Jeta moderne, a po na bën që të ndihemi gjithnjë e më të vetmuar? Sipas rezultatit të dalë nga shumë studime, ky pritet të jetë edhe problemi më i madh me të cilin shumë shpejt do të përballet shëndeti publik; dhe madje bëhet fjalë për një shqetësim të përmasave të njëta me ato të problemeve të tjera si obeziteti dhe droga. Rezultati i një studimi të tillë tregon se vetmia e rrit rrezikun e vdekshmërisë në masën 26%.

Vetmia është në problem gjithnjë e në rritje në botën moderne. Në Britaninë e Madhe, një sondazh i sapopublikuar nxjerr në dritë se 1 në 10 persona ndihet i vetmuar dhe 48% e njerëzve mendojnë se vetmia sa vjen e po shndërrohet në një tipar të jetës sonë. Madje Londra konsiderohet si kryeqyteti i vetmisë në Evropë.

Po përse vallë po ndihemi gjithnjë e më të vetmuar? Ndryshimet në shoqërinë moderne mendohet se janë shkaku kryesor. Një arsye është ndryshimi për shkak të shkollimit, apo punës larg familjeve dhe takimi shumë i rrallë me njerëzit e dashur. Një tjetër shkak është shtimi i përdorimit të teknologjisë, që po zëvëndëson përditë e më shumë bashkëbisedimin ballë për ballë.

Ju pëlqen!

Kjo po i bën njerëzit që të ndihen më të izoluar, edhe pse fillimisht nuk e kuptojnë, duke qenë se njëherazi teknologja të jep edhe mundësinë e një kontakti të menjëhershëm me çdo njeri kudo që ndodhet në planet. Ky lloj komunikimi po i bën njerëzit gjithnjë e më sipërfaqësorë dhe gjithnjë e më pak të kënaqur. Ne jemi “qenie sociale” dhe kemi nevojë t’u “përkasim” të tjerëve dhe të ndihemi të lidhur me njëri-tjetrin.

Studiuesit tregojnë se vetmia dhe refuzimi aktivizojnë në tru të njëjtat zona si dhe dhimbja fizike. Vetmia në fakt herët ose vonë, për një kohë të gjatë apo të shkurtër, na prek të gjithëve në jetë. Sepse të gjithëve na qëllon të zhvendosemi me banesë në një zonë të re, të humbasim ndonjë të afërm, të fillojmë studimet universitare. Këto na bëjnë të ndihemi të vetmuar.

Por këto përvoja vetmie, sipas studiuesve janë pozitive, sepse na nxisin të rilidhemi me persona të tjerë dhe kështu të rifillojmë jetën afektive për të reduktuar “dhimbjen sociale” të vetmisë. Por për disa persona, rilidhja dhe rifillimet nuk janë të mundura. Për shembull në rastet kur personi është shoqërisht i izoluar. Ky qëndrim në këtë gjedje vetmie për një periudhë të gjatë është shkatërrues.

Në Evropën Perendimore, ata që përjetojnë periudha të tilla të gjata vetmie përbëjnë 30% të popullsisë. Ata që përjetojnë vetminë për një kohë të gjatë kanë ndikime edhe në shëndetin e tyre, madje ndikimet negative janë të barabarta me pirjen e 15 cigareve në ditë, ose me të qenit obezë. Vetmia lidhet edhe me shëndetin e rënduar mendor.

Në një sondazh të bërë nga Fondacion për Shëndetin Mendor në Britani, depresioni lidhet ngushtësisht me vetminë te shumë të intervistuar. Ekzistojnë shumë mite për ata që përjetojnë vetminë. Sigurisht që ne të gjthë herëpashere e përjetojmë atë, por zakonsht ajo prek më shumë moshën e tretë.

Ata mund të jenë shoqërisht të izoluar për shkak të pamundësisë për të lëvizur si dhe humbjes së miqve, apo partnerit të jetës. Por vetmia prek njerëz të të gjitha moshave, përfshi edhe fëmijët dhe adoleshentët madje. Shumë adoleshentë rrëfejnë se ndihen të vetmuar edhe në mes të shokëve dhe njerëzve, ndihen të pakuptuar.

Po çfarë duhet të bëjmë për ta reduaktuar vetminë? Kjo pyetje nuk ka marrë ende ndonjë përgjigjie nga kërkuesit, sepse rritja e mundësive për të bërë shokë, jo gjithmonë çon në një reduktim të vetmisë së njerëzve. Ka edhe një problem tjetër. Ata që kanë qenë të vetmuar për shumë vite, e kanë shumë të vështirë të bëjnë miq dhe ndjejnë një lloj ankthi për këtë, dhe kështu vetmia vazhdon të shdnërrohet gjithnjë e më shumë në një plagë sociale që kërkon kurim.

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.