Shkruan: KADRUSH RADOGOSHI

FEMRA, ANDROCENTRIZMI, MISOGJENIZMI, GYNOCENTRIZMI DHE ILUMINIMI
(E drejta e mohuar e femrës për të studiuar dhe për të qenë e barabartë)

Sintetizimi më i shkurtë i tërë historisë së pozitës së femrës në shoqëritë evropiane mund të bëhet vetëm me katër terma, të cilët janë vendosur në titullin e këtij shkrimi. Termi “androcentrizëm” nënkupton praktikën e vetëdijshme të vendosjes së pikëvështrimit mashkullor në qendër të botëkuptimit për botën, jetën, kulturën, arsimin dhe margjinalizim i femrës në shumë aspekte të jetës shoqërore. I kundërt me këtë term është termi “gynocentrizëm”, i cili nënkupton vendosjen e pikëvështrimit femëror në qendër të botëkuptimit shoqëror. Termi “misogjenizëm” (misogynism) nënkupton shprehjen e urrejtjes ndaj botës femërore qoftë në shkrime qoftë në forma tjera të shprehjes. Të tre këta terma kanë konotacion negativ dhe bota femërore ka të drejtë t’i urrej dukuritë apo fenomenet që tregojnë ata. Termi i katërt “iluminimi” nënkupton arsimimin, prandaj ka konotacion pozitiv sepse u kundërvihet fenomeneve të shprehura nga tre termat e parë. Titulli i këtij shkrimi në esencë shpreh projektin e tij.
Jemi rritur me bindjen se vetëm te popujt e pazhvilluar gratë nuk kanë pasur të drejtë të shkollohen në përgjithësi dhe të studiojnë e të doktorojnë në veçanti, por po u shikua historiku e shkollimit të lartë universitar dhe pas universitar në Evropë do të habitemi se sa vonë dhe me sa pengesa e vështirësi kanë studiuar dhe doktoruar gratë e para evropiane, të cilat i janë nënshtruar një refuzimi pothuajse të tërësishëm shoqëror e sidomos nga kisha. Gratë kishin pengesa edhe të vet arsimoheshin sepse gjuhë e dijes dhe e librit gjer vonë në Evropë ishte gjuha latine, të cilën gratë nuk e dinin me ndonjë përjashtim të rrallë. Edhe në epokën e pas Rilindjes evropiane ekzistonte një frikë e madhe që kishte të bënte me çështjen e shkollimit të femrës. Mendohej se shkollimi i femrës nuk do të përputhej me rolin e saj shoqëror, të konsideruar si shërbim ndaj burrit dhe fëmijëve dhe bindje apo dëgjueshmëri ndaj kishës. Bile, ekzistonte mendimi se lejimi i pakufizuar i shkollimit të femrës mund të ndikonte edhe në pastërtinë e saj seksuale.
Me këtë tematikë sa të rëndësishme e po aq interesante është marrë historiania amerikane Dorothy Gles McGuigan, profesoreshë e Universitetit të Miçiganit (1914-1982) në esenë e saj “Të jesh grua dhe studiuese” (To Be a Woman and a Scholar). Kjo historiane është e njohur me dy librat e saj të botuar dhe ribotuar shumë herë “Meterniku dhe holandezët” (Metternich and the Duchess) dhe “Habsburgët: Jetët personale të një familje mbretërore, e cila e ka krijuar historinë e gjashtë shekujve” (The Habsburgs: The Personal Lives of a Royal Family That Made History For Six Centuries).
Në esenë “Të jesh grua dhe studiuese”, kjo autore e trajton figurën e femrës së parë evropiane, që arriti të mbrojë disertacion doktorate pas shumë peripecive, e cila qe italiane dhe quhej Elena Lucrezia Cornaro Piscopia. Ishte vajza e vetme e njërës prej familjeve më të pasura në Venecie. Ajo filloi të studiojë Aristotelin në moshën shtatëvjeçare, ndërsa i ati i kishte angazhuar mentorët më të mirë. Pastaj ajo u regjistrua në Universitetin e Padovës dhe pos latinishtes, greqishtes, frëngjishtes, anglishtes, spanjishtes mësoi edhe hebraishten e arabishten.
