Ekzistojnë shumë zbulime arkeologjike të fshehura ose të mohuara dhe më pas të injoruara, të cilat nëse do të pranoheshin do të trondisnin gjithë kulturën e civilizimit aktual dhe do të ndryshonin përgjithmonë perceptimin që kemi për të kaluarën tonë si racë njerëzore, si dhe vjetërsinë në këtë planet. Në arkeologji përveç zbulimeve dhe faktimeve me anë të objekteve dhe ndërtimeve të lashta, shkrimeve dhe grafikëve, shpesh përdoret edhe i ashtuquajturi model ose shabllon që të çon në krijimin e një teorie nga ku më pas kalohet në provë ose fakt shkencor. Por shpesh kjo provë apo fakt mungon dhe kjo është njëra nga arsyet që arkeologjia, ose më saktë një pjesë e saj e përjashton veten nga saktësia e shkencave të tjera si ato ekzakte.

Në rastin e arkeologjisë (pjesë të saja si për shembull, egjiptologjia), pranimi apriori i një teorie të caktuar nuk përbën asnjë sakrilegj, por kthehet fuqishëm në një pranim dhe bëhet pjesë e kulturës sociale duke ndikuar në informimin dhe sidomos në atë pjesë që i përket të kaluarës së largët të njerëzimit. Pra, ky shabllon ose model përdoret rëndom si një etalon nga ku ndërtohet (e më pas degëzohet) e kaluara e njerëzimit, kultura e tij dhe impakti në kulturën e sotme. E thënë me fjalë të tjera, ky model ose shabllon është një këndvështrim i pranuar gjerësisht nga një grup i caktuar ose disiplinë e caktuar (s’duhet harruar që ky fenomen nuk prek vetëm arkeologjinë). Pra, shablloni në rastin konkret kthehet në model shkencor dhe çdo gjë që sillet rreth tij funksionon për të, çdo gjë që e rrezikon shpallet herezi dhe injorohet apo “shtypet” deri në mohim dhe harresë të plotë.

Duke ndjekur këtë logjikë, mund të thuhet me plot gojën që i gjithë sistemi aktual funksionon me standarde të tilla, pra me lojën e informacionit që ka për qëllim të mbështesë një drejtim të caktuar dhe të eliminojë, shkatërrojë dhe denigrojë atë kategori informacioni që kërcënon vlefshmërinë e vetë shabllonit. Arkeologjia është shembulli më konkret për këtë dukuri. Për shembull, civilizimi kinez dhe kultura e tij që mendohej se është zhvilluar pothuajse tërësisht e pavarur nga pjesa tjetër e botës, gjë që do të thotë se civilizimi i saj madhështor dhe teknologjia e saj u zhvilluan në mënyrë të pavarur. Ata natyrisht që ndihen krenarë në një rast të tillë nëse është i vërtetë.
Por si do të ndiheshin ata nëse do të mësonin që në tokën e tyre është gjetur një numër i madh mumiesh kaukaziane (njerëz të bardhë), të cilat datojnë mbrapa në kohë me të njëjtën periudhë, në mos më herët, se fillimi i civilizimit më të hershëm kinez? Në një rast të tillë mbase atyre nuk do iu pëlqente të përqendroheshin në provën shkencore të kësaj gjetjeje arkeologjike. Po për njerëz në vende të ndryshme të botës, të cilët janë konsideruar si aborigjenë? A do të hiqnin ata dorë nga krenaria, tokat e dhëna nga qeveria apo turizmi dhe paratë që rrjedhin prej tyre nëse dalin në shesh fakte që tregojnë tjetër nga sa dihet për prejardhjen e tyre?

Ju pëlqen!

Po sikur evidenca arkeologjike që del në shesh të kërcënojë vetë shabllonin e tyre të ndërtuar me kaq mund, evidenca që tregojnë se grupe para tyre jo vetëm që kanë qenë më të hershëm, por edhe më të avancuar? Ky është rasti me indianët e Amerikës, të cilët janë paraprirë nga një kulturë tjetër e njohur si ndërtuese e tumave, të gjatë, mbase gjigantë, me flokë të kuqe, gra e burra, të cilët duket se kanë qenë shumë më të avancuar se vendasit amerikanë.

