E dashurova menjëherë. Nuk kam reshtur kurrë së dashuruari. E dashurova në mënyrë platonike. E them këtë, sepse dashuria që Ernest Hemingway dhe unë ndjenim për njëri-tjetrin ishte e jashtëzakonshme në mënyrën se si ne e përjetonim: një dashuri e pastër, absolute. Një ndjenjë e paprekur nga dyshimet, një dashuri përtej horizontit, përtej vdekjes, edhe pse e di me siguri që kjo nuk ekziston. Ndoshta prandaj edhe ndjenjat tona i rezistonin kohës, edhe atëherë kur nuk kishte më fije shprese për asnjërin. Nuk kishte dëshirë, as ndonjë gjë për të dhënë, kur Hemingway nuk ndjente tjetër veçse një dëshpërim të thellë, të njëjtin që ndjeja unë kur ai përshkonte mendimet e mia.

Nuk jetonim kurrë bashkë. Kjo ndoshta do të kishte vënë rregull në shumë gjëra. E respektoja Maryn, gruan e tij, të vetmen femër për të cilën isha në dijeni nga të gjitha marrëdhëniet e tij me të tjerat. Ashtu si edhe gruaja e tij, edhe unë isha xheloze për gratë e tij të dikurshme. E kam ruajtur me kujdes çdo letër të tij dhe nuk kam ndërmend t’ia shes ndonjë muzeu apo ndonjë koleksionisti. E di që nuk do të mundja t’i merrja me vete në lamtumirën e kësaj bote, por nuk kam për të lejuar që dikush të guxojë t’i prekë letrat e tij. Më përkasin vetëm mua. Ai i ka shkruar për mua dhe prej tyre askush nuk do të fitojë asnjë qindarkë. Do të bëj të pamundurën për të mos e lejuar një gjë të tillë.

Vazhdimi, kuptimi, vendosmëria…

Ishte “Shkëmbi im i Gjibraltarit”, e adhuronte këtë emër. Kanë kaluar vite, secili më i dhimbshëm se ai që lija pas. Thuhet se koha shëron çdo plagë. Është një proverb shumë optimist, por fatkeqësisht tërësisht fals. Zbrazëtia që Hamingway la mes nesh dhe në të gjithë botën, nuk do të mbushet kurrë. Ishte një shkrimtar, por ishte edhe një qënie njerëzore, i cili vendosi të na lërë pa i llogaritur kurrë pasojat e ikjes së tij. Por ishte zgjedhja e tij….
Nuk kam për ta kuptuar kurrë se përse më donte “kaq shumë”, siç thoshte ai. Ndoshta sepse dashuria jonë i rezistoi edhe luftës. E kam takuar shpesh të atë periudhë, notonte në krenari dhe kishte në kokë mijëra projekte. Ndërsa unë, e zbehtë dhe e sëmurë, përpiqesha të fitoja energji për të bërë figurë të mirë. Kishte shkruar një poezi për luftën dhe ma lexonte me zë të lartë… “Merr këtë lavire Vdekje, për grua…. “. “Vazhdon”, më thoshte kur e ndërprisja. Më thërriste “karaut”-salsiçe, dhe kishte të drejtë.
Ta quaja “baba”, siç bënin shumë nga miqtë e tij, më dukej qesharake. E quaja “Thuamë”, sepse ishte i vetmi term që kisha arritur të gjeja. “Thuamë, Thuamë”. Isha një fëmijë e përhumbur në sytë e tij dhe në të mitë. Ishte vazhdimi, kuptimi, vendosmëria, më i miri i këshilluesve, ishte sunduesi i kishës sime personale. Si arrita t’i mbijetoja zhdukjes së tij? Nuk di t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Ndonjë nga ju që ka humbur babain ose vëllain, më kuptojnë. Ti nuk arrin ta pranosh, derisa ajo dhimbje e tmerrshme fillon ta lëshojë zemrën tënde. Dhe pastaj fillon të jetosh sikur të mundje të takoheshe me atë që nuk është më, në çdo orë të ditës apo të natës. Dhe vazhdon rrugën tënde, tashmë e bindur që ai nuk do të kthehet më kurrë. Mësohesh me vuajtjen.
Ai nuk më mësoi asgjë të re, por u përball bashkë me miratimin të tij me mendimet e mia më të fshehta, për t’i bërë të vërteta e të forta, duke u dhënë pamjen e diçkaje të re.
Më mungon tmerrësisht. Nëse do të kishte një jetë pas vdekjes, do të më fliste netëve të mia të gjata e pa gjumë. Por nuk ekziston jeta pas vdekjes: ai iku përgjithmonë, nuk ka dhimbje që mund ta rikthejë dhe dëshira ime do të mbetet përjetësisht e pathemeltë. Me kohën mëson të “vazhdosh” t’i buzëqeshës lojës së padrejtë, të pranosh atë që dikur nuk e duroje: një lloj jete të rraskapitur që Hemingway, ashtu si unë, gjithmonë e ka urryer.
Një jetë kaq e bukur, e shuar përgjithmonë për një arsye kaq idiote.

