Fan Noli, duke i shpëtuar rastësisht pusisë që i kish ngritur afër Shijakut Osman Bali, ngarkuar nga vetë Zogu, për ta kapur të gjallë kryeministrin, kish arritur në Durrës. Skish marrë asgjë me vete, siç shkruan më vonë, “veç një valiçe të vetëm… nga të 9 a 10 valiçet e baulet e mia” që nuk dihet se ku kishin përfunduar.
Në Durrës kryeministri do të vendoset nxitimthi në hotel “Adriatiku”, ku qenë mbledhur gjithë funksionarët e ikur, me në krye regjentin Sotir Peci. “Burra shteti, oficerë, nëpunës të lartë e popull admironjës, kujton A. Frashëri.
Ai tregon dhe për një episod që u ndodhi atë ditë, kur arriti Ministri i Luftës, i krekosur, me nofullat shtrënguar dhe thirri: “Mos u dëshpëroni, burra. Lufta nuk është humbur. Ushtria kombëtare është intakte!1) Do të vazhdojmë luftën në anën tjetër të Shkumbinit”.
“Që të gjithë hapën sytë. Noli nënqeshi, kujton sekretari i tij. E pa Ministrin e tij të Luftës dhe pa të keq e me buzën në gaz, i thotë: Kasem bej, Kasem bej! Më dukesh si Luigji XVI para se ti presin kokën. Gjindja ia dhanë gazit në mes atij vrerit”.
Noli, ndonëse i tronditur për situatën e rëndë, tregohej gjakftohtë dhe mendonte si të dilej nga kjo gjendje. Tani që rrethi i rrezikut po ngushtohej dhe armiku mund të vinte nga ora në orë, rruga e vetme ishte largimi sa më parë.
Kryeministri dha urdhër që njerëzit të tërhiqeshin për në jug. Ai vetë, me disa nga misat e kabinetit, u nisën për në Vlorë aty nga mbrëmja me një benzinat nëpër një det të trazuar.
Po kthehej atje, nga ku 6 muaj më parë kish nisur lufta kundër Zogut dhe bejlerëve, një luftë me aq shumë shpresa dhe iluzione. Arritën afër mëngjesit. Qyteti i flamurit ziente. Aty ishte grumbulluar gjithë klasa politike, regjenti, kabineti, komandantët e ushtrisë, të cilët prisnin fjalën e tij.

Një anije nga Shëngjini solli L. Gurakuqin. Pyetja e ditës ishte se çdo të bëhej? Sipas korrespondentit italian të gazetës “Giornale dItalia”, ato ditë qarkullonin lajme nga më të ndryshmet. Thuhej se Noli paskësh propozuar që të krijohej një qeveri e kryesuar prej tij për jugun e Shqipërisë, ndërkaq kish urdhëruar K. Qafëzezin të merrte masa për qëndresë në Shkumbin dhe në grykat e Vjosës. Por shpejt u mor vesh se në situatën e krijuar, Noli kish kuptuar se çdo rezistencë ishte shumë e vështirë, për të mos thënë e kotë.
Në këto çaste, Noli do tu këshillonte pasuesve të tij gjakftohtësi dhe shmangie të çdo lloj alarmi. Në mbledhjen e jashtëzakonshme të kabinetit, ai raportoi për gjendjen dhe rreziqet reale dhe u vendos njëzëri që, në vend të bëhej rezistencë, të organizohej largimi i njerëzve për në Itali, në mënyrë të rregullt dhe pa panik. Gjëja e parë që bëri kryeministri, urdhëroi që emigrantët e ardhshëm të pajiseshin me pasaporta dhe që ti paguheshin rrogat e prapambetura “të gjithë atyre që do të emigronin” nga fondet e ngelura të shtetit. Këtë detyrë të vështirë ai ia ngarkoi S. Vinjaut, i cili, sipas Nolit, në situatën shumë të tendosur e të kërcënuar nga anarkia, “e mbaroi me një trimëri të pashembullt”, duke i ndarë drejtësisht dhe pa ndonjë incident.1) Mbeteshin disa detyra organizative, me të cilat Noli do të merrej seriozisht. Duhet të siguroheshin mjetet e transportit, siç lipsej të caktoheshin dhe njerëzit që do të emigronin. Ai porositi të bëhej një përzgjedhje e të mos largoheshin të gjithë. Bile, u detyrua të shkojë e ti takojë vetë disa prej tyre që tu mbushte mendjen të qëndronin. Kështu, takoi vullnetarët e Korçës. Në mes tyre ishte banda “Vatra”. Takimi me miqtë e vjetër në ato çaste e preku thellë. Ai i këshilloi të rrinin në Shqipëri. “Populli shqiptar, u tha, ka nevojë për kulturë, për art, për muzikë. Këtë duhet dhe mund tia jepni ju këtij populli. Prandaj qëndroni në atdhe dhe punoni për këtë qëllim”. Ishte një koincidencë e trishtuar kjo që po ndodhte: disa vjet më parë Noli i kish përcjellë shokët e Bandës nga Bostoni për në Shqipëri, kurse tani po e përcillnin ata Nolin nga Shqipëria për në mërgim. Në këtë çast dramatik po ndahej nga atdheu me muzikë. Edhe kësaj here, jeta e tij smund të kuptohej pa artin. Njerëzit e Vatrës po i gjendeshin si gjithnjë pranë.