Në Meksikë duket se hispanikët janë paraprirë nga “Olmekët”, të cilët edhe në këtë rast ishin më të avancuar se kulturat që i pasuan. Këto anomali nuk janë duke e ndryshuar shabllonin ekzistues, pasi ato janë të papërshtatshme për t’u pranuar si pjesë e këndvështrimit të linjës së drejtë nga shoqëri primitive në të avancuar. Pra, do të kishim një konflikt serioz në konceptin e historisë nëse guxohej të pranohej. Të njëjtën gjë shohim dhe në Egjipt. Aty piramidat e hershme janë ndërtuar me shumë më tepër saktësi dhe me teknologji më të avancuar se në krahasim me kulturat e mëvonshme.
Monumentet më të vjetra janë pothuajse të paprekura, ndërsa ato më të rejat, ose më saktë, të gjetura më vonë, por që datojnë në kohëra shumë më të hershme, janë katandisur në një grumbull gurësh e gërmadhash. Vetë fshehja e zbulimeve arkeologjike është një konspiracion në shkencë, është një konspiracion në kulturën tonë si civilizim dhe është pjesë e amnezisë së imponuar kolektive për të kaluarën. Komuniteti shkencor ka tendencën të mohojë, të ndrydhë ose të injorojë evidencat që bien në kundërshtim me teoritë e pranuara dhe ndërkohë denigron dhe persekuton mesazherët.
Sulme personale, mosmarrëveshje mbi moshën e Sfinksit dhe Piramidës së Madhe
Në vitin 1993, “NBC” në Amerikë transmetoi “Mysteries of the Sphinx”, i cili paraqiste evidenca gjeologjike që Sfinksi ishte të paktën dyfish më i vjetër (9000 vjet) sesa deklaronin egjiptologët. Është bërë shumë i njohur si “Debati i Erozionit të Ujit”. Egjiptologu autodidakt, John Anthony West solli në qendër të vëmendjes çështjen e erozionit përpara gjeologut Dr. Robert Schoch. Ata shkuan në Egjipt dhe filluan një hetim shumë intensiv. Mbasi studioi Sfinksin, gjeologu pranoi opinionin e West-it dhe bashkërisht publikuan zbulimin e tyre.

Dr. Zahi Hawass, personi përgjegjës për monumentet e Gizës nuk priti asnjë minutë për të nisur një fushatë të ashpër kriticizmi publik ndaj të dyve. Egjiptologu me famë, Dr. Mark Lehner, i cili konsiderohet si eksperti më i mirë në botë për Sfinksin, iu bashkua këtij sulmi. Ai akuzoi West dhe Schoch si “injorantë dhe aspak sensitivë”. Kjo akuzë ishte shumë interesante, pasi spostoi çështjen nga një plan profesional në një plan personal. Nuk trajtoi aspak faktet apo vetë çështjen dhe mbi të gjitha ishte shumë jo shkencore.
Tani duhet të kuptojmë teknikën standarde të diskreditimit që aplikohet ndaj kujtdo që guxon të vërë në dyshim teoritë e pranuara prej kohësh. Largimi i fokusit nga objekti kryesor dhe “personalizimi” i debatit është një strategji shumë efikase, e cila përdoret shumë shpesh nga politikanët që ndihen të pasigurtë për pozicionet e tyre. Hawass dhe Lehner i bënë apel statusit të tyre të të paprekshmëve dhe autoritetit. Në këtë rast, logjika normale të shtyn të mendosh që në këtë pikë deklaratat e një gjeologu janë shumë herë më bindëse.

