Fraza e duhur në vendin e duhur mund t’ju nderojë. Mendoni gjithnjë se jeni vetëm larg një fjale të duhur nga ajo që dëshironi. Ja disa këshilla si të mos përdorni frazën e gabuar.

Fjalët që nuk duhet t’i thoni në lidhje me pamjen e dikujt

Mos i thoni: “Dukesh i lodhur”. Kjo për arsyen se, duke thënë kështu, ju sugjeroni që ai nuk duket mirë. Në vend të kësaj mund të thoni: “Gjithçka në rregull?”. Duke bërë këtë pyetje, ka më shumë mundësi që t’i jepni një energji pozitive personit në fjalë, sepse ai do të mendojë që pyetja juaj ka karakter mbështetës.
Në këtë mënyrë do të mundohet të hedhë pas krahëve lodhjen dhe t’i kthehet gjendjes së tij normale. Mos i thoni: “Sa shumë paske rënë nga pesha!” Kur shpreheni kështu, e bëni personin tjetër të mendojë se dikur nuk është dukur tërheqës në sytë tuaj.
Mund të thoni: “Dukesh fantastik”. Bëni mirë ta lini me kaq, por nëse jeni kurioz të merrni vesh mënyrën sesi është dobësuar, mund ta pyesni: “Cili është sekreti yt?” Mos thoni: “Dukesh mirë për moshën që ke”. Askujt nuk i pëlqen ky koment, për vetë faktin se duke u shprehur kështu ju i lini të nënkuptojë se duket shumë mirë, në krahasim me të moshuarit. Kjo nuk është mënyra e duhur për të komplimentuar dikë, ndaj bëni kujdes. Në vend të frazës së mësipërme mund t’i thoni: “Dukesh mrekullueshëm”. Mos thoni: “S’do ta kisha veshur kurrë këtë”. Mund të tingëllojë sikur veshja e personit tjetër ju duket e shëmtuar dhe e papërshtatshme. Në vend të kësaj mund t’i thoni: “Të shkuakan shumë këto xhinse të ngushta”, ose “S’do të guxoja t’i vishja, sepse nuk kam këmbë kaq të dobëta”.

Çfarë të mos thoni gjatë një zënke më partnerin
Mos thoni: “Ti gjithmonë bën kështu” ose “Ti kurrë nuk më ke thënë” apo “Ti e ke gabim”. Duke përdorur frazat si gjithmonë, kurrë, gabim, ju e bëni partnerin të ndihet i pashpresë dhe në këtë mënyrë ai do të detyrohet të kalojë në mbrojtje, gjë që do ta përkeqësonte zënkën.

Fillojini ankesat tuaja me përemrin vetor “unë”, kështu do t’u jepni fjalëve tuaja një lehtësim dhe përpjesëtim të ngarkesës emocionale, duke e bërë situatën më të butë. Mos thoni: “Nëse do të më doje me të vërtetë, atëherë do të…” Sa më shumë ta trajtoni partnerin sikur nuk ju kënaq, aq më shumë të pakënaqur do të jeni. Të impononi partnerin të bëjë diçka për ju, është një mënyrë e gabuar për të marrë atë që dëshironi. Më mirë shprehni mërzinë tuaj për një ngjarje konkrete dhe kërkojini ndihmë. Vetëm kështu do të arrini që ta bëni më të thjeshtë një zënkë, që mund të shuhet shumë shpejt ose mund të ndizet duke shkatërruar lidhjen.