Sot, me datë 6 nëntor, qytetarët e Drenasit patën mundësinë të vizitojnë ekspozitën “Dhuna nuk fshehet mrena mureve”, e cila nga qershori po shfaqet në qytetet e Kosovës. Ekspozita sjell një labirint simbolik që shpalos disa prej rrëfimeve të vërteta të grave dhe burrave që kanë përjetuar dhunë në familje, dhe synon të inkurajojë qytetarët që të thyejnë heshtjen dhe të kërkojnë mbështetje nga institucionet në rast të dhunës.

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dhe Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave (QPDG) bashkëpunuan për të sjell ekspozitën në sheshin “Fehmi Lladrovci”.

Një pjesë e rëndësishme e ekspozitës ishin “Muret mbajtëse” përmes së cilave qytetarët u informuan mbi atë se çka ofrojnë institucionet kyçe për trajtimin e dhunës në familje dhe se si qytetarët mund të arrijnë tek ato për të realizuar të drejtat e tyre.

Ekspozita në komunën e Drenasit është përkrahur nga Austrian Development Agency dhe Bashkimi Europian përmes UN Women.