Reagim ndaj Ndërhyrjes – Zgjerimit të Rrugës “Nënë Tereza” në Gjakovë
Nga Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës

Duke i’u referuar ngjarjeve të ditëve të fundit në Komunën e Gjakovës dhe veprimeve të Institucioneve Komunale për ndërmarrjen e masave për zgjerimin e rrugës “Nënë Tereza” – arteria kryesore e qytetit që është zhvilluar si aks publik, shoqëror e ekonomik – Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës solidarizohet me shqetësimin dhe reagimin e qytetarëve të Gjakovës dhe grupeve të interesit. Lidhur me këtë, shpreh shqetësim, duke identifikuar dy probleme kryesore:

1) Konteksti administrativ, duke pasur mungesë të një projekti konkret për ndërhyrje;
2) Konteksti i trashëgimisë kulturore, me theks të veçantë në trashëgiminë e peizazhit.

Ju pëlqen!

Rruga “Nënë Tereza” është landmark urban, një arterie e veçantë e kujtesës kolektive të qytetarëve të Gjakovës, që zhvillohet krah Institucionit të Kuvendit Komunal, Muzeut Etnografik dhe Xhamisë së Re – ndërtesa me vlera historike, kulturore e arkitekturore. Kjo arterie karakterizohet me drunjë të lartë shumëvjeçar, që përpos trashëgimisë peizazhore, krijojnë edhe parakushtet për shëndetin e qytetarëve dhe reduktimin e zhurmës. Me zgjerimin e rrugës në favor të korsive automobilistike, si pasojë do të ngushtohen trotuaret dhe për më tepër, do të zhduket gjelbërimi – 156 drunjë mbi 70 vjeçarë, si identitet i qytetit.

Duke marrur parasysh faktin që sot, më shumë se çdo herë, në diskursin botëror të planifikimit të qyteteve, bëhet thirrje për ruajte të karakterit të qytetit dhe për kualitet të jetës publike, zona duhet të trajtohet me kudjes të veçantë përmes hartimit të detyrës projektuese dhe shpalljes së konkursit publik. Në këtë kontekst, Institucionet përkatëse të Komunës së Gjakovës duhet të bashkëpunojnë ngushtë me profesionistët e fushës së planifikimit urban, arkitekturës peizazhore dhe trashëgimisë kulturore, si dhe me grupet e interesit, duke insistuar në ruajtjen e vlerave kulturore, shoqërore dhe ekonomike, të kësaj arterie.

Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës
Shpërndaje artikullin!

 

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!