Posta Mbretërore e publikoi një seri pullash për nder të karrierës së Elton John, të cilat janë në dispozicion tani.

Seti i pullave i përmban tetë kopertina albumesh të zgjedhura nga vetë John – Honky Chateau, Goodbye Yellow Brick Road, Caribou, Captain Fantastic dhe Brown Dirt Cowboy, Sleeping With the Past, The One, Made in England dhe Songs From West Coast. Një koleksion shtesë prej katër miniaturash tregojnë skena koncertesh që i përfshijnë pesë dekada.

John është solo artisti i parë i gjallë që është nderuar me një set të pullave – i vetmi solo këngëtar që është nderuar kështu është David Bowie, karriera e të cilit u shënua në vitin 2017 pas vdekjes së tij, shkruan KOHA Ditore.

“Të them se u befasova kur Posta Mbretërore më kontaktoi është një nënvlerësim,” tha John. “Kurrë nuk kam menduar se do të shfaqesha në një pullë!”

“Eltoni është një nga solo artistët më të suksesshëm britanikë të të gjitha kohërave”, shtoi zëdhënësi i Postës Mbretërore, Philip Parker. “Ai i ka regjistruar disa nga këngët më të njohura në historinë e popit, si ‘Candle in the Wind’ dhe ‘Rocket Man.’ Pullat tona i shfaqin disa prej albumeve të tij më ikonike dhe e festojnë kontributin e tij fantastik muzikor”.

Pullat janë në shitje në formate të ndryshme. Së bashku me edicionet e ndara, një pako prezantuese koleksioni, kopertinat e ditës së parë dhe sete me kornizë, ofrohen gjithashtu printime me korniza me edicion të kufizuar dhe një pako suveniresh të Stadiumit Dodger ku përfshihen një palë syze në formën e yllit.

Pjesa e tanishme e turneut lamtumirës të Johnit është duke u mbajtur në Amerikën e Veriut deri më 16 nëntor, ndërsa koncertet do të vijojnë në Australi, Evropë dhe Britani. Data e fundit e planifikuar e koncertit është në O2 të Londrës më 16 dhjetor 2020.