Në kufijtë e çmendurisë

E nesërmja e vdekjes së tij më gjeti në kufijtë e çmendurisë. Ishte një mënyrë për të luftuar me dhimbjen time. Hemingway më ishte betuar se nuk do të më braktiste kurrë. Po kush isha unë krahasuar me të gjithë ata që ai kishte lënë pas krahëve: fëmijët, gruan, të gjithë ata që kishin nevojë për të? Isha rrota e fundit e qerres. Ai nuk mendonte për këtë. Jetonte i lumtur, ashtu si të gjithë ne, me mendimin që ditët e tij nuk do ishin të numëruara.
Nuk marr pjesë kurrë nëpër funerale. Kështu që nuk shkova as në atë të Hemingwayt. “Ajo nuk ishte”, – kishin shkruar gazetat. Por unë nuk shkoj më nëpër funerale që pas atij të nënës sime. Ajo ditë më mjaftoi. Nuk kam aspak dëshirë të rijetoj një ditë të ngjashme. I dua njerëzit e gjallë, bëj të pamundurën për të lehtësuar dhimbjet dhe trishtimet e tyre, por nuk më intereson t’i shoh të zhduken nën tokë. Nuk mund të bëj asgjë kundër asaj fuqie të tmerrshme shkatërruese që transformon në pluhur dhe fiton triumfalisht, duke marrë me vete gjurmët e atyre që kemi dashur.
Po, Hemingway e dinte ç’bënte dhe unë nuk e kam paragjykuar kurrë veprimin e tij, edhe pse natyrisht idetë e mia mbi jetën ishin shumë të ndryshme. Jam një grua që nuk di ta zgjasë shumë dhe që nuk do të isha kurrë në gjendje të kisha një inteligjencë aq rrënjësore sa të tijën. Nëse do të kisha patur një minimum të aspiratave të tij, do të isha ndeshur me të si një luaneshë. Por ai ishtë shumë më i fortë se të gjithë ne dhe me siguri do të kisha përfunduar përtokë.

Në luftë me instiktin

Do të doja t’ju flisja për takimin tim me Mary Welsh, gruaja e fundit e Hemingwayt. Më kishin dërguar në Paris dhe gjatë ditëve të qëndrimit tim banoja në “Chatou”. Kur mora vesh se ai ishte në qytet, në hotel “Ritz”, shkova me xhip për ta takuar. Më tha se mund të bëja një dush në banjon e tij para se të paraqitesha në “raportim”. Më tha edhe se kishte njohur një “Afërditë”, të cilën donte ta joshte me çdo kusht. Më tregoi edhe se ajo e kishte refuzuar dhe e kishte quajtur një “dashnor të keq”, duke shtuar se vetëm unë mund ta nxirrja nga ajo gjendje e vështirë, duke folur me vajzën.
Është e pamundur të shpjegosh dëshirën e një burri për një grua. Mary Welsh ishte një grua e sjellshme, prej kohësh e privuar nga eksperiencat skesuale dhe sentimentale, dhe rrjedhimisht shumë pak e dëshirueshme. Me siguri do t’i kishte dhënë fund trishtueshëm ekzistencës së saj, ashtu si të gjitha femrat e këtij lloji, nëse nuk do të kishte takuar në rrugën e saj Hemingwayn. Mary Welsh nuk e dashuronte Hemingwayn, jam e sigurt për këtë, por kjo korrespondente modeste lufte, që askush nuk ia varte, nuk kishte asngjë për të humbur.
Duke luftuar kundër instiktit tim, vendosa ta përmbush misionin që më ishte besuar. E gjeta Mary Welsh dhe fillova t’i flisja. “Unë nuk e dëshiroj”, më tha në mirëbesim. Fillova t’i flisja me të gjitha ato që disponoja për “çështjen Hemingway”, por ajo as që donte t’ia dinte. Atëherë i këshillova të krahasonte jetën që bënte tani me të ardhmen që e priste me të dhe detyrimisht më duhej t’i premtoja edhe “martesë”. Përpjekjet e mia më në fund po jepnin rezultat. Rreth orës së drekës filloi të dorëzohej.
Në hotel “Ritz” ora e drekës është një moment shumë i rëndësishëm.

