Dr. Sadri Ramabaja

Abstrakt

Detyra e këtij brezi politikanësh drejtues të dy republikave tona (Shqipërisë politike dhe Republikës së Kosovës), por edhe e personaliteteve të mendimit politik gjithandej në hapësirën shqiptare dhe jashtë, tani do të duhej të ishte hartimi i një strategjie të përbashkët për veprim. Në këtë plan politika jonë e jashtme duhet t’i përgjigjet momentumit historik që ka krijur lufta në Ukrainë dhe reflektimi i saj në qendrat vendimmarrëse tradicionale, sidomos në Paris, Berlin e Uashington.

Jemi para ndryshimit esencial të rendit politik, përmbysjes së rendit global. Për Evropën, por edhe dy republikat tona dhe Kombin si tërësi, e ardhmja do të varet nga fakti nëse do të jemi dhe sa do të jemi në gjendje ta transformojmë potencialin tonë të brendshëm në fuqi integruese dhe garantuese të sigurisë në rajon dhe më gjerë — duke përfshirë një ndryshim strategjik në mentalitet [1], siç do të thoshte politologu gjerman Jan Techau.

Hyrje

Nga një këndvështrim afatgjatë, edhe pse krijimi formal i Shqipërisë (1912) si një shtet kombëtar tejet i vonuar, shqiptarët si etni e përfshirë në entitete paraprake politike: principata, perandori… kanë luajtur një rol të rëndësishëm në çështjet që nëdrlidhen me Europën dhe përgjithësisht civilizimin perendimor. Në epokën e Gjergj Kastriotit — Skenderbeut shqiptarët do të shndrroheshin në barikada mbrojtëse të civilizimit perendimor. Gjergji ynë do ta shnëdrrojë Shqipërinë në kështjellë mbrojtëse për gadi një çerek shekulli, duke ia pamundësuar Perandorisë Osmane në ngjitje zbarkimin në Itali dhe më tej në Europën Perendimore.

Shekuj më vonë, pas shpërthimit të Luftës në Lindje (1875) sërish do të jenë shqiptarët ata që do të bllokojnë zbarkimin e Rusisë drejt ujërave të ngrohta të Adriatikut dhe Mesdheut.

Në shekullin e 19-të, nën udhëheqjen e urtë të Ymer Prizrenit dhe diplomatit të pashoq Abdyl Frashërit, do të bëhet përpjekja e parë pas disa shekujve robërie, të ngritet në këmbë Shteti modern shqiptar, që do t’i shërbej sërish edhe interesave gjeopolitike të Europës në dy nivele: e para, për të larguar Perandorinë Osmane dhe ndikimin e saj në Europën Juglindore, dhe e dyta, për të pamunëdsuar shuarjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve, siç pretendonin ideologët rus. Kjo u arritë përmes ringjalljes së ndjesive nacionale gjithandej ndër shqiptarë, pastaj përmes një kombinimi të guximshëm të fuqisë së përqëndruar në ruajtjen e tërësisë tokësore dhe aftësive diplomatike.

Ndërkaq pas krijimit të Republikës së dytë shqiptare në rajon (Republikës së Kosovës — 2008) shqiptarët do të të trajtohen gjithnjë e më shumë si faktor me peshë për ruajtjen, jo vetëm të paqes dhe sigurisë së rajonit, por edhe për fuqizimin e Aleancës historike ushtarake të Perendimit — NATOs, duke u bërë rezidente e bazave të fuqishme ushtarake të saj.

Në një mjedis shumëpolar interesash e mosbesimi dhe armiqësie reciproke që ziejnë me shekuj në Ballkan, ringjallja e faktorit shqiptar, u pa si kërcënim real nga Serbia, veçanërisht duke pasur parasysh se forca shqiptare dhe planet për ristrukturimin e gjeopolitikës rajonale do ta prishnin status quo-në mbizotëruese të Serbisë.

Gjeopolitika dhe ndikimi i saj në Ballkan

Në enciklopedinë gjermane të Brockhaus-it, “gjeopolitika” cilësohet si “Shkenca që qëndron në kufijtë mes gjeografisë, shkencave politike, historisë dhe shkencave sociale” e themeluar dhe ngritur në rangun e shkencës në nivel shtetëror nga politologu R. Kjellén, ndërkaq në Gjermani e përfaqësuar nga K. Haushofer, e që po kërkon vendin e vet për hulumtim e raporteve mes zhvillimeve politike dhe hapësirës.

Friedrich Ratzel konsiderohet themelues i antropogjeografisë dhe gjeografisë politike dhe si rektor shpirtëror i gjeopolitikës.

Termi “gjeopolitikë” më në fund u inicua dhe krijua nga politologu dhe politikani suedez Rudolf Kjellén në librin e tij “Staten som Lifsform”.[2]

Në fjalorin e Sigurisë politike, “gjeopolitika” cilësohet “si një fushë e ndërmjetme e shkencës mes gjeografisë, shkencave politike, historisë dhe sociologjisë” që hulumton hapësirën, respektivisht marrëdhëniet midis hapësirës dhe realitetit politik. Ajo është edhe shkenca e ndërlidhjes hapësinore me proceset politike, ndërkaq për shtetin si organizëm gjeografik shërben më tej si analizë e ndikimit të kushteve gjeografike të tij, pra të Shtetit mbi politikat e tij kombëtare dhe ndërkombëtare.”[3]

Në thelbin e saj, prandaj, gjeopolitika supozon, ashtu si edhe ekonomia, se ngjarjet drejtohen nga këto forca jopersonale dhe jo nga tekat apo ideologjitë individuale.[4]

E ardhmja gjeopolitike është rigorozisht joideologjike.

