Për MekuliPress

Shkruan: Prof. Ass. Dr. Islam Qerimi, LL.M.

E DREJTA E SHTETEVE NË VETËMBROJTJE DHE E DREJTA E PERSONAVE NË MBROJTJE TË NEVOJSHME NË TË DREJTËN NDËRKOMBËTARE

  • E drejta e shtetit dhe e popullit të Kosovës për vetëmbrojtje

Vetëmbrojtja e shteteve dhe Mbrojtja e Nevojshme e individëve në të drejtën humanitare dhe penale ndërkombëtare, si bazë për përjashtimin e përgjegjësisë penale

Në vend të hyrjes:

Sikurse në të drejtën penale të brendshme (nacionale) gjithashtu edhe në të drejtën penale ndërkombëtare vetëmbrojtja e shteteve dhe mbrojtja e nevojshme nga individët në kohen e zhvillimit të betejave luftarake në rrethana dhe kushte të veçanta nuk konsiderohet vepër penale apo krim i luftës.

E drejta shteteve në vetëmbrojtje


E drejta në vetëmbrojtje është njohur edhe nga e drejta romake, e më vonë edhe në Evropën mesjetare të kohës së sundimit të kishes katolike romake e paraqitur për luftërat e drejta dhe jo të drejta. Të drejtat e shteteve në vetëmbrojtje, autorët e të drejtës natyrore në krye me Hugo Grocin i nxjerrin nga pozita e individit në shoqërinë njerëzore. Sipas tyre, individi që nga lindja i gëzon disa të drejta (edhe për vetëkzistencë dhe vetëmbrojtje) të cilat i kanë të fituara (trashëguara) nga natyra, si të drejta të krijuara me vullnetin e përendisë, ku dhe si të tilla janë të përhershme dhe të patjetërsueshme. Prandaj, edhe shteti, me paraqitjen e tij si subjekt, duhet t΄i gëzojë disa të drejta të cilat i janë dhënë (dhuruar) nga natyra dhe nuk varen nga vullneti i shteteve. Statuti i Lidhjes së Kombeve i miratuar në Paris, më 26 Prill 1919 përcaktoi se një shtet kishte të drejtë të bënte luftë “për të ruajtur të drejtën dhe drejtësinë” apo “vetëmbrojtjen kolektive“ (Neni 10).


Në kohën bashkëkohore e drejta e shteteve për vetëmbrojtje (mbrojtje e nevojshme apo ligjore) është e legjitimuar dhe me konventa multilaterale e marrëveshje bilaterale ndërkombëtare. Kështu p.sh., kjo e drejtë është përfshirë në Nenin 51 të Kartës së OKB-së se vitit 1948. Një e drejtë e tillë është e lejuar të ushtrohet si në menyrë individuale apo edhe kolektive. Kur është në pyetje vetembrojtja nga ana e vetë shteteve eksperti gjerman për të drejtën ndërkombëtare nga Universiteti i Bochumit, Hans-Joachim Heintze parasheh që shtetet kanë të drejtë të ushtrojne këtë të drejtë pa patur nevojë për të kërkuar leje nga askush (Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/lajme/vetembrojtje-apo-krime-lufte-31842/?archive=1?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright).


Ndërsa, duhet permendur faktin se ndërmarrja e masave të vetëmbrojtjes nga ana e vete shteteve nuk e liron Këshillin e Sigurimit nga përgjegjësia për mbajtjen dhe rivendosjen e paqës po sa ai te jetë i informuar nga shteti i cili e ushtron kete të drejtë. Shtetet sipas deshires mund të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për mbrojtje siç janë organizimi i ushtrisë, lidhja e aleancave ushtarake etj., të cilat duhet të përdorin një forcë të kufizuar për vetëmbrojtje, me qëllimin e mbrojtjes së paqes dhe sigurisë ndërkombëtare (Lexo më shumë në Kapitullin e VII të Kartës së Kombeve të Bashkuara, ku Këshilli i Sigurimit mund të veprojë vetë, ose mund të përdorë organizatat rajonale për aksione forcë nën autoritetin e tij, në pajtim me nenin 39, 41 dhe 42). Për më tepër shtetet kanë për detyrë të mbrojnë sovranitetin e vet (Krahaso Neni 2 paragr. 2 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës) me të gjitha mjetet e përcaktuara konform akteve më të larta juridike, si dhe banorët e vet nga sulmet e agresorit, por nëse ata dështojnë në përmbushjen e këtij angazhimi shtetet e tjera kanë përgjegjësi për mbrojtjen e popullsisë së shtetit të rrezikuar nëpërmjet organizmave ndërkombëtar të sistemit të sigurisë (Morton H. Halperin, Iraq and Responsibility to Protect, 29 may 2007, p.1, www.americanprogress.org/issues/2007/07/halperin_testimony.html ; dhe gjithashtu krahaso Neni 2 paragr. 3 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës).