Konica i idhët
Ndërkaq, Vatra dhe F. Konica nga përtej Atlantikut ndiqnin të shqetësuar situatën në Shqipëri dhe e përjetonin në mënyrën e tyre disfatën e Nolit. Kryetari i saj i dërgonte më 26 dhjetor nga Bostoni kryeministrit të rrëzuar në Vlorë një telegram.

Telegrami, i cili për fat të mirë nuk i ra kurrë në dorë Nolit, ishte një goditje e rëndë, nga miku i tij në kulmin e disfatës. Konica, me fjalët që i shkruante, orvatet të hedhë hapin e parë të distancimit nga Noli i mundur. Në vend që ta ngushëllojë e ta lehtësojë, përkundrazi se ka për gjë ta kritikojë rëndë dhe ta akuzojë se “qeveria juaj ka refuzuar këshillat e saj [Vatrës N.J.] dhe ka kundërshtuar programin e saj direkt ose indirekt”.

Ai i kujton pa takt se “ju mungon një bazë legale, përderisa ju nuk bëtë zgjedhjet në qershor”, prandaj, propozon “një kompromis me bashibozukët, me qëllim që të shpëtojmë vendin nga një luftë civile”. Në gjykimet e Konicës kishte padyshim diçka racionale, të vërtetë, por ai nuk kishte gjetur momentin e duhur për ta thënë këtë. Po nga ana tjetër, Konica, për të qetësuar vatranët, deklaronte “Gjeneralisimi i forcave të përparimit, i lodhur nga lufta e gjatë dhe heroike, gatitet të vinjë në Amerikë.”
Kurse Noli përgjigjet: “Smund kurrë të heq dorë nga idealet kombëtare dhe shokët që luftojnë për këto, do të kenë gjithnjë simpatinë dhe përkrahjen time morale.” Në të njëjtën kohë, të njëjtin propozim për pajtim, Konica, që kish marrë tani rolin e arbitrit, ia kish bërë me anë të një telegrami dhe Zogut. Po, ndërsa nga Noli nuk merr përgjigje, Zogu nga Tirana, pasi e falënderon për këshillat, i shkruan se “çdo gjë do ta bëjë vetë kur të vijë koha”.
Ky do të ishte vetëm sinjali i parë i krizës që po niste në marrëdhëniet mes Nolit dhe Konicës, që nuk kishin të bënin aq me miqësinë e tyre, sesa me pozitën klasore, konceptet e ndryshme politike, karakterin e secilit. Këto orë të rënda ishin orët e provës së besnikërisë dhe besimit, e njohjes së karakterit e njerëzve. Do të nisnin kësisoj zhgënjimet e para. Nga gjithë kabineti, më afër do ti qëndronin L. Gurakuqi dhe S. Vinjau, por më besnikët do të ishin djemtë e Bashkimit, të cilët dhe në këtë çast mbaheshin pas idealeve të revolucionit të tij. Nolin do ta prekte gjesti i tyre, kur shkuan te varri i A. Rustemit, u përfalën dhe u betuan. Me vete ata do të merrnin për në mërgim dhe zemrën e balsamosur të udhëheqësit.