Duket që ky konkluzion ka ndikuar që studjuesi Rainer Mennel të pohoj me të drejtë se “gjeopolitika është një nga degët e shkencave politike më me ndikim në hapësira konkrete [rasti i Ballkanit], në politikat e një Shteti”.[5]

Në thelbin e saj gjeopolitika supozon, ashtu si edhe ekonomia, se ngjarjet drejtohen nga këto forca jopersonale dhe jo nga tekat apo ideologjitë individuale.
E ardhmja gjeopolitike është rigorozisht joideologjike.

Zhvillimet e gjeopolitikës klasike në zonën e Europës Juglindore, sidomos ato pas Luftës së Dytë Botërore, po rikthehen në jetë tani në dekadën e tretë të shekullit të 21-të.

Për shumë vite gjykohej se shekulli i njëzetë do të mund të cilësohej si i kapërcyer. Këtë tezë e dëshmojnë botime të ndryshme shkencore ndërkombëtare, sidomos pas vitit 1989. Por, ishte pikërisht procesi i shkërmoçjes së ish Federatës Jugosllave me theks gjenocidi në Bosnjë dhe Kosovë, dhe tani aneksimi i Lindjes së Ukrainës dhe lufta që po vazhdon për Ukrainën, që po rikthejnë zhvillimet gjeopolitike klasike gjithandje, e me theks edhe në Europën Juglindore. [6]

BE-ja, shih për këtë, nuk duhet të përqëndrohet e tëra në Ukrainë, duke i lënë hapësirë të lirë veprimi Rusisë dhe satelitëve të saj në Europën Juglindore. Shih për këtë, kundërvënia ndikimit rus në rajon, nuk arrihet dot duke hequr dorë nga Ballkani, respektivisht duke hedhur në parketin e diplomacisë ide për gjoja “Komunitetin Politik Europian” apo “Komunitetin gjeopolitik europian”.
Idenë mbi të ashtuquajturin “Komunitet politik europian” e bëri publik presidenti I Francës, Emanuel Makron më 9 maj 2022, duke e prezantuar si një lloj alternative të anëtarësimit në BE. Ndërkaq nëntë ditë pas tij, sktësisht në 18 maj 2022, presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, e rimerr propozimin presidencial francez dhe i bën një redaktim terminologjik dhe propozon “komunitetin gjeopolitik europian”. Në një fjalim të mbajtur në 18 maj në Komitetin Ekonomik dhe Social Europian, Mishel parashtroi propozimin e tij: “Unë bëj thirrje për krijimin e një komuniteti gjeopolitik europian”. Këtë propozim presidenti i Këshillit Europian ia paraqiti edhe Serbisë, Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës, në turneun e tij të 19–20 majit në Ballkanin Perëndimor.[7]

Lufta në Ukrainë dhe pasojat e saj gjeopolitike për BE

Pozicionimi i paqartë i Francës rreth të ardhmes europiane të Ballkanit Perendimor dhe me këtë edhe të vetë BE-së, me theks të veçantë trajtimi racist i Shqipërisë dhe shqiptarëve nga elita aktuale politike franceze, në njërën anë dhe përqëndrimi i Gjermanisë në marrëdhëniet me Rusinë, e shpjenë pashmangshëm autonominë gjeopolitike të BE-së në kalendrat greke.

Krejt e natyrshme pastaj rezulton rritja e ndikimit të Uashingtonit dhe Londrës tok në shestimin, krijimin dhe zbatimin e politikave që do të mbarështrojnë të ardhmen e Europës Juglindore dhe jo vetëm asaj në kontinentin e vjetër.

Bashkimi Evropian kishte mundësi të mrekullueshme ta ndërtojë kapacitetin e tij gjeopolitik, që nga momenti kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, më 9 shtator 2010, miratoi rezolutën e sponsorizuar nga 27 vendet e atëhershme të Bashkimit Evropian dhe Serbia, e cila hapi rrugë për fillimin e dialogut Kosovë — Serbi, të lehtësuar nga BE.7 Kësaj rezolute I kishte parapri akti juridik që tashmë njihet me nocionin Mendimi këshilldhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) rreth shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Rezoluta në fjalë, e miratuar me konsensus nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, përshëndeste mendimin e GJND-së, si dhe e mirëpriste gatishmërinë e Bashkimit Europian për të lehtësuar procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se ky proces do të shërbente si faktor i paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon.

Duke imponuar me kalimin e kohës një tip të dialogut asimetrik, në dobi të Beogradit e pa ra ndesh me interesat ruse në rajon dhe duke koketuar me elementë e struktura autoritariste gjithandej në Ballkanin Perendimr, Brukseli humbi mundësitë për integrimin e përshpejtuar të Ballkanit Perendimor në BE dhe promovimin e primatit të tij në gjeopolitikë, së paku kur bëhet fjalë për këtë pjesë të kontinentit të vjetër.

