemi dal të pavarur, unë me një koleg, edhe ka qenë dimër. Kemi qenë në ndërrimin e paradites me një person të alkoolizuar. Ai nuk iu është bind urdhrave tonë, edhe jemi mundu me e mbjatë në kontroll, me e dërguar në stacion pa e arrest, sepse ka qenë dimër edhe rrëshqisnim shumë. Mezi që ecshim. Nuk e kemi pas atë vetëbesimin që a po mundemi me e mbajt në kontroll, me e ba arrestimin në mënyrën e duhur qysh e kishim mësuar në shkollë, edhe nuk na është bind, bile edhe pati filluar me u egërsuar edhe me na sulmuar. Atëherë jemi detyruar me e prangos. Fati që kemi qenë afër stacionit, edhe e kemi dërguar në stacion, aty ku pata filluar me punë”, shprehet Marigona.

Tërmeti i 26 nëntor në Shqipëri është ende i freskët në memorien e të gjithë shqiptarëve. E është pikërisht Marigona, ajo e cila me njësitin ku ajo shërben kishin arritur të parët në vendin e ngjarjes nga Kosova.

Në Njësinë Speciale të Policisë së Kosovës, aktualisht shërbejnë 11 gra, prej tyre katër në kampin e Vrellës, ndërsa 6 në kampin Belvedere. Por pse nuk ka numër më të madh të grave në polici, tregon vetë Marigona.

“Na jemi në punë gjithmonë. Na ka ndodhë shembull kemi qëndruar deri në orën 10 në mbrëmje. Deri orën 12 në mesnatë ose kemi qëndruar komplet deri të nesërmen. Asnjëherë nuk është një kohë e caktuar që na me ditë qysh është orari fiks. Fillimisht ajo që është më e vështirë për femrat, bile për femrat që janë familjare që janë të martuara me familje është edhe pak ma problem, edhe pse kemi na kolege që e përballojnë mirë punën e vështirë. Pastaj është përgatitja fizike. Mendojmë që nuk mundemi me ia dalë por unë i kisha ftuar dhe kisha propozuar për të gjitha femrat që e ndijnë vetën se paku fizikisht pak të përgatitura edhe të forta, është Njësia që ma se shumti të jep përvojë në komplet organizatën e Policisë së Kosovës”, shprehet Marigona.

Marigona ka folur për eksperiencat ndër më të ndryshme që ka përjetuar si pjesëtare Njësisë Speciale, për sfidat që ajo është përballur, por edhe për paragjykimet e të qenit femër. Ajo pohon se paragjykimet ekzistojnë gjithmonë, mirëpo, Marigona mendon se këto paragjykime dita ditës veç kanë nisur të largohen.

Policja e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, është edhe sportiste e dalluar.

Marigona Beadini, ka qenë kampione e karatesë dhe e boksit duke e përfaqësuar Kosovën në gara ndërkombëtare ku shpesh ka dal fituese. Ajo po ashtu është femra e parë boksiere në Kosovë.

“Si boksiere e klubit të boksit Prishtina dua të tregoj që kam qenë femra e parë që është ngritë në ring prej shqiptarëve, domethënë para se unë të isha boksiere, më duket që u kanë njëra jashtë që është marr me boks, por në Kosovë nuk ka pas femër që është marrë me boks”, ka treguar ajo.

Marigona, gjithashtu ka përfunduar studimet në Fakultetin Juridik, për të cilin thotë se do t’i duhet për avancim në hierarkinë e policisë. E synimi i saj është kulmi brenda Policisë së Kosovës.

Në fund, Marigona Beadini dha një mesazh për të rinjtë që duan të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës

“Është ndjenja kulminante kur ti tjetrin e bon me u ndje i sigurt. Mundemi me qenë në rehatin tonë, në pozitën tonë, po asnjëherë nuk e përjetojnë atë ndjenjën, atë përmbushje shpirtërore, kur edhe tjerët janë mirë janë rehat fal neve. Domethënë vetë vendi, vetë populli është krenar që dikush tjetër nuk flenë që ata të jenë të qetë, që me vazhduar jetën normalisht. Dukuritë e këqija nuk mungojnë. Ne e dimë fort mirë. Është një mesazh për të rinjtë që të merren sa me shumë me sport. Aristoteli ka thënë: Mendja e shëndosh në trupin e shëndosh, edhe patjetër që është ashtu”, ka përfunduar Marigona.

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.