Erdhi më në fund ora për tu larguar. Turma të tëra njerëzish kishin mbushur portin e Vlorës. Ishte në mes tyre gjithë opozita antizogiste, funksionarë e ushtarakë, intelektualë, ushtarë e fshatarë, një masë laragane e heterogjene nga krahina të ndryshme të vendit.

Pjesa më e madhe hipën në vaporin italian Malfeta, të tjerë u bartën nëpër varka dhe benzinata. Ishte një pasdreke e vrerët, me det të shqetësuar dhe horizont të mbyllur në të katër anët. Kryeministri do të arrinte nga të fundit, duke kaluar mes gjindjes, që e vështronte e hutuar dhe me keqardhje. “Njerëzit që ndodheshin në skelë, kujton një nga shoqëruesit e Nolit, na sallutonin, siç sallutojnë të vdekurit. Nuk ishim të vdekur. Më keq. Imzoti nuk guxonte të ngrinte sytë përpjetë. U përgjigjesh sallutimeve duke ngritur dorën mbi kokën e unjur. Kur hymë në varkë e pashë se i kishte sytë e lagur. Kishte qarë. E mblodhi veten shpejt. Mori kurajë dhe nisi të fjalosë vetëm për të fjalosur, gjersa hymë në vapor”. Ndoshta këto emocione të forta Nolit ia kishte dhënë deri atëherë vetëm Shekspiri, po jo jeta. U desh disfata e rëndë, që ti përjetonte me dramaticitet kaq të thellë. Mjaft të mendonte se dhjetë vjet më parë ai kish hyrë në atdhe për të parën herë nga ky port dhe po nga ky port po dilte në mënyrë të pamerituar. Nga sheshi i anijes mërgimtari i përhershëm hodhi sytë prapa për të fundit herë.

Dalëngadalë po mjegulloheshin brigjet e Vlorës, kodrat, malet përtej, derisa humbën përgjithnjë. Këtë tokë të shenjtë, që ish gjithë kuptimi i jetës së tij, ai nuk do ta shihte më kurrë. “Trishtimi im më i madh, do të pohojë Noli më vonë, është largimi nga Shqipëria më 1924, sepse kjo i dha fund punës sime në atdhe”. Malfeta çante nëpër atë natë dhjetori kanalin e tërbuar të Otrantos. Noli, i mbyllur në kabinën e tij, krejt i vetëm, më shumë se dallgët e detit ndjente dallgët e shpirtit të trazuar sa kurrë ndonjëherë. E kishin kapluar keqas mendimet. Pas afro 200 ditë qeverisjeje, që i kujtonin ditët e qeverisjes së fundit të Napoleonit, e kishin detyruar të linte Shqipërinë. Po largohej i mundur, pas aq përpjekjesh për ti dhënë popullit shqiptar lirinë dhe drejtësinë shoqërore. Për të mbjellë farën e demokracisë e të mendimit të lirë, farën e reformave e, në radhë të parë, reforma për fshatarësinë aq të varfër e të shtypur. Mendonte jo aq për qëllimet e mira, për disa nga arritjet, sesa për gabimet, të metat, fajet, përgjegjësitë. Asnjëherë skish qenë më shumë kritik se këtë herë që kish humbur betejën vendimtare të jetës. Para tij ngriheshin sa e sa pyetje të vështira e të rënda.

A thua se nuk kish qenë i përgatitur dhe i denjë për këtë ndërmarrje historike? Se nuk e kish njohur siç duhej popullin dhe vendin e tij? Se librat, kultura e gjerë, dhuntitë intelektuale nuk e kishin ndihmuar apo penguar në kushtet e Shqipërisë në luftën politike që kish ndërmarrë? A mos vallë kishte qenë i parakohshëm me idetë liberale dhe veprimet radikale në një vend të prapambetur e një popull të paditur e të shtypur? A thua se shoqëria shqiptare nuk kish qenë terreni i përshtatshëm, që ai të luftonte e të shpresonte për të zbatuar idetë e ndritura që sillte nga Amerika, për një shtet demokratik dhe një shoqëri pluraliste? Se ai skish marrë parasysh sa duhet që Shqipëria sish as Amerikë e as Francë, po një vend ballkanik, që deri para pak vitesh kish qenë provincë turke?

