Kongresisti amerikan, Eliot Engel, tha se Kosova duhet të marrë diçka në këmbim të detyrave që i kërkohet të kryejë. Duke folur për gazetarët në Bruksel, Engel kujtoi ratifikimin e demarkacionit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi, pas së cilës gjë Bashkimi Evropian i ka premtuar liberalizimin e vizave me vendet e BE-së

“Kjo gjë (liberalizimi i vizave) nuk ka ndodhur ende dhe është frustruese”, tha Engel.Kuvendi i Kosovës e ka ratifikuar marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi qysh në mars të vitit të kaluar.

“Po qe se Kosova e sheh se nëse përgjigjet pozitivisht, fiton diçka pozitive, atëherë nuk do të kishte problem. Problemi ekziston se ata po e shohin se nuk fitojnë asgjë”, tha Engel.

Ju pëlqen!

Komentet vijnë pas presionit të shtuar amerikan mbi Kosovësn që të tërheqë taksën 100% që u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përsëritur në disa raste se taksa do të mbetet në fuqi derisa Serbia ta njohë Kosovën.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se taksa është kundër interesave amerikanë, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka ngulur këmbë se nuk do të vazhdojë dialogun për normalizim marrëdhëniesh me Kosovën, derisa të mos hiqet taksa.

Engel tha se edhe Qeveria e Serbisë duhet të ndryshojë qëndrim dhe të mos vazhdojë mbajtjen e Kosovës jashtë organizatave ndërkombëtare, si UNESCO dhe INTERPOL, si dhe të mos përpiqet t’i bindë shtetet për të tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Engel tha se shpreson se udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë do të dalin me një plan për ecjen pëpara dhe për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.