Ekonomia e jashtme shqiptare në pasqyrën e pandemisë botërore

(pjesa e dytë)

Dr. Teuta Nunaj

Ju pëlqen!

Në pjesën e parë të artikullit mbi ecurinë e ekonomisë shqiptare në periudhën e pandemisë, analizuam sektorët e turizmit, shërbimit, prodhimit dhe bujqësisë. Të cilët i trajtuam edhe si pjesën e brendshme të ekonomisë. Në këtë pjesë të dytë do të shqyrtojmë eksport-inportin dhe remitancat, si pjesët e jashtme të ekonomisë.

 

Eksport – importi

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins deri më dt. 04 maj 2020 shtetet me numrin më të madh të të prekurve të konfirmuar janë: SHBA me 33 % të totalit të të prekurve, Spanja me 6.2% të totalit të të prekurve, Italia me 6% të totalit të të prekurve, e më pas vijojnë Mbretëria e Bashkuar, Franca, etj. Prej 9 marsit 2019 Shqipëria, si mjaft vende të tjera, mbylli kufijtë dhe pezulloi hyrje-daljet me shtetet e tjera, përfshirë këtu edhe me Italinë dhe Spanjën. Këto masa ndikuan drejtpërdrejtë në frenimin dhe uljen ndjeshëm të zhvillimit të tregtisë ndërkombëtare.

Në bazë të të dhënave të INSTAT, në fund të muajit shkurt 2020 partnerët më të mëdhenj tregtarë të Shqipërisë në eksport ishin vendet e BE-së me 79.3% të totalit të eksporteve, Italia zë 64.6% dhe Spanja me 11.2% të totalit të eksporteve me vendet e BE-së. Ndërsa në importe partnerët kryesorë ishin po vendet e BE-së me 56.7% të importeve gjithsej, ku Italia zë 43.7% të totalit të importeve me vendet e BE-së. Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia (33.3%), Greqia (7.2%), Gjermania (6.7%) dhe Turqia (6.6%). Ndërkohë, po për muajin shkurt 2020, zëri “Tekstile dhe këpucë”, ku përfshihet industria Fason zë 44% të eksporteve totale dhe 13.6% të importeve totale. Për muajin shkurt 2020 eksportet ishin në vlerën 24 miliard lekë dhe importet në vlerën 52 miliard lekë, me një bilanc negativ prej 27 miliard lekësh.

Për muajin mars 2020, kur vendi u mbyll për shkak të covid-19 kemi këtë situatë, po sipas të dhënave të INSTAT. Partnerët më të mëdhenj tregtarë të Shqipërisë në eksport vijuan të ishin vendet e BE-së me 75.9% të totalit të eksporteve, ku Italia zë 53% dhe Spanja me 9.7% të totalit të eksporteve me vendet e BE-së. Ndërsa në importe partnerët kryesorë ishin po vendet e BE-së me 59.5% të importeve gjithsej, ku Italia zë 43.8% të totalit të importeve me vendet e BE-së. Partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë janë Italia (30.3%), Greqia (7.7%), Gjermania (7.4%) dhe Turqia (5.9%). Rënien kryesore mbi bazë vjetore në eksporte e ka zëri “Tekstile dhe këpucë” me 18.4%.

Nga të dhënat shohim se dy nga tre vendet më të prekura me covid-19 Italia dhe Spanja janë vendet ku Shqipëria eksporton më shumë dhe mbyllja e kufijve dhe një pjese të ekonomisë, dha një efekt të menjëhershëm në uljen e volumit të tregtisë ndërkombëtare të Shqipërisë me këto dy vende.

Po sipas të dhënave të INSTAT, për muajin mars 2020 eksportet ishin në vlerën 18 miliard lekë, duke u ulur me 36.2% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 29% në krahasim me shkurt 2020. Importet arritën vlerën 42 miliard lekë, duke u ulur me 25.4% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 19.3% në krahasim me shkurt 2020. Bilanci edhe për këtë muaj vazhdoi negativë prej 24 miliard lekësh, duke u ulur me 14.9% krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë dhe me 10.2% krahasuar me shkurt 2020.