A thua se si kish vlerësuar dhe njohur bejlerët shqiptarë, këtë klasë mercenare dhe xhahile, që si shushunjat i pinte gjakun popullit? Ka të ngjarë që në këto çaste reflektimi dhe meditimi të thellë, Nolit ta ketë kuptuar më qartë se asnjëherë gabimin strategjik të luftës së tij. Vërtet, ai kish ardhur në fuqi përmes një revolucioni të kadifenjtë, të butë, po a mund ta mbante pushtetin pa dhunë, kur armiqtë do të përdornin dhunën? A mund të përdorte dhunën ai që predikonte ungjillin, që mbante jakën e bardhë të priftit, që kokën e kish të mbushur me vargje të Shekspirit dhe Khajamit? Këtë ai ndoshta nuk do ta kuptonte as në këto çaste. Këtë e kish treguar dhe me një gjest, kur, si kish hipur në anije dhe një emigrant e kish parë të paarmatosur, i kish zgjatur një revolver. Ai kish buzëqeshur hidhur dhe ia kish refuzuar.

Vite më vonë, duke i gjykuar këto ngjarje që po linte pas, Noli në “Vetë Kritikën”, që do të bënte me shkrim, do të rendiste disa nga shkaqet e disfatës, të cilat i quan “mëkate mortale” që nuk mund të lahen as në Ferr e as në Purgator.

Në radhë të parë, ia vë fajin vetes, karakterit të tij të vështirë për të punuar me të tjerë, pra, në mënyrë kolegjiale. Kjo solli që ai të mos arrinte të krijojë një “shtab tim qentral” dhe “shtabe lokale”. Në mungesë të shtabit, mbetej të lidhej me grupin politik të Klikës, drejtuar nga S. Peci, por e kuptoi se mes tyre sdo të kish asnjë influencë e do të mbetej jesir (rob). Kështu që, nuk doli dot nga izolimi e as u largua dot nga politika.

Veç këtyre rrethanave politike, ndikuan “të metat e virtuteve të mia”, mes të cilave radhiti: pazotësinë për intriga, luajalitetin absurd me njerëz të pabesë, të korruptuar, parazitë, pa përjashtuar natyrën e tij që ishte “tepër mistike në një vend pa fe, tepër letrar në një vend që skëndon, tepër i ndikuar nga vegjëlia korçare” dhe, së fundi, me gjithë vërejtjet shoqërore nga shokët, nuk i merrte parasysh, “bërja pas kokës, pa pyetur shokët”.

Në të njëjtën linjë arsyetimi janë dhe mendimet që i kish shprehur një herë Eqrem bej Vlorës: “Ky vend i çuditshëm nuk ka shok në botë. Këtu shpesh beu mund të jetë një fshatar, fshatari një patric, të gjithëve nën ato gunat e lypësit iu duket vetja kalorës i barabartë dhe madhështor sa tjetri. Këtu ndryshimi midis të pasurit dhe të varfrit, midis të fortit dhe të dobëtit fshihet nga ndjesia e dinjitetit të barabartë apo të përshtatjes. Këtu është sinori midis mënyrës europiane dhe asaj aziatike të jetës, midis koncepteve sociale gjermanike dhe latine, midis etikës së krishterë dhe asaj myslimane, këtu është paleta ku ngërthehen të gjitha ngjyrat dhe dritëhijet, të gjitha refleksionet e së kaluarës dhe të tashmes.”

Duke gdhirë dita e 27 dhjetorit, pas nëntë orë udhëtimi, Malfeta me afro 400 emigrantë shqiptarë, hyri në portin e Brindisit. Sapo u ankorua, ia mbërritën agjentët e policisë, karabinierët dhe doganierët. Atyre u tërhoqi vërejtjen menjëherë fakti se shumë nga të ardhurit ishin të armatosur dhe disa prej tyre mbanin në thilen e xhaketës germën B. Ata do të ngatërronin distinktivin e djemve të Bashkimit me inicialen e emrit bolshevik. U deshën pastaj disa orë pritjeje, shpjegimesh dhe kontrollesh deri sa arritën autoritetet e vendit, me të cilët Noli zhvilloi bisedime zyrtare. Edhe pse ardhja e kësaj anije me emigrantë nuk ish e papritur, zyrtarët italianë nxorën pengesa. Nuk ishte fjala për krerët, por për masën e emigrantëve, të cilëve Noli u doli në mbrojtje, duke ua bërë të qartë vendosmërisht autoriteteve se ata ishin njerëz që kishin luftuar për lirinë e popullit kundër intervencionistëve të huaj dhe se ishte e drejta e tyre të kërkonin strehim politik.

