Dren Dushi

  1. Brezi i republikës apo Agim Veliut?

Lidhjet e ndryshme, sa të fuqishme e përcaktuese në ndërtimin e piramidës sociale shqiptare, pa dyshimin më të vogël, përcaktuan edhe fatin e LDK-së këto zgjedhje.

Lidhjet, në këtë rast nënkuptohen disa lidhje më specifike, rajonale, fisnore, shoqërore, familjare, por akoma më specifikisht; të përbashkësisë në mendësinë e hierarkisë post-feudale të rendit shoqërorë, me qëllim arritjen e një centralizimi ekonomik apo kapje ekonomike.

Ju pëlqen!

Këto lloj lidhje, qofshin ato të formës Riinvest, ndërtimtarëve të pallateve pa tretoarë nëpër qytetet e ndryshme ku “kollitej” paria e vjetër e LDK-së, e shumë byrokratëve tjerë nëpër administratën e shtetit, të liçencuarit, profesorët e asistentët e sllajdeve e skriptave, akademikët që sabotojnë shkencën e deri te, mbase ndonjë përfitues gratesh të vogla, janë vetëm disa nga arsyet e fillimit (me sprint) të fundit të një parie politike të mjerë, LDK-së.

Marr në cak çështjen e “lidhjeve” në përcaktimin e pasojave socio/politike në Kosovë meqë janë pikërisht këto lidhje, që kanë shkatërruar meritokracinë, intelegjencën dhe përgjithësisht kreativitetin. Përmes këtyre lidhjeve, nëpër pothuajse seciën strukturë të vjetër politike në Kosovë, janë instaluar njerëz mediokër, servilë e të pa aftë, dhe këto vese burimesh njerëzore, bënë që një parti politike me një traditë tri dekadore, të rrezikoj zhbërjen (mos kalimin e pragut) zgjedhjet e ardhshme lokale që do mbahen pas disa muajsh,

Brezi i ashtuquajtur i Republikës, në konsideratën time, është brezi i cili këtë radhë votoi i shkëputur nga sentimenti romantik ballkanas i ndërtimit të miteve në shërbim të kapjes së shtetit. Historia është shkencë, e cila në ballkan (përgjithësisht) merret “me qera” nga politika, për qëllime mediokre e të mjera. Pra, unë nuk e konsideroj brez republike një grup politikanësh që vrapojnë pas pozitash në mënyrë që të shërojnë komplekset e tyre. Më shumë kemi të bëjmë me një brez tjetër, që ironikisht mund të quhet “brezi i Agim Veliut”.

Për ç’brez republike po flasim? Për ca sharlatanë që janë sorrollatur perëndimit dhe janë kthyer të pasionuar e çuditur, teksa nuk e njohin historinë bazike të kombit shqiptar? Apo për disa të nënshtruar ndaj Agim Veliut e kokëfortit Isa Mustafa? Për disa djem e vajza, që patën lidhjet e sipër përmendura, e që me “virtytin” e servilisë morrën ca pozita sociale.  Të cilët e perceptojnë si emancipim të flasin tri fjalë shqip e tri anglisht përnjëherish, ndonëse ecin pas shefave të tyre patriarkal siç bëhej nga rroktarët në kohën e Perandorisë Osmane.

  1. Kosovo-centrizmi

“Të lidhurit”, për ta fshehur mediokritetin e tyre dhe hyrë në qejf disa byrokratëve ndërkombëtarë, shpikën edhe një tezë që pretendon të marrë konsideratë shkencore; Kosovo-centrizmi. Të tillë ka shumë në LDK, dhe kjo të bën të ironizosh akoma më shumë.

Presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova, në konsideratën e “të lidhurve”, që duan të kenë një kauzë, të jenë të rëndësishëm e të kenë edhe një tezë që pretendon të marrë konsideratë shkencore, ka qenë “Kosovo-centrik”. Duke qenë se janë të pa lexuar, e si rrjedhojë të pa dijshëm, por që padituria e tyre shfaqet më së miri me gjendjen në të cilën kanë ardhur anipse kanë pasur gjithë ato burime, 13% e elektoratit, ata nuk e kuptojnë se Presidenti i parë Rugova nuk ka qenë Kosovo-centrik, dhe do ishte totalisht sharlatane ta shpallësh Rugovën Kosovo-centrik. Si mund të jetë Kosovo-centrik, dikush që ka thënë vazhdimisht “Pavarësia e Kosovës është kompromis”. Ç’do të thotë kjo? Kompromis për ç’arsye? Për arsye se mbetëm jashtë Serbisë? Jugosllavisë? Jo “brez republike”, jo brezi i Agim Veliut, kishte të bënte me komprimis të kombit shqiptar, pra kompromis meqë nuk mund t’i bashkohet Shqipërisë.

