Sajimi i lajmit dhe informacionit për shqiptarët duhet të fillojë nga perspektiva e tyre historike, kulturore dhe politike.
Sepse përpos vlerave tjera, përcaktuese që ka lajmi politik, lajmi ka edhe vlerat diplomatike e kulturore. Nisur nga kjo perspektivë kuptojmë se shumë (pa)kryeredaktorë shqiptarë të Prishtinës dhe të Tiranës, “nuk janë” në dijeni se lajmi shqip, i përkthyer nga agjensitë e lajmeve ruse dhe serbe, po e sjellë njëanshëm mendimin, politikën dhe qëllimet agresive ruso-serbe, brenda në shtëpitë dhe kokat e shqiptarëve.

Dy Televizionet shqiptare publike, TVSH dhe RTK, si dhe portalet dhe radiot, po përkthejnë dhe citojnë besnikërisht, agjencitë informative serbe dhe ruse. E kjo ‘gazetari shqipe’ është e rrezikshme dhe e dëmshme, të nderuar lexues.

Pse është e dëmshme gazetaria ruso-serbe në mediat shqipe?

Ju pëlqen!

Është e dëmshme kjo gazetari parazite sepse përmes lajmit politik serb-rus, parë nga perspektiva e tyre e sëmurë poltike, ne, shqiptarët keqinformohemi, keqndikohemi dhe përforcojmë idenë se politika ruso-serbe është e pamposhtur, superiore, e drejtë dhe fituese.
Përpos tjerash, lajmi politik ruso-serb është i mbështjellë me përbërës të propagandës dhe të retorikës së luftës. E ky marifet në shkencat e medias dhe të retorikës njihet edhe si “public diplomacy”.
Njësoj siç është e mundur të ndërtohet e të lançohet lajmi përmes argëtimit (infotainment = information + etnertainmet), po ashtu mund ta ndërtojmë e ta lançojmë lajmin politik edhe përmes gjuhës së propagandës.

Lajmi i tillë nuk reflekton realitetin tonë politik. Lajmi politik serb-rus, i përkthyer në gjuhën shqipe e i lançuar nga këta (pa)kryeredaktorë, me qëllim apo pa qëllim, tenton të ndërtoj “fotografi tjetër politike”, jashtë interesave të gjeo-politikës shqiptare: Pra të  ngjallë frikë, panikë e pasiguri kolektive ne mesin e shoqërisë shqiptare.

Moment tjetër i rëndësishëm për gjuhën e këtij lajmi ruso-serb, e i përkthyer në shqipe nga gazetarët shqiptarë, – është se ndërmjetësimi i realitetit ndërtohet nga një perspektivë e paracaktuar politike sllave. Sepse parë nga lajmi i Beogradit, Rusia nuk është agresive e as pushtuese, ashtu siq nuk ishte as Serbia në Kosovë!

Pyetja e madhe nga MekuliPress: Kush po ndërton lajmin politik shqiptar për shqiptarët? 

 

Mekuli Press është në prag të mbylljes. Kemi nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. Na ndihmo sot edhe me vetëm 1 Euro! - FOTO: No copyright infringement is intended.