Duan të thonë se, kur autoritetet italiane po hezitonin, Noli u kish deklaruar në mënyrë ultimative se, në qoftë se masës së pasuesve të tij nuk do tu jepej strehim politik, ai do ti çonte ata në Odesë! Pengesat që dolën në portin e Brindisit sigurisht që nuk ishin rastësore. Me këtë Roma jepte që në fillim sinjale jodashamirëse.
Fundi i emigrantëve shqiptarë
Më në fund, emigrantët shqiptarë u lejuan të zbrisnin në tokën italiane. I pari zbriti Noli me Gurakuqin e pas tyre krerët e tjerë dhe vargu i gjatë i të arratisurve. Por, ndërsa këta të fundit autoritetet i shpërndanë si mundën në Brindisi dhe në Bari, Noli me shokët e tij u vendosën në hotel Roma. Nga letra e 3 janarit 1925, që L. Gurakuqi i dërgon Sekretarit të Përgjithshëm të M.P. Jashtme të Italisë, Senatorit Konterini i kërkon interesimin e autoriteteve italiane për sistemimin e emigrantëve shqiptarë prej afro 399 vetash, mes të cilëve gjendet regjenti S. Peci, 8 anëtarë kabineti, 70 oficerë, funksionarë të lartë, militantë etj. E njofton për pengesat dhe masat shtrënguese të autoriteteve të Brindisit, lyp korrektësi ndaj ligjeve dhe pret se çdo të bëhet me sistemimin e tyre. Ata i quan refugjatë politikë që janë fajtorë vetëm se kanë dashur tepër vendin e vetë. Prandaj qeveria italiane nuk duhet tu mohojë mikpritjen. U deshën disa ditë që ajo masë njerëzish të sistemohet, por atmosfera në mjediset e tyre ishte e shqetësuar e nervoze. Filluan debatet, pakënaqësitë, zënkat. Të mundurit tani kërkonin shkaqet dhe përgjegjësitë e disfatës. Kafenetë e Brindisit e të Barit, e sidomos kafe Stoppani, lokali më i frekuentuar ziente nga diskutimet e zjarrta dhe akuzat që ata i lëshonin njëri-tjetrit. Për të gjitha këto Noli do të informohej dhe do të përpiqej në rrugë të ndryshme ti sqaronte e ti qetësonte. Ai, madje, zhvilloi një mbledhje të gjerë me të gjithë emigrantët, ku u ballafaqua me situatën e acaruar, me fytyrat e mërzitura dhe me nervozizmin e njerëzve të tij. Para tyre ai do të ruante gjakftohtësinë dhe do të tregohej i hapur. Kjo u duk sidomos kur pas një heshtjeje që u krijua, Noli tha fjalët tanimë të njohura: “Gurakuq, kemi bërë shumë gabime …”. Ishte kjo një farë autokritike që bënte qysh në kontaktin e parë me partizanët e tij. Atë ditë Noli u paraqit çuditërisht pa mustaqe dhe pa mjekrën madhështore, aq sa shtypi vendas e komentoi (“Si e bëtë këtë, duke qenë prift ortodoks?”, e pyetën gazetarët, ndërsa, ai iu përgjigj: “Thjesht për arsye higjenike!”)

Duan të thonë se ato ditë, do të qarkullonin si anekdotë fjalët që Noli paskësh thënë për këtë gjest: “Ua lava shqiptarëve dhe borxhin e fundit që u kisha!”. Është fakt se qysh prej kësaj kohe deri në fund të jetës, Noli nuk do të mbante më as mjekër, as mustaqe, sado që në kokë kish mitrën e kryepeshkopit. Në këtë mbledhje Noli do të fliste gjatë e gjerë për situatën politike, për shkaqet e disfatës, si dhe do të bënte thirrje për qëndresë dhe besim.

