“E keni dhjerë punën”

(Rahmet për së gjalli ambasadores Tracey Ann Jacobson. Me një fjali e pat shkruar krejt historinë e pasluftës në Kosovë)

Faton Piraj

Ju pëlqen!

Qeveria (teveqelja) e Kosovës, më shkurt kryeministri Hoti (Koti) nënshkroi si i vetëm një dokument, i cili përfshinte disa zotime të tija kundrejt Serbisë.

Për çdo mendje të shëndoshë, ky teatër mbi „marrëveshjen historike“ është kulmi i injorancës institucionale shtetërore.
Duke shikuar një nga një pikat e kësaj “marrëveshjeje” fitohet përshtypja se qeveria (teveqelja) e Kosovës përfaqëson Serbinë.

Qysh në fillim të tekstit thuhet që duhet implementuar marrëveshjet e nënshkruara në shkurt të 2014, që kanë të bëjnë me lidhjen mes Beogradit dhe Prishtinës (siç thuhet, e jo Kosovës e Serbisë) përmes autostradave, në mënyrë që Serbisë ti mundësohet dalja në Adriatik. Pra nënkuptohet që kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi, i ka nënshkruar këto marrëveshje. Për daljen e Serbisë në Adriatik, për të cilën ajo i shkaktoi disa luftëra, meritor është Avdullah Hoti po aq sa edhe Hashim Thaçi.

Rastisi që “Demarkacionin” me Malin e Zi ta implementojë Isa Mustafa, kurse “Daljen në Adriatik” të Serbisë Avdullah Hoti? Nuk besoj që kjo është rastësi. LDK dhe PDK janë bërë bashkë gjithnjë për të keqen e Kosovës. Andaj thirrjet e shumë “analistëve” për bashkim të forcave politike nuk kanë kurrfarë kuptimi, sidomos kur i drejtohen Lëvizjes Vetëvendosje. Nuk mund të bëhet edhe kjo parti tash bashkë me ta për të keqen e Kosovës, të cilën rrugë AAK dhe Nisma po e ndjekin që nga fillimi, pa pardon.

Më tutje bie në sy, që vetëm “Merdarja” përmendet si kufi, ku duhet të implementohet marrëveshja mbi pikat e përbashkëta kufitare. Kjo nënkupton që pikat tjera kufitare mund të ndryshojnë edhe pozitën edhe formatin, gjë që na bën të dyshojmë se shkëmbimi i territoreve, si ide e qëllim, akoma ekziston.

Çështja e “Liqenit të Ujmanit” që është futur në zotimet e Avdullah Hotit (që po keqemërtohet si “marrëveshje”) sigurisht që është një vepër antikombëtare që mund të hyjë në rangun e tradhtisë kombëtare, sipas Kushtetutës së Kosovës. “Liqeni i Ujmanit” den baba den ka qenë në Kosovë. Aty nuk ka çfarë kërkon Serbia. Ajo mund edhe ta uzurpojë me forcë, por ti njihet administrimi i saj mbi këtë liqe me zotim (marrëveshje), kjo kurrsesi nuk do të duhej të ndodhë.

Në këtë “marrëveshje” janë futur po ashtu religjionet, duke vënë theksin te kishat ortodokse dhe eksterritorialiteti i tyre, që sërish përbën një dështim të delegacionit të Kosovës, ngaqë anashkalohet feja e shumicës në Kosove. Vetëm kisha ortodokse dhe tempujt hebrenj po u dashka të mbrohen? Po xhamitë e shkatërruara gjatë luftës a nuk u dashka të mbrohen?! Shteti laik duhet të ketë qasje të njëjtë ndaj religjioneve dhe besimit si e drejtë e pakontestueshme elementare e njeriut.

Pika tjetër e futur pa nevojë, ajo mbi dekriminalizimin e homoseksualitetit, tregon po ashtu qasjen shumë primitive që ka Grenell ndaj Kosovës. Kosova nuk i ka penguar paradat e gaj-ve. Serbia ka qenë ajo, që i ka ndaluar, madje i kanë përgjakur pjesëmarrësit aty. Të barazohet Kosova dhe Serbia këtu është e padrejtë dhe qëllimkeqe. Pyetni udhëheqësit tanë, që morën pjesë në këto parada, a ua çmoi Grenell këtë “kontribut”?!

Më tej, moratoriumi për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare i Kosovës të barasvleftësohet me moratoriumin e Serbisë për çnjohjet, është po ashtu një e padrejtë. Serbia ishte agresori, lufta jonë ishte për liri dhe mbrojtëse. Vendimi i “Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë” na ka pranuar pavarësinë si të ligjshme. Ne kemi të drejtë ta afirmojmë pavarësinë. Serbia pra vepron kundërligjshëm kur cyt çnjohjet.

Dhe në fund, mbi njohjen nga Izraeli. Kjo njohje, megjithëse e mirëseardhur, i ka “dreqësitë” e saja mbrapa. E para, vendosja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, i cili nga shumë shtete arabe njihet si i okupuar, mund të na bëjë dëm të madh në Ligën Arabe, nga ku mund të vijnë çnjohjet pas angazhimit të Serbisë.
E dyta, unë nuk besoj që Izraeli na ka njohur pa çmim. Mendoj se Trepça është gjahu i tyre dhe madje besoj që u është premtuar. Megjithëse kjo mbetet një spekulim, them se, duke i njohur Izraelitët, nuk është larg mendësh.

Përfundim:
“Marrëveshja” pra zotimi i qeverisë së Kosovës ndaj Serbisë, nën ndërmjetësimin e SHBA-ve, është e papranueshme, ngase në asnjë pikë nuk ka diçka të mirë për Kosovën dhe shqiptarët, përveç një njohjeje mjaftë problematike dhe njohjes së diplomave (që nuk ka efekt, ngase Serbia nuk i punëson ashtu edhe ashtu shqiptarët).
Apeloj në Kuvendin e Kosovës, deputetë të ndërgjegjshëm, të mos ushqehen gabimisht me fjalën “Amerika” e në të vërtetë të vihen në shërbim të Serbisë. Kjo “marrëveshje” ASSESI nuk duhet të kalojë në Kuvendin e Kosovës. Përndryshe “Demarkacioni-2” do të përsëritet. Asgjë nuk do të fitojë Kosova, kurse Serbia do ti bie kryq e tërthor Kosovës e Shqipërisë pa e pyetur askënd dhe pa pasur kurrfarë ngarkesash financiare. Kamionët dhe trenat e Serbisë të kalojnë kështu mbi tokën që me shekuj e përgjakën, kështu edhe Zoti do të na mallkojë, se lëre më gjaku i dëshmorëve dhe viktimave të pafajshme të masakruara nga pikërisht Serbia e udhëhequr mu nga njerëzit e njëjtë, të cilët e udhëhoqën edhe gjatë luftës.

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.