Nëpër ‘Shqipëritë’ tona, e veçanërisht në mëmëdhe, ka me qindra ‘intelektualë’, si për shembull filozofë, piktorë, shkrimtarë, aktorë, historianë…, të cilët kanë lënë pas vetes vepra për mburrje e që janë bërë madje edhe pjesë e thesarit botëror, por nëse i merr të gjithë ata dhe i ‘shkrin’ në një kazan, nga shkrirja e tyre nuk të mbetet thuajse aspak mendim kritik ndaj proceseve shoqërore, e që do i ndihmonte shqiptarët të kuptonin se çka është duke ndodhur me ta dhe jashtë tyre.

Kim Mehmeti

Nëpër shoqëritë shqiptare, e posaçërisht në Shqipëri, ka me qindra ‘mendimtarë të pavarur’, të cilët nëpërmjet ekraneve televizive, thuajse për çdo natë, kuvendojnë për gjithçka, duke nisur nga seksi te mizat e deri te pasojat e globalizmit, por nëse i merr dhe i ’bluan’, nga ‘mielli’ i dal prej tyre, nuk mund të ‘ngjeshësh’ as katër pesë veta që nuk e kanë dhënë kokën me qira te ndonjë parti politike.

Ju pëlqen!

Nëpër trojet shqiptare, e veçmas në Tiranë, ka me qindra media, si për shembull televizione me godina të shtrenjta dhe studio marramendëse të nivelit botëror, por nga gjitha ato, të del vetëm një RTSH si e kohës së Enverit, e cila nuk e ka redaksinë te Partia e Punës, por o te zyra e Piktorit, o te ajo e kryebashkiakut të Tiranës.

Lexo po ashtu:  "Themelet e Gjeopolitikës" ruse - Ky libër përdoret dhe sot si bazë studimi në Akademinë e Ushtrisë Ruse

Dhe njësoj si njeriu që nuk është vetëm atë që shohim – dukja e tij fizike – por edhe e padukshmja e tij, siç janë imagjinata, ndjesitë, epshet, pasionet, ëndrrat…., edhe shoqëritë nuk janë vetëm atë që duken, por edhe ajo që nuk shihet në to.

Kështu që ‘Shqipëritë’ tona nuk janë vetëm e dukshmja e tyre, si për shembull hajdutëria, krimi, keqqeverisja, paligjshmëria…, por edhe e padukshmja në to, ajo që shpërfaq mëkatin tonë kolektiv, e të cilin e përbën heshtja e elitave, mediat që e vënë popullin në gjumë me spektakle, mendimtarët që lirshëm e thonë atë që mendon partia…

Por megjithatë, ne vetëm shtiremi se nuk e shohim mëkatin tonë të padukshëm kolektiv dhe se nuk e dimë ç’pamje ka ai, sepse në të vërtet ne pa ndalë përballemi më të.

Mëkati ynë kolektiv ka fytyrën e të zgjedhurve tanë, atë të burrështetasve tanë, si për shembull, atë të Piktorit në Shqipëri, i cili rrënon Teatrin Kombëtar e ne heshtim, që e bashkon Ballkanin duke e përçarë shqiptarinë dhe që tallet me të gjithë ne ngaqë e dinë se ka të bëjë me ‘intelektualë’ të guximshëm, ‘mendimtarë të pavarur’ e media që do e kritikojnë, që do ia thonë dhe do ia shpalosin të gjitha keqbërjet e sotme, por – njësoj si edhe Xhaxhit Enver, të cilit i përkuleshin sa ishte gjallë – nesër, pasi të bie nga pushteti.

Lexo po ashtu:  Intelektuali nga Kosova: Të lutem redaksi mos e publikoni emrin tim. Më largojnë nga puna - "Vjedhë politikani, vjedhë advokati, vjedhë prokurori, vjedhë gjygjtari, vjedhë ekonomisti, vjedhë mjeku, vjedhë polici, vjedhë hoxha e vjedhë prifti, por sot – sot o vëlla u mbush kupa!"
MekuliPress është në prag të mbylljes. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NDIHMO sot median e pavarur dhe origjinalitetin e MekuliPress. Dhuro SOT, të paktën, edhe 1 Euro! Faleminderit!