Tashti kur në një situatë lufte, kur politika e jashtme e Bashkimit Evropian është plotësisht e varur nga lidershipi amerikan dhe britanik, të pohosh siç bëri Borrell më 18 maj: “BE-ja është forcuar si një lojtar ndërkombëtar dhe madje mund të flitet për lindjen e një bashkimi gjeopolitik”, apo të promovosh ide si ajo e Makronit, d.t.th të tallesh me vetëveten.

Dështimi i BE-së në raport me gjeopolitikën ruse kishte filluar në fakt në Ballkan, sidomos në koketimin e tepruar të Brukselit me Serbinë, ndërkaq kishte kulmuar me sjelljet në raport me fillet e marshutës ruse drejt Kievit.

Franca dhe Gjermania vazhdimisht, që prej pushtimit të Krimes (2014) kishin llogaritur gabimisht duke bërë përpjekje të gjejnë mënyra për të ndaluar Putinin duke aplikuar të bëat e Neville Chamberlain, mbrojtja e pjesës tjetër të Ukrainës nga pushtimi rus është përgatitur dhe ndihmuar ekskluzivisht nga SHBA dhe Britania e Madhe.

Me këtë mosveprim, respektivisht me pozicionimin dubioz për ndërtim aleancash të reja që do të dobësonin ndikimin e SHBA-ve dhe Britnaisë në Europë, Berlini dhe Parisi, de fakto kanë bërë të kundërtën. Roli udhëheqës në Evropë në periudhën e ardhshme dhe për një kohë të gjatë sërish ju la në dorë ekskluzivisht NATO-s, e cila udhëhiqet nga Uashingtoni me ndihmën e Londrës. Ndërkaq zgjerimi i pritshëm i Aleancës në veri (Finlandë dhe Suedi) dhe ai pasuesi në Ballkanin Perendimor (Kosovë dhe Bosnjë) e çimenton për dekadat e ardhshme arkitekturën e sigurisë europiane në kuadër të ombrellës së NATO-s.

Në këtë kuadër, politika gjermane dhe evropiane e gjetën veten praktikisht në bankën e të akuzuarve. Thomas Kleine-Brockhoff, nënkryetar i fondit gjerman Marshall me ndikim, një institut amerikan i themeluar për të zhvilluar marrëdhëniet SHBA-Gjermani, tha në një intervistë për FRANCE 24: “Evropa nuk ka bërë një gabim, por Gjermania dhe Franca kanë bërë. Franca dhe Gjermania vazhdimisht duhet të flasin në emër të pjesës tjetër të Evropës, por dështimet politike ndaj Rusisë janë bërë në Paris dhe Berlin, jo diku tjetër. Evropa Lindore nuk gaboi, Evropa Veriore nuk gaboi”.[9]

Ndërkohë derisa lufta në Ukrainë vazhdon, politika e jashtme dhe ajo e energjetikës e BE-së tashmë është në duart e SHBA-ve (ajo e sigurisë ishte edhe më parë, si pjesë e Aleancës në NATO).

Ky pozicion pretendohet sigurisht që të jetë i përkohshëm, me idenë se më vonë, kur “ti tregohet vendi” Federatës Ruse, BE-ja do të jetë në gjendje ta rikthejë, respektivisht ta sigurojë autonominë e saj të gjakuar gjeopolitike.

Në këto rrethana të reja që janë edhe produkt i luftës në Ukrainë dhe pozicionimit amerikan në raport me Germaninë, gjasat që Polonia të zërë vendin e saj në BE janë reale.

Nëse ky pozicionim i rezervohet Polonisë në rastin e BE-së, a mund të logarisim se Shqipërisë dhe shqiptarëve mund t’i rezervohet po i njejti pozicion për Europën Juglindore?

Nëse elitat tona politike dhe jo veëtm ato do të angazhoheshin për këtë pozicion, gjasat janë reale që ta kemi. Në të kundërtën, sërish nuk përjashtohet mundësia që këtë pozicion ta marrë Serbia, ashtu si de fakto e kishte për dekada të tëra sa ishte lokomotiva kryesore e ish Federatës Jugosllave. I ashtuquajturi “Ballkan i hapur” në këtë rast Serbisë do t’i shërbente fare mirë si një ambalazhim disi ngjashëm me atë që e kishte me Federatën e sllavëve të jugut (Jugosllavinë).

Gjermania i rikthehet vetëvetes

Sipas Kleine-Brockhoff, lufta në Ukrainë kërkon një ndryshim urgjent në politikën gjermane ndaj Rusisë. “Jo vetëm që rendi europian i krijuar pas Luftës së Ftohtë po shembet para syve tanë, por po ashtu edhe strategjitë e zbatuara nga Gjermania dhe Franca”, shtoi ai.

Dështimi i politikës gjermane dhe franceze, jo vetëm në raport me Rusinë e Putinit, por edhe me Beogradin e Vuçiqit, nuk është gjë tjetër veçse dështim i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian.

