Unë jetoj me zanatin e nallbanit
Moret vesh?

Folën e folën, e heshta e heshta, jo nji vit, por shumë vjet, e kur s’ditën, ku vehet pika,( se, t’pa shkollë kanë qëllua), ku vehet presja e merret frymë, për mos me kopë zemra, iu thashë:
– Dur junan, se pëlcita unë për juve!
S’i urrejë “t’madhnishmit” tuej, t’magjishmit partiak, se ma pak se ju shqiptarë s’jam, as ma trima se unë s’jeni!
– Nëse i mallkova, e bana jo pse isha i çmendun, jo pse reja, flakën e verdhë ma gjujti n’oxhak, apo pse dreqnit patën hy n’mua, as pse m’dha dikush pare, por pse ATA, na hangrën njizetëvjet, e nuk iu duel taman.

Ket grimë Kosovë e dua edhe unë si ju!

Nuk shkoj kah t’fryjnë ernat, se pru shpirtin n’fyt ma keni, tue m’thanë ju që turreni, t’verbuem, mbas “komandantësh”, yjeve që u ka humbë shkelqimi!

– Kah t’frynë era, shkon vetëm flaka, e flakë jeni JU, që s’shihni gja tjetër pos pares tyne!

Lirinë e di kush ma solli, se nuk linda si Ju n’vitin ’99!

E di kush ra e pse ra n’altarin e lirisë. Kush derdhi gjak, e di!

Kujt s’iu dhimbës jeta, për t’jetua ju, unë, ata. Ne!

Lirinë e di kush ma solli. Ju ma s’paktit mund t’ma thoni!

Do mentarë, moti kishin pasë thanë: Liria na duhet e liria s’hahet!

Ju, që thirreni ditë-natë n’lirnë, e s’doni me pa, ma shumë se ç’shihet, përmes thumbit të pushkës, e keni gabim.
Ajo s’hahet!
S’asht e tyne, e jotja e imja.
Asht për Ne!
Për ata që duan t’jenë t’lirë!
Ate duhet me rritë!
Me ujitë, si dëshmori me gjakun që e lagu!
Asaj, duhet me ia dhanë të gjitha ngjyrat e luleve.
Të gjitha aromat, jo veç shijen tande!
Me pasë n’kujdesë si foshnjën, kur merr kambë, se vyshkët!

Po, ikë si zogu i mërzitun n’kafaz.

Nuk ngjallën dëshmorët me luftua.
E trimat, që shesin mend çdo ditë, n’emnin e saj, s’janë ma flakë që i merr era!
Liria, pa u rrotullua edhe njiherë toka, vështirë se kthehet!

Unë nuk i urrej “t’madhnishmit”, kryetarët tuej, se i kam rritë n’vargjet e mia.
Me shpirtin e artistit ushqye i kam, e shkua jam mbas tyne!
Se, diçka punova edhe unë.
Unë, para tyne i fryna zjarrit pak, kur dola me “Lahutën e Malsisë”, e thashë:

“Prej Preveze e n’Leqe t’Hotit,
Prej Tivarit e n’Monastir
Për inat të djallit e t’anmikut
Kuq e zi flamuri i shqiptarve
N’Kaçanik do t’valvitet!”

Këta, “t’madhnishmit” tuej, që sot s’me flasin, hala lexua s’e kishin Fishtën, se xhixha ishte emni i tij n’atë kohë!
Këta diplomat i blenë, kur s’kishte nevojë për recitime!

Heret ua ngjalla zemrat djaloshare, me fjalët e artit, e ushtarët i gjetën të gatshëm, se zjarrm dheza me vargje!

Hej sa shumë brohoritet!

“Komandantët” se patën të veshtirë me iu gjetë juve, se unë iu gatova me nji grusht dhé e me nji plis të djegun nga lufta!.
Po, po, ky plaku që m’thoni je ba bajat, rri n’samarin tand, s’din ti me shkrua,( e kurrë lexua librat s’mi keni) edhe zanatin e aktrimit e ke harrua, (e kurrë n’teatër s’keni qenë me m’pa) ka vetëm nji zanat:Nallban!
Po nallban, që iu mbathë juve, e këta “t’madhnishmit” tuej, me patkoj, sa herë t’iu rritën thundrat!
Moret vesh?

(vazhdon…)

Kurrizi i Dardanisë, 24.04.2020