Për Vuçiqin, çdo politikan serb i cili dëshiron paqe dhe bashkëjetesë me shqiptarët është “llum”. Këtë fjalë e përdori Vuçiqi për ministrin e ri të Kosovës, Nenad Rashiqin. Nuk është për t’u habitur, duke ditur se Vuçiqi ka qenë ministër i Millosheviqit dhe bashkëpartiak i Sheshelit.

Politika e Vuçiqit ndaj serbëve të Kosovës është e tillë:

Regjimi i Vuçiqit mbron, financon dhe strehon kontrabandistë e kriminelë të listave të zeza ndërkombëtare, si Veselinoviq dhe Radojçiq, të cilët terrorizojnë banorët në veri të Kosovës dhe mirëmbajnë lidhje me kriminelë të të gjitha etnive, përfshi edhe kriminelë shqiptarë dhe partnerët e tyre në politikë.

Ju pëlqen!

Regjimi i Vuçiqit mbron porositësit, organizatorët dhe realizuesit e vrasjeve të politikanëve serbë të Kosovës që nuk ndjekin vijën e ashpër të Beogradit, si rasti i Oliver Ivanoviqit.

Regjimi i Vuçiqit mbron dhe mbështet terrorizimin e familjeve të politikanëve serbë që duan bashkëjetesën dhe paqen, siç ishte rasti i rrahjes brutale të djalit adoleshent të Nenad Rashiqit. Kërcënimet dhe sharjet që Vuçiqi së fundmi po i bën kundër politikanëve që ai nuk i kontrollon, si Rashiq e Trajkoviq, tregon se ai nuk dëshiron të lejojë që serbët e Kosovës të vendosin vetë për veten e tyre.

Regjimi i Vuçiqit paguan, mbron dhe kontrollon strukturat kriminale që dogjën veturat e serbëve të cilët zbatuan ligjin në Kosovë duke ndryshuar targat, madje edhe duke i rrahur ata në prani të fëmijëve të tyre. Janë të njëjtat struktura kriminale që ngrenë barrikada, vendosin haraçe, kërcënojnë banorët, dhe gjuajnë mbi policinë.

Prandaj kërcënimet dhe ofendimet e Vuçiqit kundër Rashiqit duhen marrë seriozisht, pasi Vuçiqi dhe politika e tij vendosin në rrezik çdo serb të Kosovës, e mbi të gjitha synojnë të pamundësojnë paqen dhe bashkëjetesën.

Është turp për çdo politikan me prirje demokratike që të bashkëpunojë me një regjim të tillë.

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot, të paktën edhe me 1 Euro!