Në Shqipëri. në këtë periudhë pandemie dhe më pas, efektet e covid-19, krahas uljet së volumit tregtar kryesisht me vendet e prekura më shumë, do të ndihen edhe përmes ndikimit të ecurisë së ekonomisë së vendeve të BE-së, përmes transmetimit të drejtpërdrejtë të krizës së tyre ekonomike, që për një vend me ekonomi të paqëndrueshme si Shqipëria, do të sjellë dëme të konsiderueshme dhe që do të duan mjaft kohë të eleminohen.

Rënia e ndjeshme e eksporteve dhe e importeve lidhet drejtpërdrejtë me mbylljen e prodhimit, shërbimeve dhe tregtisë, që do të thotë mungesë të ardhurash në buxhetin familjar dhe në buxhetin e shtetit; ndërprerja e porosisë për kompanitë fason, i ekspozon ato para një rreziku të mundshëm falimentimi, nëse nuk do të marrin masa të menjëhershme për t’u përshtatur me kërkesat e reja të tregut; ulja e eksporteve të produkteve bujqësore dhe produkteve të tjera, rrezikon ardhmërinë e kompanive që fokusin e punës së tyre e kanë për eksport; ulja e volumit tregtar ndikon edhe në gjendjen e bilancit tregtar të Shqipërisë, ku çdo ulje eksporti rëndon bilancin; ulja apo ndërprerja e importit do të thotë mungesë e mallrave të nevojshëm në treg apo e lëndëve të para për industrinë e bujqësinë; rënia e kërkesës ul prodhimin dhe dëmton investimet.

 

Remitancat

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, për vitin 2018 remitancat përbënin burim të ardhurash për rreth 26% të familjeve shqiptare; fluksi hyrës i tyre ishte mbi 1,2 miliard Euro, ku 309.5 milion Euro ishin të ardhura nga puna dhe 927.5 milion Euro ishin transferta personale; prej vitit 2008 zënë mesatarisht 9.1% të produktit të brendshëm bruto; dhe përbëjnë 13% të buxheteve vjetore të familjeve shqiptare. Po sipas të njëjtit burim, vendi numëron 1,19 milion emigrantë, 90% e të cilëve janë në Evropë. OKB deklaron se në fund të vitit 2017 emigranët shqiptarë gjenden 40% e në Itali, në Greqi 37%, në SHBA 8% etj.

Italia dhe SHBA-të janë dy nga shtetet më të prekura me covid-19 dhe me humbje të mëdha të vendeve të punës. Tendenca është që emigrantët të jenë të parët që të mbeten pa punë, ndaj emigrantët shqiptarë, kryesisht të papunët, ata që nuk janë stabilizuar me dokumentacion ose që nuk kanë një bazë të qëndrueshme ekonomike në vendin pritës për të përballuar krizën ekonomike, do të priren të kthehen në Shqipëri, ose të emigrojnë në vende të tjera. Rritja e shkallës së papunësisë mes emigrantëve do të sjellë edhe uljen e të ardhurave nga puna dhe uljen e transfertave personale për familjarët e tyre në Shqipëri, por njëkohësisht edhe uljen e investimeve.

Po sipas të dhënave të INSTAT, familjet shqiptare që marrin remitanca, të ardhurat e tyre i shpenzojnë 48% për “ushqim dhe pije joalkoloike”, 11% për “banesë, ujë, energji elektrike, qira” dhe pjesën tjetër rreth 40% për shpenzime konsumatore për veshje dhe këpucë, mobilim, shëndet, etj. Kjo tregon se pjesa më e madhe e remitancave përdoret për konsum, si ndihmë ekonomike për familjet shqiptare që të dalin nga varfëria, apo për të përmirësuar nivelin e tyre të jetesës dhe më pak si investime në ekonomi. Ndaj ulja e remitancave do të preki pikërisht cilësinë e jetesës së qytetarëve dhe më tej edhe investimet.