Në këtë situatë, presidentit gjerman Frank-Walter Steinmeier nuk i mbetet tjetër, përveç se ta pranojë atë dhe të kërkoj falje publike. Ai e pranon këtë fakt, jo pa siklet, duke pohuar katërcipërisht se: “Ne jemi kapur pas urave me Rusinë”. […] Nuk besoja se Vladimir Putin do të pranonte rrënimin e plotë ekonomik, politik dhe moral të vendit të tij për shkak të çmendurisë së tij perandorake. Si shumë të tjerë, gabova.”[10]

Ribashkimi i Gjermanisë në fund të shekullit 20-të nxiti ankthe strategjike edhe në Perendim. Në fakt, dihet se si Margaret Thatcher ashtu edhe François Mitterrand hezitonin të mirëprisnin aktin e bashkimit të Gjermanisë Lindore [DDR] me Republikën Federale Gjermane (BRD), duke e konsideruar këtë akt si një lloj Anschluss 2.0. Ata nuk ngurruan madje t’i afroheshin kryeministrit sovjetik Mikhail Gorbachev për ta parandaluar aktin e ribashkimit gjerman. Ndërkaq zëra realist e ideolog si puna e John Mearsheimer, që në vitin 1990-të, do të paralajmronte se “një Gjermani e sigurt do të përpiqej të siguronte armët e veta bërthamore në një mjedis strategjik në të cilin shpërbërja e bipolaritetit do të lindte një epokë telashe dhe tensionesh të rritura midis fuqive konkurruese.”[11]
Lufta në Ukrainë solli pikërisht epokën për të cilën paralajmronte Mearsheimer-i.
Nëse në periudhën pas ribashkimit, Gjrmania në planin ushtarak, madje hezitoi të përmbushte kriteret minimale të NATOs lidhur me ndarjen e pjesës së buxhetit për nevoja të sigurisë, siç ka argumentuar bindshëm Stephen Szabo, gjatë gjithë kësaj epoke, ajo arriti të rishpikte veten si një fuqi gjeoekonomike. Fuqia e saj kombëtare nuk mbështetej nga aftësitë ushtarake konvencionale ose armët e shkatërrimit në masë, por nga ndjekja e një politike strategjike të realizmit tregtar, një rrugë që shfrytëzoi fuqinë industriale gjermane dhe avantazhet e saj pakrahasueshme. Në fund të fundit, duke marrë parasysh produktivitetin e ekonomisë gjermane, ajo duhej të siguronte tregje konsumi në të cilat mallrat e saj të prodhuara mund të eksportoheshin. Nga ana tjetër, ai kërkonte gjithashtu akses të besueshëm si në energji ashtu edhe në lëndët e para. Kjo u bë përmes kornizave të përbashkëta të dobishme bashkëpunuese, tregtisë dhe projeksionit të ndikimit nëpërmjet vektorëve jokonvencionalë, siç është zgjerimi i interesave të biznesit privat gjerman.[12] Sidomos ndjekja e kësaj strategjie u dëshmua e sukseshme në raport me Rusinë.

Por, Britania e Madhe dhe SHBAtë, në përputhje me mendimin gjeopolitik të autorëve anglo-amerikanë (si klasikë ashtu edhe bashkëkohorë), e kishin cilësuar me ët drejtë si imperativ parandalimin e zhvillimit të një partneriteti ruso-gjerman. Prandaj luftën në Ukrainë dhe intencat për shndërrimin e Polonisë në një fuqi të re ushtarake, duhet riparë edhe në këtë kontekst.

Varshava, shih për këtë, shpërfaqë një lloj ndjesie të gërshetuar me atë të urgjencës, kur viktima ndodhet para agresorit ët pritshëm, pikërisht për shkak të shpërfaqjes kaq agresive në Ukrainë të ultranacionalizmi të rinovuar rus. Rimilitarizimi i Polonisë aktualisht nuk bazohet vetëm në përgatitjen për çfarëdo kërcënimi që vjen nga Kremlini, por gjithashtu pasqyron një dëshirë për t’i dalë të keqes përpara edhe nëse ajo vjen nga palë tjera. Shih përkëtë, Polonia ka nisur prokurimin më të madh të dërgesave të armëve konvencionale amerikane në histori. Në mars, Varshava nënshkroi raketa Patriot me vlerë 4.75 miliardë dollarë, duke forcuar sistemin e mbrojtjes kundër raketor.

Krahas blerjes në masë të armatimit modern dhe gjithandej tek prodhuesit më të mirë, ministri i Mbrojtjes Blaszczak paralajmroi ndërkohë se Polonia do të rrisë forcat e saj në detyrë aktive në 400,000 me një rritje në alokimet e mbrojtjes në 3% të PBB-së së vendit.[13]

Strategjia e Berthholdit dhe shqiptarët

Por atë që e kishte parasysh ministri i jashtëm i Austro-Hungarisë Leopold Berthold (1913) dhe përgjithësisht politika gjermane e kohës, mund të rikthehet në vëmendje tek tashti pas ripushtimit të Ukrainës dhe përballjes së interesave gjeopolitike edhe rreth Ballkanit Perendimor.
Berthod e kishte spikatur faktin se, vetëm krijimi i Shqipërisë në gjeografinë e saj reale (në katër ish vilajetet osmane) dhe aleanca me këtë Shqipëri të ngritur në Shtet të pavarur, do ta mundësonte shtrirjen e ndikimit gjeopolitik gjerman dhe perendimor në këtë pjesë të Europës dhe Mesdheut, duke i vënë kështu një ledh të natyrshëm ndikimit rus në Europn Juglindore. Rikthimi tek gjeopolitika e Bertholdit nuk do t’i bënte keq as Berlinit e as Perendimit në tërësi, sidomos tani kur flakët e luftës mund ta përfshijnë edhe këtë pjesë ët kontinentit të vjetër.

