Nga e hëna Insajderi.com do të fillojë një seri shkrimesh ku do të shpalosen me anë të marrëveshjeve, dokumenteve, e-mailave dhe mesazheve dyshimet e bazuara për keqpërdorimet, vjedhjet, shantazhet, shmangiet nga tatimet, shpëlarja e parave, shpërdorimi i pasurisë së huaj dhe veprimet të tjera të kundërligjshme të Parim Ollurit e Vehbi Kajtazit. Insajderi.com posedon dokumente që tregojnë për dyshimet e bazuara për keqpërdorimet e kësaj dysheje, derisa do të zbulohet edhe padia kundër Ollurit e Kajtazit. “Dosja Olluri-Kajtazi”, vjen në disa shkrime, ku në mënyrë të detajuar shpaloset aktiviteti i dyshuar kriminal ndër vite dhe keqpërdorimet e mëdha në emër të gazetarisë.

Një muaj më parë, saktësisht me 30-të prill, Insajderi.com erdhi deri tek vendimi i shkarkimit të Parim Ollurit dhe Vehbi Kajtazit, pasi ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit paraprakisht fshehurazi kishin vjedhur përmbajtjen e faqes duke e bartur në një faqe tjetër online me emër pothuajse identik “Insajderi.org”.

Ky veprim bashkë me dyshimet për keqpërdorimet e tjera e kishte bërë të pamundur vazhdimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit në mes Insajderi.com dhe Ollurit e Kajtazit dhe nuk kishte lënë zgjidhje tjetër pos ndërprerjes së marrëdhënieve të filluara në vitin 2016.

Olluri nga fillimi i punës së Insajderit kishte funksionin e Drejtorit Ekzekutiv, ndërsa Kajtazi mbante pozitën e Kryeredaktorit.

Ju pëlqen!

Olluri dhe Kajtazi më herët kishin punuar në media të tjera, dhe të dy këta me bashkëpronarin, kishin themeluar Insajderin me idenë e krijimit të një mediumi online që do të merrej ekskluzivisht me gazetarinë investigative/hulumtuese – krahas përcjelljes së ngjarjeve dhe informimit ditor të lexuesit online.

Insajderi.com për një kohë të shkurtër u shndërrua në mediumin më të besueshëm në Kosovë. Duke kryer funksionin që i takon një mediumi të paanshëm e profesional, Insajderi fitoi shpejt terren në hapësirën e pambuluar të zbardhjes së rasteve dhe aferave të ndryshme korruptive.

Por, jo edhe për gjatë.

Pas një kohe, Olluri dhe Kajtazi kishin vendosur që kapacitetet investigative t’i përdornin, jo më për qëllimin fisnik të gazetarisë, por për pasurim personal. Fillimisht dyshohet të kenë fshehur të ardhurat financiare nga bashkëthemeluesi duke prezantuar të dhëna fals para tij dhe po ashtu ekziston dyshim i bazuar se kanë përdorur forma shantazhi kundrejt personave të ndryshëm për përfitime në para dhe të mira të tjera materiale.

Gjithashtu, politikat redaktorialë të Insajderit më nuk prezantonin paanshmërinë e premtuar në fillim para lexuesve, por interesat e caktuara të Ollurit e Kajtazit.

Dyshimet e bazuara për fshehjen e të dhënave, vjedhjet, shantazhet, mashtrimet, shpëlarjen e parave dhe shmangiet nga tatimet e dy të lartcekurve kanë çuar në vendimin e menjëhershëm për përjashtimin e tyre nga puna.

Olluri dhe Kajtazi, para se të përjashtoheshin zyrtarisht, kundërligjshëm kishin zaptuar faqen e Insajderi.com në Facebook, duke i pamundësuar qasjen në faqe bashkëpronarit të tyre dhe kishin filluar të shpërndanin lajme nga portali “binjak” duke aluduar se dikush e ka hakuar faqen e vjetër dhe këta po e vazhdojnë punën normalisht.

Policia ka qenë e shpejtë në reagim duke përgënjeshtruar Ollurin dhe Kajtazin. Organet e rendit kanë njoftuar se Insajderi.com asnjëherë nuk ka qenë subjekt i ndonjë sulmi kibernetik.

Gjithashtu, faqja në Facebook që kundërligjshëm ishte marrë nga Olluri e Kajtazi dhe më pas ishte shfrytëzuar për shpërndarjen e lajmeve nga portali i sapokrijuar i tyre, tashmë është rikthyer përsëri tek pronarët e vërtetë.

Insajderi.com ka qëndruar i heshtur për një kohë. Nuk u është përgjigjur as kërcënimeve e shantazheve të ndryshme, me qëllimin e përcjelljes së rrugëve ligjore. Tani, pasi që rasti kundër Ollurit dhe Kajtazit është depozituar në Gjykatë, do të fillohet, nga e hëna, një seri e shkrimeve ku do të zbulohen të gjitha dokumentet që i bëjnë të dyshuar potencialë për keqpërdorime të bëra ndër vite Ollurin e Kajtazin.

Me dokumentim të të gjitha fakteve Insajderi.com nuk ka për qëllim të përgjigjet ndaj akuzave të Ollurit e Kajtazit, por ndjen detyrim ndaj lexuesit të shpalosë të vërtetën e situatës e cila është tentuar të mjegullohet, por është e pamundur për shkak të qartësisë që ofrojnë dokumentet.

Dyshimet e bazuara për mashtrime, shantazhe, vjedhje, shpëlarje të parave dhe të bëmat tjera të këtij lloji të Ollurit e Kajtazit do të prezantohen nën dritën e dokumenteve e marrëveshjeve të nënshkruara nga vet kjo dyshe.

Pas një serie shkrimesh për Dosjen Olluri-Kajtazi, Insajderi.com do të vazhdojë, përmes rrugëve ligjore, t’i ndjekë penalisht Parim Ollurin e Vehbi Kajtazin. Gjithashtu, ftojmë Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës dhe Komisionin e Pavarur të Mediave të reagojë për këtë deformim të profesionit fisnik të gazetarit.

Pas këtyre shkrimeve që startojnë nga e hëna, redaksia e Insajderit do të rifillojë aktivitetin e vet gazetaresk me informim, hulumtim dhe punë profesionale, ashtu siç ishte edhe synimi fillestar i themelimit.

Emri i Insajderit, përkundër këtij aksidenti me Ollurin e Kajtazin, do të vazhdojë të mbetet sinonim i gazetarisë investigative dhe gazetarit të guximshëm e profesional.

Terreni medial shqiptar nuk do ta humbë Insajderin e vet. (Insajderi.com)

Vërejtje: Insajderi.com përkundër posedimit të të gjitha dokumenteve për të mbështetur aludimet e veta, për shkak të profesionalizmit dhe meqë ende askush zyrtarisht nuk është shpallur i dënuar, është kujdesur që të përdorë gjuhë të saktë juridike duke përdorur fjalët “dyshime” dhe “dyshim i bazuar”. Kjo për të mos paragjykuar vendimin final të Gjykatës, rrjedhimisht fajësinë e të akuzuarve.

“Dosja Olluri-Kajtazi”: Dyshimet për vjedhje, shantazh, mashtrime dhe shpëlarje parash që çuan në shkarkimin dhe përjashtimin e Parim Ollurit dhe Vehbi Kajtazit

Ndoshta ju pëlqen!/MekuliPress/ Nëse keni shijuar këtë artikull, ndajeni atë me familjen dhe miqtë tuaj! MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike!