Ish-Presidenti amerikan, Donald Trump filloi fushatën e tij për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 me një ndalesë të shtunën në Nju Hempshër, përpara se të vazhdonte drejt Karolinës së Jugut. Vizitat e tij në këto dy shtete, që organizojnë votimet më të hershme, shënojnë aktivitetet e para të fushatës elektorale që kur ai njoftoi kandidimin mbi dy muaj më parë.

“Po fillojmë. Po ia fillojmë nga këtu si kandidat për president”, u tha ai drejtuesve të Partisë Republikane të mbledhur në takimin vjetor në Nju Hempshër, përpara se të ndalej në orët e vona të pasdites në Kolumbia, për të prezantuar ekipin e tij drejtues në shtetin e Karolinës së Jugut. “Jam më i zemëruar tashmë dhe jam më i përkushtuar tani se ç’kam qenë ndonjëherë”.

Në këto dy shtete zhvillohen dy nga tre garat e para për emërimin brenda partisë, duke u dhënë atyre fuqi të jashtëzakonshme në përzgjedhjen e kandidatit.

Ish-Presidenti Trump dhe aleatët e tij shpresojnë se zhvillimet do të ofrojnë një demonstrim force në mbështetje të ish-presidentit, pas një nisjeje të vakët në fillimet e fushatës që krijoi pikëpyetje për angazhimin e tij për të rikandiduar. Gjatë javëve të fundit, mbështetësit e tij kanë kontaktuar zyrtarët politikë dhe ata të zgjedhur për të siguruar mbështetje për zotin Trump në një moment jetik kur republikanë të tjerë po përgatiten për të kandiduar.

“Starti u dha dhe sezoni i fushatës ka filluar”, tha Stephen Stepanek, kryetari në largim i Partisë Republikane në Nju Hempshër. Ish-Presidenti Trump njoftoi se zoti Stepanek do të shërbejë si këshilltari i tij i lartë për fushatën në këtë shtet.

Megjithëse ish-Presidenti Trump mbetet kandidati i vetëm i deklaruar për zgjedhjet presidenciale 2024, sfidantë të tjerë të mundshëm, ndër ta Guvernatori i Floridas Ron DeSantis, ish-Nënpresidenti Mike Pence dhe ish-Guvernatorja e Karolinës së Jugut Nikki Haley që shërbeu si ambasadore në OKB gjatë administratës së ish-Presidentit Trump, pritet të fillojnë fushatat e tyre elektorale gjatë muajve të ardhshëm.

Ish-Presidenti Trump duke folur gjatë takimit në Nju Hempshër (28 janar 2023)
Në Karolinën e Jugut, Guvernatori Henry McMaster, Senatori Lindsey Graham dhe disa ligjvënës nga ky shtet pritet të marrin pjesë në aktivitetin e së shtunës. Por ekipi i fushatës së zotit Trump ka hasur në vështirësi në sigurimin e mbështetjes së anëtarëve të legjislativit të këtij shteti, madje edhe nga disa prej tyre që e mbështetën atë me zell gjatë kandidimeve të mëparshme.

Disa thonë se me mbi një vit deri në votimet paraprake, është tepër herët për të shprehur

Tubimet janë gjithashtu me kosto të lartë, dhe ish-Presidenti Trump i shtoi sfidat financiare kur vendosi ta fillonte fushatën e tij në nëntor – shumë më herët nga ç’kishin sugjeruar shumë nga aleatët e tij. Kjo e vendosi atë nën detyrimin për të zbatuar rregullat e rrepta për mbledhjen e fondeve dhe ia ndaloi vënien në përdorim të organizatës së tij të mirëfinancuar politike për aktivitete të tilla, që mund të arrijnë kosto prej disa miliona dollarësh.

Zyrtarët mendojnë se zoti Trump do të flasë në sallën e katit të dytë të godinës qeveritare, një zonë kjo pompoze ceremoniale e gjendur mes sallës së Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit.

Në këtë vend janë shpalosur disa nga momentet më të dukshme politike të Karolinës së Jugut, përfshirë nënshkrimin nga zonja Haley në vitin 2015 të një ligji për të hequr flamurin e Konfederatës nga territori i godinës qeveritare, si dhe nënshkrimin nga zoti McMaster në vitin 2021 të ligjit për ndalimin e abortit në këtë shtet pas gjashtë javëve të para të shtatëzanisë. Gjykata e Lartë e këtij shteti e shpalli rishtazi anti-kushtetues këtë ligj, dhe zoti McMaster është zotuar të përpiqet për një rishqyrtim.

Fushata fillestare e ish-Presidentit Trump ka ngjallur tashmë debate, në veçanti pasi ai darkoi me nacionalistin e bardhë, që mohon ekzistencën e Holokaustit, Nick Fuentes, si dhe reperin e njohur më parë me emrin Kanye West, i cili pati bërë një seri komentesh anti-semite. U shndërruan gjithashtu në objekt humori një seri kartash tregtimi dixhital që zoti Trump pati nxjerrë në shitje, ku ai paraqitej ndër të tjera si një superhero, si kaubojs dhe si astronaut.

Njëkohësisht ai vazhdon të jetë objekt i disa hetimeve penale, përshirë për zbulimin e qindra dokumentave të klasifikuara në pronën e tij në Florida, si dhe nëse pengoi drejtësinë duke refuzuar t’i dorëzojë ato. Ai gjithashtu po hetohet në nivel federal dhe shtetëror për përpjekjet për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020, kur ai humbi përballë demokratit Joe Biden.

Sidoqoftë, ish-Presidenti Trump mbetet i vetmi kandidat i shpallur për vitin 2024, dhe anketimet fillestare tregojnë se ai është favoriti për të fituar nominimin e partisë së tij për të kandiduar për president.