Gëzim Mekuli

Monopoli në lajm e në media është mekanizmi kontrollues më efikas i mendimit dhe debatit të lirë. Shumë, tepër shumë intelektual të mendimit kritik nuk lejohen që të marrin pjesë apo të ndikojnë në zhvillimin e debatit kritik. Edhe pse Kosova vetëquhet “shoqëri demokratike”, nuk është e tepërt nëse thuhet se ky vend, sot, shumë, tepër shumë i përngjanë një sistemi propagandistik totalitar.

Pse e them ketë dhe pse mendoj kështu?
Dallimi i madh në mes të një sistemi totalitar dhe atij demokratik është se, në sistemet totalitare është shteti ai që vendosë se cili mendim, ide dhe opinion “duhet” të dominoj në media dhe hapësirën publike. Pra, është shteti ai që i tregon popullit se cili mendim “duhet” të ndiqet. Ndërkaq në sistemin demokratik veprohet ndryshe; Opinioni dhe mendimi “i mirë”; opinion që “duhet” të dominoj në trurin e popullit asnjëherë nuk paravendoset e nuk thuhet publikisht nga shteti. Por, akoma më keq, mendimi dhe opinioni dominues në ketë “sistem demokratik” është punë e përkryer dhe nënkuptohet si opinion i përfunduar dhe i mirëpranuar.

Ndoshta ju pëlqen!
Loading...

Është ky një opinion dhe një ide që “askush” nuk e di se pse është dominues. Është relevante të thuhet se edhe debatet publike dhe mediat respektojnë një “marrëveshje të panënshkruar” me politikat në pushtet. Ndërkaq pikëpamjet tjera mbesin jashtë këtyre mediave. Mekanizmi kontrollues në sistemin demokratik të Kosovës sonë është shumë efektiv. Ne si konsumues të mediave vështirë se dallojmë ketë mekanizëm: Bile ne shpesh edhe mendojmë e kënaqemi se “jemi duke marr pjesë në debate”. Por sa është kjo e vërtetë?

Mendimi kolektiv
Sistemi kontrollues i mendimit dhe debatit të lirë në Kosovë është shumë më efektiv dhe më dëmtues, se sa ai i sistemit totalitar, që shqiptarët e përjetuan në Jugosllavinë e AVNOJ-it. Ka të atillë që nuk do të pajtohet me një vlerësim të tillë, pasi që, sipas tyre, Kosova është duke u udhëhequr nga dija, shkenca, dhe intelektualët euro perëndimorë dhe amerikan. Kemi institucionet e stacionuara nga bota me sisteme politike demokratike e liberale, andaj edhe kontrolli i mendimit dhe opinionit të lirë nuk është i dëshiruar dhe s’mund të ndodhë në Kosovë.

Por mos të harrojmë historinë. Ajo është institucioni dhe akademia freskuese dhe armiku i harresës. Të marrim si shembull Gjermaninë e vitit 1930. Gjermania e asaj kohe ishte shteti më i zhvilluar dhe më i avancuar në Evropë. Kultura, arti, shkenca, teknologjia, literatura dhe filozofia lulëzonin dhe përjetonin atë çfarë njerëzimi nuk e kishte parë më parë. Por çfarë ndodhi? Për një kohë të shkurtër Gjermania, e të arriturave shkencore, u shndërrua në një shtet vrasës. Një shtet më kanibal e më antinjerëzor që historia e njeriut më parë se kishte të regjistruar. Apo edhe tjetra; Jugosllavia e të arriturave shkencore dhe kulturore lindi Ivo Andriqin dhe Dobrica Qosiqin; projektuesit e shfarosjes së shqiptarëve. Njëri nga këta edhe fitues i çmimit Nobel…

Instalimi i frikës
Politikat kontrolluese “të mendimit dhe debatit të lirë” kanë instaluar frikën në Kosovë. Po, frikën nga “të tjerët” dhe frikën nga “armiqtë e pavarësisë se Kosovës”.