Por mungesa e studimeve të thelluara për ndikimin e remitancave në zhvillimin e ekonomisë në Shqipëri, nuk na mundëson të japim me shifra ndikimin që 1 Euro shpenzim i remitancave, sa të ardhura kombëtare në Euro na sjell.

Remitancat janë flukset më të larta të të hyrave në Shqipëria; janë financues të rëndësishëm të deficitit tregtar të vendit; janë ndikues në rritjen e konsumit, që sjell vlerë të shtuar në ekonomi dhe gjeneron të ardhura në sektorët ku janë shpenzuar këto para; në një nivel të dytë ndikon në rritjen e Produktit të Brendshëm Bruto dhe rritjen e ekonomisë; ndaj ulja e tyre do të japi një ndikim të pashmangshëm në Shqipëri, jo vetëm në nivel mikro, në uljen e të ardhurave për familjet shqiptare, që çon në vështirësi ekonomike dhe uljen e konsumit, por edhe në nivel makro, pasi ulja e remitancave do të ndikojë në uljen e prodhimit vendas (sa më shumë ulet kërkesa agregate, aq më shumë do të ulet edhe oferta agregate).

 

Përfundimi

Tashmë që rreziku për shëndetin publik ka rënë dhe kufizimet po ulen, vëmendjen kryesore po e merr ekonomia. Përgjatë dy pjesëve të analizës shtjelluam se turizimi dhe remitancat janë dy zëra shumë të fuqishëm për zhvillimin e ekonomisë shqiptare. Turizmi për një periudhë afatshkurtër dhe afatmesme, për shkak të dy goditjeve të njëpasnjëshme (tërmeti në nëntor 2019 dhe pandemia në mars 2020) nuk mund të shërbejë si nxitës për zhvillimin e ekonomisë. Ndërsa remitancat parashikohen të ulen ndjeshëm.

Shqipëria ka një bilan tregtar negative në zërin “Ushqime, pije, duhan” dhe fokusimi te bujqësia, jo vetëm do të rrisë të ardhurat nga eksporti, por edhe do të përmirësonte këtë zë të bilancit tregtar. Ndaj vëmendja e qeverisë dhe e biznesit duhet të fokusohet te bujqësia, e cila jo vetëm duhet të plotësojë kërkesat e tregut vendas, por duhet të rrisi edhe prodhimin e saj për eksport.

Rritja e papunësisë, si pasojë e mbylljes së bizneseve do të uli konsumin. Papunësia do të jetë më e ndjeshme për të lindurit e shekullit të ri, si dhe të sapo diplomuarit, pasi rihapja e vendeve të punës do të favorizojë punonjësit me më shumë përvojë.

Natyrshëm lind pyetja: në kushtet e një ekonomie tregu, pse biznesi privat duhet të mbështetet dhe financohet me para publike? Injektimi me financime vetëm për “rroga lufte” apo për shtresat në nevojë, është më shumë ndihmesë sociale se ekonomike, pasi ato gjenerojnë të ardhura në ekonomi vetëm në mënyrë të tërthortë. Por kjo nuk do të duhet të frenojë financimet për bizneset që janë në vështirësi mbijetese, apo që janë në prag falimentimi. Kjo mbështetje ekonomike përmes granteve dhe kredive të buta është më shumë investim për të ardhmen sesa shpenzim.

Qeveria nuk mund të qëndrojë indiferent për fatin e bizneseve shqiptare gjatë dhe pas kalimit të periudhës së pandemisë. Hartimi i një strategjie për daljen nga kriza dhe për rimëkëmbjen e ekonomisë, si dhe injektimi i një pakete të tretë financiare për biznesin tashmë janë kthyer në domosdoshmëri. Financimi i bizneseve do t’u mundësonte vazhdimin e aktivitetit të tyre ekonomik; që do të çonte në vazhdimësinë e prodhimit/shërbimit; në mbajtjen e punonjësve në punë; kjo përkthehet në më shumë të ardhura për familjet, në më shumë konsum dhe në uljen e problemeve sociale, sepse nuk do të rritej papunësia dhe shteti nuk do t’i duhej të paguante asistencë sociale për këtë grup të papunësh.

