Serbia nuk ka pronë të saj në Kosovë dhe pretendimet e saj për prona në Kosovë janë krejtësisht të natyrës politike, vlerësojnë Afrim Hoti, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare dhe Muhamet Sadiku, ekspert i çështjeve ekonomike. Për më shumë, sipas tyre, Serbia për një kohë të gjatë ka shfrytëzuar fonde të caktuara financiare të Kosovës, të cilat dhunshëm i ka marrë në fund të viteve 90-të të shekullit të kaluar.

Komentet e tilla vijnë kur në Bruksel po mbahet takimi në nivel të ekspertëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë takim, siç është paralajmëruar, “pretendimet e përbashkëta financiare dhe pronësore”, do të jenë temë e diskutimit.

Të dy ekspertët e fushave përkatëse, vlerësojnë se pala e Kosovës duhet të jetë e kujdesshme me këtë temë, për shkak se në fakt ajo mund të nënkuptojë edhe negociata për suksesion apo trashëgimi.

Borko Stefanoviq, ish-shef i ekipi negociator i Qeverisë së mëhershme të Serbisë në dialogun me Kosovën në Bruksel, është i bindur se Prishtina do të insistojë për suksesion, ashtu siç ka bërë edhe më herët, ndërkaq që Beogradi zyrtar ka refuzuar.

Serbia (s)ka prona në Kosovë

Afrim Hoti, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se kur bëhet fjalë për “pretendimet e përbashkëta financiare dhe pronësore”, është çështje e termave që përdoren nga delegacionet për çështjen e suksesionit.

Sipas tij, Serbia fare nuk i fsheh pretendimet e saja lidhur me pasuri të caktuara dhe prona në Kosovë, të cilat, siç thotë ai, sipas të drejtës ndërkombëtare i takojnë Kosovës.

“Në momentin e shpalljes së pavarësisë dhe të sovranitetit, të gjitha pasuritë, përfshirë këtu ato natyrore, që janë nëntokësore, miniera, parqe, hekurudha, ndërmarrje dhe të tjera, në mënyrë automatike kalojnë nën autoritetin ose bëhen pronë e qeverisë, e cila e ka shpallur pavarësinë dhe sovranitetin. Mbi këtë bazë, të gjitha ndërmarrjet dhe të gjitha pasuritë, qofshin natyrore apo të çfarëdo natyre qofshin, në mënyrë automatike kalojnë nën Qeverinë e Kosovës. Pra, pretendimet e palës serbe janë krejtësisht të pajustifikueshme dhe kanë fund e krye natyrë politike”, theksoi Hoti.

Ai shtoi se për sa i përket aspektit financiar, Kosova mund ta shtrojë çështjen e borxhit financiar ndërkombëtar, ku përfshihet borxhet e kredive që janë marrë në institucionet financiare ndërkombëtare nga autoritetet qendrore të ish-shtetit federal të Jugosllavisë, me kushtin që ato investime kanë ndodhur në Kosovë.

Ndërkaq, Borko Stefanoviq, i cili ka qenë shef i ekipit negociator i Qeverisë së mëhershme të Serbisë, në dialog me Kosovën dhe aktualisht nënkryetar i subjektit opozitar serb Partia e Lirisë dhe Drejtësisë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se Kosova gjatë bisedimeve në Bruksel, do të insistojë në temën e pretendimeve financiare dhe pronësore.

Sipas tij, Prishtina do të këmbëngulë që të gjitha pronat, minierat, ndërmarrjet, ndërtesat, tokat bujqësore, janë prona të Kosovës dhe qytetarëve të saj dhe se kjo nuk mund të jetë lëndë, të cilën duhet t’ia provojë Serbisë ose qytetarëve të saj.

Stefanoviq, megjithatë, thotë se pala e Serbisë mund të insistojë për disa prona të pretenduara.

Ai shtoi se dikur këto kredi të shumtën e rasteve janë marrë nga institucionet ndërkombëtare financiare.

Sipas tij, gjatë bisedimeve në Bruksel, Serbia mund të insistojë për pronën e qytetarëve serbë në Kosovë, e cila sipas tij “është uzurpuar”, duke shtuar që mekanizmi për verifikimin e pronësisë së pasurisë, për të cilin është arritur pajtimi në dialogun teknik, “nuk është jetësuar asnjëherë”.

Gjithashtu, sipas tij, Serbia mund të insistojë për pasurinë e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, e cila reflektohet në pronat e mëdha të tokave.