Materiali i mëposhtëm është një punim i Andrey Edemskiy, i Institutit për Studime Sllave në Akademinë Ruse të Shkencave.

Autori sjell për herë të parë si burim arkivor deri më tani të papublikuar Fondet 2,3 dhe 10 të Arkivit Shtetëror Rus për Historinë Bashkëkohore, përmes të cilit mund të shohim optikën sovjetike mbi atë që po ndodhte në raportet me Shqipërinë në vitet 1960-1961. Këto burime ndihmojnë që disa mite në historiografinë e më pas imagjinatën kolektive shqiptare të rishikohen. Miti i “betejës” në bazën e Vlorës duhet parë përtej optikës së ngushtë të një fitoreje shqiptare dhe demonstrimit të forcës, pasi të paktën sipas dokumentacionit në fjalë nuk rezulton që sovjetikët të kenë patur ndonjëherë ndërmend skenarë ushtarakë në Shqipëri. Megjithatë akademiku rus e mbyll punimin me theksimin se ka nevojë që burimet të krahasohen, për të kuptuar më shumë atë që ka ndodhur.  

Një gjë del e qartë: pavarësisht sjelljes apo gabimeve të sovjetikëve – të cilat pranohen si të tilla – Enver Hoxha nuk ia la rastësisë shkëputjen me sovjetikët. Ai e kishte qëllim politik atë dhe e provokoi deri në fund, së pari duke luajtur në marrëveshje me palën kineze dhe së dyti duke minuar klimën e bashkëpunimit. Mbetet për t’u hulumtuar se çfarë qëndron pas kësaj politike, por p.sh intepretimi i autorit për takimin në Tiranë mes tij dhe Andropovit dhe Pospjellovit jep të kuptojë se Enver Hoxha është ndjerë i rrezikuar personalisht prej sovjetikëve. Dhe vendosi të spastronte partinë nga çdo element i mundshëm pro tyre dhe pastaj në dritën e fërkimeve sovjeto-kineze të përgatiste përshkallëzimin e situatës duke qëndruar publikisht si një komunist i vendosur që kishte kapur në gabim ideologjik sovjetikët.

Ju pëlqen!

Është po ashtu e pasqaruar mirë, edhe me këto dokumente, nëse afrimi i Hrushovit me jugosllavët ishte refleks i prishjes me Shqipërinë, apo lidhet me një politikë të Kremlinit në Ballkan. Autori thotë se në çdo rast, afrimi me Jugosllavinë i dha një alibi Hoxhës, i shtroi edhe më tej rrugën atij drejt shkëputjes përfundimtare.

***

Andrey Edemskiy – Instituti për Studime Sllave në Akademinë Ruse të Shkencave

Kompleksi i jashtëzakonshëm i proceseve historike në Ballkan në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të, përbën qysh tani padyshim një çështje premtuese studimore teksa shumë dokumente arkivore janë bërë të askesueshme. Konflikti sovjeto-shqiptar në fillim të viteve ’60, në të gjitha aspektet e tij, ideologjike, politike dhe ekonomike, ka tërhequr vëmendjen e kërkuesve që në ngjizjen e tij. Një përparim serioz në hulumtimin e këtij problemi është bërë në vitet e fundit si rrjedhojë e përdorimit të materialit të pasur dokumentar në shqip nga arkivat shqiptare; kërkues shqiptarë kanë dhënë kontributin e tyre të çmuar në studimin e këtyre ngjarjeve. Për fat të keq rezultatet e kërkimit që shfrytëzojnë materiale dokumentare sovjetike nuk janë po kaq të rëndësishme. Shumë dokumente me rëndësi janë ende të klasifikuara, por dokumentet që janë tashmë të disponueshme nga arkivat ruse bëjnë të mundur të hedhim më shumë dritë mbi ngjarjet e shkuara. Ky artikull është përpjekja e parë për të dhënë një kontribut më shumë në këtë drejtim, krahas detyrës së identifikimit të shenjave të një intensifikimi të kontakteve sovjeto-jugosllave në të njëjtën kohë.

Dallimet sovjeto-shqiptare që u shfaqën në mesin e viteve ’50, për shkak të mosaprovimit nga udhëheqja shqiptare të lëvizjeve të Hrushovit drejt normalizimit të marrëdhënieve me Jugosllavinë dhe dënimi I “kultit të individit” të Stalinit, vijuan edhe më tej të akumulojnë potencial negativ. Në vitin 1959, lideri sovjetik, Hrushovi, nuk i priti mirë vlerësimet për planet e zhvillimit të prezantuara atij nga pala shqiptare gjatë vizitës që bëri në Shqipëri në muajin maj. Përpjekjet e Moskës për të negociuar me Uashingtonin mbi një gamë çështjesh me rëndësi globale i shtoi edhe më tej vështirësitë në raportet mes Moskës dhe Tiranës. Gjithësesi, deri në verën e vitit 1960, marrëdhëniet sovjeto-shqiptare vijuan të zhvilloheshin relativisht pa fërkime brenda kuadrit të një bashkëpunimi të qëndrueshëm dhe të ndershëm ekonomik dhe mbi të gjitha, të një ndihme të konsiderueshme dhe të gjithanshme sovjetike për Shqipërinë. Dallimet e përmendura më sipër mbetën anësore deri në pranverë-verën e vitit 1960. Si drejtues i një vendi të vogël, Enver Hoxha dhe enturazhi i tij nuk e konsideronin të mundshme sfidën ndaj sovjetikëve, fuqia e madhe në krye të kampit sovjetik.

Situata ndryshoi në pranverë të vitit 1960. Në fund të prillit disa artikuj që u shfaqën në shtypin kinez(pak më vonë ato u mblodhën dhe u botuan në një borshurë të titulluar: Rroftë Lenizmi!) demonstruan se lidershipi kinez shprehu hapur, ndonëse indirekt, madje deklaroi mosaprovimin e vet me pozicionin sovjetik mbi strategjinë e bllokut sovjetik dhe lëvizjes botërore komuniste për një sërë çështjesh që kishin të bënin me qasjen e shtetit në problemet ndërkombëtare dhe perspektivën e tyre. Deri në vitin 1960, Moska nuk i ishte përgjigjur këtyre kënvështrimeve me asnjë mënyrë, duke besuar se dallimet e dyanshme ideologjike nuk duhet të diskutoheshin publikisht, në media, por më tepër në takime personale.

Një mundësi për të kritikuar pozicionin kinez u vetëprezantua, ose kështu iu dukej liderëve sovjetikë, në fund të qershorit në Bukuresht, gjatë një takimi mes delegacioneve respektive në Kongresin e Partisë së Punëtorëve të Rumanisë. Ishte bërë e nevojshme që polemika të ndalej në kampin sovjetik pasi anullimi i samitit të Fuqive të Mëdha në Paris në mes të muajit maj, për shkak të fluturimit të një avioni spiun amerikan mbi territorin e Bashkimit Sovjetik, dukej se konfirmonte se parlajmërimet kineze ishin më të argumentuara nga sa dukeshin. Avioni amerikan ishte rrëzuar nga sovjetikët dhe pranimi prej pilotit të kapur se ai ishte me një mision spiunimi, duket se e provonte të gabuar Hrushovin në kursin e tij për arritjen e një detante me SHBA si dhe uljen e tensioneve ndërkombëtare.

Në fillim të qershorit, liderët sovjetikë hodhën idenë e një “takimi të partive motra të komunistëve dhe punëtorëve” në Bukuresht(vendimet e Presidiumit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik të datave 2 dhe 7 qershor). Synimi fillestar ishte diskutimi i krizës së situatën ndërkombëtare, që u bë e sikletshme pas anullimit të samitit të Parisit. Vetëm më vonë, me nismën personale të Hrushovit, në Moskë u përgatit një notë informative përmes së cilës kritikoheshin pikëpamjet e liderëve kinezë si false dhe të dëmshme. Në 22 qershor, lidershipi sovjetik vendosi ta shpërndante këtë dokument te liderët e vendeve të bllokut komunist. Dhe më pas, në Bukuresht, në takimet e improvizuara të delegacioneve të huaja që kishin ardhur si të ftuar në Kongresin e partisë rumune, lideri sovjetik Hrushov kritikoi lidershipin kinez. Delegacioni shqiptar drejtohej nga “numri tre” sipas hierarkisë partiake, Hysni Kapo, anëtar i Byrosë Politike të Partisë së Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë. Ai u koordinua me Enver Hoxhën që ishte në Tiranë dhe si asnjë nga pjesëmarrësëit e tjerë, që nga fillimi i takimit, nuk ishte aktiv në fushatën e improvizuar të dënimit të pikëpamjeve të lidershipit kinez, teksa iu shmang detyrimit të rendit alfabetik për të folur i pari. Edhe një sjellje e tillë pasive e Kapos e mërziti Hrushovin.