Pak kohë më pas Schoch, Hawass dhe Lehner u ftuan të debatonin çështjen në Shoqërinë amerikane për Avancimin e Shkencës. West nuk u lejua të merrte pjesë me pretendimin që atij i mungonin kredencialet e duhura. Kjo përbën dhe anën tjetër të arrogancës së sistemit: vetëm shkencëtarët me diplomë mund të praktikojnë shkencën. Janë dy filtra, të cilët mbajnë larg studiuesit e pavarur dhe pa kredenciale: kredencialet dhe rekomandimet. Dhe nëse të mungon e para është e kotë të kërkosh të dytën.
Pra, West u ndalua që të merrte pjesë. Që nga ajo kohë elementet e debatit janë rrahur para e mbrapa pa zgjidhur asgjë. Është e njëjta gjë me debatin që ekziston mbi faktin sesi u ndërtua Piramida e Madhe e Gizës dhe nga kush. Kjo sjell në skenë çështjen e “Gënjeshtrës së Madhe” dhe sesi është prezantuar për gjenerata të tëra përpara gjithë njerëzimit. A është e mundur që një shkencëtar i mirëfilltë, i trajnuar dhe i përgatitur në nivele të larta, të besojë se 2.3 milionë gurë ku disa prej tyre peshojnë 70 ton, të jenë transportuar dhe ngritur me metoda primitive?
Kjo duket e pamundur e megjithatë ata shkruajnë libra dhe mbrojnë këtë teori kundër teorive të tjera alternative. Dhe si rezultat duhet të kuptojmë që ata nuk do e bënin veten e tyre subjekt të një testi të tillë kaq demaskues. E vetmja gjë që egjiptologët kanë bërë është rrëzimi i teorive alternative duke përdorur teknika aspak të ndershme. Po çfarë e shtyn një shkencëtar të fshehë të vërtetën dhe t’i shmanget çdo testimi të hipotezave që ngrenë të tjerët?
Motivimet e tyre janë po aq transparente. Nëse mund të provohet që Piramida e Madhe nuk u ndërtua nga egjiptianët dhe as në vitet 2500 p.e.s., duke përdorur metoda primitive apo që Sfinksi të datohet në vitet 9000 p.e.s., atëherë e gjithë “ndërtesa prej letre” mund të shembej brenda një çasti. Këndvështrimet ortodokse mbi evolucionin kulturor janë të bazuara në një kronologji që thotë se civilizimi ka filluar në Sumeri jo më herët se 4000 vjet p.e.s. Teoria nuk lejon që të ketë ekzituar një civilizim përpara kësaj kohe. Fundi i diskutimit.

Arkeologjia dhe historia humbasin kuptimin e tyre nëse nuk kanë një faktor kohor të përcaktuar që ta përdorin si pikë referimi. Duke qenë se evolucioni kulturor është i lidhur ngushtë me teorinë e përgjithshme darviniane të evolucionit, atëherë “rreziku” është edhe më i madh. A e shpjegon kjo arsyen pse anomalitë dhe enigmat mohohen, fshihen dhe injorohen? Po, e shpjegon. Shkencat e sotme biologjike janë të bazuara në darvinizëm.

Censurimi i mendimit të “ndaluar”, evidenca për lashtësinë e madhe të njerëzimit
Rasti i autorit Michael Cremo është i dokumentuar më së miri dhe po ashtu tregon sesi komuniteti shkencor përdor në mënyrë të hapur teknika, presioni në media dhe në qeveri. Libri i tij “Arkeologjia e Ndaluar” analizon shumë nga rastet e mëparshme të injoruara të artifakteve, të cilat provojnë që lashtësia e njeriut modern e kalon shumë herë moshën e dhënë në kronologjinë e pranuar. Shembujt që jep ai dhe kolegët e tij janë të debatueshëm, por libri u bë shumë më tepër i debatueshëm kur u përdor në një dokumentar. Në vitin 1996, “NBC” transmetoi një emision special të titulluar “Origjinat Misterioze të Njeriut”, ku citoheshin materiale nga libri i Cremos.

