Sami Frashëri botoi në vitin 1888 “Kamus-ul-alam” (Fjalori i Madh i Diturive), e njohur si Enciklopedia e Parë Turke me të dhëna historike dhe gjeografike të përbotshme. Në këtë kryevepër të dijes dhe kategorive të saj, Sami Frashëri nuk ka harruar që midis emrave të pafundmë të kësaj enciklopedie të shënonte dhe emrin e Gjergj Kastriot Skënderbeut, si një biografi lakonike, apo një histori tipologjike në vetvete.

Turqia e vitit 1888 ishte nën regjimin despotik të osmanllinjëve, me në krye autokratin më të urryer të popujve të perandorisë turke, Abdyl Hamidi II, i cili njihet në histori me emrin Kizil Sulltan (Sulltani i përgjakur). Për kohën dhe kushtet, në historiografinë shekullore osmane, heroi kombëtar i shqiptarëve Gjergj Kastriot Skënderbeu, cilësohej nga propaganda zyrtare turke si “Eshkija”, – dmth. bandit, rebel dhe armik i perandorisë dhe i vetë dinastisë së sulltanit në fuqi.

Turqia e sulltan Hamidit të II, ishte nën censurën e rreptë që përshkonte rrjesht për rrjesht e fjalë për fjalë çdo vepër që përgatitej për botim. Në të tilla rrethana kërcënuese dhe të pafavorshme, është i qartë guximi që ka pasur Sami Frashëri, për të shkruar diçka preth Gjergj Kastriotit. Samiu e cilëson Skënderbeun në shkrimet e tij, si pasardhës të Aleksandrit të Madh, – për më tepër, kundërshtar real i dy sulltanëve: i sulltan Mehmetit të II, i mbiquajtur Fatihu (Ngadhnjyesi), – që në fakt, qe edhe stërgjysh i Sulltan Abdyl Hamidit II.

Sami Frashëri me një guxim të pashoq, të pavarësisht se qe i vetëdijshëm, arrin që me kryeveprën e tij enciklopedike të shkruajë për Skënderbeun, duke i thënë haptazi turqve bashkohës të tij dhe opinionit publik e atij intelektual; se Gjergj Kastrioti nuk ka qenë një “Eshkija”,- por heroi kombëtar i shqiptarëve, -pasardhës i Aleksandrit të Madh – me të cilin kishte të ngjashme edhe formën e përkrenares, siç ka theksuar vetë Samiu.

Çfarë ka shkruar ai, në zërin enciklopedik të quajtur Iskenderbej (Scanderbeg):

“Zanafillas, emri i tij është Xhorxh ose Gjergj Kastrioti, biri i Jan Kastriotit, princ i krahinës së Krujës (Akçehtisarit) në kohën e pushtimit osman.

Ka lindur në vitin 1404, sipas një dëshmie tjetër në 1414.

Kur sulltan Murati i II nisi të pushtojë viset shqiptare, atit të tij iu desh të nënshtrohej.

Por, sulltani për të pasur garancinë e duhur të vazhdës së nënshtrimit, mori si peng katër të bijtë e Jan Kastriotit dhe i pruri në Andrianopojë. Skënderbeu qe më i vogëli nga këta.

Jashtëzakonisht i zgjuar dhe trim, tërheq vëmendjen dhe i hyn aty për aty në zemër sulltanit, i cili e quan ose e emërton Iskënder, në përgjasim të bashkëkombasit të tij Iskënderi Dhul-Karneinit dhe kështu u edukua së bashku me princin perandorak Mehmetin e II, Fahtiun e ardhshëm.
Sapo u burrërua, emërohet Sanxhakbej. Me të këtë cilësi ka shërbyer në Serbi, në Damaskë dhe në krahina të tjera të Perandorisë.
Në luftrat ku mori pjesë, gjithkund u nda në shenjë nderimi për karakterin e tij burrëror, për trimërinë me zotësi ushtarake të jashtëzakonshme.
Aq i rreptë ishte më forcën e tij trupore dhe me guxim, sa edhe faqe sulltanit u dilte në mejdan (në dyluftim) shumë atletëve duke nuk u mundur asnjëherë prej asnjërit.

Me vdekjen e të atit, zotërimi i tij i pavarur iu shtua zotërimeve të perandorisë turke, duke u dërguar kështu njëherësh në Krujë një qeveritar kështjelle.

Në atë kohë Skënderbeu ndodhej në Sham (në Siri). Kur kthehet së këtejmi, merr vesh, se që të tre vëllezërit i kishin vdekur.