Fakti se lidershipi shqiptar ishte shmangur të mbështeste Hrushovin në kritikën e tij ndaj pikëpamjeve kineze në Bukuresht, nuk e ndaloi kryeministrin e Republikës Popullore të Shqipërisë, Mehmet Shehu, t’i dërgonte një letër qeverisë sovjetike, përmes së cilës i kërkonte 50 mijë ton grurë që të niseshin drejt Shqipërisë nga gushti në dhjetor të atij viti, e që nevojiteshin si pasojë e kushteve të pafavorshme të motit dhe një plani të parealizuar për drithërat. Letra mbeti pa përgjigje. Vetëm në muajin gusht, kur ministri shqiptar i Tregëtisë përsëriti të njëjtën kërkesë Ministrisë sovjetike të Tregëtisë me Jashtë, duke nënvizuar nevojën urgjente për të paktën 10-15 mijë ton grurë brenda shtatorit, Moska u vu në lëvizje për ta përmbushur atë. Sipas vendimit të 1 shtatorit, Shqipëria do të furnizohej me vetëm 10 mijë ton grurë gjatë periudhës shtator-tetor 1960. Theksohej se sipas Marrëveshjes Tregëtare Dypalëshe, Tirana duhet të paguante për to në mallra vitin e ardhshëm. Meqenëse sovjetikët nuk kishin stok të lirë gruri, u vendos që kërkesa të përmbushje nga rezervat shtetërore, duke marrë parasysh se 10 mijë tonët e grurit të dorëzuar do të zbriteshin nga sasia e parashikuar për eksport në vitin 1960. Gruri duhet të ngarkohej në anijet e marinës sovjetike në portet e Detit të Zi.

Një tjetër valë fërkimesh në marrëdhëniet sovjeto-shqiptare u shfaq në nëntor 1960 gjatë takimit botëror të partive Komuniste, zhvilluar në Moskë. Siç mund të shihet në dokumentet arkivore, në ndryshim nga ajo që ndodhi në Bukuresht në fund të qershorit, kësaj radhe delegacioni shqiptar erdhi në Moskë me  qëllim marrjen e krahut kinez për të gjitha çështjet për të cilat Kina dhe BS-ja kishin pozicione të ndryshme në muajt e fundit. Qëndrimi tyre ishte vendosur në Pleniumin e Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, më 1 nëntor 1960. Delegacioni udhëhiqej nga Enver Hoxha dhe nuk kishte pse të humbej kohë me konsultime me Tiranën, siç kishte bërë Kapo në Bukuresht në fund të qershorit. Ky ndryshim në qasjen shqiptare është shpjeguar në mënyra të ndryshme. Sipas një tradite të gjatë në historiografinë perëndimore, ajo ishte rezultat i një lufte të brendshme në parti që përfundoi në fund të gushtit 1960. Fitimtarët e saj adoptuan një linjë të vendosur pro-Pekinit në sfidimin përherë në rritje të tij ndaj lidershipit sovjetik në bllokun komunist dhe lëvizjen komuniste botërore. Nga ana tjetër, historiografia bashkëkohore shqiptare ka ofruar një pamje të re të këtyre ngjarjeve sipas të cilës zërat për një betejë të brendshme në parti, ishin false, përderisa që pas “fjalimit sekret” të Hrushovit në shkurt 1956, Enver Hoxha kishte eliminuar të gjithë opozitën potenciale, duke spastruar shumë anëtarë të partisë dhe zyrtarë të lartë që mundet potencialisht të adoptonin kriticizmin sovjetik të “kulttit të personalitetit” në Shqipëri atë vit.

Disa përpjekje të sovjetikëve për të ulur shqiptarët në një diskutim të hapur dypalësh në mënyrë që të mbyllej plaga e hapur, shkuan kot. Sapo Hoxha mbërriti në Moskë, sovjetikët i shpërndanë delegacioneve të huaja përgjigjen e tyre ndaj letrës së shtatorit të Partisë Komuniste të Kinës, në të cilën Shqipëria përshkruhej si një tirani në të cilën të ishe një mik i Bashkimit Sovjetik, ishte e rrezikshme. Me një hapje të tillë, Enver Hoxha ishte shumë i acaruar për t’u takuar me Hrushovin. Vetëm pas ndërmjetësimit të komunistëve francezë shqiptarët pranuan të takohen me përfaqësuesit sovjetikë në datat 10-11 nëntor. Hoxha u takua më në fund me Hrushovin një ditë më vonë, më 12 nëntor. Sipas burimeve shqiptare, përfaqësuesit sovjetikë në takimin e parë ishin Mikhail Susllov, Juri Andropov, Frol Kozllov, Anastas Mikojan dhe Pjetër Pospjellov.

Diskutimi nisi qetë. Në përgjigje të pyetjes së sovjetikëve: “Çfarë doni në këmbim të një përmirësimi të marrëdhënieve tuaja me ne”, Hoxha u kujtoi atyre të gjitha incidentet që kishin ndodhur gjatë verës, si përpjekja sovjetike për të minuar unitetin e lidershipit shqiptar, mbështetja e disidentëve politikë dhe incidentet mes marinarëve dhe oficerëve shqiptarë dhe sovjetikë në bazën detare në Vlorë. Hoxha parashtroi një sërë kërkesash në mënyrë që incidente të tilla të shmangeshin në të ardhmen, por pala sovjetike i hodhi poshtë ato duke vënë në dukje një sentiment antisovjetik që ishte përhapur në Shqipëri. Në rrjedhën e diskutimit, Hoxha argumentoi se kishte patur edhe më herët mosmarrëveshje mes të dyja palëve, si p.sh ato mbi Jugosallvinë dhe çështje të tjera dhe se të gjitha kishin burim palën sovjetike. Hrushovi u duk i befasuar: “Është diçka e re për mua që ne kemi patur pikëpamje të ndryshme mbi këtë çështje. E dëgjoj për herë të parë…Problemin jugosllav që ju e konsideroni si temë mes nesh, mund ta lëmë mënjanë për momentin. Kjo nuk është një çështje parimore”.

Por Hoxha insistoi se çështja ishte në fakt parimore dhe se Hrushovi nuk kishte dashur për një kohë të gjatë ta kuptonte. Lideri shqiptar akuzoi Hrushovin për përkeqësimin e marrëdhënieve pas takimit të Bukureshtit. Por Hrushovi ngriti dyshimin se “ju duket nuk keni qenë në marrëveshje me ne edhe para Bukureshtit”. Më pas ata shkëmbyen akuza të rënda lidhur me mbështetjen e mundshme sovjetike ndaj liderëve shqiptarë, të spastruar së fundmi dhe që kishin simpati për BS-në. Hrushovi sulmoi bashkëbiseduesit e tij “për përjashtimin e një gruaje të fuqishme si Belishova në një mënyrë staliniste”. Në atë moment, diskutimi tashmë i nxehtë kaloi te çështja e bazës detare të Vlorës rreth akuzave të oficerëve dhe detarëve sovjetikë që konfrontoheshin me shqiptarët në territorin e tyre. Në një klimë polemike, Hrushovi përmendi mundësinë e heqjes së këtij instalimi ushtarak nga Shqipëria. Diskutimi u mbyll më në fund kur Hrushovi e krahasoi mënyrën e Enver Hoxhës në diskutimme kryeministrin britanik, Harold Mekmilan, i cili “donte po ashtu të më fliste mua në këtë mënyrë”. Mikojani shtoi se “Hoxha flet më keq se Mekmilan”. Delegacioni shqiptar u ngrit dhe u largua. Teksa po dilte, fjalët e fundit të Mehmet Shehut për Hrushovin ishin se “Shqipëria do të mbetet përherë besnike ndaj Bashkimit Sovjetik dhe një anëtare e kampit socialist”.

Është e qartë se në qendër të përpjekjeve për të mbyllur ndarjen fillestare ishin dallimet në mentalitet, të rënduara nga një pereceptim i dhimbshëm i përfaqësuesve të një vendi të vogël për lehtësinë me të cilën bashkëbiseduesit e tyre, si përfaqësues të një fuqie të madhe, interpretuan deklaratat e tyre. Nga ana tjetër, bashkëbisedimi shkoi njësoj sikur pala shqiptare kishte pritur të gjente një arsye që t’i priste drutë shkurt. Dhe kjo ndodhi në të vërtetë sapo u paraqit një mundësi nga sovjetikët. Tani kërkuesit janë të vetëdijshëm për humorin me të cilin shqiptarët arritën në Moskë, pasi sesionit plenar të PPSh-së më 1 nëntor dhe është e qartë se të drejtat që sovjetikët i mveshën vetes gjatë takimit të 12 nëntorit luajti në favor të shqiptarëve.

