Ditari i plotë i Enver Hoxhës, nga porositë e dhëna Ramiz Alisë për t’i dërguar të gjitha faqet e gazetave të huaja nga e gjithë botë që kishin pasqyruar dhe komentuar ngjarjet e Kosovës, përgatitjen për një artikull në gazetën “Zëri i Popullit” lidhur me ato ngjarje në periudhën mars-prill 1981, përgjigjen për politikanin dhe ish-diplomatin serb, Milosh Miniç, anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Komunistëve të JugosIlavisë, i cili kishte bërë një provokacion të rrezikshëm në adresë të vendit tonë”, duke deklaruar se: “Udhëheqja shqiptare, nëpërmjet veprimtarisë së organeve të saj të informacionit dhe të diplomacisë, duke përfshirë ambasadën e saj në Beograd, zbuloi vetangazhimin dhe ndërlikimin e saj të plotë në ngjarjet që u zhvilluan në Kosovë”, etj.

“Deklarata e bërë nga ana e zotit Miniç përbën një problem për ne, prandaj duhet diskutuar qëndrimi që duhet mbajtur. Gjatë bisedës Ramizi më tha se kjo deklaratë e Miniçit dhe deklaratat e bëra nga udhëheqës të tjerë jugosllavë kërkojnë reagim nga ana jonë. Drejt e tha ai, por unë nuk jam i mendimit të bëjmë as protestë publike zyrtare nga ana e Qeverisë sonë, as ndonjë deklaratë nga ana e ATSH-së. Kjo e dyta mund të ishte një variant për të shprehur publikisht pikëpamjen tonë. Megjithatë si mbrëmë, ashtu edhe sot, unë e kam menduar një çikë më thellë këtë çështje. Së pari, qëndrimi i mbajtur nga ana e udhëheqësve titistë të çdo niveli, nuk mund të mbetet pa një përgjigje nga ana jonë. Por, para se ta bëjmë këtë, përpara se të përgjigjemi, ne duhet të analizojmë përse veprojnë kështu udhëheqësit jugosllavë. Këtë veprim të tyre, që shoqërohet me gjithfarë akuzash kundër vendit tonë, unë e konsideroj një provokacion, të cilin ata e bëjnë që ne të biem në të dhe jo vetëm të largojmë ambasadorin tonë nga Jugosllavia, duke bërë këtë t’u japim atyre të drejtë për të gjitha ato që kanë deklaruar kundër nesh, por të shkojmë edhe më tej, të tërheqim ambasadën tonë nga Beogradi, sepse edhe Miniçi nuk tha ambasadori shqiptar, po ambasada shqiptare. Ky është një provokacion i madh, veç ata duan që pasojën që sjell ai, të mos e bëjnë vetë, por nxitin ta bëjmë ne. Kjo që bëjnë ata është e dënueshme. Bile ne e kemi dënuar, prandaj në këtë provokacion të tyre nuk biem”.

“Në prag të çlirimit, Miladin Popoviç u vra në Prishtinë nga një agjent i UDB-së dhe pas kësaj atje shkoi Mugosha, i cili kërkoi që Kosova…”/ Ditari politik i Enver Hoxhës, maj ‘81
Kështu thuhet në mes të tjerash në ditarin politik të udhëheqësit të Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha, që mban datën 8 maj të vitit 1981, ku ai ka mbajtur shënime lidhur me ngjarjet e Kosovës, të cilat kishin filluar që në ditët e para të marsit të atij viti, kur rinia studentore e Kosovës doli në protesta dhe demonstrata të cilave më pas i’u bashkua edhe populli i Kosovës, duke kërkuar liritë dhe të drejtat e tyre të ligjshme, ashtu si të gjithë popujt dhe etnitë e tjerë që ndodheshin asokohe në Republikën Federative Socialiste të Jugosllavisë. Për më shumë rreth kësaj dhe të gjithë qëndrimin që mbajti udhëhqja e Shqipërisë komuniste dhe personalisht Enver Hoxha ndaj udhëheqjes komuniste të Jugosllavisë, na njeh ky document arkivor që Memorie.al po e publikon të plotë në tre pjesë.