Këtë fushatë, u bë një veprimtari opozitare edhe mbi këtë bazë, dhe rezultati dihet, meqë shqiptarët e dijnë fare mirë, se ideja e Kosovo-centrizmit nuk përkon fare me realitetin tonë historik. Shqiptarët e dijnë se Lidhja e Prizrenit nuk ishte për Kosovën, por për Shqipërinë. Shqiptarët nuk duan të ribëhen, ata janë këtu me mijëra vite. Shqiptarët nuk duan të distancohen nga vetja e tyre, për hirë të disa byrokrtëve ndërkombëtarë e disa servilëve të korruptuar brenda sojit tonë. Pavarësia e Kosovës vazhdon të jetë kompromis i shqiptarëve, dhe kushdo që e harron këtë, është i marrë.

  1. Rruga e mos kalimit të pragut

Nuk e trajtova me seriozitet LDK-në, në kuptimin e veprimtarisë së saj politike të përditshme, të merresh sot me Avdullah Hotin e Isa Mustafën është një dozë jo-serioziteti. Por më shumë, e trajtova në kuptimin konceptual dhe esencial, për ta kuptuar se ku do shkoj LDK?

Kur u bënë të ditura rezultatet nga KQZ ( e cila sa nuk e hapi një parti të vetën politike), kuptova se LDK do kishte vetëm 13-14 deputetë, dhe imagjinova sikur në mesin e tyre të jetë edhe Driton Selmanaj. Imagjinova edhe Kuvendin e Kosovës, ku Dritoni e Agimi, Arbeni (Gashi) e të tjerë si këta, sulmojnë Vjosa Osmanin e Faton Pecin apo Albin Kurtin e Arben Vitinë, dhe konsiderata ime ishte kjo; në zgjedhjet lokale, kjo parti zhbëhet totalisht, shndërrohet në atë partinë që u shit për pak para vite më parë.

Kjo rrugë, tashmë është kuptuar edhe nga “të lidhurit”, të cilët, e kanë kuptuar se po i humbin lidhjet. Dhe, ata duket se janë në prag të një vendimi shumë të mërzitshëm për ta, aq të mërzitshëm saqë anipse dhanë dorëheqje, sikur i ranë pishman një ditë më vonë.

Rruga e tyre destruktive, i çon në fundin e tyre mbase më të shpejtin që ka pasur ndonjë strukturë politike në Ballkan.

  1. Rruga e vetme për një fije fytyre

Sado që marrëzia morri hov në LDK që pas vdekjes së Presidentit Rugova, sado që, kjo strukturë politike, e lajthitur pas lakmisë për pushtet, iu nënshtrua edhe interesave të jashtme gjeopolitike, në të ende ka njerëz me integritet dhe që pranojnë kur gabojnë, ndonëse të paktë, ata janë shpresa e vetme e LDK-së (nëse ka rëndësi që LDK të vazhdoj akoma të jetë pjesë e establishmentit politik).

Ata janë vetkritikë, janë më të vetëdijshëm për rrethanat, më bashkëpunues dhe jo arrogantë. Ata e kanë kuptuar se LDK duhet të ndryshoj, duhet të aplikoj demokracinë, meritokracinë, intelegjencën dhe jo lidhjet. Nëse LDK arrin të aplikoj këto (gjë që unë kam pak shpresa ndonëse rrethanat ua imponojnë), kjo strukturë politike bëhet konstruktive, nuk pengon ndryshimin e vullnetit popullor dhe i largon “të lidhurit” nga vendimmarrja. Kjo rrugë, do mund të rregullonte një terren politik për një të ardhme restauruese pas katër vitesh. Rrugën e vjetër të tyre tashmë të gjithë e dijmë, e dijmë edhe ç’epilog do sjell, nëse vazhdohet.

 

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.