Më 14 nëntor, të vetëdijshëm për gabimin e tyre dhe në përpjekje për ta ndrequr atë, lidershipi sovjetik dërgoi një letër të shkurtër liderëve shqiptarë, adresuar “delegacionit të Partisë së Punës së Shqipërisë” dhe duke i quajtur ata “shokë”. Në letër sovjetikët propozonin “vazhdimin e takimit mes përfaqësuesve të partive tona në një kohë të përshtatshme për delegacionin tuaj”. Ata po ashtu shprehnin keqardhjen që pala shqiptare kishte ndërprerë takimin, duke u përpjekur të siguronin se “askush nga ne nuk kishte apo ka ndonjë qëllim për të fyer ndonjë nga përfaqësuesit shqiptarë”.

Ata shprehnin keqardhjen që shqiptarët ishin larguar shumë shpejt për të dëgjuar pjesën e fundit të fjalisë së ndërprerë(“ata duhet ta dëgjonin fundin e fjaslisë”) “fjalisë së ndërprerë dhe të keqinterpretuar”, “pavarësisht dëshirës së sinqertë të delegacionit sovjetik për të vazhduar” bisedimet.

Sovjetikët propozuan që takimi të vazhdonte qoftë në përbërjen e mëparëshme, ashtu edhe mes “përfaqësuesve të autorizuar” të të dy komiteteve qendrorë për të diskutuar çështje të interesit të “të dyja partive”. Pala sovjetike demonstroi durim, duke premtuar të priste derisa “shokët shqiptarë të jenë gati për të rivendosur kontaktet” me përfaqësuesit e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Në të njëjtën kohë, sovjetikët shprehën gatishmërinë e tyre për një takim në nivel kryeministrash, duke tërhequr vëmedjen në “disa çështje që shqetësojnë dy shtetet tona dhe duhen diskutuar”, duke propozuar në fakt takimin në çdo nivel “që shokët shqiptarë do të gjejnë të përshtatshme”. Kërkuesit nuk kanë sqaruar ende nëse sovjetikët arritën të dërgojnë këtë letër pranë delegacionit të PPSh-së po atë ditë(më 14 nëntor) siç u propozua nga Juri Andropov që ishte përgjegjës për përpilimin e saj.

Mesazhi sovjetik i 14 nëntorit u injorua nga Hoxha. Ai iu përgjigj indirekt propozimeve sovjetike në fjalimin e tij në sesionin e përgjitshëm të delegacioneve komuniste më 16 nëntor. Ai shprehu mbështetjen e tij për pjesën teorike të raportit të Deng Xiaoping, përsëriti argumentet kineze dhe shprehu mosaprovimin e vet ndaj pozicioneve sovjetike në një numër çështjesh, si bashkëjetesa paqësore, drejtimet e tranzicionit drejt socializmit dhe kriticizmi ndaj kultit të personalitetit të Stalinit. Një pjesë thelbësore e fjalimit të tij iu dedikua Jugosllavisë. Hoxha u ndal gjatë në problemin jugosllav, duke vënë në dukje nevojën e rikthimit në përkufizimet e përcaktuara në rezolutën mbi çështjen jugosllave, adoptuar në takimin e tretë të Kominformit në vitin 1949. Ai po ashtu argumentoi rreth përpjekjeve të liderëve komunistë jugosllavë për të imponuar me forcë idetë e tyre revizioniste. Ai u përqendrua veçanërisht në veprimtarinë e Aleksandër Rankoviçit si koordinator i shërbimeve sekrete jugosllave, që sipas Hoxhës, kishte udhëhequr një fushatë për asgjësimin e popullsisë shqiptare në Jugosllavi. Lideri shqiptar akuzoi Rankoviçin për përgatitjen e një operacioni nga shërbimet sekrete jugosllave që konsistonte në arratisjen e një grupi oficerësh të lartë shqiptarë drejt Jugosllavisë, për t’i përdorur më pas “në drejtimin e një ofensive kundër Shqipërisë”. Hoxha po ashtu denoncoi liderin jugosllav, Tito si organizator të aktiviteteve kundër-revolucionare në Hungari në vitin 1956.

Sipas tij Tito po ashtu komplotoi me Greqinë për ndarjen e Shqipërisë. Në të dyja rastet, deklaroi ai, lidershipi jugosllav veproi me miratimin e Hrushovit. Në një pjesë të konsiderueshme të fjalimit të liderit shqiptar, u trajtua ndihma ekonomike e BS-së për Shqipërinë, duke akuzuar lidershipin sovjetik se dëshironte të kthente vendin e tij në një gjysmë koloni agrare. Kështu Hoxha kërkoi të bënte të qartë se kundërvënia mes tij dhe Hrushovit nuk ishte shkaktuar nga mosmarrëveshje personale, por politika shoviniste e një fuqie të madhe siç ishin sovjetikët. Shumë shpejt pas fjalimit të tij, Hoxha u largua nga Moska dhe u khye në Shqipëri, duke vazhduar të injorojë propozimin sovjetik për vazhdimin e bisedimeve të ndërprera në 12 nëntor.

Pasi u bindën për mungesën e dëshirës nga Hoxha për të vazhduar bisedimet, liderët sovjetikë u përpoqën të përdorin(pa sukses) presionin ekonomik për ta shtrënguar që të pranonte takimin. Në 13 nëntor 1960, pala sovjetike ndërpreu zbatimin e Marrëveshjes mbi Ndihmën Materiale për Ushtrinë Shqiptare, duke bllokuar përkohësisht dërgimin e furnizimeve ushtarake dhe produktet e lidhura me to. Lidhur me bashkëpunimin në të ardhmen, Ministria sovjetike e Mbrojtjes, informoi qeverinë shqiptare se zgjatja e kësaj marrëveshjeje për vitet 1960-1961 do të duhej të vendosej në nivel qeveritar.

Fjalimi i 16 nëntorit i Hoxhës me pikëpamjet e tij të përkufizuara qartë ishte me të vërtetë shokues për shumicën e pjesëmarrësve. Megjithatë ai nuk kishte ndonjë efekt vendimtar në përfundimet formale të këtij takimi. Delegacioni kinez demonstroi vetëpërmbajtje kur takimi po shkonte drejt fundit. Vetëm Deng Xiaoping mori pjesë në diskutimin teorik, ndërkohë që Zhou Enlai, që drejtonte delegacionin qëndroi në hije. Ai ishte i pari që do të firmoste më 1 dhjetor dokumentin final të takimit. Pas tij firmosi edhe delegacioni shqiptar. Vetëpërmbajtja e treguar nga kinezët ndihmoi në shmangien e një skandali të hapur dhe në ruajtjen e imazhit të unitetit të paprekur të botës komuniste. Lidershipi sovjetik ndoqi po ashtu taktikën kineze në krijimin e përshtypjeve se dallimet mes Moskës dhe Pekinit ishin vetëm dytësore.

Duke përmbledhur rezultatet e takimit të Moskës, liderët sovjetikë ruajtën një pretekst optimizmi për disa javë. Ata vlerësuan fjalimin e 20 nëntorit të Hrushovit dhe aktivitetin e delegacionit sovjetik në takim. Procesverbali i takimit të 16 nëntorit 1960 të lidershipit kryesor sovjetik përfshinte edhe përfundimin se “si rezultat i një diskutimi miqësor, u arrit unanimiteti i pikëpamjeve mbi parimet bazë të Marksizëm-Leninizmit lidhur me çështjet më të rëndësishme të zhvillimeve ndërkombëtare dhe lëvizjes komuniste, për të cilat delegacioni i Partisë Komuniste të Kinës dhe PPSh-së, në fillim mbajtën pozicione të ndryshme nga ato të Marksizëm-Leninizmit”.

Pavarësisht kësaj, dy javë më vonë lidershipi sovjetik iu kthyer temave shqiptare. Deklaratat e mëparëshme për suksesin e takimit ndërkombëtar të partive komuniste në Moskë në muajin nëntor, të regjistruara në vendimin e Presidiumit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të BS-së, u harruan. Që në fund të muajit dhjetor, sovjetikët iu rikthyen vlerësimeve që kishin dominuar mendimin në Moskë, përpara takimit të nëntorit. “Çështja mbi Shqipërinë” ishte sërish objekt në axhendën e takimit të Presidiumit më 30 dhjetor. Pjesëmarrësit në të diskutuan situatën e negociatave me palën shqiptare për çështjet ekonomike. Si rrjedhojë e diskutimit, Ministria e Jashtme sovjetike(Kuzencov) u udhëzua që “të përgatiste një përgjigje ndaj notës së Ministrisë së Punëve me Jashtë të Shqipërisë rreth negociatave për çështjet ekonomike”. Siç njihet nga protokolli i vendimit, i deklasifikuar dhe i publikuar, diskutimi shkoi përtej temave thjesht ekonomike. Hrushovi foli “rreth bazës detare dhe nëndetëseve”. Si pasojë, Ministria e Mbrojtjes(Malinovski) dhe Ministria e Punëve me Jashtë u udhëzuan “të përpunonin dokumente të rëndësishme”, “që merrnin parasysh shkëmbimin e pikëpamjeve”.

