Dikush ka bërë popullor një pseudonim të ri për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, i cili vetëquhet shpesh edhe në publik si Lali Eri. Lali Euro, madje Lali €uro në të shkruar, për të vënë në dukje natyrën dhe prapavijën e vendimeve të tij në krye të bashkisë.

Marketon dhe propagandon lulishte, viza të bardha, pemë, kopshte fëmijësh, del me fëmijë dhe lodra, apo duke gatuar, por nga ana tjetër lejet e ndërtimit dhe kullat po përparojnë si asnjëherë më parë në Tiranë. Për këto z. Veliaj nuk flet. Aq shumë është molepsur perceptimi i qytetarëve saqë edhe prishja e Tregut Elektrit në Tiranë, po interpretohet si politikë e faktit të kryer për ndërtime të tjera.

Në prononcimet e tyre për TvT, tregëtarë të këtij ish-tregu thonë se Bashkia nuk ka sqaruar se ku do të jetë vendi i ri për të shitur. Për çdo vend ku ndërhyrhet me vepra publike, ka një aneks interesash private, zëdhënës i të cilave bëhet Bashkia e Tiranës.

Ju pëlqen!

Mjeti i vetëm propagandistik që i ka mbetur është të akuzojë çdokënd që proteston apo nuk bie dakord si pakicë e zhurmshme, kategori kundër zhvillimit etj.. Seancat dëgjimore me kameran e Bashkisë janë një tjetër mënyrë për të mbuluar ato që bëhen me dhunë policiore. Është një pushtet që përfaqëson lobime të ndryshme, por jo qytetarët. Të cilët vetëm i gënjen, apo korrupton.

Është një bashki e biznesit të ndërtimit, jo e Tiranës të cilën po e shformon sipas midesë. Cili komunitet apo kategori qytetarësh mbështet këtë politikë ndërtimi? Sidomos kur kujton premtimet e z. Veliaj. Ndodh kështu jo vetëm për shkak të arrogancës së pushtetit, për shkak të problemeve serioze që ka ky pushtet me paranë e akumuluar në 7 vjet bastisje të mbarë vendit, por edhe sepse tanimë Tiranë është e të gjithëve dhe njëkohësisht e Askujt. Një eksperiment shqiptarësh, njësoj si qytetet e krijuara dikur nga regjimi i Enver Hoxhës, me qytete që nuk i përkasin askujt tjetër pos të fortit të radhës dhe pushtetit.

Përndryshe, cili pushtet që me të vërtetë shqetësohet për votën, apo e ka të vështirë ta marrë atë, do të vepronte në këtë mënyrë. Cili pushtet do të provokonte nervin qytetar, do të cenonte urbanistikën e tij jo në emër të ndonjë plani të ri, por të ekzekutimit të disa lejeve për miq e shokë, apo edhe ortakë të padeklarua?

Pushteti i sotshëm pretendon se po e kthen Tiranën në një qytet europian. Por qytetet europiane kanë të parën historinë, identitetin. Çfarë historie dhe identiteti po respektohet në Tiranë, një qendër urbane që po kthehet në stacion kalimi dhe jo në një qytet me të cilin mund të lidhesh emocionalisht dhe ta konsiderosh Tënden?

I vetmi identitet që po ushqehet në këtë lloj gjëje pa formë është ai I Bllokut, i elitave të ngjizura nga kulloshtra kriminale e regjimit të Enver Hoxhës, e dukjes, luksit në mes të llucës, kapardisjes dhe marifetllëkut, injorancës dhe arrogancës. Këtë mentalitet përfaqëson edhe Lali Euro, teksa mbron dhe zbaton interesin e atyre që as nuk u intereson për qytetin, por për ndërtimin dhe lejen.

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot, të paktën edhe me 1 Euro!