Shoku Adil,

Na falni për shqetësimin.

Jemi grupi i punës i ngritur me vendim të KM Nr. 236 dt. 26.7.983 për eksperimentimin e prodhimit të mikrokompjuterave dhe kryerjen e studimit për kalimin në prodhim industrial të tyre

Ju pëlqen!

Kështu nis një letër 20 maji 1985 drejtuar kryeministrit të kohës Adil Çarçani e një grupi pune të ngritur në Uzinën e Radio Televizorëve në Durrës përmes së cilës evidentohet një nismë në nivel qveritar për prodhimin në vendin tonë të kompjuterëve rreth 37 vjet më parë. Nisma tingëllon disi e pabesueshme në pamje të parë por ajo ilustron një aspekt të interesit për të renë të një shteti që përndryshe kujtohet si konservator dhe anakronik në metodologjitë që kishte shtënë në punë.

Grupi i Punës përbëhet nga Esat Ferra, Kujtim Veisllari, Sotir Pizha, Gëzim Dobi, Dashamir Kërtalla, emra të inxhinierisë në vendin tonë dhe puna e nisur prej tyre për mundësitë e prodhimit industrial të kompjuterëve, e madje mikrokompjuterëve duket se bën pjesë në një ide më të përgjithshme, që gjen shprehje tek i njëjti vendim i sipërcituar që përkufizonte nevojën e “përpunimit të automatizuar të informacionit ekonomik të ndërmarrjeve”. Është një ide e përfshirjes së teknologjisë më të re në planifikimin ekonomik të vendit udhëhequr përpjekjen për realizim nga një analizim i të gjitha drejtimeve të sektorit. P.sh në një “Recenzë për studimin tekniko-ekonomik mbi prodhimin në vend të kompjuterave”, dorëzuar më 28 gusht 1985 nga Islam Kokona, vihet në dukje ndër të tjera se:

Pozitiv është fakti që rruga teknologjike mban parasysh shfrytëzimin e kapaciteteve të lira në linja e makina të veçanta të Uzinës për prodhimin e disa elementëve të mikrokompjuterit si dhe fleksibiliteti apo elasticiteti i linjës së re dhe pajisjeve përkatëse që të bëjë të mundur manovrimin e proceseve teknologjike për të përditësuar në të ardhmen edhe të tipeve të rinj të mikrokompjuterave. Stadi i punës studimore tekniko-ekonomik, ai mund të konsiderohet si një paraprojekt – ide teknologjike dhe shërben si bazë për punën projektuese të mëtejshme

Në të njëjtin dokument vihet në dukje se krijimi I linjës së prodhimit të mikrokompjuterave në vend kishte përfitime reale dhe të prekshme financiare dhe ekonomike. Mes importit të kompjuterave dhe idesë për importin e komponenteve për prodhim, kishte një diferencë pozitive prej 3.35 milionë lekësh në vit.

Shpenzimet e vendit për 1 lekë valutë të përfituar llogariten në 0.26 lekë nga të cilat 0.22 lekë dhe për terminalet 0.45 lekë për 1 lekë valutë, vijon Kokona.

Për këtë çështje verifikohet këtu një interes i posaçëm i Adil Çarçanit të cilit Grupi i Punës i drejtohet vetë kryeministrit duke sugjeruar që disa komponentë që duhet të importohen, mund të prodhohen në Uzinë. Bëhet fjalë për “qarqe të stampuar me bira të metalizuara, tastjera dhe detale të ndryshëm”.

Duke vënë në shërbim të prodhimit bazën material – teknike të krijuar me vendim të KM, për vitin 1985, u planifikua prodhimi i 16 kompjuterave. Deri tani janë montuar 2 copë me çmim 30% më të ulët se po të importoheshin të gatshëm, shkruan në letër Grupi i Punës.

