Ekonomia gjermane u rrit me një normë rekord prej 8.2% në tremujorin tretë, ndërkohë që ekonomia më e madhe e Europës u rimëkëmb pjesërisht nga recesioni më i keq në histori, i shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

Zyra Federale e Statistikave deklaroi se rritja e prodhimit në periudhën Korrik-Shtator ishte më e madhja që kur janë nisur regjistrimet e të dhënave në vitin 1970. Kjo vjen pas një rënieje të jashtëzakonshme prej 10% në tremujorin e dytë, ndërkohë që shpenzimet familjare, investimet e kompanive dhe tregtia, kolapsuan gjatë valës së parë të pandemisë.

Rimëkëmbja më e madhe se ç’pritej në tremujorin e tretë, u nxit kryesisht nga konsumi privat, investimet në pajisje dhe eksportet e forta, sipas zyrës së Statistikave. Paralelisht, qeveria gjermane përditësoi në rritje projeksionet për ekonominë në vitin 2020. Qeveria pret tashmë një tkurrje të Produktit të Brendshëm Bruto me 5.5% në vitin 2020, krahasuar me projeksionet e mëparshme prej 5.8%.