Valon Rugova

Kosova po e feston 20 vjetorin e çlirimit të saj. Erdhi ish-presidenti amerikan Bill Clinton dhe ish-sekretarja e shtetit amerikan, Madeleine Albright. Fundja, e pse të mos vinin?

Por, ka diçka që nuk shkon. Ndjesia e të fituarit të lirisë është shprishur thuaj në tërësi. Pse? Në radhë të parë sepse përjetimi i lirisë nga populli ynë e kishte një bërthamë të pandërrueshme fizike. Lirinë e provuam me trupin tonë, thënë me fjalë të tjera. Ky trup u çlirua nga frika. Nga dhuna. Nga potenca e dhunës. Më pas, u çlirua edhe nga shikimi përçmues e poshtërues i tjetrit.

Por, fizikaliteti përjetimit të lirisë ka të bëj edhe me personazhet dhe gjithë mënyrën se si e mendonim atë kohë. Me surratet e njerëzve. Me brishtësinë dhe urtësinë e tyre. Apo në anën tjetër, me agresivitetin dhe arrogancën. Qoftë edhe me mënyrën se si i pulisnin kapakët e syve, se si flisnin, se si visheshin e të tjerë.

Në këtë rast, ne e kemi lidhur ose personifikuar lirinë konkretisht te një njeri i vetëm. Emri i tij është Ibrahim Rugova. Ky personifikim nuk ka ardhur vetëm si pasojë e postit të tij politik, duke qenë se ishte president i Kosovës. Personifikimi i lirisë në Rugovën erdhi më shumë si rrjedhojë e karakterit të tij tepër të përulur, e fjalëve të tij tepër konsistente, e përpjekjeve të tij që paraqisnin përpjekjet e popullit tonë e që mund t’i krahasojmë me fabulën biblike të Davidit me Goliathin. Doktor Rugova ishte padyshim Davidi. Njeriu i pafuqishëm që arrinte të rrëzonte Goliathin, një figurë tepër të fuqishme e me dukje tmerruese.

Rugova në mënyrë sistematike është shpërfillur përgjatë këtyre trembëdhjetë viteve të fundit, që nga vdekja e tij. Ai po shpërfillet edhe sot me pushtetin që kërkon ta mbytë jehonën që do të duhej të bënte përmendja e emrit të tij. Rugova ishte vetë liria, por ja që, me arrogancën dhe prepotencën tashmë të mirënjohur, pushteti aktual me në krye Thaçin, Veselin e Haradinajn, kërkon ta shtie në dorë, ashtu si çdo gjë tjetër. Ata duan ta harrojnë sepse e kanë të pamundur që ta ndjekin shembullin e tij.

Rugova nuk ishte grykës. Nuk donte të shtinte në dorë gjëra të këtij populli. Përkundrazi, përmes përulësisë e mjeshtërisë së të folurit, ai e harliste lirinë që e kishim fituar në të gjithë masën popullore. Njerëzit e thjeshtë e donin Rugovën sepse e donin lirinë. Dhe e donin lirinë duke e dashur Rugovën.

Pushteti aktual ndërkohë, i ka mbivendosur lirisë barrën e gjithë atyre keqpërdorimeve që ka bërë. E ka terrorizuar popullin me anë të njëmijenjë skandalesh e korrupsionesh që e bëjnë sërish përjetimin trupor të lirisë të ndihet nën rrezik. Kjo sepse hapur e qartësisht ne ndihemi sikur po vidhemi. Përditë. Sikur po gënjehemi. Po ashtu për ditë. Për fat të mirë, nuk po rrihemi e nuk do të rrihemi prej tyre.

Pa Rugovën, pa përmendjen e tij në përvjetore e në memoriale, liria do ta humbë krejtësisht kuptimin e saj. Do të çkuptimësohet dhe pas disa vitesh do ta ndjellë të njëjtën ndjenjë që e japin sot ato plot trille që i bën ky pushtet. /www.mekuliPress.com/  – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën MekuliPress

VINI RE! Gazetaria jonë mbetet e pandikuar nga politikanët e nga milionerët e korruptuar. Askush nuk e kontrollon gazetën dhe kritikën tonë. Ndihmoje MekuliPress - Mbështete median e pavarur kombëtare.
[wpedon id=16879]