Jack A. Goldstone

Kur presidenti i ardhshëm i SHBA të betohet në 20 janar 2021, ai do të jetë personi më i vjetër që ka bërë betimin në atë zyrë. Donald Trump, nëse rizgjidhet, do të jetë 74 vjeç; nëse zgjidhet Joe Biden, ai do të jetë 78 vjeç. (Rekordi i mëparshëm është vendosur në 1985, kur Ronald Reagan e mori mandatin e tij të dytë tre javë para se të mbushte 74 vjeç).

Si Trump, edhe Biden kanë ngritur shqetësime në lidhje me aftësitë e tjetrit, duke përmendur moshën dhe paaftësinë; gjatë fushatës së Trump, Biden është paraqitur si një njeri në karrige me rrota, pra një i moshuar në një azil.

Ju pëlqen!

Për të qenë të saktë, Amerika ka pasur presidentë më të vjetër për të cilët shëndeti ishte problem. Woodrow Wilson dhe Franklin D. Roosevelt pësuan hemorragji cerebrale në të 60-at e tyre, kur ende ishin në detyrë. Reagan u diagnostikua zyrtarisht me Alzheimer pesë vjet pas largimit nga detyra, dhe kundërshtarët ngritën shqetësime se ai mund t’i kishte pasur shenjat e para shumë më parë. Një brez më parë, 70 vjeç ishte një moshë që e kishte kaluar pensionin dhe konsiderohej pleqëri.

Sot, megjithatë, nuk është më kështu. Në shumë dimensione, amerikanët – veçanërisht meshkujt e bardhë të arsimuar në kolegj – po jetojnë më të gjatë, bëjnë jetë më të shëndetshme dhe më aktive se më parë.

Në Uashington DC dhe Nju Jork (ku kanë jetuar Trump dhe Biden), jetëgjatësia e burrave u rrit me 13.7 vjet vetëm në periudhën nga 1990 në 2015. Në të gjithë vendin, kjo rritje ishte edhe disa vjet më e madhe për ata që kishin një diplomë kolegji. Edhe të moshuarit janë shumë më të shëndetshëm. Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, midis të gjithë amerikanëve të moshës 75 vjeç e lart, pothuajse tre të katërtat e vlerësuan shëndetin e tyre (ose u vlerësuan nga një anëtar i familjes) si të mirë deri të shkëlqyeshëm në 2017, krahasuar me dy të tretat që e vlerësuan të tillë në 1991.

Ndonjëherë ka njëfarë droje se të dy kandidatët mund të jenë të rrezikuar nga demenca. Dhe është e vërtetë që ka një rrezik të moderuar të shfaqjes së demencës te ata që janë 75 vjeç ose më shumë. Por studimet e fundit tregojnë se edhe këto rreziqe janë në rënie. Një studim i Universitetit të Harvardit, i botuar këtë vit, tregon se rreziku që një 75-vjeçar të zhvillojë demencë gjatë viteve të tij të mbetura ka rënë nga rreth 25 për qind në 1995, në 18 për qind sot – një rënie pothuajse sa një e treta.

Dobësi të tjera që vijnë me pleqërinë po rregullohen. Kufizimi i aftësisë për të lëvizur, shikimi dhe dëgjimi dikur shiheshin si pasoja të pashmangshme të plakjes, që bëheshin pengesë që të moshuarit të bënin jetë energjike. Por 80-vjeçarët sot po luajnë tenis falë kirurgjisë së kyçeve, po shohin më qartë falë zëvendësimit rutinë të kataraktit dhe kanë dëgjim më të mirë falë aparateve të fuqishme dixhitale që filtrojnë zhurmën e rastësishme dhe lejojnë të kuptojnë dhe bisedojnë pa probleme. Tani e dimë që ushtrimet rutinore dhe palestra e zgjasin rininë: Që nga viti 2019, koha mesatare për moshat 60-65 vjeç për të vrapuar në një garë 10 mijë metra është rreth 10 minuta më tepër sesa për ajo e moshave 25-29!

Rezultati i këtyre tendencave pozitive është që 70-vjeçarët po luajnë një rol më aktiv se kurrë në pozicionet kryesore drejtuese. Sipas Raportit të Crist Kolder të vitit 2020, mosha e CEO-ve të rinj është rreth 20 për qind më e madhe sot se në 2005, dhe rreth 40 për qind e CEO-ve që punojnë janë mbi 60 vjeç. Kjo përfshin vendimmarrës të tillë të njohur si Warren Buffett (90 vjeç), Rupert Murdoch (89), dhe Roger Penske (83).

Në Kongresin Amerikan, 36 anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe 14 anëtarë të Senatit janë mbi 75 vjeç; shtatë nga këta të fundit janë 80 vjeç ose më shumë. Këtu përfshihen udhëheqësit e të dy Dhomave: Udhëheqësi i Shumicës së Senatit Mitch McConnell (78 vjeç këtë vit) dhe kryetarja Nancy Pelosi (80 vjeç).

Shumë vende të tjera në botë, përfshirë demokracitë dhe diktaturat, kanë udhëheqës në moshë; këto përfshijnë Benjamin Netanyahun e Izraelit (71), Mahathir Mohamad të Malajzisë (i cili dha dorëheqjen në mars përpara ditëlindjes së tij të 95-të, për t;u pasuar nga Muhyiddin Yassin, mosha 73 vjeç), Sebastián Piñera nga Kili (70), Hassan Rouhani i Iranit ( 71), Shejh Hasina i Bangladeshit (73), Yoshihide Suga i Japonisë (71), Nicos Anastasiades i Qipros (74), Aung San Suu Kyi nga Myanmar (75), Rodrigo Duterte i Filipineve (75), Nguyen Phu Trong i Vietnamit (76), Nana Akufo-Addo nga Gana (76) dhe Muhammadu Buhari nga Nigeria (77), ndër shumë të tjerë. Duke kthyer vështrimin prapa, Winston Churchill, një nga heronjtë e Trump, e filloi mandatin e tij të fundit si kryeministër i Britanisë së Madhe në moshën 76 vjeç; dhe që nga viti 1975 Japonia ka pasur jo më pak se shtatë kryeministra që ishin në detyrë në të 70-at e tyre.