Shqipëria tashmë si anëtare e NATO-s, natyrisht tok me Kosovën si strukturë e saj e federauar, ka të gjitha predispozitat të bëhet një fuqi ushtarake shumë e rëndësishme në Evropë. Si e tillë, përfshi edhe ngushticën e Otrantos, Shqipëria merrë peshë specifike të natyrës gjeopolitike kundruall forcave tjera konkuruese në zonën e Mesdheut dhe rrafshnaltën e Ballkanit.
Në këtë proces të rikthimit gjerman tek vetvetja një Shqipëri e fuqishme do të ishte pa dyshim në dobi edhe të interesave të Gjermanisë moderne.

Në rishikim të gjeopolitikës gjermane Marshalli Thomas Kleine-Brockhoff pledon qartë: “Lufta në Ukrainë ka shpërthyer flluskën në të cilën Gjermania ka jetuar që nga vitet 1990”. Sipas tij, në atë flluskë Gjermania gëzonte një pozicion komod të sigurimit të energjisë së lirë nga Rusia dhe mungesës së nevojës për investime ushtarake, të cilat mundësonin rritjen e industrializimit, rritjen e pasurisë së shtetit dhe qytetarëve dhe një politikë të jashtme paqësore të bazuar mbi idenë se Gjermania mund të pajtohet me të gjithë dhe se për këtë arsye ajo nuk duhet të shqetësohet për mbrojtjen e saj. Jo pa një dozë hidhërimi Thomas Kleine-Brockhoff paralajmëron se kësaj i ka ardhur fundi.

Think-tank-u kryesor amerikan i fokusuar në marrëdhëniet SHBA-Gjermani, Instituti Amerikan për Studime Bashkëkohore Gjermane (AICGS), në një përmbledhje të titulluar “Fundi i Evropës siç e dimë?”, me autor penën e njohur Jeffrey Rathke, fill pas agresionit rus ndaj Ukrainës, më 24 shurt 2022, pohon se përgjegjësia politike për lëshimet ndaj Rusisë i përket europianëve, veçanërisht Gjermanisë.

Në këtë artikull, Rathke nënvizon: “Do të ketë mjaft kohë për analiza, akuza dhe autokritikë — politika perëndimore nuk ka arritur të pengojë Rusinë nga një sulm i përgjithshëm brutal ndaj fqinjit të saj paqësor ukrainas dhe themeleve të paqes në Evropë, por përgjegjësia kruciale bie mbi Gjermanin…” Gjermania është qendra e gravitetit të veprimit evropian për t’ia imponuar koston elartë Moskës në rast se lufta tejzgjatet, por edhe për të pamundësuar shpërthimet e flakëve të luftës të nxitura nga Rusia në hapësira tjera të uropës, para së gjithash në Baltik dhe Ballkan.
Duke ju rikthyer Gjermania vetëvetes, ajo mund të nxjerrë përfundime të duhura nga ky moment historik. Në rast se përpiqet ta tejkalojë këtë në kurriz të integritetirt ukrainas, paqa e brishtë që do të mund të imponohej, gjithësesi nuk do të jetë e shtrirë në kohë më shumë se ajo mes pushtimit të Krimesë (2014) dhe agresionit të ri rus mbi Ukrainën (24 shkurt 2022).

Në themel të gjeopolitikës së re gjermane, sugjerojnë ekspertët e fushës, është ndryshimi rrënjësor i politikës pararendëse, duke ju rikthyer vetëvetes dhe përkushtimit për Bashkimin Europian. Kjo nënkupton heqjen dorë edhe për këtë shekull, nga rikthimi tek politika e vjetër e bashkëpunimit me Rusinë.

Çështja shqiptare në dioptrinë e re të gjeopolitikës

Nëse e gjithë teza politike mbi rikthimin e Gjermanisë ndaj vetëvetes ka të bëjë me me nevojën për të mbajtur politikën dhe ekonominë gjermane larg Rusisë, në këtë dritë të re të gjeopolitikës, çështja shqiptare fiton peshën e duhur, sidomos në raportet transatlantike.

Në kuadër të rikthimit tek boshti i Aleancës (SHBA & Britani e Madhe), Gjermania mund të marrë rolin e koordinatores me vendet e BE-së në kuadër të politikës së përbashkët të sigurisë, që d.t.th thellim i bashkëpunimit ushtarak me Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar. Në këtë kuadër Shqipëria [Federata Shqiptare nesër] do t’mund të luante rol të ndjeshëm të forcimit të krahut jugor të BE-së, por edhe në selitjen e raporteve të mira në rrafshin transatlantik.
Duke hequr kështu dorë Gjermania nga ëndrrat e liderëve francez për krijimin e një lloj industrie të integruar ushtarake të BE-së dhe të zhvillimit të një gjenerate të re të sistemeve evropiane të armëve, asaj do t’i kërkohet bashkëpunim më i madh ushtarak-teknik dhe industrial me palët amerikane dhe britanike të integrimit euroatlantik. Në këtë kuadër, domethënës është vendimi gjerman për blerjen e avionëve luftarakë amerikanë F-35, me kushtin e ashtuquajtur gjerman që industria evropiane të përfshihet në prodhimin e këtij avioni luftarak dhe në zhvillimin e mëtejshëm të tij. Bëhet fjalë, në fakt, për interesin amerikan dhe një përsëritje të historisë nga epoka e Luftës së Ftohtë, kur F-104 amerikan “Starfighter” u bë avioni kryesor luftarak i anëtarëve evropianë të NATO-s.[14]

