Vrasjet e pasluftës përbëjnë një nga temat që është trajtuar shumë pak në Kosovë. Ndonëse janë në numër të madh vrasjet e kryesisht veprimtarëve të shquar të politikës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ato janë lënë në harresë, e shumë nga ato edhe janë mbyllur si raste.

Si shpresë e vetme për familjarët e të vrarëve kishte mbetur Gjykata Speciale e cila do të përfshinte një pjesë të këtyre rasteve.

Por, edhe një shpresë e re a mund të jetë qeveria e sapozgjedhur, e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Kjo e fundit është dëmtuar më së shumti nga këto vrasje, duke iu vrarë disa nga njerëzit e shquar të saj.

Ju pëlqen!

Gazeta ka kontaktuar Ministrinë e Drejtësisë për të pyetur se si do t’i trajtoj këto raste. Mirëpo, ata nuk e kanë komentuar këtë temë.

Rudi: Tash me qeverinë e re, presim që të punohet më shumë

Qeverinë Kurti e shohin si një shpresë për zbardhjen e këtyre vrasjeve edhe vetë të prekurit nga këto raste. Njëri ndër ta ishte edhe deputeti aktual, Fetah Rudi i cili ishte i përfshirë në një incident të ndodhur kundër tij. Ai në një përgjigje për gazetën “Bota sot” ka folur për vrasjet e pasluftës në Kosovë, duke thënë se ato është dashur të zbulohen kohë më parë, por shteti ka dështuar duke qenë se ishte i kapur nga ata që urdhëruan këto vrasje.

“Po çështja e vrasjeve politike, është tema e ndjeshme në Kosovën e pasluftës. Këto vrasje kanë qenë dashur të zbulohen kaherë, por fatkeqësisht një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Krejt kjo për shkak që drejtësia e Kosovës ka dështuar, dhe ka qenë e kapur nga ata që i kanë urdhëruar ato vrasje, e ku viktima kanë qenë anëtarët e LDK-së”, thekson deputeti i LDK-së, Fetah Rudi.

Ai thotë më tutje se duke qenë edhe vetë viktimë e një incidenti të ngjashëm, tash si deputet do të angazhohet që urdhërdhënësit dhe atentatorët të dalin para drejtësisë.

“Tash me qeverinë e re, presim që të punohet më shumë dhe urdhërdhënësit dhe atentatorët e vrasjeve politike të dalin para drejtësisë. Vrasjet politike janë plaga më e madhe për Kosovën, pa zbulimin e të cilave liria e Kosovës nuk është e plotë. Duke qenë vet viktimë, do të angazhohem në çdo mënyrë që të punohet drejt zbulimit të vrasjeve politike”, thotë ai.

Ende elementet e SHIK-ut vazhdojnë të jenë në disa prej institucioneve kyçe në Kosovë

Deputeti Rudi thotë më tutje se një shpresë për zbulimin e këtyre vrasjeve është edhe Gjykata Speciale që erdhi si dështim i drejtësisë së Kosovës, UNMIK-ut dhe EULEX-it. Megjithatë, ai shpreson që edhe Qeveria Kurti me LDK-në do të jenë shpresë për zbulimin e vrasjeve politike.

“Një ndihmë të madhe dhe një shpresë e madhe për zbulimin e këtyre vrasjeve është edhe Gjykata Speciale, gjykatë kjo e nevojshme e cila ka ardhur pikërisht pas dështimit të drejtësisë kosovare, të UNMIK dhe të EULEX. Qeveria Kurti në koalicion me LDK-në besoj që do të jenë një shpresë për zbulimin e vrasjeve politike, ani pse kjo është një sfidë e rëndë, kur dihet se ende elementet e SHIK-ut vazhdojnë të jenë në disa prej institucioneve kyçe në Kosovë”, thotë për “Bota sot”, deputeti Fetah Rudi.

Mehmeti: Ministria Drejtësisë duhet të shkund sistemin e drejtësisë

Njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti në një prononcim për “Bota sot” thotë se derisa vrasjet e pasluftës do të trajtohen nga Gjykata Speciale, mund të ndodhë që i njëjti rast të trajtohet edhe nga kjo gjykatë, por edhe nga drejtësia e Kosovës.

“Duhet kujtuar se vrasjet e paslufte do të trajtohen edhe nga Gjykata Speciale, e cila është pasojë e dështimit të drejtësisë për të zbardhur gjitha krimet që kanë ndodhur në Kosovë gjatë dhe paslufte. Andaj, sado që të ketë vullnet Ministria e Drejtësisë për të vepruar në këtë drejtim, mund të ndodhi që i njëjti person të ndiqet edhe nga Gjykatat në Kosovë edhe nga Gjykata Speciale për të njëjtin rast”, thekson analisti Mehmeti.

Ai thotë më tutje se është i nevojshëm një bashkëpunim me Gjykatën Speciale që vrasësit të dali para drejtësisë.

“Prandaj është i nevojshëm bashkërendimi i veprimeve të përbashkëta me Gjykatën Speciale që vrasësit dhe urdhërdhënësit të dalin para drejtësisë”, thekson ai.

Mehmeti thotë më tutje se ministria e re në Qeverinë Kurti, duhet të largoj nga pushteti prokurorë të lidhur me politikë dhe pastaj të filloj të ndjekë secilin krim që ka ndodhur.

“Megjithatë Ministria Drejtësisë duhet të shkund sistemin e drejtësisë nga prokurorë të lidhur me politikën, pastaj të filloj punën që çdo krim që ka ndodhur të ndiqet, dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë”, thekson ai.

Ndryshe, qeveria e re, e ashtuquajtur si Qeveria Kurti është formuar nga marrëveshja e partive fituese LVV e LDK me 3 shkurt të këtij viti. Derisa në krye të qeverisë është Kryeministri Albin Kurti, në krye të diskasterit të drejtësisë, është Albulena Haxhiu nga radhët e Vetëvendosjes që ndryshe ishte një nga deputetet më të zëshme të kësaj partie./Botasot/

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!