Ju pëlqen!

Ditari politik i Enver Hoxhës për ngjarjet në Kosovë, maj 1981

Ju e keni gjakosur rëndë tri herë popullin martir shqiptar që jeton në trojet e veta në Jugosllavi dhe që me 50 mijë veta luftoi krah për krah me vëllezërit jugosllavë dhe me popullin vëlla shqiptar që dërgoi brigadat sulmuese çlirimtare të tij në Jugosllavi kundër pushtuesve nazifashistë, çetnikë dhe ustashë. Me gjithë këtë luftë, ju me Rankoviçin e gjakosët në vitin 1945, në vitin 1966 dhe përsëri më 1981 e mbuluat me gjak. A mund të ecet më kështu, zotërinj udhëheqës jugosllavë? A i thonë kësaj «zgjidhje e drejtë e çështjes nacionale», siç po e trumbetoni çdo ditë këtë slogan? A do ta duronit ju një terror të tillë me popullin tuaj, a do të ishit ju aq gjakftohtë dhe aq të durueshëm, siç janë treguar kosovarët përpara këtyre ngjarjeve mizore? A nuk ka të drejtë të rrojë e qetë dhe e lirë popullsia shqiptare që jeton në trojet e veta në Jugosllavi? A nuk ka të drejtë ajo që të mos i hyjë udbashi në shtëpinë e tij dhe të burgosë, të torturojë e të dhunojë trimat e trimëreshat e saj? Shqiptarët e Jugosllavisë duhet t’i kenë të gjitha të drejtat dhe Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë do t’i mbrojë ata kur t’u shkelen këto dhe sidomos kur mbyten me gjak, siç ngjau kohët e fundit në të gjithë Kosovën. Këto të vërteta që ne afirmojmë dhe këto të drejta që mbrojmë botërisht, ju i quani «ndërhyrje në punët e brendshme të Jugosllavisë», i quani “organizim subversiv të Tiranës” etj. Jo, zotërinj, nuk është kështu dhe nuk ju beson njeri. Populli shqiptar që jeton në Jugosllavi është i zgjuar vetë dhe di çfarë bën, s’ka nevojë as ta mësojmë dhe as ta nxitim ne, shqiptarët e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Ai është trim dhe i besës, di të kërkojë çka i takon, siç di të mbrohet vetë. I çmoni drejt, zotërinj udhëheqës jugosllavë, virtytet e larta të kësaj pjese të kombit shqiptar që jeton në trojet e veta në Jugosllavi, mos e bëni armik, se nuk është mirë as për ju, as për ata, në qoftëse u shkelni të drejtat që u takojnë.

Marrëdhëniet arsimore, kulturore e shkencore që Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë ka zhvilluar, në radhë të parë me Kosovën, por më pak edhe me Republikën Socialiste të Maqedonisë dhe me atë të Malit të Zi (dhe me këto të fundit më pak jo se ka munguar vullneti ynë), për mendimin tonë kanë qenë shumë normale, shumë frytdhënëse, shumë të dobishme dhe korrekte për të dyja palët. Këto marrëdhënie janë zhvilluar me pëlqimin e të dyja palëve dhe me marrëveshje në mes dy qeverive tona. Besojmë se qeveria e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë u ka dhënë pëlqimin si Krahinës Autonome të Kosovës, ashtu edhe të dyja republikave të federuara ku jetojnë shqiptarë. Por kjo është një çështje që nuk na përket neve. Të dyja palëve na përket fakti që këto marrëdhënie ecnin në rrugën e drejtë, ato nuk kishin karakter politik, as nxitnin nacionalizmin, shovinizmin dhe irredentizmin. Bashkëpunimi shkencor dhe kulturor ka qenë vëllazëror, i çiltër, i sinqertë nga të gjitha palët. Asnjë reklamim të mungesës së korrektesës, të shkeljes së ligjeve të njërës ose të tjetrës republikë nga njerëzit në vajtjet dhe ardhjet në vendet tona, nuk u bë dhe asnjë incident, qoftë edhe i vogël, nuk ngjau. Ne kemi bindjen e plotë se këto marrëdhënie, siç keni qejf ta përsëritni shpeshherë, shërbyen si urë për forcimin e marrëdhënieve të popullit shqiptar me popujt e Jugosllavisë. Dhe në fakt këto marrëdhënie shkuan duke u forcuar.

