Fan Noli

Kemi marrë nja tri letra nga tre këndonjës të ndryshëm, të cilët midis të tjerave, na japin këshilla e na bëjnë kritika mbi shkrimet dhe artikujt që janë botuar në ¨Republika¨. Kritika dhe këshillat janë këto:


1) Të mos shajmë po të japim vetëm këshilla të mira;
2) Të mos përdorim fjalë të ashpra por vetëm fjalë të buta;
3) Të mos përdorim fjalë turqishte, po vetëm fjalë shqipe;
4) Të mos përdorim fjalët turk dhe kaur;
5) Të mos përdorim fjalët kucovllah e çoban;
6) Të mos goditim asnjë përson.

Do t´u përgjigjemi botërisht, se kështu kursejmë kohë nga njëra anë dhe nga tjetra këndonjësit tanë dinë se janë bërë edhe kritika e jo vetëm lëvdata. Po këto kritika janë nga ato që s´peshojnë shume në kandar e që s´mundim t´i pranojmë si serioze. Do t´i marrim një e nga një, po jo me radhë.
Do t´u përgjigjemi botërisht, se kështu kursejmë kohë nga njëra anë dhe nga tjetra këndonjësit tanë dinë se janë bërë edhe kritika e jo vetëm lëvdata. Po këto kritika janë nga ato që s´peshojnë shume në kandar e që s´mundim t´i pranojmë si serioze. Do t´i marrim një e nga një, po jo me radhë.

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Mospërdorja e fjalëve të huaja ka një emër, quhet purizmë dhe praktikonjësit e saj quhen puristë. Këta përpiqen si e si të përdorin fjalë të gjuhës së tyre dhe të eliminojnë çdo fjalë të huaj. Puristët janë përgjithësisht njerëz fanatik gjuhësorë që s´dinë etimologjinë, shkencën qe kërkon rrënjët e fjalëve. Sikur të dinin etimologji, do të mësonin se s´ka gjuhë në botë e cila të mos ketë fjalë të huaja dhe se nuk është e mundur ta qërosh një gjuhë nga fjalët e huaja pa e sakatosur. Puristi që e qëron gjuhën e tij nga fjalët e huaja, bën të kundërtën e saj që dëshiron. E prish gjuhën dhe nuk e ndreq. (…) Më e mira është pra t´i mbajmë siç e kemi dhe të mos i ndërrojmë, duke vënë në vend të tyre neologjizma të shëmtuara, të cilat shpesh nuk janë as shqipe (…)

Pasi t´i qërojmë nga fjalori ynë të gjitha fjalët e huaja u dashka të bëjmë edhe një qërim tjetër; u dashka të nxjerrim me mashë çdo fjalë të fortë, të ashpër, të rreptë, të hidhur, të thartë, të shëmtuar dhe të lëmë brenda vetëm fjalë të buta, të ëmbëla dhe të bukura.

Po c´te bëjmë ahere kur është nevojë e domosdoshme të përshkruajmë një gjë të fortë, të ashpër, të rreptë, të hidhur, te thartë, të shëmtuar? Apo mos duhet ta përshkruajmë me fjalë të buta, të ëmbla, të bukura?

Tamam, ja këtë na kërkon një këndonjës dhe kjo ka një emër, quhet eufemizëm dhe njerëzit që e praktikojnë quhen eufemistë. Pas kësaj metode në vend të fjalës së ashpër TRADHTAR duhet përdorur fjala e butë PATRIOT. Ahere nga eufemizma, katili bëhet jetëdhënës, vjedhësi dhuronjës, maskarai i ndershëm, budallai i mençur, i poshtri i lartë, i ligu i mirë, i shtrembëri i drejtë, prishësi ndreqës, e keshtu tutje.

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Jo, jo more vëllezër, s´kemi nge të bëjmë shaka e të tallemi me këndonjësit tanë. Çdo gjë ka emrin që i përket. Do t´i japim atë emër e jo tjetër. S´kemi hapur sheqerxhianë (ëmbëltore) për të shitur ëmbëlsira, po kemi nisur një gazetë ku duhet të japim pikturën e gjendjes së Shqipërisë, ashtu siç është, ashtu si e shohim, si mos më keq, nuk ua bëjmë dot këtë favor, se s´kemi nge për zbukurime. E vetmja nge për ne është vërtetësia. A janë të vërteta ato që themi?

Këtu është e tërë puna. Posa janë të vërteta kanë bukurinë e tyre. Vetëm kjo bukuri na intereson (…).

Është fare e drejtë që një gazetë duhet të luftojë më tepër parimet se sa personat e kundërshtarëve. Shumë e vërtetë, po kjo nuk domethënë se personat e kundërshtarëve janë të shenjtë e nuk duhen ngarë. Aspak. Duhen goditur edhe personat, se këta përfaqësojnë parimet, se shpesh është e pamundur të ndash personin nga parimi. Që ta themi më shkoqur, duhet të luftojmë më tepër parimin e feudalizimit se sa personat e feudalëve si Ahmeti e Vërlaci, po kjo nuk domethënë se s´duhet të goditim asfare personat e Ahmetit e të Vërlacit. Përkundër, këta duhet t´i goditim pa mëshirë se këta përfaqësojnë feudalizmin, se është e pamundur ta ndajmë parimin e feudalizmit nga personat e feudalëve. Në qoftë se luftojmë vetëm parimin e feudalizmit dhe nuk i ngasim personat e feudalëve as me trëndafil, ahere luftojmë në erë, se nga një luftë e atillë nuk u behet asnjë dëm as feudalëve, as feudalizmit. Për të rrëzuar kalanë e feudalizmit duhen rrëzuar kolonat e saj kryesore dhe këta janë feudalët, bejlerët me Ahmetin e Vërlacin në krye. Dhe përgjithërisht, për të mundur kundershtarin nuk arrin të goditësh vetëm parimet e tyre, i bie legenit më kot. Mund të jetë e papëlqyer, se hyn në sherr me njërin e me tjetrin, po s´ka si behët ndryshe. Dhe këtu s´kemi ardhur për të luftuar kundër erës me një mënyrë akademike, po kundër kaktorëve të gjallë të katasrofë kombëtare. /MekuliPress.com/ 

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët. Këta nuk e kontrollojnë e as nuk e financojnë gazetarinë tonë kritike. Ndihmoje sot MekuliPress - Mbështete median e pavarur