Materialet që liderët sovjetikë kishin marrë përpara takimit të 30 dhjetorit janë ende të padisponueshme për studiuesit, por konsultimi me dokumente të tjera të deklasifikuara, ka qenë i dobishëm në mbledhjen e hollësive të mëtejshme që kanë të bëjnë me këtë diskutim. Duket se dokumentet referuese ishin përgatitur bashkarisht nga Ministria e Jashtme dhe ajo e Mbrojtjes(Malinovski dhe Gromiko si dhe Komandanti i Flotës sovjetike, admirali Gorshkov” që më 11 nëntor 1960(dokumenti nr. 655 nën siglën “tepër sekret”). Vetëm një dokument i ri u shtua për takimin e 30 dhjetorit – “telegram i shokut Novikov nga Tirana”(nr. 423 i 27 dhjetorit 1960). Është e njohur po ashtu se u ftuan të merrnin pjesë në diskutimet e 30 dhjetorit mbi këtë çështje, Malinovski dhe Gorshkov, si dhe tre zv.ministra të Jashtëm, Kuznecov, Semenov dhe Firjubin.

Për shkak të mungesës së burimeve që janë të klasifikuara, përmbajtja e deklaratave të Hrushovit për bazën detare dhe nëndetësve në Vlorë mund vetëm të hipotetizohet nga ajo se çfarë ai tha në takimin me delegacionin shqiptar të udhëhequr nga Enver Hoxha më 12 nëntor: “Ne tani themi se, nëse ju doni, ne mund ta heqim bazën. Nëndetëset janë tonat”.

Në të njëjtën kohë, shkëmbimi i urimeve të Vitit të Ri mes liderëve sovjetikë dhe shqiptarë nuk e reflektonte divergjencën që vazhdoi të rritej në fund të vitit 1960. Hrushovi dhe Brezhnjevi dërguan telegramet e tyre në Tiranë për të katër liderët shqiptarë dhe morën si përgjigje një tekst thuajse identik nga Tirana. Në të dyja rastet, urimet fillonin me: “të dashur shokë”. Klima festive u shenjua po ashtu nga vendimi i sovjetikëve i 4 janarit, kur Presidiumi miratoi propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes së BS-së, për të tranferuar drejt Ushtrisë Popullore Shqiptare materiale speciale për detashmentin e 46-të detar OSNAZ(forca speciale). Për këtë çështje, në datën 27 orrik 1960 në Këshillin e Ministrave të BS-së ishte adoptuar një urdhër, por në atë moment ai mbeti i pamiratuar nga ndonjë vendim përkatës i Presidiumit, ndoshta për shkak të zhvillimeve të papritura të takimit të Bukureshtit në fund të qershorit.

Por në datën 7 janar 1961, Ministria e Jashtme në Moskë, udhëzoi ambasadorin e vet në Tiranë që të protestonte kundër diskriminimit të anijeve sovjetike të transportit në portin e Durrësit. Pakënqësia e sovjetikëve u shkaktua nga situata se “shumica e anijeve transportuese sovjetike që kishin grurë dhe të tjera ngarkesa për Shqipërinë”, u lanë të pashkarkuara ndërkohë që anijet e tjera të huaja nuk hasnin në probleme të tilla. Sovjetikët mendonin se “autoritetet shqiptare krijojnë kushte më të favorshme për anije të vendeve të tjera, krahasuar me ato sovjetike”. Ministria e Jashtme u bëri thirrje autoriteteve shqiptare të marrin masa për parandalimin e praktikave të tilla.

Kur sovjetikët arritën në përfundimin se liderët shqiptarë nuk kishin bërë asnjë hap serioz për të normalizuar raportet me Moskën, pas më shumë se pesë javë nga Deklarata e Moskës, vlerësimet e mëparëshme pozitive duhet të ndryshoheshin. Kjo u bë nga ideologu Mikhail Susllov në raportin e tij dorëzuar në sesionin e 12 janarit 1961 të Komitetit Qendror të PKBS-së. I dedikohej ekskluzivisht takimit të Moskës dhe përfundimeve të tij. Këtë radhë ai ofroi një vlerësim të thatë për perspektivën e marrëdhënieve të mëtejshme me lidershipin shqiptar. Nëse gjendja e marrëdhënieve me lidershipin e Komitetit Qendror të Partisë ishte raportuar saktë, atëherë Susllovi i përshkroi shumë mprehtësisht veprimet e lidershipit shqiptar. Ai vuri në dukje se burimi i “pozicionit të tyre të gabuar”, “arsyeja e shkëputjes së tyre nga pozicionet sovjetike është dogmatizmi në lidership, papjekuria politike, regjimi i kultit të personalitetit dhe pozicionet nacionaliste, sidomos në raport me Jugosllavinë”.

Pavarësisht një ndryshimi të tillë kaq të thellë në vlerësime, Moska vijoi të ushtronte përmbajtjen në qasjen ndaj Shqipërisë. Liderët shqiptarë ftuan një delegacion të PKBS-së në kongresin e afërt të PPSh-së. Udhëheqjes sovjetike iu duk ky si një rast i mirë për të stabilizuar marrëdhëniet dhe ulur tensionin.  Në 16 shkurt 1961, delegacioni sovjetik(Pjetër Pospjellov, Juri Andropov dhe Josif Shikin, ambasadori sovjetik në Tiranë) u udhëzua t’i “përmbahej konkluzioneve dhe vlerësimeve të takimit të Moskës(mbledhja e 81 partive siç njihet në historiografinë shqiptare) në një mënyrë të vendosur dhe parimore, duke u përpjekur të shmangnin një polemikë direkte me liderët shqiptarë”. Ata duhet po ashtu “të harmonizojnë vijën e përgjithshme të sjelljes në kongres, me atë të delegacioneve të partive të tjera komuniste dhe të punëtorëve nga vendet socialiste”.

Në përpjekjen për të parashikuar zhvillime të mundshme, udhëheqja sovjetike nuk përjashtoi mundësinë e “sulmeve të hapura armiqësore kundër PKBS-së” nga udhëheqësit shqiptarë në kongres duke e paralajmëruar delegacionin që të ishte i përgatitur. Por Moska nuk përjashtoi mundësinë që udhëheqësit shqiptarë të ofronin edhe opsionin e “një takimi me delgacionin e PKBS-së”. Në atë rast, delegacioni supozohej “të pranonte ofertën” dhe të shfrytëzonte mundësinë e bashkëbisedimit me udhëheqjen shqiptare për të përsëritur pikat e fjalimit të Hrushovit të 23 nëntorit në takimin e Moskës. U deklarua po ashtu se “ne nuk do të donim të kishim një diskutim me ta në kongresin e PPSh-së, por nëse një gjë e tillë do të na imponohet, delegacioni duhet të japë një kundërshtim të fortë”. U vu po ashtu në dukje se “delegacioni nuk duhet të injorojë sulme të mundshme kundër partive motra në kongres dhe se duhet t’u jepet kundërshtimi i duhur këtyre sulmeve”.

Direktivat nënvizonin edhe njëherë se delegacioni nuk duhet të niste një polemikë me udhëheqjen shqiptare me nismën e vet. Duke mbajtur parasysh praktika të mëparëshme, Moska besonte se ishte e mundshme që delegacioni sovjetik të ftohej për të marrë pjesë në takime masive  pas kongresit dhe rekomandoi që një ftesë e tillë të mos refuzohej.

Parashikimet sovjetike për sjelljen e palës shqiptare u provuan si pjesërisht të sakta. Për sa kohë që Hoxha dhe enturazhi i tij u përmbajtën në nisjen një sulmi ndaj udhëheqjes sovjetike, nuk kishte nevojë që Pospjellov të niste kundërsulmin. Ai mbajti një fjalim konstruktiv. Shtypi sovjetik publikoi versione të shkurtuara si të tesktit të tij, ashtu edhe të raportit të Hoxhës pra të deleguarve. Por Hoxha luajti sërish më mirë se Hrushovi. Në të kundërt me pritmëritë e autorëve të udhëzimeve për delegacionin e PKBS-së, ai priti Pospjellovin dhe Andropovin jo më parë sesa ditën e fundit të kongresit, më 20 shkurt. Ai donte me gjasë të shihte reagimin e tyre teksa ishte e qartë se mes delegatëve nuk kishte asnjë opozitar ndaj tij dhe se partia ishte e vendosur plotësisht nën kontrollin e tij. Siç është bërë e qartë nga memorandumi i bisedës së tyre, takimi ishte formal.