Meqë kur prodhimi i F-35, parashikohet të bëhet në disa vende evropiane për nevojat e aviacionit të tyre, do të ishte me shumë interes që një nga këto vende të ishte gjithësesi Shqipëria. Duke u bërë F-35 avioni kryesor luftarak i pjesës evropiane të NATO-s, sipas të njëjtit model të marrëdhënieve politike dhe ushtarake si në kohën kur atë rol e kishte F-104 “Starfighter” amerikan, ndërkaq Shqipëria njëra nga bazat për prodhimin e tij, ky fakt e rikthen plotësisht Shqipërinë dhe shqiptarët (prfshi në këtë kuadër jo vetëm Republikën e Kosovës, por edhe Maqedonin dhe Malin e Zi) në sferë të garantuar të interesit afatgjatë perendimor.
Rikthimi tek vetëvetja, sidomos pas leksioneve që mund të nxirren nga lufta e Ukrainës, është i natyrës urgjente edhe për shqiptarët.

Lufta në Ukrainë, pra intenca e Vladimir Putinit për restaurimin e Rusisë imperiale të epokës së Pjetrit, në rrafshin politik, si për Europën Juglindore edhe për vendet e Baltikut, duket se do të prodhojë efekte pozitive në rrafshin gjeopolitik.

Intelektuali bullgar Ivan Krastev, studiues në Institutin e Shkencave Humane në Vjenë, dhe një nga mendimtarët kryesorë politikë të kohës sonë. beson se Evropa mund të nxjerrë dy leksione nga kjo luftë: Asnjë vend nuk mund t’i rezistojë i vetëm sfidave të jashtme, dhe sigurisht jo atyre ushtarake. Por shton ai, lufta nuk është një betejë për Evropën. Ndërsa ukrainasit po mbrojnë vendin e tyre, polakët dhe shtetet baltike janë të shqetësuar për vendet e tyre, një dëshmi, thotë Krastev se, shteti-komb është ende i rëndësishëm për identitetin politik të njerëzve.[15]

Që të dy këto leksione vlejnë mbi të gjitha për dy republikat shqiptare (Shqipërinë politike dhe Republikën e Kosovës). Pretendimi që përmes aderimit në iniciativa të tipit të “Ballkanit të Hapur” do të arrihet të shmanget agjenda e Beogradit për rikthim në Kosovë konform modelit rus në Ukrainë, defaktorizon shqiptarët në raportet e tyre me Brukselin dhe mbi të gjitha peshën dhe rolin pozitiv që do të mund ta kishim në marrëdhëniet transatlantike.

Në këtë kuadër, SHBA-të dhe Britania e Madhe ashtu siç morën drejtimin mbi çështjet kontinentale europiane, në mungesë të një agjende të mirëfilltë europiane për Ukrainën, ato do të shtyjnë përpara edhe agjendën për sigurimin e arkitekturës së sigurisë në Europën Juglindore.

Dekadave të krijimit të iluzionit të stabilitetit në Europën Juglindore duke ushqyer shpresat për rikthim të Serbisë në Kosovë, ose duke i premtuar nën tavolina Beogradit për shpërblim me aneksimin e veriut të Kosovës, po i vije fundi. Bota tashmë ka hyrë në fazën përfundimtare të procesit të riorganizimit të saj, në të cilën të fuqishmit, po vendosin kufij të rinj të sferave të tyre të interesit. Europa Juglindore si tërësi dhe dy republikat shqiptare në veçanti, tashmë janë zona të garantuara të interesit amerikan. Dhe përderisa marrëdhëniet e SHBA-ve me Rusinë janë tashmë të “ngrira” për kohë të gjatë, ndërkaq Brukseli vazhdon të nanuriset sa me projektin e BE-së aq edhe me ide të reja të Makronit për njëfarë Komuniteti Politik Europian, ku do të duhej të përfshiheshin, përveç vendeve anëtare të BE-së, edhe shtetet aspirante, rikthimi i rolit të shtetit-komb në vizionin për ruajtjen e sovranitetit, duke kultivuar ata cilësitë që i veçon, çështjen shqiptare në dioptrin e re të gjeopolitikës e bën më specifike. Rrjedhimisht ky proces gjeopolitik në zhvillim, vizionin për Federatën Shqiptare e shndërron në vizion real, objektiv.

Ndërkohë derisa lufta në Ukrainë vazhdon, politika e jashtme dhe ajo e energjetikës e BE-së tashmë është në duart e SHBA-ve (ajo e sigurisë ishte edhe më parë, si pjesë e Aleancës në NATO).