Në qershorin e vitit 1678 Elena mbrojti tezën e doktoratës, jo në sallën e Universitetit të Padovës, por në katedralen e këtij qyteti. Kjo zhvendosje ndodhi për shkak të lajmit se një fenomen femër po merrte gradën shkencore të doktorit në filozofi. Është shumë interesant fakti se Elena fillimisht kishte aplikuar për të marrë gradën e doktoreshës në teologji, por dekani i fakultetit teologjik Kardinali Gregorio Barbarigo dhe Ipeshkvi i Padovës kishte kundërshtuar me indinjatë, duke shqiptuar fjalët: “ Kurrë! Gruaja është e lindur për të qenë nënë e jo për të mësuar!” Kjo figurë e njohur e asaj kohe ka shkruar më vonë për këtë rast: ”Unë kam biseduar me një kardinal francez për këtë rast dhe ai pat shpërthyer në të qeshura”. Megjithatë ky kardinal e pat lejuar Elenën që të doktorojë në filozofi. Mbrojtjen e doktoratës para kolegjit Elena e bëri në gjuhën latine. Të entuziazmuar nga mbrojtja e shkëlqyeshme kryetari i kolegjit e shpalli me krenari doktoreshë në filozofi këtë femër me një inteligjencë të rrallë. Më në fund, pas aq shumë pengesash Elena Lucrezia Cornaro Piscopia, në moshën 32 vjeçare arriti ta vishte pelerinën mbi krahët e saj dhe ta vente në kokë kurorën e laureates. Me atë rast të gjithë të pranishmit u ngritën në këmbë dhe e kënduan himnin “Te Deum”, të krijuar nga autori ilir Niketë Dardani.
Pa marrë parasysh vështirësitë që hasi Elena, ajo, në njëfarë forme, ishte me fat se kishte lindur në Italinë e pas Renesancës në një familje të pasur dhe babai i së cilës nuk kurseu asgjë për të plotësuar ëndrrën e vajzës së tij për t’u shkolluar. Këtë fat të saj nuk e patën shoqet e saj në shtetet veriore të Evropës.
Pas mbrojtjes së doktoratës Elena Cornaro jetën e saj ia kushtoi ndihmës së femrave për t’u shkolluar dhe veprimtarisë humanitare, por jeta e saj qe e shkurt sepse vdiq në moshën 38 vjeçare nga tuberkulozi. Ndonëse jetëshkurtër dhe me shkrimet e saj të zhdukura, kjo figurë ndikoi në tërë Evropën për lejimin e shkollimit të femrës, duke e trajtuar atë jo siç preferonte kisha dhe statusquoja shoqërore, por siç sugjeronin mendjet e ndritura të filozofisë dhe iluminizmit. Dekarti deklaroi se veprën e tij “Diskursi për metodën” nuk e shkroi në latinisht, por në frëngjisht me qëllim që ta lexonin femrat, shumica e të cilave nuk e patën mundësinë ta mësonin latinishten.
Rrugën e filluar nga Elena Cornaro e ndoqën edhe shumë femra të tjera në Evropë, qoftë edhe si autodidakte, si bashkëvendasja e saj italiane Kristinë de Pisane, anglezet Elizabeth Tanfield e Mary Wollstonecraft, holandezja Anna van Schurman etj. Të gjitha këto intelektuale në një formë apo tjetër ndikuan në krijimin e mundësive për shkollimin e femrës. Kristinë de Pisane u shqua me shkrimet e saj në këtë aspekt. Ajo shkroi veprën e saj “Qyteti i zonjave” në të cilën e merr përsipër t’i mbrojë gratë nga shkrimtarët misogjënistikë (misogynistic = urrejtës ndaj femrave) siç ishte shkrimtari mesjetar frëng Jean de Meung, autor i poemës antifeministe “Romansa e trëndafilit” (The Romance of the Rose).
