Në 1920, kur Shqipëria po kalonte një sërë ndërhyrjesh gjeopolitike në marrëdhëniet e saj, një ngutje ballkanike për ta kafshuar nga të gjitha anët, një politikë të brendshme sa patriotike dhe tradhëtare, zoti Sotir Kolea i drejtohet kryeredaktorit të gazetës së Gjenevës ‘’La Feuille’’ Zh. Debri, për gënjeshtrat që kishte deklaruar Esat Pashë Toptani në këtë gazetë dhe çfarë ishte ai në vetvete për kombin e sapolindur shqiptar. Në këtë letër thuhej:

I nderuar zotëri,

Së bashku me gazeta të tjera të kësaj pjese të Zvicrës, gazeta ‘’La Feuille’’ e datës 14 të vazhduesit Nr. 212, me rastin që Esat pasha ndodhej në Gjenevë, ka botuar në rubrikën ‘’Locale’’ një trafilet për të. Pasha është paraqitur aty si kryetar i qeverisë së parë të përkohshme shqiptare, si njeriu që rrëzoi më vonë Princ Vidin dhe sikur ai po vazhdon sot pranë Konferencës së Parisit përçapjet e tij për pavarësinë e Shqipërisë.

Ju pëlqen!

Mirëpo nga të gjitha ato që u thanë më sipër vetëm prania e pashës në Gjenevë ishte e vërtetë: sa për të tjerat, ato kanë qenë një fyerje për ndershmërinë e gazetës ‘’La Feuille’’, sepse ato janë një varg pasaniktësish dhe thëniesh krejt pa bazë.

Kështu, qeveria e parë e përkohshme shqiptare u krijua nga Kuvendi Kombëtar i Vlorës më 28 nëntor 1912; mirëpo atëherë dhe gjer më 23 prill 1913, Esat pasha ishte mbyllur në Shkodër, ku pregatiste planet e tij për vrasjen e komandantit trim të qytetit, Hasan Riza beut, dhe dorëzimin e qytetit serbo-malazezëve, për arsyet dhe kushtet që tanimë nuk i njeh vetëm ai.

Gjthashtu, Esat pasha nuk ka bërë gjë për rrëzimin e qeverisë së Durrësit. I akuzuar për krim dhe tradhti të lartë dhe i arrestuar (më 18 maj 1914) nga qeveria në fjalë, ai i shpëtoi gjyqit dhe ndërshkimit me ndërhyrjen e paturpshme dhe të papërligjur të ministrit Italian zotit Alioti. Kështu, pra, ai ndodhej qysh atëherë në Romë, tek po kurdiste tradhëti të tjera. Si kaloi një kohë e gjatë pas rrëzimit të qeverisë shqiptare (3 shtator 1914) Esati duke përfituar nga mbrojtja e italianëve dhe duke u mbështetur në bajonetët serbe- çështja e Fiumes ende nuk ishte dukur në horizont- mundi të hynte në Durrës. Sidoqoftë, nuk është më sekret për asnjeri se rrëzimi i qeverisë së rregullt të Durrësit dhe largimi i Princit nga Shqipëria janë vetëm e vetëm vepër e qeverisë së Romës.

Mbeten përçapjet që gjoja ka bërë pasha në dobi të pavarësisë së vendit të tij. Këtu është fjala për gjëra krejt pa kuptim. Kush mund të rrezikohet të pranojë se mund të frymëzohet nga ndjenja patriotike një njeriu që gjithë jetën e tij nga ka bërë tjetër veçse ka thyer besën dhe ka tradhëtuar atdheun e vet te turqit, malazestë, sebët, grekët, italianët, te të gjithë ata, më në fund, që donin dhe mund të paguanin mjaft për një gjë të tillë. Duke pasur parasysh të kaluarën e pashës, as që është e nevojshme të ngulet këmbë për natyrën e këtyre përçapjeve, nëse ka bërë vërtet përçapje; sepse blofi dhe gënjeshtra janë, fundi, të metat më të vogla të këtij njeriu që z. Xhorxh Fred Uilliams, ish- ministër i plotfuqishëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Athinë dhe në Cetinjë, e ka quajtur në ‘’Eoston Herlad’’ të datës 8 nëntor 1915 ‘’The traitor Essad’’ (Esat tradhëtari)

AQSH I RPSH F.S Kolea D. Nr. 68

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!