Pavarësia e kontestuar në pjesën veriore të Kosovës e ka bërë atë pjesë “çerdhe” për krimin e organizuar.

Kështu thuhet në një dokumentar të shkurtër në një medium amerikan, i cili trajton çështjen e sigurisë kombëtare dhe të politikave publike në gjithë botën.

Në këtë dokumentar, ushtarët amerikanë shpalosin informata të pathëna më parë nga veprimi në veri të vendit.

James Sandomierski, përfaqësues i bllokut të sigurisë dhe informacionit, tregoi për sfidat që kanë hasur gjatë intervenimeve në veri.

Ai vë në theks të veçantë trafikimin, siç thotë ai, të madh të njerëzve në këtë pjesë.

“Serbët në veri dëshirojnë që të shqetësojnë kosovarët. Ata rezistojnë që të mos e lejojnë Qeverinë e Kosovës të ketë kontrollin në veri. Ne kemi hequr diçka që ata e konsiderojnë bllok strategjik i rrugës. Ne e hoqëm atë dhe serbët ishin mjaft të shqetësuar. Për 3 javë nuk kemi qenë aspak të qetë sepse kemi marrë kërcënime direkte nga serbët. Ka shumë trafikim të njerëzve”, deklaroi Sandomierski.

Bradly Shields, po ashtu, nga ushtria amerikane, thotë se shërbimi në Kosovë është krejt ndryshe nga shërbimet e ushtrisë amerikane në Irak apo Afganistan.

“Prej 30 shteteve të ndryshme të Amerikës ka rreth 800 ushtarë që shërbejnë për ruajtjen e paqes në Kosovë. Në krahasim me vendet tjera ku shërbejmë si në Irak apo Afganistan, Kosova ka qenë krejt ndryshe”, tha Shields

Kurse Phil Koth, po ashtu, nga ushtria amerikane, thotë se problemi më i madh që kanë kosovarët me serbët është se këta të fundit nuk e njohin Kosovën si shtet, dhe si rezultat kanë vështirësi të qarkullimit.

“Problemi më i madh që kanë kosovarët është se serbët ne veri nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës. Ata kanë probleme që të lëvizin në atë pjesë të cilën e konsiderojnë si pjesë të shtetit të tyre” u shpreh kapiteni Phil Koth.

Ndryshe, në katër komunat veriore të Kosovës, këtë të diel janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme, ku fituan bindshëm kandidatët e Listës Serbe.

Njësit e çështjeve politike në vend por edhe liderët nga Serbia, fitoren e Listës Serbe e cilësuan si ruajtje të ndikimit të Beogradit në veri të Kosovës.