Wolfgang Münchau

Ishte fundi i viteve ‘80, kohë kur punoja në redaksinë e “London Times”, kur dëgjova për herë të parë fjalën “euroskeptik”. Ato ishin ditët e konfrontimit midis Margaret Thatcher dhe Nigel Lawson, ministrit të Financave, lidhur me hyrjen e Britanisë së Madhe në sistemin monetar evropian. Tre vjet më vonë, një koleg dhe mik imi rastësisht u shpreh se euroskeptikët po e fitonin lojën. Në të njëjtën periudhë, mbaj mend një koleg tjetër, një ndër emrat e rinj të gazetës, të cilit i ishte besuar recensioni i një filmi francez, të cilin ai e urrente. Dhe këtu, për herë të parë sërish, dëgjova fjalën “eurospazzatura” (europlehra). Ndërsa shpikja e termit “eurokrat” daton shumë vite më parë. Është gjithashtu interesante të përmendet se në Mbretërinë e Bashkuar shtypi në përgjithësi, qoftë pro apo kundër Bashkimit Evropian, zakonisht i referohet BE-së si një bllok – e njëjta mënyrë me të cilën i referohen bllokut lindor.

Dhe me fjalë, siç e dinë të gjithë, mund të ndërtosh histori. Nga tregimet, nga ana tjetër, lindin rrëfimet, të cilat janë histori që ne vazhdojmë t’i përsërisim pandërprerë. Euroskeptikët arritën të kontrollonin narrativën përmes medias, nga e cila Bashkimi Evropian ishte bërë shumë i varur. Frëngjishtja kishte qenë deri në atë moment gjuha e Komunitetit Ekonomik Evropian, kur kishte vetëm gjashtë shtete anëtare. Por me zgjerimin e BE, anglishtja është zgjeruar shumë. Dhe euroskepticizmi është bërë zhargoni mbizotërues.

Përpjekjet e përsëritura për të krijuar një hapësirë ​​mediatike shumëgjuhëshe kanë dështuar. Në një rast kam punuar në një gazetë angleze / gjermane, e cila dështoi për të njëjtën arsye që dështoi anëtarësimi i Britanisë së Madhe në Bashkimin Evropian. Integrimi i vërtetë në Evropë nuk ishte qëllimi i vërtetë i Mbretërisë së Bashkuar.

Unë kam arritur në përfundim se Bashkimi Evropian herët a vonë do të duhet të krijojë hapësirën e vet mediatike, duke refuzuar të lejojë terminologjinë dhe narrativat e saj të imponohen nga jashtë. Britania e Madhe ka dalë tan inga BE-ja. Gazetarët britanikë janë korrespondentë të huaj. Anglishtja vijon ende të jetë gjuhë e përbashkët. Por ashtu si Londra nuk mund të vazhdojë të jetë qendra kryesore financiare e Bashkimit Evropian pas Brexit, Bashkimi Evropian nuk mund të mbështetet te Britania e Madhe për të menaxhuar hapësirën e saj mediatike në të ardhmen.

Si gjithmonë, mediat britanike mbeten të obsesionuara me Evropën. Tabloidët euroskeptikë janë në garë të përditshme për të parashikuar rënien e afërt të Bashkimit Evropian. Sidoqoftë, midis njerëzve më seriozë, vura re shumë interes në konferencën për të ardhmen e Evropës, edhe nëse mendimet e shprehura ishin kryesisht negative. Përkundrazi, në mediat evropiane nuk ka pasur asnjë debat. Unë nuk mendoj se është në interes të Evropës ta lërë iniciativën në këtë fushë në duart e Mbretërisë së Bashkuar, sepse kjo me siguri do ta çonte atë në një drejtim euroskeptik.

Janë tre tendencat që do të lejojnë që Bashkimi Evropian të shkëputet nga ndikimi i mediave britanike dhe amerikane.

E para përfaqësohet nga përhapja e rrjeteve sociale. Twitter nuk është një agjenci komunikimi, por mund të sfidojë monopolin e emrave të mëdhenj duke hapur një derë alternative për lajmet dhe debatet, edhe nëse diskutimet evropiane në Twitter mbizotërohen ende nga gazetarë dhe komentatorë britanikë dhe amerikanë. Prania evropiane, megjithatë, është bërë shumë më e konsiderueshme kohët e fundit sesa ishte pesë vjet më parë. Diskutimet shpesh bëhen në anglisht, por të paktën ato nuk moderohen ose censurohen nga redaktorët që flasin anglisht. Ndërsa është shumë e vështirë për njerëzit e thjeshtë që të kenë një letër ose një artikull të botuar nga një shtyp anglishtfolës, është shumë më e lehtë të tërheqësh vëmendjen e komunitetit të madh Twitter. Për botën e ideve, Twitter përfaqëson një arenë shumë më demokratike.

Zhvillimi i dytë, duke parë nga e ardhmja, qëndron në rritjen e përdorimit të softuerit të përkthimit, i cili do të na lejojë të anashkalojmë anglishten si emëruesin më të vogël të përbashkët në komunikimin me shkrim. Kur themeluam Eurointelligence në 2007, programet e vetme të përkthimit në dispozicion ishin të bazuara në algoritme. Këto paketa ishin totalisht joadekuate dhe shpesh prodhuan përkthime absurde. Ende mbaj mend përkthimin e emrit të një bankieri të rëndësishëm spanjoll, Jose Luis Malo de Molina. Programi ynë e përktheu emrin e tij si “keqdashës”. Më keq akoma, përkthimet nga gjuhët e tjera evropiane u katandisën në fjali të përziera.

Lindja e përkthimit automatik me kompjuter bëri të mundur përkthimin e një artikulli finlandez në spanjisht, duke gjeneruar një tekst të kuptueshëm. Nëse leximi nuk është veçanërisht i këndshëm, të paktën ai plotëson nevojat e shumë profesionistëve. Ndoshta është akoma shumë herët për të menduar për kompanitë e komunikimit bazuar në përkthimin kompjuterik, por sot ne e dimë që kjo teknologji ekziston dhe vazhdon të përmirësohet: dhe kjo do të potencialin për t’i ndryshuar gjërat.

Së fundmi, le të kujtojmë se një hapësirë ​​e përbashkët mediatike duhet të lindë nga baza, jo të zbresë nga lart. Euronews ishte një shembull i kësaj qasjeje nga lart-poshtë. Si dhe Arte, kanali kulturor franko-gjerman, i cili përfaqëson një televizion të nivelit të lartë. Por ka edhe gazeta në gjuhën angleze që veprojnë si zëdhënës të lexuesit evropian kontinental.

Unë i kuptoj plotësisht arsyet pse institucionet evropiane janë mbështetur në një numër të vogël mediash në gjuhën angleze për sa kohë që Britania e Madhe ka qëndruar në BE. Edhe unë vetë kam punuar në të për shumë vite. Tani që Britania është jashtë BE-së, ka ardhur koha të reflektojmë seriozisht mbi strategjitë tona të komunikimit, mbi kanalet nëpërmjet të cilave transmetohen ato dhe mbi mjetet dhe teknologjitë e nevojshme për t’i vënë ato në shërbim të interesave evropiane. Le të mos harrojmë se si ndodhi Brexit: gjithçka nisi me fjalë dhe rrëfime. Bashkimi Evropian ka për detyrë të farkëtojë të vetat.

/ Corriere.it /