Qëllimi i luftës vetëmbrojtese nga ana e shteteve duhet të jetë mposhtja e sulmit të kundërshtarit. Pra, kjo betejë sipas Protokollit të I-rë i Gjenevës, neni 35 nuk mund të arrihet me të gjitha mjetet e mundshme. Para së gjithash palët në konflikte të armatosura duhet respektuar katër konventat e Gjenevës të vitit 1949 dhe Traktatin e Gjenocidit të vitit 1948.


Një pyetje tjetër e drejtë është se a duhet lejuar vetëmbrojtja paraprake e shteteve të kërcënuara si pasoje e agresionit. Sipas autorëve të se drejtës ndërkombetare humanitare një veprim i tillë duhet të ketë marr dritën e gjelbërt nga Këshilli i Sigurimit për të bërë më shumë per t ‘iu drejtuar popullates së paarmatosur, për të nderrmarr një vetëmbrojtje të kufizuar, pasi që perndryshe do të konsiderohet vetëmbrojtja si një akt i paligjshëm. Pra, në rast të një vetëmbrojtje të tillë duhet nga ana e shtetit të respektohen parimet e domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit.


Mbrojtja e nevojshme nga individet gjatë luftes dhe konflikteve të armatosura
Me të drejtë kërkohet edhe përgjigjja nga pyetja vijuese, se si inkriminohen krimet e kryera gjatë luftës dhe konflikteve të armatosura jo ndërkombëtare nga ana e individëve (luftëtarët dhe civilët që rrëmbejnë armët) dhe a përjashtohen nga përgjegjësia penale në rast të ushtrimit të institutit juridik penal “mbrojtja e nevojshme“?


Se pari, në Konventat e Hages të vitit 1899 dhe 1907 dhe Konventën e Gjenevës është bërë fjalë për ndëshkimin e individëve që bien ndesh me normat mbi trajtimin e robërve të luftës. Më tutje në Traktatin e Parë të Versajës, i 28 qershorit 1919, në nenet e tij 228 dhe 229, u hap e drejta e Fuqive Aleate të kërkojnë dhe të ndëshkojnë individët përgjegjës për “shkelje të ligjit dhe zakoneve të luftës”. Më tutje, pas Luftes se Dyte Boterore sipas Nenit 43 të Protokollit të I-rë Shtesë i Konventave të Gjenevës ishte përcaktuar se të gjithë personat që ‘i përkasin forcave të armatosura të organizuara, grupeve apo njësive të cilat veprojnë nën një komandë që është përgjegjëse për sjelljen e tyre, janë luftues. Kjo nënkupton se ata lejohen të përfshihen në luftim, të përdorin forcën dhe të arrijnë deri në vrasje të njerëzve dhe shkatërrim të objekteve, pa qenë përgjegjës individualisht për këto akte. Megjithatë, kjo rregull nuk don të thot se çon automatikisht deri te në një rrethanë përjashtuese nga pergjegjësia penale gjatë konflikteve të tilla të armatosura, kur bëhet fjalë edhe për individët. Prandaj, themi se pjesëmarrja në masat e mbrojtjes së shtetit nuk është bazë e mjaftueshme për të justifikuar mosndëshkimin në raste specifike të secilit person (shiko Neni 31, paragr. 1, nenparagr. (c) (2) e Statutit i Romës për Gjykatën Penale Ndërkombëtare, i hyrë në fuqi më 1 korrik 2002). Pra, sipas kësaj dispozite juridike që e parasheh ky nenparagraf thuhet se personi që ka qenë i kyqur në operacion mbrojtës, të zhvilluar nga forcat ushtarake, nuk do të përmbajë në vete automatikisht bazë për përjashtimin e përgjegjësisë penale. Me një fjalë themi se në momentin që fillon një konflikt i armatosur palët duhet të zbatojnë konventat përkatëse nga e drejta humanitare ndërkombëtare.


Në lidhje me përgjegjësinë individuale në konfliktet ushtarake është paraparë dispozita konform Nenit 31 (1) (c) (1) i Statutit të GJPN. Mbrojtja e nevojshme është e lejuar edhe sipas së drejtës penale ndërkombëtare nëse sulmuesi kërcënon drejtpërdrejt një gjë thelbësore ose diçka që është e domosdoshme për ekzekutimin e një misioni ushtarak, atëherë personi i vetëmbrojtjes (subjekti pasiv) mund të përdorë (ushtroje) edhe kryerjen e një krimi lufte për të mbrojtur veten. Kështu në Nenin 31, paragr. 1, nënparagr. (c) i Statutit i Romës për Gjykatën Penale Ndërkombëtare është inkorporuar dispozita juridike përkatëse („imminent and unlawful use of force“) për kryerësin, personin tjetër apo pronën e nevojshme ushtarake. Kjo rrethanë e justifkon si të papërgjegjshëm penalisht faktin apo rrethanen kur personi i cili kryen këtë akt, vepron me arsye (me vetëdije) për të mbrojtur veten apo personin tjetër, apo në rastin e krimeve të luftës edhe pronën që është esenciale për plotësimin e misionit ushtarak. Pra, ky veprim ushtrohet kundër përdorimit imediat dhe të paligjshëm të forcës, në mënyrën e atillë që është proporcionale me shkallën e rrezikut për personin, apo ndonjë person tjetër, apo edhe për pronën që mbrohet.