Pra, të kesh një President i cili është 70 vjeç nuk duhet të jetë një shqetësim. Në fakt, mund të jetë një avantazh në situatën aktuale politike të Shteteve të Bashkuara.

Liderët e moshuar dallojnë nga të rinjtë në aftësitë e tyre. Padyshim që pika e tyre e fortë është përvoja. Një udhëheqës me dekada përvojë ka të ngjarë të ketë hasur kriza të ndryshme më parë dhe të dijë si të përgjigjet në mënyrë efektive (dhe cilat gabime të shmangë). Ata e dinë se çfarë do të thotë të bësh thirrje të vështira dhe t’i shohësh gjërat në perspektivë më të gjerë. Ata mund të mos e kenë pikë të fortë inovacionin, por për këtë arsye ka të ngjarë të jenë edhe më pak polarizues.

Sigurisht, kjo nuk ishte e vërtetë për 70-vjeçarin Donald Trump kur ai mori detyrën në 2017. Por Trump erdhi në presidencë me zero përvojë politike. Ai i shkriu aftësitë e tij në fushat e zhvillimit të pasurive të patundshme dhe reality TV, kështu që nuk ishte për t’u habitur që ai e mori me vete përvojën e tij të gjatë ndërsa drejtonte Shtëpinë e tij të Bardhë, si një kompani në zhvillimi me një model reality-TV për ekspozimin në media .

Joe Biden ka më shumë të ngjarë të qeverisë si një lider i pjekur politik me përvojë. Kjo do të thotë se ai ka më mund të arrijë të bëjë kompromise, të jetë më pak ideologjik dhe të kthehet në një prani që jep siguri. Me Shtetet e Bashkuara në mes të dy krizave që përplasen – një pandemi e vazhdueshme dhe një tkurrje e rëndë ekonomike – ndërsa përballet edhe me nevojën për të menaxhuar marrëdhëniet e SHBA me aleatët e larguar demokratikë dhe kërcënimet në rritje nga regjimet autoritare, këto cilësi mund të jenë pikërisht ato që i duhen vendit. Pas zhurmës dhe kaosit të pandërprerë të viteve të Trump, Biden me përvojë mund të sigurojë një kontrast që jep siguri.

A do të thotë kjo se Shtetet e Bashkuara përballen me një të ardhme liderësh në moshë të thyer? Nuk mendoj kështu. Ka gjasa që ajo që ne po shohim, si në Kongres ashtu edhe në presidencë, të jetë kulmi i fundit i udhëheqjes nga gjenerata baby-boom1. Në të vërtetë, zgjedhjet e vitit 2020 ka të ngjarë të jenë të fundit në të cilën baby boom janë gjenerata më e madhe në numër e votuesve. Për më tepër, nëse votuesit amerikanë kanë treguar një model në preferencat e tyre politike, kjo është një dëshirë për ndryshim. Pasi George W. Bush vazhdoi dinastinë Bush, votuesit u tërhoqën nga premtimi i një kandidati të ri, të papërvojë, por të pasionuar si Barack Obama. Pas Obamës, kur votuesit kishin një zgjedhje midis një drejtuesi tjetër potencial dinastik (Hillary Clinton) dhe një personi krejt të jashtëm (Donald Trump), mjaft votues zgjodhën diçka krejt ndryshe duke i dhënë Trump-it presidencën. Këtë vit, sondazhet sugjerojnë që lavjerrësi mund të kthehet përsëri te një kandidat që ilustron përvojën politike, te Biden.

Por në 2024, votuesit përsëri mund të jenë të paduruar për ndryshim. Në zgjedhjet e ardhshme, gjeneratat e reja të millenial2 dhe post millenial – një grup më i madh, shumë më i larmishëm etnikisht dhe më i arsimuar sesa baby boomers – do të jenë një pjesë shumë më e madhe e popullsisë votuese. Ku 75 për qind e amerikanëve të moshës 55 vjeç e lart ishin të bardhë jo-hispanikë që nga viti 2015, për millenials ishte vetëm rreth 56 për qind. Kjo përmbysje është shënuar veçanërisht në shtete të tilla betejash zgjedhore si Florida, Arizona dhe Pensilvania. Ndërsa kjo tendencë vazhdon, elektorati ka të ngjarë të favorizojë një kandidat që përfaqëson rininë, ndryshimin dhe diversitetin. Në çerek shekullin e ardhshëm, Kamala Harris, Pete Buttigieg dhe Marco Rubio kanë më shumë gjasa të përshtaten me profilin e presidentëve të ardhshëm sesa baby boomers e plakur. Por tani për tani, një 70 e kusur me përvojë e bën shumë mirë punën.

Jack A. Goldstone është profesor i politikës publike në Universitetin George Mason dhe bashk-redaktor i “Demografia Politike” dhe “Manualit të Politikave të Popullsisë”.

1 Të lindurit nga viti 1946 deri në 1964, nga anglishtja, termi ka kuptimin bumi i bebeve të pas Luftës së Dytë Botërore

2 Të lindurit mes viteve 1981 dhe 1996.

Foreign Policy / Përktheu: Gazmira Sokoli

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.