Rezultatet e vizitës së delegacionit të PKBS-së në Tiranë u diskutuan në takimin e Presidiumit të KQ të PKBS-së më 24 shkurt. Raporti i Pospjellovit nuk jepte arsye për entuziazëm. Nga një lexim i procesverbalit shihet se pas leximit të tij pasoi një disdutim aktiv(Andropovi, Mikojani, Hrushovi, Kozllovi, Susllovi, Furçeva). Edhe njëherë u bë e qartë se Enver Hoxha nuk e donte një tjetër takim personal me sovjetikët. Aktiviteti i delegacioni u miratua dhe “hapat e tij taktikë” u përshkruan si “korrekte”. Megjithatë diskutimi zbuloi disa divergjenca opinionesh mes Mikojanit dhe Hrushovit. Pak minuta nga procesverbali tregojnë se Hrushovi flet “nga pozicionet e parimit në marrëdhëniet ekonomike dhe tregëtare me Shqipërinë”, duke këmbëngulur se nuk kishte nevojë të nënshkruhej një marrëveshje tregëtare në këtë moment. Ai shihte një rrugëdalje në vazhdimin e negociatave “të nivelit më të lartë në Moskë”. Nga ana e vet, Mikojani argumentoi kundër hapave që mund t’u jepnin kinezëve një mundësi për të thënë se “ne po i bëjmë presion një vendi të vogël”. Mikojani po ashtu konsideronte të rëndësishme që të mos ndërpriteshin marrëdhëniet tregëtare me Shqipërinë. Dhe nëse shqiptarët do të refuzonin të rishikonin pozicionet e tyre, ai propozonte që delegacioni i PPSh-së të mos ftohej në punimet e kongresit të 22-të të PKBS-së në tetor. Në vazhdën e këtij diskutimi, pjesëmarrësit erdhën në përfundimin se qëndrimi sovjetik në mosmarrëveshjen e acaruar me Shqipërinë duhet të argumentohej me prova, përfshirë përgatitjen e transmetimeve televizive që do të shpjegonin situatën. U vendos, bazuar në rezultatet e diskutimit, që të përgatiteshin(Kozllov, Brezhnjev, Mikojan, Pospjellov dhe Andropov) propozime lidhur me çështjet ekonomike mes BS-së dhe Shqipërisë dhe një draft-letër nga KQ i PKBS-së drejtuar KQ të PPSh-së mbi marrëdhëniet sovjeto-shqiptare në përgjithësi.

Në fund të dimrit të vitit 1961, ishte e qartë se konflikti sovjeto-shqiptar ishte thelluar. Një fazë e re ishte ai i shkëmbimit intensiv të letrave në fund të dimrit dhe fillim të pranverës. Ky shkëmbim është studiuar deri më tani vetëm pjesërisht dhe në mënyrë selektive. Ai kërkon një përdorim të plotë të dokumenteve të disponueshme dhe një sudim më të kujdesshëm dhe objektiv sesa deri më tani. Ishte kjo periudha kur u shkëmbyen letra mes Komandantit të Forcave të Bashkuara të Armatosura të Paktit të Varshavës, marshallit sovjetik, Andrei Greçko dhe ministrit shqiptar të Mbrojtjes, kolonel-gjeneral Beqir Balluku(25 shkurt, 22 mars, 298 mars), sikurse edhe memorandum i 22 marsit, më pas sërish mes Greçkos dhe Ballukut më 24 dhe 27 mars. Në këtë kohë një faktor i veçantë në përkeqësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ishte kontradikta mbi situatën dhe të ardhmen e bazës detare në Vlorë, krijuar nga forcat detare sovjetike në vitin 1959 me kërkesë të palës shqiptare, brenda kuadrit të Organizatës së Traktatit të Varshavës. Korrespondenca vazhdoi edhe më tej, përfshirë letrat e Mehmet Shehut të 5 dhe 8 prillit. Një tregues i rëndësishëm i qëndrimit të Hrushovit ishte fjalimi i tij në takimin e liderëve të vendeve aleate në Paktin e Varshavës, mbajtur më 29 mars 1961. Para takimit, lideri sovjetik ishte ende shpresëplotë se konflikti në rritje do të zgjidhej nga një takim personal i tiji me Hoxhën. Ai e ftoi sërish atë dhe Shehun që të vizitonin Moskën për të marrë pjesë në takimin e Komitetit Konsultativ Politik të Paktit të Varshavës në fund të marsit. Mund të hamendësohet me siguri të madhe se materiali i udhëheqjes sovjetike “Mbi udhëzimet e ambasadorit sovjetik në Tiranë”, i datës 18 mars 1961(ende i padisponueshëm për studiuesit) i dedikohet pikërisht kësaj çështjeje. Hoxha dhe Shehu e refuzuan ftesën “për arsye shëndetësore”. Në vend të tyre u caktuan si pjesëmarrës ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku dhe ministri i Jashtëm, Behar Shtylla.

Një pjesë e fjalimit të 29 marsit të Hrushovit, i dedikohej Shqipërisë. Duke dashur të “bëjë disa vlerësime për veprimet e shokëve shqiptarë, që së fundmi janë shkëputur nga politika e jashtme e dakordësuar e vendeve të kampit socialist”, ai vuri në dukje disa pika. Sa për qëndrimin shqiptar mbi zhvillimet në Ballkan, ai ishte i pakënaqur me refuzimin e tyre për të mbështetur “propozimet konkrete të vendeve socialiste mbi çështjen e bashkëpunimit ndërballkanik, mbi krijimin e zonave të lira nga armët bërthamore në Ballkan dhe Adriatik”, dhe madje “e pengonin zbatimin e këtyre propozimeve”. Lideri sovjetik bëri madje disa sqarime rreth situatës në bazën detare në Vlorë. Ai theksoi se baza aktualisht “është praktikisht e paaftë për të kryer detyrat e saj” dhe është bërë një “burim i shtuar fërkimesh”. Sipas tij “efektiviteti luftarak i bazës është paralizuar” dhe “nën kushtet e tanishme nuk ka asnjë kuptim që ajo të mbahet më”. Si të vetmin kush për ruajtjen e saj dhe “normalizimin e situatës”, Hrushovi theksoi “nevojën” për të pranuar propozimin e bërë në letrën e Marshallit Greçko për “një komandë të vetme në bazën ushtarake në mënyrë që i gjithë ekuipazhi i anijeve të mund të mbetet sovjetik”. Në këtë rast, Hrushovi e bëri të qartë se ai as nuk do t’i përgjigjej ndonjë hamendësimi kundër tij nga udhëheqësit shqiptarë.

Nuk ka dyshim se detyrimi i përfaqësuesve shqiptarë për t’u konsultuar me Enver Hoxhën dhe pesha e tyre e ndryshme politike në krahasim me përfaqësuesit e tjerë në takim, nuk u mundësoi atyre që të përgjigjeshin aktivisht dhe prerë ndaj deklarimeve të ndryshme dhe akuzave që u drejtuan kryesisht ndaj udhëheqësve më të lartë shqiptarë. Është e qartë se çdo gjë që ndodhi në atë mbledhje, përfshirë kritikat e liderëve bullgarë dhe polakë, me të cilët Hrushovi pajtohej, ndaj deklarimeve të Enver Hoxhës në kongresin e fundit të PPSh-së për një komplot kundër Shqipërisë nga Greqia dhe Jugosllavia me pjesëmarrjen e Flotës së Gjashtë Amerikane, u kalua në Tiranë fjalë për fjalë. Në vlerësimet e Hrushovit që dyshonte se Enver Hoxha kishte pompuar qëllimisht një “histeri ushtarake”,  ai dukej sikur po mbronte udhëheqësit jugosllavë në këtë rast të veçantë.

Është e qartë se komentetet e Hrushovit të 29 marsit mbi marrëdhëniet me Shqipërinë lidheshin me hapat e mëtejshëm të mirëmenduar të sovjetikëve në raport me Shqipërinë si në sferën ekonomike, ashtu edhe atë politike. Dy ditë më parë, udhëheqësit sovjetikë kishin miratuar rekomandime mbi politikën ekonomike që kishin të bënin me Shqipërinë e që duhet të zbatoheshin nga Ministria e Jashtme Sovjetike, Komiteti Shtetëror për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Ministria e Tregëtisë me Jashtë. Rekomandimet u hartuan në pak javë në përputhje me vendimin e Presidiumit të KQ të PKBS-së, marrë në fund të shkurtit.

Këto “propozime“ përbënin një memorandum themelor në të cilin ishin trajtuar me themel të gjitha çështjet që kishin të bënin me marrëdhëniet ekonomike mes të dyja vendeve si dhe ishin përmbledhur edhe zhvillimet në marrëdhëniet dypalëshe në vitet e fundit. Të gjithë elementët e bashkëpunimit të mëparshëm ishin prezantuar në detaje të plota, si materiali sovjetik, ndihma teknike dhe financiare për Shqipërinë, përfshirë shumat e sakta të alokuara dhe kreditë e përdoruram gjendja e objekteve në proces ndërtimit dhe numri i specialistëve sovjetikë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare, bashkë me specifikimin e specializimit të tyre. Dokumenti ofronte po ashtu një vlerësim politik të gjendjes së marrëdhënieve mes të dy vendeve. Autorët besonin se “themelet e marrëdhënieve miqësore, vëllazërore mes popujve shqiptarë dhe sovjetikë, mes qeverive të të dyja vendeve janë minuar në Shqipëri”. Kjo gjendje ishte sipas tyre “arsyeja kryesore për anormalitetin që është shfaqur në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik”.