Në vijim është me rëndësi të bëhet një interpretim i shkurtër i institutit të mbrojtjes së nevojshme konform të Statutit të Romes edhe nga ana e ca shteteve të Bashkimit Evropian dhe te Republikes se Kosoves të inkorpruara në kodet e tyre penale.


Në mënyrë analoge kjo rregull e Statutit te GJPN është e inkorporuar edhe në Kodin Penal të Gjermanisë në nenin 32 dhe konsiderohet të jetë e legjitimuar. Parasëgjithash ligjëvënësi gjerman kërkon që të interpretohet Neni 31, paragr. 1, nenparagr. (d) pikat (i) dhe (ii) e Statutit i Romës për Gjykatën Penale Ndërkombëtare, që akti i këtij shfytëzuesit të këtij instituti juridik të konsiderohet juridikisht i justifikueshëm, pra ai duhet të mos ketë provokuar situaten e rrezikshme.


Një formë më e zbehtë e mbrojtjes së nevojshme është e paraparë edhe në nenin 15 të Kodit Penal të Zvicrës. Sipas kësaj dispozite penale juridike zvicerane është e lejuar që mbrojtja e nevojshme për shkak të mbrojtjes së vlerave juridike të i tejkaloj edhe veprimet e sulmit konkret që i ka kërcënuar këto të mira. Sipas se drejtes penale austriake mbrojtja e nevojshme është e parashikuar të aplikohet sipas vlerësimit të interesave juridike të rrezikuara (neni 3, paragr, 1 dhe 2 i KPA).


Për më tepër, në kontekstin e krimeve të luftës shtetet kane inkriminuar dispozita të ndryshme sa i përket përgjegjësisë penale në raste të vetembrojtjes kolektive, pra të vetë shtetit apo edhe mbrojtjes së nevojshme të aplikuar nga individet. Sipas se drejtes se tejkaluar franceze ekzistonte qendrimi se personi i cili ishte rene ne nje gjende te mbrojtjes se nevosjhme, do te konsiderohej se ai kishte humbur vetepermbajtjen (dhe ai do te duhej edhe te humbte). Tani jurisprudenca franceze institutin e mbrojtjes së nevojshme në rrafshin nacional në krahasim me të drejten gjermane e justifikon në raste shumë më të kufizuara (N 122.5 i KPF).


Dispozita mbi institutin e mbrojtjës së nevojshme e Kodit Penal Francez (Neni 462-11) shkon shumë më larg se dispozitat analoge të kodeve penale të shteteve të tjera, të cilat e rregullojnë këtë çështje penale. Dispozita në fjalë parasheh se rrethanat e tilla, të sipërpërmendura nuk përbëjnë krim penal të luftës kur ndonjë veprim i tillë, i cili në parim edhe pse është i kriminalizuar, por ai do te duhej domosdoshmërisht të kryhet në kontekstin e mbrojtjes legjitime të Francës. Prandaj, sipas së drejtës penale franceze më tutje edhe nëse vjen në shprehje përdorimi i armëve bërthamore ose ndonjë forcë tjetër e armëve në lidhje me çështjen e mbrojtjes do të mbetet e pandëshkuar, për sa kohë që këto armë nuk janë të ndaluara detyrimisht nga konventat ndërkombëtare. Themi se ligjvenesi francez ka harruar faktin se në vitin 1961, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një deklaratë, në të cilën përcaktohet se “përdorimi i armëve shfarosëse në masë, i armëve bërthamore dhe termobërthamore është në kundërshtim të hapur me parimet e të drejtës ndërkombëtare”. Prandaj, shtoi se kjo deklarate ka të bëjë edhe në raste të ushtrimit të vetëmbrojtjes së shteteve. Megjithatë, legjislacioni francez në Nenin 462-11 të Kodit Penal duket se e përzien këtë cështje të përgjegjësisë penale, pasi që pjesëmarrja në një mision mbrojtës shtetëror mund të duket që e justifikonë edhe kryerjen e krimeve të luftës të kryera nga një shkelës i vetëm. Në të drejten penale franceze mbrojtja e nevojshme emërtohet edhe si e drejtë e ligjshme.


