Kryeministri Albin Kurti ka në dorë mjetin që ia mundëson ta mbajë në detyrë Qeverinë që e drejton, edhe në rast se Kuvendi voton pro mocionit të mosbesimit të iniciuar nga Lidhja Demokratike (LDK). Qeverisja do t’i garantohej së paku derisa Kosova ta kalojë betejën me virusin vrasës COVID-19.

Kjo për shkak se, pas mocionit, presidenti ka dy zgjidhje që ia ofron akti më i lartë juridik: t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme, ose të kërkojë nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e kryeministrit Kurti që ta japë emrin e kandidatit për kryeministër të ri, shkruan sot “Koha Ditore”.

Zgjedhjet e parakohshme në Podujevë janë anuluar shkaku i pandemisë që ka përfshirë edhe Kosovën, e pikërisht nën arsyen për ta menaxhuar sa më mirë situatën me COVID-19, presidenti ka nxjerrë dekret për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme, por i cili akoma nuk ka dalë në Kuvend për votim. Kushtetuta nuk lejon zgjedhje në gjendje të jashtëzakonshme. Kësisoj, presidentit i mbetet vetëm opsioni për të ndërmarrë veprime në funksion të formimit të Qeverisë së re.

Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese dhe profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ka treguar se cila është procedura në rast të krijimit të rrethanave nga neni 95.5 i Kushtetutës, kur ngelet vakant posti i shefit të ekzekutivit.