Ata e konsideronin “të domosdoshme që deri në momentin kur udhëheqësit e PPSh-së të kenë ndryshuar politikat e tyre nacionaliste dhe armiqësore ndaj BS-së dhe PKBS-së” të zbatohen disa masa “në marrëdhëniet ekonomike mes Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë”.

Si pjesë e masave financiare u këshillua që Shqipërisë t’i ndërpritej mundësia të merrte kredi sipas Marrëveshjes së 3 korrikut 1957. U propozua edhe që kredidhënia të mos zgjerohej me kredi të reja për zhvillimin bujqësor dhe të mos jepeshin incentiva për kreditë e mëparëshme. Përdorimi i kredive të mëparëshme ndaj Shqipërisë ishte i kufizuar në pagesën e pajisjeve apo mallrave sovjetike.

Në një mënyrë të ngjashme u përpunuan rekomandimet “mbi marrëdhëniet tregëtare sovjeto-shqiptare”. Ekspertët vinin në dukje nevojën e një zbatimi të balancuar të Protokollit dypalësh mbi Tregëtinë të vitit 1961. Këshillohej që të mos firmosej një marrëveshje tregëtare afatgjatë për vitet 1961-1965 me të njëjtin synim, presimin e udhëheqjes shqiptare për të pranuar që të takoheshin sërish me udhëheqësit sovjetikë(“nëse pala shqiptare e kërkon një gjë të tillë…përgjigja të jetë se kjo çështje mund të diskutohet në nivelin më të lartë”).

Nuk u harrua as edhe faza e fundit e ndërtimit të Pallatit të Kulturës në Tiranë. Nëse pala shqiptare do të pyeste për të, do të merrte përgjigjen se ishte “një çështje për konsiderim të mëtejshëm në nivel qeveritar”. Një seksion i veçantë i rekomandimeve kishte të bënte me ekspertët sovjetikë në Shqipëri, me një kalendar të qartë të tërheqjes së tyre nga fundi i vitit 1961. Ishte vendosur që “për shkak të sjelljes së papërshtatshme të palës shqiptare drejt shumë specialistëve sovjetikë të vendosur në Shqipëri, të ndalohej dërgimi i specialistëve të rinj dhe të mos zgjatej afati i qëndrimit të specialistëve që janë tashmë aty”.  U bënë disa përjashtime për specialistët e angazhuar në projektimin dhe ndërtimin e hidrocentraleve si dhe të ekspeditave gjeologjike. Nisur nga mundësia se “mund të krijoheshin kushte anormale që specialistët e mbetur në Shqipëri të vazhdonin punën”, në këto raste “është e nevojshme” të rregullohet “kthimi i tyre në BS përpara afatit”.

Disa rekomandime të tjera parashikonin ndalimin e furnizimit me pajisje tekniko-ushtarake, ushqime për njerëz dhe kafshë për ushtrinë shqiptare, duke pezulluar marrëveshjet e 28 shtatorit 1949, 24 marsit 1956 dhe 26 shkurtit 1959. Kjo e fundit që kishte të bënte me furnizimin me teknologji raketore theksohej veçanërisht. U vendos po ashtu të injorohej kërkesa shqiptare për një kredi prej 125 milionë rublash për nevoja të Forcave të Armatosura Shqiptare në vitet 1961-1965 nën Marrëveshjen e 26 korrikut 1960.

Një analizë e këtyre rekomandimeve tregon se ato më kryesoret synonin të shtrëngonin udhëheqjen shqiptare në vazhdimin e bisedimeve në nivelin më të lartë të mundshëm. Programi i elaboruar për të detyruar Enver Hoxhën dhe bashkëpunëtorët e tij që të takoheshin sërish personalisht, u pengua nga bashkëpunimi i intensifikuar i Shqipërisë me Republikën Popullore të Kinës. Në më pak se një muaj, më 23 prill u nënshkrua një marrëveshje tregëtare kino-shqiptare. Siç vijon nga rekomandimet e miratuara nga Presidiumi i KQ të PKBS-së në fund të muajit prill, Hrushovi dhe enturazhi i tij prisnin që presioni ekonomiko-financiar mbi Shqipërinë do të rezultonte në aprovimin nga udhëheqja shqiptare e një samiti tjetër dypalësh në mënyrë që të zbuteshin tensionet. Edhe sot, gati 60 vjet më pas, i gjithë materiali dokumentar në arkivat ruse që lidhet me përgatitjen e letrës së Kosiginit  por edhe vetë teskti i letrës, nuk janë të disponueshme për kërkuesit. Ne mundet vetëm të hamendësojmë se ky sekretizëm i pajustifikuar vjen vetëm si pasojë e mungesës së dëshirës për të zbuluar atë që me shumë gjasë ishte një reagim i tërbuar sovjetik ndaj vendimit të udhëheqjes kineze për të firmosur një marrëveshje tregëtare me Shqipërinë. Ndaj jemi ende të detyruar të bazohemi në atë që deklaron historiografia perëndimore për këtë problem që nga fillimi i viteve ’70.

Sipas këtij mendimi, zv.kryeministri i Parë sovjetik, Aleksei Kosigin, dërgoi një letër brenda pesë ditëve nga firmosja e marrëveshjes kino-shqiptare. Letra e tij sinjalizoi në realitet fundin e marrëveshjeve sovjeto-shqiptare të tregëtisë dhe të kreditit. Mes të tjerave, Kosigin shprehej se “është e kuptueshme se udhëheqja shqiptare nuk mund të presë që BS do ta ndihmojë në të ardhmen ashtu siç ka bërë në të shkuarën, me një ndihmë të cilën vetëm miqtë dhe vëllezërit kanë të drejtë ta përfitojnë”.

Fundi i prillit dhe fillimi i majit shënuan një fazë të re në marrëdhëniet sovjeto-shqiptare. Me aktivizimin e marrëdhënieve kino-shqiptare në fund të muajit prill sovjetikët kuptuan se ishte e nevojshme të sqarohej me udhëhqjen kineze situata me bazën detare të Vlorës, duke justifikuar vendimin për ta shpërbërë atë. Për këtë arsye, ambasadori sovjetik në Pekin u udhëzua që më 16 maj të takohej me Zhou Enlai, që kishte ngritur këtë çështje me nismën e vet disa ditë më parë. Moska donte të bindte të tjerët(në këtë rast kinezët) se: “qeveria sovjetike nuk dëshironte të tërhiqte anijet dhe pajisjet nga Shqipëria dhe nëse kjo çështje është shfaqur tani, kjo nuk është aspak për shkakun tonë. Hapat tanë për tërheqje…janë lëvizje e imponuar qëkurse pala shqiptare, duke ndjekur një linjë jomiqësore ndaj BS-së, ka krijuar një situatë tërësisht të patolerueshme në bazë. Si pasojë, baza ka humbur aktualisht kapacitetin e saj luftarak dhe prezenca aty e detarëve sovjetikë shoqërohet me incidente të padëshirueshme për shkak të provokimeve direkte të autoriteteve ushtarake shqiptare.”

Pala sovjetike jepte shembuj të shumtë të rasteve të tilla duke vënë në dukje se qeveria shqiptare nuk u përgjigjej me asnjë mënyrë thirrjeve shqiptare.

Asnjë masë nuk është marrë nga pala shqiptare për rregulluar situatën, përkundrazi, sa herë ne i adresojmë incidentet, ata përpiqen të justifikohen veprimet e padisiplinuara dhe disa herë provocative të autoriteteve ushtarake shqiptare, si pasojë e të cilave situata në bazën e Vlorës vazhdon të përkeqësohet

Vihej në dukje se “falë vetëm pjekurisë së lartë politike, ndjenjës së detyrës dhe durimit të oficerëve sovjetikë, nënoficerëve dhe marinarëve, është ende e mundshme të shmangen konfliktte dhe përplasjet mes detarëve tanë dhe atyre shqiptarë” dhe kujtohej propozimi i mëparshëm për të vënë çdo ekupiazh dhe mjetet nën komandën e komandantit të Paktit të Varshavës. Refuzimi i udhëheqjes shqiptare për të pranuar këtë propozim e bindi Moskën që të tërhiqte anijet nga Vlora.

Pjesa e fundit në këtë fazë ishte mbërritja në Tiranë më 19 maj e delegacionit sovjetik të drejtuar nga zv.ministri për Punët e Jashtme, Nikollai Firjubin për të negociuar tërheqjen e forcave detare nga Vlora. Në fillim pala shqiptare refuzoi madje edhe të takohej me Firjubin. Më tej akoma, Tirana donte të ndante flotën. Vendimi përfundimtar i sovjetikëve ishte që Firjubin dhe delegacioni i tij mund të largoheshin nga Tirana “pas tërheqjes nga Shqipëria të tetë nëndetëseve, bazës lundruese dhe personelit të anijeve sovjetike”.