Do tu përgjigjej pyetjeve të shumta, gjithnjë me tone realiste, por dhe qetësuese. Ato ditë udhëheqësi i mërgatës antizogiste do ti bënte dhe deklaratën e parë zyrtare shtypit. “Lëvizja nuk ishte një luftë civile, por një atentat i jugosllavëve kundër indipendencës së Shqipërisë”. Me këtë rast, ai nuk do ti kursente kritikat edhe ndaj Italisë, e cila, në vend që të qëndronte e paanshme, duhet të kish ndërhyrë për të ndaluar invazionin e përgatitur nga Beogradi.

Pa humbur kohë, Noli së bashku me Gurakuqin u nisën për në Romë, për bisedime zyrtare me autoritetet e larta qeveritare. Ndodhi ashtu siç pritej: qëndrimi i tyre ishte i ftohtë, shpërfillës, në nivele të ulëta. Kishte shumë arsye që e shkaktonin këtë sjellje, për të cilat Noli do të ishte i ndërgjegjshëm. Në vend ti merrte ndihmat nga qeveria fashiste, ato i siguroi nga Kryqi i Kuq dhe nga shoqatat bamirëse. Dyert zyrtare do ti gjente të mbyllura.
“Vatra” e ngacmon
Në këtë hall e gjeti më 30 dhjetor, tek qëndronte në Romë në hotel Windsor kabllogrami i dytë që i dërgonte Vatra. Kësaj here, në mënyrë më të zbutur Konica i shkruante ndërmjet të tjerash: “Luftuat një betejë fisnike për përparimin, qytetërimin e indipendencën e Shqipërisë. Me kohë dhe me largim, populli shqiptar ka për ta çmuar më mirë çkini bërë për të… Që u mundët është faji i bashkëpunëtorëve tuaj, të cilët duken aq qesharakë, sa dukeni i madh”.

Përsëri shquheshin qartë mendimet dhe stili i kryetarit. Noli në përgjigjen e tij nuk reagon fare për sa i shkruan Vatra, vetëm i tregon se ku ndodhet aktualisht. Duket sheshit se ai nuk është dakord me gjykimet e saj.

Sikur të mos mjaftonte kabllogrami, po atë ditë nga faqet e “Diellit” F. Konica nxitonte të nxirrte publikisht konkluzionet e ngjarjeve që kishin ndodhur në Shqipëri, duke pasur në qendër Nolin. Ai i cilëson ngjarjet si luftë në mes jeniçerëve dhe bashibozukëve, të fituar përkohësisht nga këta të fundit. Përsëri shqetësimi i tij është frika se mos ajo kthehet në luftë civile. “Jeniçerët, shkruan, me në krye Nolin tonë të pafajshëm për sy e faqe (!) … gjatë kohës që ishin në fuqi, e lanë shtetin në atë gjendje që e kishin gjetur”. Vërtet, “në krye zhvilluan një veprim për tu lavdëruar … po pak nga pak natyra e tyre e ligë dhe stërvitja e tyre xhonturke dhe levantine, ia zaptojë qëllimet e mira”. Kritikon rreptë faktin se këta qeverisën pa parlament dhe se të dy palët (në vend të emrit të Nolit, përmend L. Gurakuqin dhe K. Qafëzezin) “nuk kishin ideal”.

Ideali i tyre ishte “të ruajnë pozitat e tyre dhe të marrin pjesë në plaçkë”. Bile, ata se kanë kuptimin e luftës civile që bëhet për një princip, siç qe lufta civile në Amerikë. Këshilla e Konicës mbetet: të pushojnë luftën e të arrijnë një marrëveshje “si vëllezër që janë për të mos u derdhur gjaku kot”.

Në kryeartikullin e 2 janarit, “Dielli” do ta merrte Nolin në mbrojtje. “Fan Noli nuk ishte vetëm një politikan, sepse, të jesh politikan, është gjë shumë e lehtë … mjafton ti vesh sipas qefit popullit … të mos u trazosh zakonet … të mbash terezinë e politikës”. Por Noli nuk është i tillë, mbasi ai, duke iu referuar gazetarit të dëgjuar amerikan C. Prince “u përpoq ti hedhë çapat e përparimit shumë shpejt …” dhe, sipas një gazetari italian nga Brindisi “Qëllimi i tij që të vinte indipendencën e Shqipërisë në themele të shëndosha u përmbys; pa dyshim se populli shqiptar është armik i rreptë … i çdo gjëje të re dhe preferon të mbetet besnik në zakonet e tij të vjetra dhe në mënyrën e rrojtjes së tij tradicionale”.

