Dy udhë të bëjnë të fisëm, gjaku ose puna. Rasti i Patricia Nugee i përket së dytës. Atë e ka fisnikëruar puna ndër dekada për dritësimin e figurës së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Pasi është ekspozuar në disa shtete, mes tyre edhe Shqipëri e Kosovë, për herë të parë koleksioni i saj i librave të vjetër për Skënderbeun mbërriti në Boston, Massachusetts, në Katedralen e Shën Gjergjit, që nuk mban thjesht emrin e Shenjtit, por edhe atë të Heroit.

Në një mjedis tejet të ngrohtë, me sajdi siç i ka hije shqiptarit, u ekspozuan plot 37 vepra, që nga “Historia e Skënderbeut” e Marin Barletit (1508-1510), te libra të botuar në shekujt XVI, XVII e XVIII në Londër, Paris, Stockholm, Frankfurt, Amsterdam, etj.

Ky koleksion i jashtëzakonshëm mbi vendin e Heroit tonë Kombëtar në historinë dhe letrat europiane është një testament i pashoq që Patricia po i lë Shqipërisë. Fjalën e saj para të pranishmëve ajo e nis në shqip: Përshëndetje!

Mandej, nis e lexon: Ai nuk kishte ambicie, asnjë etje për t’u pasuruar, asnjë oreks për të kënaqur: Ai nuk luftoi për pushtet, por për Liri; ai i mposhti armiqtë e tij për mbijetesën e popullit të tij […] Ushtarët e tij ishin shumë mirë të mbathur, por Mbreti i tyre përgjithësisht shumë i thjeshtë, e megjithatë kur rasti e donte ai vishej dhe shfaqej me Madhështi: më një fjalë, si Mbret, Ushtar dhe i Krishterë, e nëse ka pasur ndonjëherë një Personazh të përsosur, ai është Skënderbeu”.

W. Ruddiman Jun & Co, The Life of George Castriot, King of Epirus and Albania, commonly called Scanderbeg (Edinburgh, 1753)

Heshtje, admirim e krenari që thyhet nga duatrokitjet e mbylljes së fjalës me një “Jungjatjeta!”

Me urtinë e dashurinë e saj për Shqipërinë, në bisedë ajo më shprehu edhe dhimbjen për portikët, hajatet, dyert e vjetra, shtëpitë qytetëse, Teatrin, trashëgiminë që po e humbim dita ditës. “Ato dyert e vjetra, shtëpitë shekullore, o Zot sa të bukura! Duhet t’i mbani siç janë. Nuk vjen kurrkush për të parë qiellgërvishtësa, nuk keni ç’rrëfeni me ta. Ndaj ngriheni këtë çështje, në grupe informale, universitete, media…”. Si të mos biesh dakord me këtë zonjë angleze që e do kaq shumë Shqipërinë!

Miku i mirë, të nderon shtëpinë

T’atij burri të vërtetë (shën. im: Skënderbeu), që në botë shok s’ka pasur,
Trima, shpresa dhe guximi kurdoherë të na prijnë
Dhe të gjithë me një mendje të bëjmë detyrën tonë.
Naim Frashëri, 1886

Në krah Patricias i qëndron gjithmonë Julia Goga-Cook, akademike, sipërmarrëse, eksperte inovacioni. Julia është shoqëruese besnike e Patricias dhe dalëzotëse e koleksionit të saj. E emocionuar ajo jep lajmin e mirë, që veprave të çmuara iu është shtuar edhe një margaritar i rrallë: Fjalori Shqip-Latinisht i Frang Bardhit (1635).

Aktivitetin e përshëndet edhe Gazmend Kapllani, Përgjegjës i së parit program të Studimeve Shqiptare në SHBA, në DePaul University, Chicago. Dr. Kapllani, e sheh të shkuarën jo thjesht me ndjenjë nostalgjie, për të cilën padyshim duhet të jemi krenarë, por edhe si një nevojë që kemi për të përqafuar vlera përbashkuese dhe si një burim frymëzimi për të ardhmen.

Bashkëbisedimit i shtohet edhe studiuesja e komunikimit ndërkulturor, dhe arkivistja e Bibliotekës Fan S. Noli në Boston, Neka Doko. Në Bibliotekën e një eruditi dhe poligloti nuk mund të mungonin portrete që kanë ilustruar vepra letrare, historike dhe studime skënderbejane.

“Mbahu, Nëno, mos kij frikë. Se ke djemtë n’Amerikë”

Bijt‘ e besës thërret pranë.
Kur i thirri dhe s’i vanë?
Mbahu, Nëno, mos kij frikë,
Se ke djemtë n’Amerikë.
Fan Noli, 1917

Që t’i japim Çezarit atë që i takon, duhet njohur merita e sponsorizimit dhe organizimit të kësaj ngjarjeje të rëndësishme Mark Kosmos dhe Massachusetts Albanian American Society “Besa”.

Marku e “Besa” janë rojtarë dhe promotorë të gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare. Ata punojnë për përparimin e komunitetit shqiptaro-amerikan në Massachusetts, por edhe lobojnë për të drejtat dhe mirëqenien e tyre në SHBA. Me Markun u njoha virtualisht kur gjatë pandemisë ndihmoi me laptopë falas dhjetëra studentë të Universitetit “Aleksandër Moisiu”. I them që tani është koha t’i jap unë një dorë në Bostonin e tij. Gjegjet butë që janë të shumtë ata që flasin për ndihmë vullnetare, e pak ata që veprojnë. I them të ma lërë mundësinë ta tregoj.

Marku e “Besa” mbështesin programe të edukimit për të rinjtë shqiptarë, sponsorizojnë aktivitete kulturore, sociale e bamirësie. I tillë është rasti i një Koncerti Gala me të ftuar Inva Mulën e Genc Tukiçin, që do të zhvillohet në Boston në Maj. Të gjitha të ardhurat e kësaj mbrëmjeje do të shkojnë për organizatën “Albanian Fighting Cancer” (Shqiptarët që Luftojnë Kancerin).

Nuk kish si të mungonte biseda për miqtë tanë të përbashkët në Durrës e Tiranë, dhe për Korçën, origjinë e të dyve. “Kur isha i vogël, – më thotë Marku, mendoja që Shqipëria ishte Korça”. Sot Bostoni numëron thuajse 23 mijë shqiptarë nga të gjitha trevat. Kjo e bën edhe më të rëndësishme veprimtarinë e “Besës”. Diplomacia publike dhe kulturore e saj meriton vëmendje të posaçme dhe mbështetje nga shteti shqiptar. S’është më koha e diplomacisë që “luhej pas perdeve” nga një grusht zyrtarësh të lartë. Influenca e “Besës” përmes komunikimit të vlerave tona kombëtare, dhe besueshmërisë që ka krijuar me krerët lokalë në Boston, por edhe me organizata e komunitete të tjera, është në rritje. Nëse sot, në vendin tim të punës unë them gojëplot që jam shqiptar dhe pritem si kolegët e çdo vendi tjetër europian, është edhe falë vemprimtarive të organizatave shqiptare si “Besa”.

Ndaj, jepuni bijve tanë në Amerikë mbështetjen që iu duhet (dhe iu takon), dhe kanë për të bërë edhe më shumë, edhe më mirë për nënon Shqipëri! /Nga Xhafer Rakipllari./