Ky pozicion pretendohet sigurisht që të jetë i përkohshëm, me idenë se më vonë, kur “ti tregohet vendi” Federatës Ruse, BE-ja do të jetë në gjendje ta rikthejë, respektivisht ta sigurojë autonominë e saj të gjakuar gjeopolitike.

Në këto rrethana të reja që janë edhe produkt i luftës në Ukrainë dhe pozicionimit amerikan në raport me Germaninë, gjasat që Polonia të zërë vendin e saj në BE janë reale. Nëse ky pozicionim i rezervohet Polonisë në rastin e BE-së, a mund të logarisim se Shqipërisë dhe shqiptarëve mund t’i rezervohet po i njejti pozicion për Europën Juglindore?

Nëse elitat tona politike dhe jo vetëm ato do të angazhoheshin për këtë pozicion, gjasat janë reale që ta kemi. Në të kundërtën, sërish nuk përjashtohet mundësia që këtë pozicion ta marrë Serbia, ashtu si de fakto e kishte për dekada të tëra sa ishte lokomotiva kryesore e ish Federatës Jugosllave.

I ashtuquajturi “Ballkan i hapur” në këtë rast Serbisë do t’i shërbente fare mirë si një ambalazhim disi ngjashëm me atë që e kishte me Federatën e sllavëve të jugut (Jugosllavinë).

Përfundim

Në këto rrethana, shqiptarët nuk do të duhej të kishin dilema për pozicionimin e tyre krejtsisht në përputhje edhe me interesat gjeopolitike. Nëse Franca, Gjermania dhe ndonjë vend tjetër i Europës veriore tani mund të kenë preokupim edhe rikuperimin e pavarësisë së tyre strategjike nga SHBA-të, drejtuesit e dy republikave tona nuk guxojnë të tundohen nga ngasje të kësaj natyre. Prezenca ushtarake e fuqishme e SHBA-ve në dy republikat tona është garncia më e fuqishme e ndalimit të çfardo projekti sllav për rikthim të mundshëm, së paku për aq kohë sa nuk do ta kemi një ushtri unike të fuqishme.

Lufta e Ukrainës dhe reflektimi i saj tejet i madhë pakrahasimisht me atë në ish Jugosllavi, po përshpejtojnë rrjedhën e historisë dhe “gjermanëve po u mbaron koha”.

Rusët gjatë periudhës së pasluftës së ftohtë [1989–2014] kanë identifikuar saktësisht Gjermaninë si shtyllën dhe motorin e BE-së. Prandaj në përplasjen e pritshme me Perendimin, ata duke investuar në shumë fusha, kishin logaritur për të tërhequr Gjermaninë nga orbita gjeopolitike e SHBA-ve, disi ngjashëm siç kishin bërë edhe me disa shtete të Europës Lindore e asaj Juglindore.

Kështu, nëpërmjet zhvillimit të projekteve të infrastrukturës (rrjetet e tubacioneve) për të furnizuar me sasi të konsiderueshme energjie ruse në tregun gjerman të konsumit, Kremlini ishte siguruar që Berlini të mos mbajë një qëndrim konfrontues ndaj Rusisë. Dërgesa të tilla nuk janë vetëm një burim i parave të forta, por edhe një mjet strategjik dhe politik ndikimi. Përmes kërcënimit të përçarjes, Kremlini mund të tërheqë këmbëzën për të shkatërruar ekonominë gjermane [16]…
Por lufta në Ukrainë prodhoi kundërefekte të theksuara edhe në raportet Berlin-Moskë.
“Asnjë vend tjetër që unë njoh nuk është tronditur nga ky sulm i paprovokuar ushtarak në supozimet thelbësore të politikës së saj të jashtme dhe të sigurisë si Gjermania,”[17] deklaroi Ischinger më 28 korrik, në një konferencë në Salzburg, të cilën e sjell edhe e përditshmja Tagesspiegel e Berlnit.

Në këtë periudhë të përplasjeve me karakter të theksuar gjeopolitik, Franca doli me propozimin e ri për një Komuniteti Politik Europian, bërthama e së cilës do të mbetej gjashtja fillestare e BE-së, ndërkaq periferia, pjesa tjetër tok me vendet ende të paaderuara në BE. Ndërkaq Britania e Madhe po promovon krijimin e një aleance të re sigurie të shteteve evropiane që ndajnë tre emërues të përbashkët: një kundërshtim i ashpër ndaj Rusisë, një orientim i fortë strategjik altanticist dhe një pikëpamje mosbesuese ndaj Gjermanisë.[18]
Rikthimi tek strategjia e Bertholdit do ta ndihmonte Gjermanin që të ruante interesat e saj gjeopolitike në Europën Juglindore, po aq sa do t’i jipte shkas Federatës Shqiptare që njëkohësisht të koontribuojë në përafrimin e këtyre interesave me ato të SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe, duke kushtëzuar këtë me kundërshtimin e ashpër të ndikimit të Rusisë dhe Turqisë në rajon.

Tani që historia është përmbysur tërësisht, Shqipëria dhe shqiptarët mund të logarisin në garancinë amerikane të sigurisë e tok me të edhe komoditetin e të qenit një ekonomi e zhvilluar vetëm nëse dim të luajmë mirë në sferën e interesave gjeopolitike, që d.t.th. nëse pozicionohemi qartë dhe drejt.