Negociatat përfundimtare filluan nën hijen e rëndë të përgatitjeve të një gjyqi ndaj Teme Sejkos, Kundëradmiral dhe Komandant i Marinës Shqiptare si dhe disa oficerëve të lartë të Ushtrisë Popullore Shqiptare. Gjyqi u zhvillua në muajin maj 1961 dhe të akuzuarit u gjetën fajtorë. Disa prej tyre, përfshirë vetë Sejkon, u dënuan me vdekje. Zyrtarisht të gjithë u akuzuan për bashkëpunim me shërbimet sekrete greke dhe jugosllave dhe se planifikonin një grusht shteti. Gjithësesi kishte zëra jozyrtarë, të njohur mirë këta edhe për burokracinë me të lartë partiake, se të gjithë të përfshirët në këtë gjyq dyshoheshin për një komplot pro-sovjetik për rrëzimin e udhëheqjes së tanishme.

Ngjarjet që lidheshin tërheqjen e nëndetëseve sovjetike, anjijeve ndihmëse dhe pajisjeve ushtarake nga baza detare e Vlorës, çuan në reduktimin e bashkëpunimit në fusha të tjera. Në fillim të qershorit, udhëheqja sovjetike vendosi për një “tërheqje të shpejtë nga Shqipëria të spcialistëve sovjetikë që jepnin ndihmë teknike në sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare”. Në qershor, 33 prej tyre duhet të ktheheshin në BS, të ndjekur në korrik nga dy specialistë të tjerë që jepnin ndihmë teknike për rindërtimin dhe zgjerimin e kapacitetit prodhues të impianteve të shqerit dhe çimentos.

Një dëshmi i jashtëzakonshme e mosbesimit në rritje në marrëdhëniet mes Moskës dhe Tiranës ishte vendimi i udhëheqjes sovjetike i 14 qershorit që lidhej me ndarjen e informacioneve rreth takimit të Hrushovit dhe Kenedit në Vjenë, zhvilluar më 3-4 qershor 1961. Nëse udhëheqjes të të gjitha vendeve socialiste dhe liderit të Kubës, Fidel Kastro u jepeshin regjistrimet e plota të bisedimeve, ambasadori sovjetik në Tiranë u udhëzua që të informonte Enver Hoxhën vetëm verbalisht. U vendos po ashtu të informoheshin verbalisht “në konfidencë” drejtuesit e shteteve apo qeverive të Afganistanit, Birmanisë, Brazilit, Kamboxhias, Finlandës, Ganës, Guniesë, Indisë, Irakut, Marokut, Malit, Meksikës, Nepalit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Somalisë, Ceilonit, Etiopisë si dhe Jugosllavisë. Ky ishte një vendim i qartë se në sytë e sovjetikëve, udhëheqja shqiptare qëndronte në të njëjtin nivel si  udhëheqja jugosllave, që deri para pak kohësh përshkruhej si revizioniste dhe gati armiqësore.

Gjendja e marrëdhënieve me Shqipërinë dhe nevoja për të dërguar një përgjigje Ministrisë së saj të Punëve me Jashtë ishte sërish në axhendë në takimet e udhëheqjes sovjetike më 13 qershor. Hrushovi dhe bashkëpunëtorët e tij ishin informuar “rreth fakteve të sjelljes së padenjë të kadetëve shqiptarë që studionin në shkolat ushtarake sovjetike”. Një notë për këtë qëllim duhej t’i dërgohej qeverisë shqiptare. Në 17 qershor, Hrushovi dhe Mikojani ishin dy folësit kryesorë në diskutimin e çështjeve shqiptare, një pikë e rëndësishme në axhendën e asaj dite.  U vendos që “në dritën e veprimeve të vazhdueshme jomiqësore që çonin në përkeqësimin e marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike” të dërgohej në Tiranë një notë zyrtare për sjelljen e keqe të kadetëve shqiptarë. Kopje të këtij dokumenti do t’i dërgoheshin po ashtu “udhëheqësve të vendeve të kampit socialist”.

Gjatë verës së vitit 1961 marrëdhëniet vazhduan të tatëpjetën duke u bërë edhe më të komplikuara. Në fillim të korrikut, Hoxha bëri një përpjekje për të rivendosur kontaktet e humbura dhe të reduktuara ekonomike dhe ushtarake me vendevet e bllokut sovjetik. Përpjekjet e tij dështuan. Më tej akoma, Shqipëria nuk u ftua në takimin e udhëheqësve të partive komuniste dhe të punëtorëve të vendeve të Paktit të Varshavës që u zhvillua në fillim të gushtit.

Pasi arritën në përfundimin se ndarja ishte e pashmangshme dhe gati për një konfrontim të ashpër me udhëheqjen shqiptare, udhëheqësit sovjetikë donin që të minimizonin dëmin që mund të kishin akuzat reciproke, mbi imazhin e BS-së mes popullsisë së Shqipërisë, për shkak të propagandës antisovjetike të udhëheqjes së saj. Kjo evientohet p.sh në udhëzimet e 31 gushtit të Moskës për ambasadorin sovjetik në Tiranë lidhur me muajin e miqësisë sovjeto-shqiptare(mesiaçnik) në Shqipëri. Në vitet e mëparëshme autoritetet shqiptare e kishin celebruar këtë muaj në mbarë vendin. Kësaj radhe, në rrethana shumë të ndryshme, Moska veproi me kujdes. Nga njëra anë vlerësonte se “politikat jomiqësore të ndjekura nga udhëheqja shqiptare në raport me BS-në japin arsye të besohet se ata mund të shfrytëzojnë mundësinë që mund të krijohet këto dy javë, për të mashtruar popullin shqiptar”. Meqë ishte bërë tashmë traditë për diplomatët e lartë sovjetikë dhe njerëz të ndryshëm nga organizata të tjera sovjetike në Shqipëri të merrnin pjesë në festime të ndryshme me ftesë të autoriteteve shqiptare, u rekomandua “që të pranohej ftesa për të marrë pjesë në këto ngjarje”. Direktivat e Moskës për përfaqësuesit sovjetikë sugjeronin që të mos refuzohej që të mbahej ndonjë fjalim nëse për këtë kishte ftesë: “ata mund të flasin në frymën e fjalimit të delegacionit të PKBS-së në kongresin e PPSh-së”.

Moska u përpoq që të shmante përkeqësim të mëtejshëm duke paralajmëruar diplomatët sovjetikë  se “ata nuk duhet të prekin marrëdhëniet sovjeto-shqiptare kur flasin për çështjet e politikës së jashtme”, por duhet në fakt të vënë theksin “në shpjegimin e polititkës së jashtme paqësore të BS-së dhe aktivitetet e Hrushovit(në atë zonë)”. Personeli sovjetik në Shqipëri u instruktua që të “largoheshin menjëherë takimet dhe të shmangnin pjesëmarrjen në aktivitete të muajit të miqësisë” nëse do të lejohej aty ndonjë incident anti-sovjetik.

Dallimet mes Moskës dhe Tiranë hynë në një fazë të re në kongresin e 22-të të PKBS-së(mbajtur nga datat 17-31 tetor 1961 në Moskë) teksa Hrushovi deklaroi hapur si të papranueshme praktikën politike dhe pikëpamjet ideologjike të udhëheqjes shqiptare. Përveç tij, disa pjesëmarrës të tjerë në Kongres folën me një tonë të ashpër anti-shqiptar. Retorika anti-jugosllave shquhej po ashtu në një numër deklaratash si dhe në programin e ri të PKBS-së të adoptuar nga Kongresi. Kjo i shtohej mosmarrëveshjes ideologjike me Beogradin pas adoptimit të programit të ri nga Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë në prill 1958, gërshetuar me dëshirën sovjetike për të mos irrituar udhëheqjen kineze me një theksim të ri në qasjen sovjetike ndaj “revizionizmit jugosllav”.

Pala sovjetike vijoi të intensifikonte kontaktet ekonomike me Jugosllavinë, ndërkohë që marrëdhëniet ekonomike me Shqipërinë përkeqësoheshin. Në 30 tetor udhëheqja sovjetike mbështeti propozimin e qeverisë polake për të mos i dorëzuar Shqipërisë një anije tregëtare të ndërtuar në Poloni.

Ndryshimet në marrëdhëniet me Tiranën dhe Beogradin u bënë qartësisht të dukshme në fund të nëntorit në disa vendime të rëndësishme të vendimmarrësve kryesorë sovjetikë që kishin të bënin me qëndrimin e mbajtur për festat shtetërore të Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Me Shqipërinë, telegramet e urimit u kufizuan në një nivel të ulët. Në ndryshim nga vitet e mëparëshme, urimet formale iu dërguan vetëm Presidiumit të Asamblesë Popullore, Këshillit të Ministrave dhe Minsitrit të Punëve me Jashtë të Shqipërisë. Sovjetikët i dërguan “urimet më të përzemërta popullit vëlla shqiptar me rastin e përvjetorit të 17-të të Çlirimit nga okupatori nazist”, duke nënvizuar se “faktori vendimtar në që i dha mundësi popullit shqiptar të clirohet nga zgjedha e huaj dhe të vendosë pushtetin popullor ishte mundja e hordhive naziste nga Ushtria Sovjetike”. U vendos që teskti i urimit sovjetik të lexohej vetëm në radio pa u publikuar në gazeta.  Sa për shtypin sovjetik, u vendos të publikoheshin artikuj që përbanin urimet për popullin shqiptar teksa dënonin “aktivitetet skizmatike të udhëheqjes shqiptare”.

