Me ato imazhe të katedrales Notre-Dame që digjet, besoj se vërtetë shumë prej nesh ndjenë një dhimbje të ngjashme me thyerjen. 
Sepse është e bukur. 
Sepse është destinacioni ynë i përzgjedhur, aty ku konfirmojmë shijet tona, faktin se këto shije tonat janë të ngjashme me ato të njerëzimit që e quajmë më të përparuar.
Sepse në turizëm ne ndihemi të barabartë me shijet e të tjerëve, ndërkohë që, kur shkatërrojmë shijet dhe ndërtimet tona, përdorim argumentin se nuk ka pse të gjykohen shijet
Sepse edhe romani modern, që e përshkoi këtë ndërtim klasik, u gëlltit përnjëherë prej klasikes duke u bërë po aq klasik.
Sepse edhe përballë kullës më moderne, ky tempull flet ende për ne, thotë ende se bota jonë është e përbashkët: nëse gjatë ndërtimeve të saj për një gjysmë mijëvjeçari, kemi qenë aristokratë, ajo na është kushtuar neve deri diku; nëse atëherë kemi qenë të kolonizuar apo punëtorë, paraardhësit tanë kanë marrë pjesë në ndërtimin e saj deri diku.
Kjo katedrale është një si ngrohje, ngrohje e botës së ftohtë e të shëmtuar nën gjëmën e cinizmit, ngrohja më klasike. 
Kjo katedrale është intimiteti ynë në indiferencë, privatësia jonë e ngjashme, pavarësisht varfërive dhe pasurive tona. 
Për ata që e kanë parë është laicizimi i paskajshëm i botës, një tempull i njeriut më shumë se i Zotit.
Ajo është edhe didaktika klasike, me dit se sa herë ndeshim të ngjashmen e saj tempullore, qoftë në shkretëtirë, apo në xhungël, ne duhet të ndalemi. Ajo është simboli i ndalesave të njeriut.
Përkundër vrapit shoqëror të njeriut për mbijetesën, katedralja Notre-Dame është ndalesa e vëmendjes historike. Ajo na tregon se ne kemi ende aftësinë e vëmendjes historike.

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Ndoshta ju pëlqen!
Loading...

Por, për ne shqiptarët, thellësisht, për ne popullin me histori të brishtë e monumente të thyeshme, kjo katedrale është garancia. Kullat tona të malësisë, ato të Gjirokastrës e të Prizrenit, sarajet e Toptanit, teatri ynë i kombit, mund të bien të tëra në dramën e indiferencës sonë. Thellësisht ne e dinim se Katedralja e Parisit ishte e mbrojtur prej njerëzve të përgjegjshëm, njerëzve që nuk janë si ne. 
Ne e dinim se në kullat tona të lashta i vret varfëria jonë dhe dhuna e pushteteve që ne ngremë. Ne e dimë se te ne betoni e vret gurin, se varfëria e vret të lashtën tonë. Ndërsa dinim po ashtu se historia jonë ruhet diku larg nesh prej të tjerësh që nuk janë as cinikë e as të varfër si ne. 
Dhe kur mbi atë katedrale bie zjarri, në kuptojmë se kullat e historisë sonë nuk i mbron vetëm emri i autorit, nuk i mban gjallë e në këmbë natyra e tyre klasike, nuk i garanton fakti se ata që banojnë pranë tyre janë të përgjegjshëm. Ne kuptojmë se klasikja jonë mund ta presë rrezikun nga çdo cep i rastësishëm. Dhe ne thyhemi. Kishim lënë në dorë të francezëve jo vetëm kullat e tyre. Shpeshherë kemi menduar se francezët do të mbrojnë ndërtimet tona për hir të shijes së të lashtës së tyre. Kur kuptuam se kullat klasike nuk prishen vetëm për hir të kullave të ftohta moderne, por edhe për hir të cinizmit absolut të rastësisë, aty ne u thyem. 
Kur të kalojmë pranë teatrit tonë, pranë vendit të një kishe që e kemi shkatërruar në emër të ateizmit të përkohshëm, kur të kalojmë para skenës intime të Toptanëve, kur të shkelim betonin që është hedhur mbi muret e vjetra të Vlorës apo mbi Durrësin antik, ne do jemi të ndërgjegjshëm që po kalojmë para diçkaje që ne e prishim apo e kemi prishur me qetësinë e faktit se kullat tona nuk janë katedralet e përbindshme dhe të përbotshme, autoriale dhe unanime. Ne e dimë se kullat tona, kur të shkatërrohen do të kenë dëshmitarë vetëm ndërgjegjet dhe vëmendjet tona anonime dhe të paimunizuara. Ne e dimë se do i shkatërrojmë jashtë vëmendjes së historisë së përbashkët. Ne dimë se kullat tona i pësojnë dramat e tyre në mënyrë sekrete. Ne e dimë se kullat tona nuk bëjnë zhurmën e katedraleve. Ne marrim pjesë në zhurmën e katedraleve diku në qendër të botës, pikërisht për t’u zhvendosur në cep të botës vetë ne, sepse përkundër ngrohtësisë së klasikes ne dëshirojmë ngrohtësinë e varfërisë. Djegia e katedraleve në qendër të botës do të jetë një thirrje që nuk e durojmë dot: do të na duhet t’i mbrojmë kullat tona klasike, kullat e intimitetit tonë historik, ngaqë klasikja dhe prania jonë në botë nuk janë hiç të sigurta, qoftë edhe kur janë në qendër të botës.
Elvis Hoxha/MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike.
Loading...