Kur intelektuali shqiptar, hyn natyrshëm brenda këtij konteksti të historikut të shkollimit dhe emancipimit të femrës evropiane nuk mund t’i ik krahasimit me procesin e shkollimit dhe emancipimit të femrës shqiptare. Vonesa jonë në këtë aspekt është pothuajse treqindvjeçare. Kjo vonesë i ka shkaqet e veta historike. Shqiptarët gjer në vitin 1912 ishin të pushtuar, ndërsa më se gjysma e tyre pas këtij viti, jo vetëm që nuk u çlirua, por përkundrazi iu nënshtrua një pushtimi edhe më të egër e gjenocidal. Në rrethana të tilla shqiptarët jo vetëm nuk e kishin problem vetëm shkollimin e femrës, por të popullit në tërësi. Shkolla e parë shqipe u hap tek në vitin 1887dhe ajo nuk ishte universitet por një shkollë fillore dhe asgjë më tepër. Shkolla e parë e mesme, Normalja e Elbasanit, u hap në vitin 1909. Universiteti i parë shqiptar u hap tek në gjysmën e dytë të shekullit të XX, në vitin 1958 në Tiranë, kurse Universiteti i Prishtinës u hap tek në vitin 1971. Hapja e këtyre Universiteteve krijoi mundësinë e barabartë të studimeve për shqiptarët e dy gjinive. Megjithatë, edhe në këtë kontekst të ri, patriarkalizmi i shoqërisë shqiptare ishte një pengesë jo vogël për studimet e femrave shqiptare.
Ndonëse universitetet shqiptare u hapën shumë vonë, mendimi feminist është krijuar pothuajse një shekull më parë. Pa asnjë dyshim, themeluesit e tij janë Naim dhe Sami Frashëri, të cilët shkollimin e femrës shqiptare e trajtuan si çështje të rëndësishme për emancipimin e kombit shqiptar. Vetëm një nënë e shkolluar mund t’i edukojë fëmijët më së miri dhe t’i bëjë të barabartë me të tjerët në konkurrencën jetësore. Shqiptarët e patën një femër të shkolluar në shek. e XIX (Elena Gjikën), e cila dha kontribut të çmueshëm në Lëvizjen kulturore-politike të Rilindjes kombëtare. Në atë kohë ajo nuk e pati luksin të merrej me çështjet feministe shqiptare sepse duhej të merrej me çështjen e pazgjidhur kombëtare. Në vitet e tridhjeta e dyzeta të shek. të XX një numër shumë i kufizuar femrash shqiptare, kryesisht nga Shqipëria londineze arritën të studionin dhe të mbronin doktoratat e tyre nëpër universitete të Evropës Perendimore siç ishin Musine Kokalari, Sabiha Kasimati etj. Ndonëse tre shekuj më vonë se në Evropën Perendimore, këtyre Elena Cornaro-ve shqiptare, në vend se t’i çmonte si dallëndyshet e para, politika iu siguroi vdekjen e shpejt me pushkatim apo të ngadalshme me burg e persekutim çnjerëzor.
Edhe sot, poqe se i shikojmë me vëmendje letërsinë dhe artet shqiptare vërehen aty këtu gjurmë të androcentrizmit, për të cilat duhet të vetëdijesohemi, qoftë si individë, qoftë si shoqëri. Këto gjurmë të androcentrizmit duhet të jenë pika orientuese të lëvizjes feministe shqiptare e jo kuotat e rezervuara për femrat e pamerituara në aspektin e meritokracisë. Në këtë kontekst mund të themi se lëvizja feministe shqiptare, duke qenë në fillimet e veta, nuk ka arritur të konsolidohet sa duhet dhe t’i konceptualizojë veprimet e veta, të cilat zakonisht janë reagime prej rastit në rast e që ndonjëherë shndërrohen në gynocentrizëm apo çka është edhe më keq,në urrejtje ndaj botës mashkullore.
Në fund, mund të themi se për një kohë shumë më të shkurt, në krahasim me atë evropiane, shkollimi i femrës shqiptare ka arritur nivele, të cilat nuk mund të nënçmohen, përkundrazi një pjesë e femrave shqiptare sot janë të denja me simotrat e tyre në konkurrencën botërore të shkencës, letërsisë, muzikës, pikturës, sportit etj.

Ndoshta ju pëlqen!
Loading...

Edmonton, Alberta, Canada
20 Nevember, 2019

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. Na ndihmoni!
Loading...