Liderët sovjetikë rekomanduan përgatitjen e disa transmetimeve radio për Shqipërinë në të njëjtën frymë ideologjike. Vëmendje e veçantë iu kushtua kërkesës së mundshme nga pala shqiptare, e zakonshme në rastë te tjera, për t’i dhënë mundësi ambasadorit shqiptar të flasë në radion dhe televizionin sovjetik. U vendos që një kërkesë e tillë të refuzohej me argumentimin se “ambasadorit sovjetik në Shqipëri nuk I ishte dhënë një mundësi e tillë”. Shtuar kësaj, u vendos të mos mbahej asnjë festim publik zyrtar nga organizatat joqeveritare sovjetike dhe të kujfizohej niveli i prezencës në ambasadën shqiptare në Moskë i zyrtarëve sovjetikë të angazhuar në shkëmbimet kulturore. Në të njëjtën kohë, ambasadorët sovjetikë jashtë vendit u udhëzuan që të shmangnin pjesëmarrjen në ndonjë festim të organizuar nga ambasadat shqiptare dhe të dërgonin në to “një konsull apo sekretarin e Parë”. Udhëzime të veçanta iu dërguan ambasadorit sovjetik në Tiranë: ai duhet të mos merrte pjesë në ndonjë ngjarje festive të organizuar nga autoritetet shqiptare dhe të merrte pjesë në pritjet e qeverisë i shoqëruar nga jo më shumë se dy diplomat sovjetikë.

Në të  njëjtën periudhë, autoritetet sovjetike morën hapa të tjerë për të forcuar hapur marrëdhëniet me Jugosllavinë. Ata demonstruan një qasje shumë më të vëmendshme dhe miqësore për festën kombëtare të Jugosllavisë në 29 nëntor sesa ndaj Shqipërisë që e kishte edhe ajo festën në të njëjtën ditë, krahasuar kjo qoftë edhe me sjelljen e viteve të mëparshëm. Plani sovjetik për festën jugosllave përfshinte një letër urimi nga Hrushovi dhe Brezhnjevi për Titon, përmes së cilës shprehej dëshira “për fuqizimin dhe zhvillimin tërësor të marrëdhënieve miqësore mes vendeve tona”. Ky tekst u publikua në shtypin sovjetik pas përgjigjes së Titos dhe u  shoqërua me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë sovjetikë në pritjen e organizuar në ambasadën jugosllave në Moskë, publikimin e artikujve rreth Jugosllavisë dhe festës së saj kombëtare në të përditshmet më të mëdha dhe me tirazhin më të lartë si Pravda dhe Izvestia. Plani parashikonte madje një fjalim të ambasadorit jugosllav në Moskë në radion dhe televizionin sovjetik nëse do të kishte kërkesë nga pala jugosllave.

Kjo rënie domethënëse në nivelin e mirësjelljes(kordialitetit) në raportet sovjeto-shqiptare me rastin e festimit të festës kombëtare të Shqipërisë, u errësua nga zhvillime të tjera që kishin të bënin me shtimin e kontrollit nga ana e Shqipërisë mbi aktivitetet e diplomatëve sovjetikë në Tiranë. Më 25 nëntor, pas kërkesës së autoriteteve shqiptare drejtuar ambasadës sovjetike për reduktimin e stafit me gati 2/3-at, me akuzën se ata kryenin aktivitete armiqësore në Shqipëri, udhëheqja sovjetike vendosi të “tërhiqte ambasadorin, shokun Shikin I. V., nga Shqipëria”.  Paralelisht me këtë, sovjetikët informuan Tiranën për pamundësinë e qëndrimit të mëtejshëm të ambasadorit shqiptar në Bashkimin Sovjetik. Nota sovjetike vinte në dukje se pas kongresit të 22-të të PKBS-së, autoritetet shqiptare krijuan një mjedis të patolerueshëm për aktivitetet normale të diplomatëve sovjetikë në Republikën Popullore të Shqipërisë. Konkludohej se ambasada sovjetike në Tiranë ishte de facto në një pozicion izolimi si pasojë e shkeljes së të gjitha normave bazike të ligjit ndërkombëtar që rregullonin aktivitetin e saj. Nota shprehte se autoritetet shqiptare krijuan qëllimisht kushte nën të cilat ambasadori sovjetik në Shqipëri e kishte të pamundur të përmbushte detyrat e tij sipas udhëzimeve të qeverisë sovjetike. Kjo u pasua nga masa të mëtejshme të sovjetikëve kundër Shqipërisë. Qysh më 3 dhjetor, Moska kishte vendosur anullimin e privilegjeve doganore për qytetarët shqiptarë, akorduar nga BS për të qytetarët e vendeve socialiste. Në vend të kësaj, ata u bënë subjekte të rregullave doganore që aplikoheshin për qytetarë të vendeve kapitaliste.

Në fund të vitit, Moska gjeti një zgjidhje për problemin e pronave sovjetike në Shqipëri që ishte në përdorim të përkohshëm nga organizatat lokale, por që nuk ishte ligjërisht e regjistruar.  U vendos që ato të jepeshin me qira organizatave lokale në Shqipëri për përdorim të përkohshëm(fusha ajrore, pajisje stërvitore gjeofizike, një digë lundruese, dy anije me vela, vetura dhe prona të tjera) llogaritur kjo si pjesë e borxhit neto të BS-së sipas parashikimeve të Marrëveshjeve sovjeto-shqiptare të 22 nëntorit 1957 dhe 3 korrikut 1959.

Edhe më impresionues ishte ndryshimi i sjelljes ndaj Shqipërisë siç u reflektua në telegramet e urimit me rastin e Vitit të Ri. Më 28 dhjetor 1961 udhëheqësit sovjetikë miratuan listën e shteteve të cilët do t’u dërgoheshin telegarmi urimi. Kësaj radhe Shqipëria ishte nxjerrë jashtë listës së vendvee socialiste. Për më tepër, ajo nuk ishte as në listën e vendeve kapitaliste. Ishte sikur udhëheqësit sovjetikë ta kishin fshirë Shqipërinë nga rruzulli. Në të kundërt të kësaj, në listën e 11 vendeve socialiste u sgfaq Jugosllavia(pas Rumanisë dhe Çekosllovakisë).

Në fillim të vitit 1962, ngrehina e marrëdhënieve sovjeto-shqiptare, që deri së fundmi dukeshin kaq të fuqishme, ishte e rrënuar. Në këtë kohë, diplomatët e të dyja vendeve po kërkonin ndihmën e shteteve të Ballkanit për përfaqësimin diplomatik të tyre në Moskë dhe Tiranë respektivisht.

Kishte megjithatë një paradoks. Mes kundërshtive dhe përkeqësimit në rritje të marrëdhëneve me Moskën dhe aleatët e saj, Shqipëria nuk njoftoi tërheqjen nga organizata ushtarake e Paktit të Varshavës. Më 15 dhjetor 1961, udhëheqja sovjetike rekomandonte që në Tiranë të vazhdonte të mbahej përfaqësia e forcave të bashkuara ushtarake të vendeve socialiste.

***

Nga fundi i vitit 1961, në më pak se dy vjet, marrëdhëniet mes BS dhe Shqipërisë kishin rënë në nivelin e tyre më të ulët. Udhëheqja sovjetike, ndoshta vetë Hrushovi, dështoi në përpjekjen për të frenuar një tjetër konflikt në rritje në bllokun sovjetik përmes bindjes së udhëheqësve shqiptarë që të diskutonin çështje të debatueshme përballë. Kërkuesit kanë tashmë njohur të konsiderueshme të këtyre proceseve, por mbeten ende boshllëqe të mëdha që duhen mbushur. Pjesa më e madhe e dokumenteve të rëndësishme sovjetike mbeten ende të klasifikuara në arkivat ruse, por shfrytëzimi i atyre që janë të disponueshme bën të mundur për kërkuesit të fitojnë një optikë për përfshirëse mbi ecurinë e përplasjes sovjeto-shqiptare dhe të idenfikohet sesi, me kolapsin e kontakteve sovjeto-shqiptare në fillim të viteve ’60, nisi të shfaqej një riafrim sovjeto-jugosllav. Në këtë moment ka nevojë urgjente për studime krahasuese të materialeve dokumentare sovjetike, shqiptare si dhe kineze dhe jugosllave.

Përkthimi: Skerdilajd Zaimi

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!