Drejtori tashmë i shkarkuar i Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Ilir Rexhepi nga kryeministri në largim, Albin Kurti, gjatë natës së mbrëmshme deklaroi se nuk e mban mend të jetë vepruar një formë e tillë e pabazuar në ligje, kur u pyet për shkarkimin e tij.

Por, Rexhepit, nuk i është kujtuar që për një periudhë prej pesëmbëdhjetë muajsh kishte shkel ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit, shkruan media.

Para tre vjetësh, media kishte publikuar hulumtimin “Ujësjellësi Prishtina – Përfitimet biznesore dhe shkeljet e ligjit nga anëtari i bordit”. Në këtë hulumtim media kishte shkruar se Ilir Rexhepi gjatë kohës kur ishte anëtar i bordit në Ujësjellësin Prishtina, kishte mbajtur post edhe drejtues edhe në biznesin privat.

Ju pëlqen!

Gjatë kohës sa vepronte në kundërshtim me ligjin, Rexhepi kishte përfituar edhe një tender për të realizuar një sondazh për kënaqshmërinë e konsumatorëve me ujësjellësit publik, ku përfshihet edhe ndërmarrja  “Ujësjellësi Prishtina”.

Kompania private “Instituti Kosovar për Menaxhim”, e themeluar dhe e drejtuar atëkohë nga Rexhepi kishte fituar tenderin në vlerë prej afro 4 mijë eurosh, për kryerjen e këtij sondazhi.

Përvec, shkeljeve ligjore, që kishte bërë tashmë i shkarkuari, deklaroi se nuk është pjesë e asnjë partie politike. Por si duket Rexhepit nuk i është kujtuar sërish se ai mbante një post politikë brenda një partie politike.

“Nuk kam qenë pjesë e asnjë subjekti politik. Bindjet individuale nuk mund t’i ndryshojë askush, por unë s’kam qenë kandidat për deputet. Unë kam miq nga të gjitha partitë – edhe në Vetëvendosje”, kishte thënë mbrëmë Rexhepi.

Por para dy vjetësh, Rexhepi ishte bërë anëtar i kryesisë së subjektit politik, Nisma Socialdemokrate, e udhëhequr nga Fatmir Limaj.

Në një postim të tijin në Facebook, ai shihet të jetë pjesë e mbledhjeve të kryesisë.

Derisa në një postim tjetër shihet përkrah, Ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Elmi Reçica teksa shpërndan kartelat për të anëtarësuarit e rinj. Me këtë veprim Rexhepi e kishte shkelur Ligjin për Ndërmarrje Publike.

Derisa mbrëmë, ish drejtori i ndërmarrjes Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”, Ilir Rexhepi, shkarkimin e tij nga kryeministri Kurti e krahasoi me atë të regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!