Po të bashkojmë shumat e mbulimit financiar të dy paketave të para të ndihmës ekonomike, rënia e të ardhurave publike në kushtet e mbylljes së ekonomisë dhe kredia që pritet të marrë së shpejti qeveria shqiptare në tregjet ndërkombëtare financiare, e bëjnë rritjen e borxhit publik të pashmangshëm dhe përtej parashikimeve, duke rritur në këtë mënyrë edhe rriskun e ekonomisë shqiptare. Kjo rritje e borxhit duhet të përdoret nga qeveria shqiptare për të financuar rimëkëmbjen ekonomike, që mund të gjenerojë të ardhura dhe jo për të financuar shpenzimet publike në periudhën e pandemisë.

Dalja nga kjo krizë shëndetësore, që po kontribuon shumë edhe në krizën ekonomike, do të shënojë edhe rrugën e investimeve shqiptare. Kështu nëse BE do të mbështeti rimëkëmbjen e vendit me plane strategjike në ekonomi, ardhmëria e vendit drejt familjes evropiane do të jetë edhe më e shpejtë edhe më solide. Nëse BE do të dështojë me investime afatgjatë në Shqipëri, likuiditeti do të vijë nga vende të tjera dhe hapësira do të mbushet.

Rënia ekonomike është tashmë e sigurt dhe e parashikuar si nga institucionet ndërkombëtare, por edhe nga studiues të ndryshëm. Banka Botërore në një raport të ditëve të fundit parashikon se rënia ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor është e pashmangshme dhe rimëkëmbja e saj do të varet drejpërdrejtë edhe nga hapja e ekonomisë. Rënia e eksporteve, ulja e remitancave dhe rritja e borxhit janë treguesit e një tabloje të qartë për situatën e vështirë ekonomike, që do të kalojë Shqipëria në gjysmën e dytë të vitit 2020 dhe më pas.

Për uljen efekteve të këtyre treguesve negativë, qeveria si një alternativë ka kufizimin e nxjerrjes jashtë vendit të fitimeve nga bankat e nivelit të dytë, në mënyrë që në një të ardhme të afërt këto para të orientohen për investime në vend dhe veprimi i garancisë sovrane të ndihmojë kompanitë në lehtësimin e kreditimit të bizneseve.

Ndaj rihapja e ekonomisë vë si detyrë (i) që kompanitë të ridimensionojnë planet e tyre strategjike zhvillimore duke u mbështetur në rregullat e reja për mbrojtjen nga covid-19; dhe (ii) që qeveria me një paketë të tretë të ndihmojë bizneset nga falimentimi dhe të përmirësojë klimën e biznesit që të rriten investimet.

Tashmë blini produkte shqiptare apo shpenzojini paratë në turizmin dhe shërbimin vendas për të ndihmuar biznesin shqiptar, po kthehet në një trend ndërkombëtar dhe vërteton edhe më shumë tezën se, për vitet e ardhshme ekonomitë do ta orientojnë aktivitetin e tyre më shumë drejt atyre nacionale se ndërkombëtare.

Kriza e pandemisë do të ridimensionojë biznesin ndërkombëtar dhe marrrëdhëniet tregtare aq shumë të zhvilluara në vitet e globalizmit. Mund të jetë mundësia që shumë kompanitë të shqyrtojnë dhe të ndryshojnë vendndodhjen e sektorëve të tyre operacional nga Kina apo vendet e prekura ndjeshëm nga virusi, drejt vendeve me më pak infektime, por njëkohësisht që nuk janë pjesë e luftrave tregtare mes ekonomive më të mëdha të botës. Dhe Shqipëria në këtë rast, do të duhet të kthehet në një vend tërheqës për këto investime të huaja.

Dr. Teuta Nunaj

Pedagoge dhe Eksperte Ekonomie

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!