Është kjo fazë e ditës, në të cilën gratë ulen qetësisht dhe bëjnë një përmbledhje të planeve të tyre. Mary Welsh nuk bënte përjashtim nga ky rregull dhe më në fund vendosi të më deklaronte se propozimi i interesonte. Tani më duhej ta pëballja me Hemingwayn dhe në darkë dridhesha nga koka të këmbët, por arriti Mary Walsh dhe e pranoi propozimin e tij përpara të vetmit dëshmitar, që isha: unë.
Nuk kam parë kurrë njeri më të lumtur se Hemingway. Ai dinte të ishte i lumtur. Dhe më e rëndësishmja, dinte ta tregonte. Rreze drite shpërthenin nga trupi i tij gjigant, për të ndiçuar dhe për t’ia bërë sytë t’i shkëlqenin.
Ndoshta ndjeu se fëmijët e tij, tashmë të rritur, nuk kishin më nevojë për të, ndoshta thjesht i kishte xhepat plot, kush mund ta dijë! Kur trupi nuk të përgjigjet më si dikur, kur truri humbet goditje ditë e natë, është momenti për të marrë (nëse është e mundur) kurajon me të dyja duart dhe të shuash kandilin. Askush deri më sot nuk ka arritur të shpjegojë motivet e vetëvrasjes së Hemingwayt.
Do të më pëlqente ta quaja më shumë një veprim impulsiv sesa një veprim të vetëdijshëm. Të ketë reaguar në këtë mënyrë Hemingway nga një gjendje somnambulizmi? Jam kapur me thonj pas kësaj hipoteze. E megjithatë jam e bindur se ndërgjegjja e tij nuk do t’i kishte sugjeruar shembullin e të atit dhe vetëvrasja e tij nuk ka të bëjë me peshën e kujtimeve. Në momentin e shkeljes së këmbëzës është shfaqur ashpërsisht në memorien e tij diçka shumë e largët. . . por, po analizoj pak si shumë. Di që ishte thellësisht i palumtur.

Besnike për të respektuar “gruan tjetër”

Raportet që kam pasur me disa meshkuj ndoshta janë të vështira për t’u kuptuar. Unë nuk kam ndërmend t’i shpjegoj. Nëse nuk kuptoni, keq për ju. Nëse ju intereson vetëm dashuria fizike, mbyllini menjëherë këtë libër, sepse është një argument mbi të cilin nuk kam ndërmend të zgjatem, dhe kjo për një arsye fare të thjeshtë: jam shumë injorante në këtë fushë.
Gjatë gjithë jetës sime dashuria fizike ka qenë pazgjidhshmërisht e lidhur me dashurinë “kokë e këmbë”, dhe kjo është arsyeja që nuk kam pasur kurrë eksperienca pa të nesërme. Dashuria ime me Hemingwayn nuk ishte një aventurë. Nuk qëndruam kurrë bashkë për një periudhë mjaftueshmërisht të gjatë në të njëjtin qytet: dhe nuk ka ndodhur kurrë asgjë. Ose ai ishte me një vajzë të bukur, ose kur ai ishte i disponueshëm unë isha e zënë, dhe kur isha unë, nuk ishte më ai. . .
Duke i urryer gjithmonë situatat e mjegullta, besnike që në fillim për të respektuar “gruan tjetër”, kam takuar gjithandej meshkuj të mrekullueshëm, si një anije që takon një tjetër në natën e errët. Por mendoj se dashuria e tyre do të zgjaste më shumë nëse do të kisha qenë një anije e ankoruar në portin e tyre.

Kam dashuruar, kam qeshur e qarë

Kam pasur gëzimet dhe disfatat e mia

Dhe ndërsa lotët ndalen

Gjithçka duket argëtuese

Marlene Dietrich