Ka dyshime të forta rreth shpjegimeve që Fjolla Morina ka dhënë para oficerëve të policisë, se përse ajo po udhëtonte me armë zjarri drejt Shqipërisë.

Gjithçka do të niste mesnatën e 19 shtatorit, kur këngëtares kosovare do ti bëhej një kontroll në doganë të Morinës. Kontroll që do të prodhonte një lajm të pazakontë për femrat e shoubizit shqiptar.

Policia i kapi në çantën e dorës një pistoletë ‘Zoraki’ me 3 fishekë në karikator dhe 20 të tjerë në xhepin e pasëm të sediljes. Pas këtij zbulimi, të gjithë makinës iu bë një kontroll fizik, ku në bagazh policia i gjeti edhe një pistoletë tip ‘Walther’, që në dukje ishte pistoletë lodër, çakmak.

Fjolla do të duhej të jepte shpjegim për situatën ku ishte zënë. E pikërisht para oficerëve të policisë ajo jep një deklaratë që në pamje të parë duket se më shumë turbullon se sqaron këtë ngjarje.

Dëshmia e Fjolla Morinës

Fjolla do të tregonte për autoritetet dinamikën e udhëtimit drejt Tiranës, kush e shoqëronte dhe më e rëndësishmja, arsyen pse ajo kishte armë zjarri me vete.

“Ju deklaroj se jam nisur nga Kosova, me makinën time, për në Tiranë pasi kam për të bërë muzikë, dhe në makinë kam pas me vete edhe persona të tjerë. Ata janë Fitim Muji, i cili është shoferi im dhe Fisnik Syla, i cili është shoku im. U futëm në Pikën Kufitarë të Kontrollit të Morinës rreth orës 02:10 minuta dhe gjatë kontrollit më kanë gjetur pistoletën në çantë dhe fishekët në makinë.

Këtë pistoletë e kam pasur në njërën prej çantave, se kam tre-katër çanta me vete, se jam nisur në Tiranë për këngë dhe këtë e kam pas prej kohësh. Armën ma ka bërë dhuratë dikush. Një miku im nga Gjermania, i cili sot nuk jeton më. Personat që ishin me mua në makinë nuk e dinin se unë kam pistoletë, pasi as vetë nuk e kam ditur se e kam në çantë pistoletën, e kisha harruar,” – ka thënë Morina në deklaratën e saj.

Kjo dëshmi ngre së paku tre pikëpyetje mbi ngjarjen.

Së pari, përse Fjolla nxitohet të shpjegojë se kush janë dy burrat që e shoqëronin në makinë, duke lënë të kuptohet se ata nuk kishin dijeni dhe duke e marrë vetë fajin përsipër?

Së dyti, pse Fjolla thotë se armën e kishte harruar në çantë, me argumentin se ka disa çanta. Nesë armën realisht e kishte harruar në çantë, po fishekët e gjetur në sediljen e pasme të makinës pse ishin aty?

Dhe çka e bën edhe më enigmatike deklaratën e Fjollës është origjina e armës, sipas fjalëve të saj. Kush është ky mik i Fjollës që ia ka dhuruar armën, e që tashmë nuk jeton më?

Kjo ngjarje është sa e paprecedentë, aq edhe interesante. Dhe të tillë e bën edhe profili i njerëzve që e shoqëronin Fjolla Morinën.

I pasi ishte shoferi i saj Fitim Muji. Tjetri, një biznesmen mik i quajtur Fisnik Syla, pronar i pesë hoteleve në qytetin ‘Sint-Niklas’ të Belgjikës dhe president i ‘F.C. Gera-Waasland’. Të tre janë arrestuar në kushtet e flagrancës.

Dëshmia e dy shoqëruesve

Fisnik Syla dhe Fitim Muji kanë deklaruar para grupit hetimor se ata kanë qenë në makinë me këngëtaren vetëm për ta shoqëruar drejt Tiranës, dhe se nuk e kishin idenë që ajo kishte marrë dhe pistoletë me vete.

“Jemi vetëm shoqëruesit e Fjollës. Nuk e dinim që ajo kishte këto pistoleta në çantën e dorës dhe në makinën e saj. Ajo kishte për të shkuar në Tiranë për muzikë dhe po e shoqëronim,”- janë shprehur Muji dhe Syla, të dy nga 29 vjeç.

Pavarësisht dëshmisë, arma do i nënshtrohet ekspertimit balistik dhe daktiloskopik, për të mësuar gjendjen teknike dhe nëse ka pasur gjurmë gishti të dy burrave të tjerë që ndodheshin në makinë me këngëtaren.

Pavarësisht bujës që lidhet me arrestimin e një ‘VIP’-i dhe armët e zjarrit të përfshira, nuanca rozë që i jep ky trajtim mediatik ngjarjes nuk e bën atë aspak më të lehtë se ç’është. Lapsi.al shpjegon më poshtë se si mund të rrjedhë kjo ngjarje në një prizëm më serioz.

Burg për Fjollën?

Ylli i hiteve me konotacion seksual, si kënga ‘Trileqe’, do të dalë të martën para gjykatës së Kukësit për t’u njohur me masën e sigurisë ‘Arrest në burg’ që do të kërkojë prokuroria.

Bazuar mbi situatën ku është kapur këngëtarja kosovare, Lapsi.al sjell nenin 278 të Kodit Penal, që pritet të rëndojë mbi Fjollën.

“Mbajtja e armëve, e armëve shpërthyese ose e lëndëve plasëse në automjete apo në çdo mjet tjetër të motorizuar, në mjedise publike ose në mjedise të hapura për publikun, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.” – thuhet mes të tjerash në nenin 278, për ‘Mbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve, armëve shpërthyese dhe të municionit’.

Mbetet për tu parë nesë autorja e frazës së famshme “A don me ta thy” do të dënohet 3 deri në 7 vite burg. Por nëse ajo gjykohet si fajtore, duket se çfarë i ngel për të thyer Fjollës do të jenë vetëm hekurat e qelisë së burgut.