Prandaj, sipas “Diellit”, “E vërteta është kjo: populli shqiptar është të paktën 700 vjet pas popujve të Europës: në ca pikëpamje ai rron edhe në kohën e Homerit. Që ti kapërcejë gjithë këta shekuj me një të hedhur është gjë që sbëhet. Përparimi ka për të ardhur dalëngadalë. Pra, faji sështë i tij, sesa “i pazotësisë së popullit për të nxënë idera të ra dhe i ndryshimit të madh në mes dy mentaliteteve”.

Mbrojtja e “Diellit” do të vazhdonte dhe në numrin tjetër, kur gazeta do të shkruante se “Rrëximi i qeverisë së Nolit në Shqipëri është një humbje jo për neve vetëm, por dhe për elementin liberal në Ballkan”. Goditja që ajo mori nga reaksioni ballkanik, u mbështet në radhë të parë nga Anglia konservatore. Pa kaluar as dy javë nga disfata, Konica prapë u kthehet qortimeve dhe këshillave.

Nga “Dielli” përpiqet të ngushëllojë mikun e vjetër, se nuk është fajtori kryesor. Fajin e ka populli shqiptar, i cili është “një popull thellësisht konservator”. Dhe këtë vullnet të tij nuk e përfaqëson Noli, por Zogu: “Zogu duket sheshit më tepër pas zemrës së popullit sesa Noli”. Të tjerat “janë fjalë të kota”. Tek e fundit, duhet pranuar që “Populli shqiptar sdo reforma dhe reformatorë, sdo gjëra të ra, as njerëz që munt të kllasin gjëra të ra”. Prandaj kërkon prerazi “ose të heshtim ose të përkrahim fuqin e re”. Noli nuk i përgjigjet kryetarit të Vatrës. Por, ndërkaq, as i dëgjon këshillat e tij. As e përgënjeshtron lajmin që përhap “Dielli” se “Peshkopi i lodhur nga lufta e gjatë, por fisnike … do kthehet së shpejti nga Italia në SHBA … në mes shokëve dhe bashkëluftëtarëve të tij të vjetër”. Por lideri i demokracisë shqiptare nuk ka ndërmend ta braktisë luftën që ka nisur. Përkundrazi, ai mendon dhe punon pa humbur kohë si ta organizojë atë në kushtet e reja, pas disfatës që ka pësuar.

Vendi i tij është në Europë, sa më afër Shqipërisë. Nga ana tjetër, Zogu është i shqetësuar se çpozicion do të mbante qeveria e SHBA ndaj qeverisë së re, dhe për këtë porosit konsullin shqiptar K. Tashko që të interesohet pranë Departamentit të Shtetit. Ai shkoi dhe, sipas Ilir Ikonomit, u tha zyrtarëve amerikanë në shpjegimet e tij se “shqiptarët parapëlqyen njeriun e malit (Zogun), në vend të njeriut të Harvardit (Nolit).” Ishte akoma shpejt për qëndrime zyrtare të diplomacisë për çka ndodhte në Shqipëri në janar të vitit 1925. Po miku i Nolit guxoi ti thotë këto fjalë që shprehnin të vërtetën.

*Marrë nga V.2 i veprës së pasuruar “Jeta e Fan S. Nolit”
Shënime 2) Është e paprekur, e padëmtuar 2) Sipas dokumentit zyrtar të lëshuar nga zyra e shtypit ato ditë dhjetori të vitit 1924 rezulton të jenë shpërndarë me vendim qeverie 140.370,20 fr. Ar 52 personave, nga kryeministri deri te disa nëpunës të rangut qendror dhe lokal. *Ishin këto rroga të prapambetura ose ndihma modeste për shpenzime, që shoqëroheshin me emër e mbiemër si dhe funksionin që mbanin. Shumat qenë modeste. Fan Noli mori vlerën 300 fr. Ar, kryesisht për shpenzime të automobilit.

(ma.ar/ – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën e pavarur “MekuliPress”

*** VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët e korruptuar. Askush nuk e kontrollon gazetën dhe kritikën tonë. Ndihmoje MekuliPress - Mbështete median e pavarur kombëtare.
Loading...
[wpedon id=16879]