Intenca e fuqive europiane që kalkulonte dhe merrte në konsideratë edhe interesat ruso-serbe, duke promovuar një lloj status quo-je që promovonte ideja e Grupit të Kontaktit për mbajtjen e Kosovës disi ngjashëm me Austrinë, larg procesit të integrimit të saj me Shqipërinë politike, qoftë edhe në trajtën e një Federate Shqiptare fillimisht, tani shpejt do të zhduket vetvetiu dhe partneritetet ekzistuese nuk do ta përfillin tutje atë kushtëzim të sanksionuar madje edhe në kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Sundimi shekullor osman, që filloi me pushtimin e qyteteve të periferisë së hapësirës jetike shqiptare — qytetet e Shtipit, të Përlepit, të Manastirit dhe të Kosturit, Shkupit, të Manastirit, të Janinës etj (1385) dhe u përmbyll me pushtimin e Shkodrës (1479), la gjurmë të thellë jo vetëm në gjenotipin, stilin e jetës dhe fjalorin e popullit shqiptar, veçmas të zonave fushore e bregdetare, por më shqetësues ishte ai në karakterin e tij socio-politik dhe moral.

Sidoqoftë, falë zonave të pamposhtura malore (Mirdita, Malësia Mbishkodrës, Rugova, Labëria, Malet e Zeza të Shkupit, Zonat rreth Sharrit, Medoka…) u arritë të ruhet gjenotipi shqiptar, ndërkaq në epokën e Rilindjes Kombëtare  – të etablohet formimi i nëdrgjegjes kombëtare.

Ky gjenotip modern postkolonial edhe pas çlirimit të Kosovës, përveç rrezikut serb, ndërkohë po përballet me agresionin kulturor neootoman dhe panarab.

Intenca për ta lidhur një pjesë të kombit me këtë ideologji agresive kulturore, për ta “rikoduar” gjenotipin shqiptar në një amalgamë “islame”, nënkupton objektivin gjeostrategjik për ta ndarë Shqipërinë dhe shqiptarët nga Perendimi, që tashmë po hynë në një epokë të re rikonsolidimi, disi ngjashëm me epokën e Rilindjes.

Të qenit për kohë të gjatë të pushtuar ose në mëshirën e të tjerëve, është dëshmuar si pozicion tejet i rrezikshëm edhe për shtete me peshë si Gjermania, e mos të flasim për ne shqiptarët. Prandaj, shqiptarët, është krejtësisht në natyrën e gjërave, krahas gjermanëve e polakëve, së shpejti të përjetojnë një zgjim të theksuar nacional, pasojat pozitive të të cilit akt do t’i gëzojnë brezat që do të vijnë. Ky zgjim dhe rikthim tek vetëvetja mund e do të bëhet duke u përballur sërish me projektin serb për të ashtuquajturën “Botë serbe” dhe mbi të gjitha duke punuar në përputhje me zeitgeistin aktual. Ora e historisë po bie.

****************************************************

1.  https://deutschland-und-die-welt-2030.de/de/beitrag/strategiefaehigkeit-und-weltschmerz-die-deutsche-aussenpolitik-bis-2030/

2.   Shih për këtë R. Kjellén: Der Staat als Lebensform; 1917.

3. Krahaso edhe Ernst — Christoph Meier, Richard Roßmanith und Heinz-Uwe Schäfer: Wörterbuch zur Sicherheitspolitik; 2003; f. 144.

4. GPF [Geopoliticas Futurs], 19 korrik 2018

5. Rainer Mennel: Der Balkan — Eine Studie zur Geostrategie und Politischen Geographie eines alten Konfliktraumes; 1999; S. 11.

6. [https://www.bundesheer.at/pdf_pool/publikationen/09_vu1_01_gbf.pdf]

7. Shaban Murati, ISHGJ, maj 2022

8. Organizata e Kombeve të Bashkuara, Asambleja e Përgjithshme, “Rezoluta A/RES/64/298”, 9 shtator 2010. I qasshëm në, http://www.un.org/en/ga/search/view_doc.asp?symbol=A/RES/64/298

9. https://www.geopolitika.news/analize/m-stefanov-zbog-rata-u-ukrajini-eu-nece-postati-globalna-sila/

10. https://www.tagesspiegel.de/politik/steinmeiers-fehleranalyse-in-bellevue-in-putins-imperialem-wahn-habe-ich-mich-geirrt/28226810.html

11. https://www.geopoliticalmonitor.com/germanys-geopolitics-at-a-crossroads/

12. Po aty

13. https://www.eurasiareview.com/30072022-poland-europes-newest-military-superpower-analysis/

14. https://www.geopolitika.news/analize/m-stefanov-zbog-rata-u-ukrajini-eu-nece-postati-globalna-sila/

15. https://www.spiegel.de/international/europe/kremlin-threats-europe-has-to-learn-to-defend-itself-but-how-a-fb5bed7e-126c-47df-9dce-f677139cc2bf

16. https://www.geopoliticalmonitor.com/germanys-geopolitics-at-a-crossroads/

17. https://www.tagesspiegel.de/politik/kein-land-ist-so-erschuettert-worden-ischinger-raet-zur-neuaufstellung-der-deutschen-aussenpolitik/28556720.html

18. Po aty