Mbrojtja e nevojshme është e paraparë edhe sipas Kodit Penal te Kosoves në nenin 12. Në paragrafin 2 cit leg është definuar ky institut bazik për përjashtimin e përgjegjësisë penale për rastet e tilla. Sipas këtij instituti, ky akt duhet të jetë i domosdoshëm për të zmbrapsur sulmin e kundërligjshem, real dhe të atëçastshëm ndaj vetes ose ndaj personit tjetër, me kusht që karakteri i mbrojtjes të jetë në proporcion me shkallen e rrezikut që paraqet sulmi. Ndërsa, nëse ekziston tejkalimi i kujfijve të ketij akti të mbrojtjes së nevojshme konsiderohet si tejkalim i kufijve të mbrojtjes së nevojshme paragr. 3 cit leg.


Përfundim


Me të drejtë do të duhej të pranohet konstatimi i njënumri të madh të autorve të së drejtës ndërkombetare humanitare, të cilët pohojnë, se “Respekti për të drejtën ndërkombëtare humanitare ndihmon për të vendosur themelet mbi të cilat mund të gjendet një zgjidhje paqësore me të mbaruar konflikti“ (Lexo më shumë http://www.doktoratura.unitir.edu.al/wp-content/uploads/2012/10/KAPITUJT.pdf fq. 46 dhe 50).  

Këtu patjetër duhet përmendur faktin se krimet e kryera makabre edhe nga ana e forcave ushtarake shtetërore por edhe ato paraushtarake serbe (shih, krimet e individeve) ndaj popullatës së paarmatosur civile shqiptare në Kosovë në vitet 1998 – 1999 e veshtiresojnë arritjen e një zgjidhje paqësore në mes popullit shqiptar dhe atij serb. Veprimet e dhunës kriminale serbe të ushtruar ndaj shqiptarëve të Kosovës bien ndesh edhe me normat e së drejtës penale ndërkombetare siç janë krimet e luftës,  krimet kundër njerëzimit, të parapara me Konventat e Gjenevës (1949) e argumentojnë këtë fenomen të pamundësisë për një arritje të ndonjë zgjidhjeje paqësore ne mes të shteteve, kur dihet fakti se edhe tani në vitin 2019 figurojnë 1648 persona kosovar në listen e të zhdukurve.

Në lidhje me fatin e të zhdukurve flet edhe Protokolli i I-rë Shtesë i konventave të Gjenevës të vitit 1949, i cili ka njohur të drejtën e familjeve për të ditur fatin e të afërmve të tyre në periudhat e konfliktit të armatosur.Në fund të këtij artikulli është me rëndësi të përmendet fakti se Shqiptarët ne Kosove bënë luftë të drejtë për mbrojtjen e tokave autoktone etnike nga okupatori serb. Prandaj, një mbrojtje kolektive e Shqiptarëve të Kosovës për shkak të okupimit serb në mars 1989, kur ishte abroguar autonomia e saj në menyrë të paligjshme, pasi ishte paralizuar në terësi çdo veprimtari me karakter shtetëror, e parasëgjithash, ai i mbrojtjes dhe i sigurisë territoriale deri me rastin e rezistencës aktive të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si një e drejtë legjitime natyrore, e që si pasojë direkte pati intervenimin humanitar të NATO-s, në ndaljen e sulmit të forcave serbe në Kosovë. Ky involvim i NATO-s, hedhi në dritë te drejten natyrore të Kombit Shqiptar të Kosovës për vetëmbrojtje kolektive, për të ruajtur qenien e vet kombetare. Nga një intervenim i tillë humanitar rrjedh automatikisht edhe e drejta e individëve për mbrojtje të nevojshme individuale në këto zona ku zhvillohej lufta dhe konflikti i armatosur. Duke u nisur nga e drejta për jetë, si e drejtë me fundamentale që mosrespektimi i saj sanksionohet qysh nga autorët e shkolles së drejtës natyrore e deri me Deklaraten Universale te OKB-se, KEDNJ, e në të gjitha kushtetutat nacionale te shteteve evropiane përendimore demokratike do të duhej të kihet parasysh fakti i detyrueshem i ushtrimit të institutit të mbrojtjes së nevojshme e aplikuar e individeve shqiptarë për mbrotjen e jetës së vet apo tjetrit si dhe prones, si nga ana e gjykatave nacionale e gjithashtu edhe atyre ndërkombetare, meqë rregullat e lartëpërmendura të GJPN si dhe të shteteve evropiane – përendimore duhet te zbatohen edhe në rastin e vetëmbrojtjes kolektive (Shih UÇK) dhe mbrojtjes së nevojshme apo edhe asaj ekstreme e ushtruar nga ana e individëve (shih Shqiptarët).