“Më quajnë vajzë speciale, ose ndryshe vajzë të aftë. Edhe unë jam një qenie njerëzore si gjithë të tjerat. Edhe unë kam një zemër që rreh fort për çdo emocion që përjetoj. Edhe unë kam ndjenja, emocionohem dhe dashurohem. Edhe unë kam dy këmbë, dy krahë, dy duar, dhe shumë dëshirë për të folur, për t’i buzëqeshur jetës, jetës së bukur, unikes. Edhe unë vrapoj, vallëzoj, këndoj, argëtohem dhe lumturohem ndaj buzëqeshjeve që më dhurohen. Edhe unë dashuroj.
Ndaj, mos më shihni me sy ndryshe. Mos më paragjykoni. Mos kini frikë prej meje. Quhem Sofia dhe kam lindur për të qenë e dashuruar nga të tjerët”. – Debora Cirasola

Bullizmi është mjaft i shprehur jo vetëm në shoqërinë tonë, por kudo në botë. Ndoshta është më i rrallë në moshën e rritur, pasi kuptohet që sa më shumë të kalojnë vitet, aq më mirë e kupton situatën dhe arrin ta kuptosh personin tjetër. Mirëpo mes fëmijëve dhe adoleshentëve, bullizmi është realisht në nivele të frikshme. Po lexoja një ditë mbi bullizmin dhe të rinjtë, dhe shifrat e tentativave për vetëvrasje mes të rinjve ishin marramendëse (kudo në botë, por edhe në haspirat shqiptare).

Nëse ka diçka për të cilën të gjithë jemi përgjegjës, është pikërisht rinia e një shoqërie të caktuar. Rinia është reflektim i punës që bëjnë të rriturit me ta, por edhe një pasqyrim për të kuptuar se si do të jetë e ardhmja. Nëse duam një rini, e cila në të ardhmen të jetë e denjë për veten dhe për të tjerët, duhet të punojmë fort me ta në të tashmen. Duhet t’i bëjmë të rinjtë të kuptojmë se të gjithë jemi njerëz, të gjithë jemi të barabartë dhe të gjithë duhet ta respektojmë personin tjetër, njësoj siç do të donim që ai person të na respektonte. Respekti është reciprok. Fal dhe ke për të përfituar respekt.