Nga: Shahin Sallahu

Në Shqipëri sipas statistikave çdo të pestën ditë ndodh një vrasje!
Brenda vitit vdesin përafërsisht 500 persona në aksidente trafiku!
Ngasja e veturave i ngjan fort ngasësve në ish republikat sovjetike, ku i forti ka gjithmonë të drejtë!

A është Shqipëria vend i vështirë për tu qeverisur!
Shqipëria ishte ushqim shpirtëror për Kosovën, a vazhdon të jetë akoma si e tillë?
A mund (është) Edi Rama udhëheqës i të gjithë shqiptarëve?
Shqipërinë nga viti 2010 deri 2019, e kanë braktisur 500 mijë qytetarë, ndërsa Kosovën 225 mijë!
Dëgjojmë çdo ditë për vrasjet nëpër botë! Dëgjojmë që në Meksikë e në Kolumbi, grupet mafioze që kontrollojnë e kontrabandojnë drogën, vrasin çdo ditë kundërshtarët e tyre e jo vetëm ata! Por shumë larg nga Amerika Latine në një vend të vogël në gadishullin ballkanik, në Shqipërinë tonë, vrasjet janë bërë një përditshmëri e trishtë! Sipas statistikave në të çdo pestën ditë vritet një qytetar në Shqipëri! Në vitin 1997 kur Shqipëria ishte buzë luftës qytetare, në duart e tyre ranë mbi 600 mijë armë të vjedhura nga magazinat e ushtrisë shqiptare! Që nga atëherë vrasjet nuk janë ndalur kurrë!

Ju pëlqen!

Kur kalon rrugëve të Shqipërisë, nuk di njeriu nëse është futur në një garë automobilistike apo është pjesë e lojës kompjuterike “Need for Speed”? Ngasja e automjeteve është e tmerrshme, e ç’akorduar nga çdo rregull trafiku dhe natyrisht e kushtueshme për jetën e njerëzve! Statistikat thonë që nëpër rrugët e Shqipërisë vdesin përafërsisht 500 persona çdo vit! Krahasuar me ta zëmë Gjermaninë ku janë të regjistruara rreth 50 milionë vetura e ku për çdo vit vdesin rreth 3000 pjesëmarrës në trafik (me tendencë të rënjes çdo vit), është numri i të vdekurve në Shqipëri tejet i madh!

Shqipëria është padyshim vend shumë i vështirë për tu qeverisur sepse qytetarët ende e fajësojnë për çdo gjë shtetin por obligimin që kanë për ta mbajtur shtetin nuk e marrin parasysh fare!
Bota e zhvilluar ka arritur në këtë shkallë vetëm falë bashkëpunimit qytetar – qeveri! Në këtë botë punësimi bëhet me letra pune e jo në të zezë! Në këtë botë paguhen tatime e të cilat i kthehen qytetarit në shkolla e spitale, rrugë e hekurudha, ambient e parqe rekreative!
Në Shqipëri, ende ka shumë njerëz që nuk e paguajnë energjinë elektrike, nuk e paguajnë ujin që pijnë, por shteti në anën tjetër kurr nuk i tregoj dhëmbët pronarëve të mëdhenj privat, e të cilët ende sillen me punëtorët e tyre si në kohën skllavopronare! Sa më efektiv shteti, aq më shumë të drejta do të kishin punëtorët, e aq më shumë tatime do të paguheshin për shtetin!

Në kohën kur Kosova dhe pjesët tjera të banuara me shqiptar ishin të pushtuara nga Jugosllavia, dritarja e vetme e dijës, kulturës, muzikës e filmit ishte shteti amë Shqipëria! Ani se Shqipëria kishte një regjim të egër komunist, çdo sferë e kulturës dhe artit “atje” zhvillohej më mirë e më shpejt sesa në pjesën nën Jugosllavi!
Filmat shqiptar ishin frymëzim për ne, librat që shpesh herë silleshin të mbështjellura në gazeta ishin ushqim për ne, e muzika e mirëfilltë shqipe gjithashtu ushqim shpirtëror për ne!
E sot kur jemi të lirë, fatkeqësisht me përjashtime të vogla, po e ushqejmë njëri-tjetrin me kulturë gangsterësh nëpër videoklipe, lakuriqësi e muzikë sllavo-orientale që nuk gjason fare me muzikën e mirëfilltë shqipe! Andaj, nuk besoj që sot Shqipëria e luan rolin e ushqimit shpirtëror për ne!

Edi Rama, me apo pa hile e fitoj javën që shkoj mandatin e tretë për ta qeverisur Shqipërinë!
Edi fitoj jo që është më i miri, por sepse skena politike nuk ofroj ndonjë tjetër më të mirë se ai! Që prej se ra komunizmi në tërë Evropën e edhe në Shqipëri, pra mbi 30 vite, Shqipëria për asnjë ditë nuk u nda plotësisht nga ai sistem. Sot të gjitha partitë janë të përbëra nga njerëzit e ricikluar nga pushteti i kaluar! Shqipëria është shteti i vetëm ish komunist që vazhdon edhe më tutje të qahet me “shih çka na ka bërë komunizmi”!? Në kohën kur p.sh. Estonia me më pak se 1.5 milionë banorë, i ofron të gjithë qytetarëve të saj në kryeqytet (në të ardhmën në krejt shtetin!) transport publik falas, apo Çekia që ka më pak të pa punësuar sesa Gjermania, në Shqipëri vajtohet e kaluara duke harruar të sotmën e të ardhmen! E kur mendon që zoti iu ka falur të gjitha të mirat këtij vendi, zhgënjimi sa vjen e rritet!
Edi Rama, (do të) mund të ishte udhëheqës i Shqipërisë dhe gjithë shqiptarëve sikur se arrogancën e tij ta shndërroj në pajtim me të tjerët, mendjemadhësinë se nuk është i pazëvendësueshëm, e para së gjithash në raport me Kosovën se atje (në Kosovë) nuk jetojnë vetëm analfabet si soji i Ramiz Lladrovcit apo Sylejman Selimit të cilët Hashim Thaçi i kishte dërguar ambasador në Tiranë, për të ua prezantuar Shqipërisë mosdijen e “kosovarëve”!
Unë them se me këtë qasje Edi Rama nuk mund të i prijë kurrë gjithë shqiptarëve!
E fundit, trojet shqiptare po ngelin pa njerëz!

Sipas statistikave, Shqipëria për një dekadë është zvogëluar për gjysmë milionë njerëz! Kosova zyrtarisht për më shumë se 225 mijë! Nga Maqedonia janë larguar 150 mijë njerëz, kryesisht shqiptar, e nga Lugina e Preshevës gati gjysma e popullatës në drejtim të Kosovës dhe perëndimit! E njëjta ka ndodhur edhe me shqiptarët në Mal të Zi!
Në vend se ne të ishim faktor në Ballkan, ne po shpërngulemi vullnetarisht dhe po asimilohemi pa vetëdije dal ngadalë nëpër vendet e perëndimit!

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.