Është për “tu habitur” se si mediat shqipe, dhe mekanizmat kontrolluese të mendimit dhe opinionit, kanë arritur që të instalojnë një frikë, një mendim e një bindje se, pavarësia e Kosovës është më shumë e rrezikuar nga “ata” të cilët nuk pajtohen me mendimin dominues të UNMIK-ut, se sa nga vet politikat agresive të Serbisë. Edhe Gjermania e Hitlerit dhe Gëbelsit instaloj frikën ndaj hebrenjëve, romëve dhe bolshevikëve. Po, edhe këto kombe dhe intelektualët e tyre, sipas teorisë naziste, rrezikonin “kombin e pastër gjerman” dhe, përparimin e tij shkencorë e kulturorë . Përsëri për “tu habitur”: Edhe sot ata të cilët nuk pajtohen me mendimin, debatin dhe opinionin e kontrolluar nga mediat e donatorëve, konsiderohen e trajtohen si “armiq të demokracisë kosovare”.

Si instalohet një ideologji e tillë?
Për të dominuar e për të nënshtruar dikë, dhuna nuk është e domosdoshme. Këtu është me rëndësi të kemi një legjitimitet dhe “një mirëkuptim”. Nëse një person, një diktator, kryetar, udhëheqës partiak, një i martuar, apo një punëdhënës dëshiron të ushtrojë fuqi, dominim e pushtet ndaj një tjetri, është me rëndësi legjitimiteti ideologjik. Pra arsyetimi. Ideologjia është çdo herë e njëjta: Dominimi bëhet “vetëm” për “të mirën” e tjetrit; për të mirën e personit, popullit, shtetit etj, etj. Me fjalë tjera: fuqia dhe dominimi, çdo herë, paraqitet si diçka “e pa interes”, “humanitare dhe shpirtmirë”. Kemi dëgjuar shpesh: “Unë/Ne sakrifikohemi për ty/juve”, “Ne investojmë për juve”, Unë/ne s’kemi interes nga kjo”, “Është vetëm për të mirën e juaj”. E, kësaj i thonë altruizëm…, apo jo?

Recepti propagandistik i nazistëve ishte që të përsëriteshin vazhdimisht e pandërprerë fjalët e thjeshta, dhe këto fjalë të lidhen me ndjenjat, veprimet dhe frikën.

Sot recepti i propagandës vetëm sa është perfeksionuar; që në vitin 1920 kemi të themeluar edhe industrinë e përpunimit të mendimeve dhe opinioneve. Qëllimi fundamental i PR (marrëdhënjeve me publikun) është që të ndërtoj e të fabrikoj “unitetin” në mendimin politik dhe “unitetin” në mendimin shqiptar. A nuk kemi sot deklaratat e politikanëve, se janë unik në mendimet rreth procesit të zgjidhjes politike të statusit të Kosovës? A nuk kemi “unitet” në debatet dhe mendimet që dominojnë në media? A nuk imponojnë këto media “debate” Hrushqoviane?

Është kjo, pra, një mendim “unik e kolektiv” i fabrikuar nga mediat dhe nga PR-të që veprojnë në mënyre të heshtur e profesionale në Kosovë. Qe të jesh i suksesshëm për të fabrikuar një mendim dhe debat nuk është e domosdoshme dhuna fizike. Tani është pra shkenca “Public Relation”. Pra pranim të ideve dhe nënshtrim pa filtër nga mediat dhe “debatet” që udhëhiqen nga gazetarët e politikave në pushtet. Këto media po kontrollojnë idetë, mendimet dhe ndjenjat. Por në krahasim më politikat e sistemit totalitar të Jugosllavisë, sot, në Kosovë kemi një “përparim” të madh, adalet të madh; Rankoviqi, Tito e Milloshevici për të kontrolluar idenë e mendimin publik përdornin “hunin e stupcin”, ndërsa sot, për të kontrolluar idenë dhe mendimin publik, më shumë e më profesionalisht, përpos “hunit dhe stupcit”, po përdoret media dhe retorika.

Në ketë kontekst shtrohet pyetja; A kanë të drejtë që mediat e UNMIK-ut të vendosin se çfarë është e vërteta historike për shqiptarët e ish-Jugosllavisë? Dhe, a është e drejtë që të dënohen e të lëçiten “ata” të cilët nuk mendojnë si “fabrikuesit e mendimit kolektiv”?

/Analiza e botuar në gazetat shqiptare në vitin 2003 /

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. Na ndihmoni!
Loading...