Reagimi që pasoi nga komuniteti shkencor e kaloi disa herë shkallën Rihter. “NBC” u mbyt me letra nga shkencëtarët e tërbuar, të cilët e quajtën regjisorin një mashtrues dhe gjithë programin si dezinformim. Por shkencëtarët shkuan më larg se kaq, shumë më larg. Në një sërë veprimesh tejet të papërgjegjshme ata u përpoqën të detyronin “NBC” që të mos ritransmetonte emisionin tashmë popullor, por përpjekjet e tyre dështuan. Më pas ata bënë hapin më radikal: paraqitën çështjen e tyre në qeverinë federale dhe kërkuan nga Komisioni Federal i Komunikacioneve që të hynte në lojë dhe të ndalonte “NBC” të ritransmetonte programin.

Kjo nuk ishte vetëm një dhunim i hapur i të drejtës së fjalës dhe një përpjekje e paturpshme e kufizimit të mendimit alternativ, por ishte dhe një rast i paprecedent në përpjekje për të censuruar diskutimin e lirë intelektual. Nëse publiku ose çdo agjenci qeveritare do të bënte përpjekje të vinte në pranga institucionin shkencor, atëherë publiku vetë nuk do ia kishte parë kurrë fundin.
Letra e shkruar nga Presidenti i Studimeve Kembriane, Dr. Allison Palmer drejtuar Komisionit Federal të Komunikacioneve thotë si më tej: Më e pakta “NBC”-së i duhet kërkuar që të kërkojë një falje publike përpara ndjekësve të programeve të saj dhe kjo për një periudhë të mjaftueshme kohore, në mënyrë që audienca të marrë mesazhin e plotë që ata u mashtruan. Për më tepër, “NBC” mbase duhet gjobitur në mënyrë që të krijohet një fond i mjaftueshëm për edukimin shkencor të publikut. Mendoj se kemi disa të dhëna të mjaftueshme që tregojnë se kush është “Truri Policor”. Dhe me sinqeritet mendoj se fjala konspiracion nuk është aq e fortë, pasi për çdo rast të kësaj lloj ndrydhjeje të mendimit që ekspozohet, 10 të tjerë arrijnë të realizohen me sukses. Ne nuk e kemi idenë sesa artifakte enigmatike apo të dhëna janë etiketuar si “gabim” apo dosje të mykura të flakur tutje nëpër sirtarët e ndërtesave akademike për të mos e parë më kurrë dritën e diellit.

Kundërshtimi i të dhënave, datim i papërshtatshëm në Meksikë
Ekziston edhe rasti i një profili të lartë të Dr. Virginia Steen-McIntyre, një gjeologe që punonte për US Geological Survey (USGS), e cila u kërkua në një zonë arkeologjike në Meksikë për të datuar një grup artifaktesh në vitin 1970. Ky rast përbën njërin nga ekstremitetet ku është në gjendje të shkojë komuniteti shkencor vetëm e vetëm që të mbrojë themelet ortodokse të tij. McIntyre përdori aparatura, të cilat ishin fjala e fundit e teknologjisë dhe mbështeti me prova shkencore rezultatet e punës së saj, duke përdorur dhe mënyra të tjera datimi, por rezultatet e saj ishin shumë jashtë grafikut. Kokat e arkeologjisë prisnin që datimi të ishte 25 mijë vjet ose më pak, ndërsa zbulimi i gjeologes ishte 250 mijë vjet ose më shumë.

Shifra prej 25 mijë vjetësh ishte thelbësore për të mbështetur teorinë e “kalimit” të Ngushticës së Beringut dhe ishte ky motivi, i cili shkaktoi goditjen e McIntyre dhe arkivimin e rezultateve të saj duke kërkuar një ribërje të analizave të datimit. Ky lloj reagimi nuk ndodh kur të dhënat përputhen me kronologjinë e pritshme të modelit që mbështet teoritë e pranuara. Steen-McIntyret iu dha një mundësi që të tërhiqte përfundimet e saj, por ajo refuzoi. Që nga ai moment për të ishte pothuajse e pamundur që të publikonte rezultate të tjera shkencore dhe ajo humbi vendin e saj si pedagoge.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!