Skënderbeu, në një kohë që ishte në pritje, që me vdekjen e të atit, njëri prej vëllezërve ose ai vetë të merrte sundimin në viset e trashëguara dhe ashtu, të vendosej princ mbi to, në një anë, duke mos parë të realizuar këtë, e në tjetrën nga pikëllimi për vdekjen e tre vëllezërve, u pezmatua aq, sa mori vendim të merrte malet.

Kështu, duke qënë i dërguar për në luftën e Moravës, më 1443, arratiset me një grup shqiptarësh, që kishte pranë vehtes.

Mbasi gaboi komandantin e Krujës dhe ai rimori në dorë zotërimin e të atit, fton princat dhe kryezotët që ndodheshin në Shqipëri dhe ashtu, bëri që të njihej kreu i krerëve të tërë shqiptarëve.

Me zotësinë e talentin e tij luftarak, duke qënë i favorizuar edhe prej pozitave natyrale, mundi t’i qëndrojë përballë për shumë ushtrive të perandorisë.

Mbretërit e krishterë të Europës, posaçërisht Papa me mbretin e Hungarisë, duke menduar se Skënderbeu do të bëhej një mur i hekurt karshi osmanëve, s’u kursyen ta inkurajojnë, duke lidhur aleancë me të, por këto pushtete, që s’guxonin t’i dilnin vetë përballë stuhisë osmane, si e futën Skënderbeun në zjarr, qëndruan, duke bërë sehir për së largu.

Megjithatë, Skënderbeu i mbështetur në atë strategji dhe mënyrë luftimi, që ishte një veçanti e tij, e sidomos duke mbajtur grykat e duke u fshehur nëpër pyje të pafundme, me mësymje të befasishme dhe duke iu shmangur betejave të hapëta arriti t’u qëndrojë ushtrive të komanduara nga vetë sulltan Mehmeti i II.

Këto qëndresa bënë që si ushtria, ashtu dhe atdheu i tij, të dëmtoheshin mjaft. Për më tepër, dëshpërimi i tij qe më i madh, kur pa kundër vehtes dhe të bashkuar me ushtrinë osmane nipin e tij, Hamza Kastriotin.
Aq më i madh qe dëshpërimi, kur i braktis dhe prej më trimit, shok të tij Moisiut të Dibrës, që, krahas ushtrive perandorike, t’i hidhet përsipër. Por, më vonë, që të dy këta i shtiu në dorë.

Sulltan Mehmeti i II, Fahtiu, ka dërguar shumë herë ushtrinë mbi Skënderbeun. Më në fund, Skënderbeu qe shtrënguar të kërkojë paqe, kështu më 1461 u lidh një traktat.

Skënderbeu duke përfituar prej kësaj paqeje, kalon në Itali, ku krahas Feerdinandit, mbret i Napolit dhe i Siçilisë, lufton kundër mësymjeve të Karlit të VII, mbret i Francës.

Si shpërblim ndaj ndihmës dhe ngadhnjimit në këtë luftë, Ferdinandi i jep Skënderbeut titullin e “Duka i Shën Pjetrit”.

Me t’u kthyer nga kjo luftë, në 1463, hidhet përsëri në luftë kundër perandorisë osmane. Kësaj here Sulltan Mehmeti II dërgon një ushtri shumë e madhe. Skënderbeu, duke kuptuar se s’mund t’i bënte ballë dhe, në anën tjetër, duke e parë vehten edhe të sëmurë, niset për në qytetin e Lezhës për të kërkuar ndihmë prej venedikasve. Por, aty ndërron jetë, më 1467 (në 1468).

Sado që, ka qënë varrosur në Lezhë, luftëtarët, që u qe mbushur mendja se eshtrat e tij kishin një tallasum (talisman) që i mbronte dhe i ruante nga goditja e predhave, i patën nxjerrë këto eshtra nga varri dhe pastaj shpërndarë dhe qepur nëpër veshjet e tyre.

Pati lënë një djalë të vogël, i cili, së bashku me disa krerë pati ikur në Venedik, por më tej s’është marrë vesh gjë mbi fatin e tij.

Me vdekjen e Skënderbeut, Kruja dorëzohet, pushtohet e tërë Shqipëria, vëndi ynë nën pushtimin osman. Historia e Skënderbeut ka qënë shkruar në gjuhën latine, prej bashkëkohësit dhe mikut të tij Marin Barleti. (Sami Frashëri: Kamus-ul-alam (II, f.927-923).