Vetëm edhe rreth 1 mijë doza të vaksinës së kompanisë “Pfizer”, kanë mbetur në dispozicion për stafin shëndetësor të Kosovës.

Kosova të martën pranoi një kontingjent me 4 mijë e 680 doza të vaksinës “Pfizer”, nga mbi 90 mijë, sa janë planifikuar nga Bashkimi Evropian për kosovarët.

Në sallën “1 Tetori” edhe këtë të shtunë ka vazhduar vaksinimi, derisa nga e mërkura e deri tani janë vaksinuar mbi 3 mijë e 200 profesionistë shëndetësorë.

Ju pëlqen!

Sipas përgjegjësit të vaksinimit, nga 29 marsi kur edhe ka filluar vaksinimi në Kosovë, mbi 27 mijë persona e kanë marrë vaksinën. Madje ai ka treguar se kanë shtuar kapacitetet ditët e fundit, dhe se janë të gatshëm edhe për faza të tjera të vaksinimit.

“Por këtë parapërgatitje që kemi nuk bëhet fjale vetëm për këtë kategori aktuale por jemi duke marrë masat edhe për kontingjentin e radhës që do i kemi vaksinat dhe shumë shpejt do e shihni edhe anën tjetër me mjekë dhe po bëjmë planin e punës për procesin e vaksinimit në të ardhmen”, ka thënë Niman Bardhi, menaxher i qendrës së vaksinimit “1 Tetori”.

Obligim marrjen e vaksinës po e konsiderojnë stafi shëndetësor që u vaksinua këtë të shtunë në sallën “1 Tetori”.

Ndonëse nga buxheti i Kosovës për blerjen e vaksinave anti-COVID, janë në dispozicion 40 milion euro, ato ende nuk janë shpenzuar. E se kur do të bëhet një gjë e tillë, kryeministri i Kosovës, nuk ka treguar, por vetëm ka premtuar ardhjen e një numri të madh të vaksinave.

“Është e vërtet që nuk kemi vaksina të cilat i kemi ble me parët e buxhetit, ndonjë qeveri e mëhershme ndoshta i kish ble po vaksinat nuk i kishim pa, tash qeveria e Kosovës, është çështje ditësh kur qeveria e sjell kontingjentin e radhës të vaksinave, numri i të cilëve do të jetë më i madhe se sa ato që i kemi marr së bashku, derisa në fund të majit ose në fund të qershorit do marrim shumëfishin e tyre”, ka thënë të premten Kurti.

KOHA ka mësuar se të hënën pritet të mbërrijë edhe një kontingjent tjetër me vaksina të “Pfizer”-it nga Bashkimi Evropian, e nga e dita e martë e tutje pritet të vijë edhe kontingjenti i radhës, me rreth 30 mijë doza të vaksinës së “AstraZeneca”, përmes mekanizmit COVAX.

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.