Interesi fillestar i qeverisë së kohës, nën të cilin mbron punën dhe propozimin e vet edhe ekipi i inxhienirëve të Durrësit, është ekonomik. P.sh në të njëjtën letër vihet në dukje se nga studimet e kryera në plan konkret rezulton se:

Për një ndërmarrje me 1 000-2 500 punonjës, një sistem kompjuteri po të importohet kushton 43 638 L.V(13.224 dollarë), ndërsa po të prodhohet në vend kushton 19.075 L.V(7.443 dollarë”. Për një prodhim prej 127 copë në vit, e ardhura neto është 7. 174. 582 lekë, përfitimi vjetor në valutë është 3. 657.136 L.V., vetëshlyerja 1 vi, fuqin punëtore 66 punëtorë

Përtej këtij aspekti që patjetër ka rëndësinë e vet, duhet të theksojmë se kishte një interes profesional, shkencor, një ambicie pozitive nga inxhinierët e asaj kohe që të gjendur në një kompleks industrial që realizonte montime të ndryshme të pajisjeve elektronike, e gjeti veten të aftë të sugjeronte hedhjen e një hapi të ri me kohën. Konkretisht, një prej anëtarëve të Grupit, Esat Ferra, i drejtohet personalisht Adil Çarçanit, vetëm dy muaj më pas, më 28 korrik, përmes së cilës vë në dukje disa vonesa nga sektorët e tjerë duke sugjeruar madje që blerja e disa pajisjeve të kërkuara mund të bëhej duke hequr nga lista e porosive disa “materialeve dhe pajisjeve ende të pa kontraktuara dhe që nuk janë të domosdoshme për vitin 1985…”.

Mendimi i specialistëve të grupit të punës është se kjo makinë është e domosdoshme për realizimin e kompjuterave dhe krijon mundësinë të blihen vetëm komponentët e kompjuterëve.

Ferra shkon më tej kur vë në dukje se meqenëse çmimi i një njësie të prodhuar në vend është 2.6 herë më i ulët sesa një njësi e importuar, puna të përshpejtohet edhe përmes fondit rezervë.

Sigurisht në parashtrimet e veta inxhinieri në fjalë argumenton se vonesat bien ndesh me detyrimet që rrjedhin nga VKM-ja e vitit 1983, çka supozon një vënie në lëvizje të hallkave të tjera institucionale për këtë çështje. Mbrojtje këtu është edhe recensa e njerëzve me kredenciale akademike si Islam Kokona dhe Teoodor Kareco, ndërkohë që Ferra ngjan një entuziast nga të parë i informatikës dhe inxhinierisë kompjuterike. Në letrën e tij për Çarçani ai hapet në mënyrë personale dhe emocionale duke bërë të qartë se prodhimi i njësive në vend dhe krijimi i një sektori të posaçëm ka qenë një ëndërr ndoshta e atij brezi inxhinierësh.

Në fillim të vitit 1983 një nga këta specialistë, pedagog në Universitet që ishte i interesuar për problemin e kompjuterave më tha: “Ti po merresh me problemet e kompjuterave në U.R.T., do të ishte më mirë që kjo punë të bëhet në Tiranë. Edhe për ty do të jetë më mirë se mjaft qëndrove në Durrës.” Ju përgjigja: “Unë kam dëshirë që të merrem me problemet e prodhimit të kompjuterave në vend. Për mua nuk ka rëndësi shumë qyteti ku do të punoj. Për të prodhura kompjuterat në Tiranë duhet të bëhet një uzinë tjetër…Shoku Adil për problemin e kompjuterave është krijuar një situatë e ngjashme me atë të prodhimit të radiove në vitin 1966 kur bëheshin diskutime nga specialist që prodhimi i radiove do të bëhej në Durrës apo në Tiranë, shkruan Ferra.

I cili zbulon më tej se në U.R.T deri në atë kohë ishin investuar 100 000 dollarë për “pajisje dhe aparatura për një prodhim të vogël kompjuterash”. Ai kërkon që fondi për prodhimin e kompjuterave për pesëvjeçarin e ardhshëm të shkojë 2 milionë L.V.

Për aq dokumente sa kemi në dispozicion çështja nuk sqarohet sesi shkon por publikisht ne dimë që Shqipëria nuk prodhoi kompjutera brenda kohës së regjimit komunist. Këtu kemi një eksperimentim dhe një ambicie të shtjelluar në terma menaxherialë, inxhinierikë dhe ekonomikë, një ambicie njerëzisht të fushës dhe një kryeministër të interesuar për të shtyrë përpara këtë çështje. Por ajo që pasoi ndoshta shpjegohet me profetin e apatisë në Shqipëri: Ramiz Alinë./ Përgatiti: Skerdilajd Zaimi/

MekuliPress është në prag të mbylljes. MBËSHTETE SOT GAZETARINË E PAVARUR DHE ORIGJINALITETIN E MEKULIPRESS. Kemi shumë nevojë për mbështetjen tënde, i dashur lexues. NA NDIHMO sot të paktën edhe me 1 Euro!