Turbullirat që ngjanë në Kosovë, nuk erdhën për fajin tonë, as të nxitjes e ndërhyrjes më të vogël nga ne dhe as të marrëdhënieve ekonomike, tregtare e kulturore në mes Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Krahinës Autonome të Kosovës, të cilat udhëheqja e Federatës Jugosllave i konsideroi si “ndërhyrje në punët e brendshme të Jugosllavisë, si nxitje të shovinizmit shqiptaro madh, si rivendikime territoriale, si irredentiste”. Ajo këto marrëdhënie që po zhvillohen prej kohësh në dritën e diellit dhe jo në skuta, i cilësoi si frymëzim bazal të nacionalizmit shqiptar, i importuar nga Tirana, nga shkencëtarët, nga profesorët, nga akademikët, këngëtarët dhe valltarët tanë. Ky mendim shpifës dhe armiqësor asnjëherë nuk u shfaq si kritikë ose si vërejtje nga ana jugosllave. Përkundrazi, duam të theksojmë se disa udhëheqës nga më kryesorët të udhëheqjes shqiptare në Federatë dhe në Kosovë, që u treguan nga më të egrit kundër demonstruesve në Kosovë, njerëzit tanë të artit dhe të kulturës që shkonin në Kosovë, vazhdimisht i kanë marrë si shembull dhe i kanë lavdëruar e falënderuar publikisht për mirësjelljet e tyre. Kjo ngritje e shpatave dhe e mburojave kundër nesh nga ana e udhëheqjes jugosllave u bë sigurisht për të mbuluar diçka të tmerrshme, të llahtarshme dhe të dënueshme që ngjau në rrugët e qyteteve dhe të fshatrave të Kosovës, ku u derdh gjak i shumtë i popullit. Sa u vranë dhe si u vranë?

Kjo mbahet e fshehtë, por populli shqiptar i Kosovës i di djemtë dhe vajzat e tij që janë vrarë, janë torturuar dhe janë zhdukur e burgosur. Sa më shumë të fshihet e vërteta, aq më e rrezikshme bëhet. Gjaku nuk bëhet ujë! Mos e harroni! Udhëheqja jugosllave këtë tragjedi i’a veshi “nacionalizmit”, “shovinizmit shqiptar” dhe “irredentizmit”, ia veshi ndërhyrjes dhe nxitjes nga ana e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Partisë së Punës të Shqipërisë. Por kjo nuk qëndron. Kjo mund të gënjejë disa dhe jo për një kohë të gjatë. E vërteta e plotë do të dalë në shesh dhe kjo e vërtetë do të jetë e tmerrshme për ta. Udhëheqja jugosllave harron se kombi shqiptar është një, pavarësisht se një pjesë rron në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe pjesa tjetër në tri pjesë të Jugosllavisë Federative. Ai ka historinë, kulturën, gjuhën e tij të njëjtë, ai ka heronjtë e tij, poetët, piktorët, muzikantët etj. të përbashkët. Ky është thesari i tij i madh që ai e ruan, e kultivon dhe e zhvillon. Këto janë tiparet kryesore të një kombi. A mendojnë jugosllavët se këto tipare të kombësisë shqiptare duhet të shuhen, duhet të cilësohen si shenjat dhe dukuritë e një “nacionalizmi romantik të perënduar, të sëmurë dhe të një shovinizmi të dënueshëm”? Për njerëzit e Shqipërisë socialiste që kanë shkuar në Jugosllavi dhe për shqiptarët që jetojnë atje dhe që kanë ardhur në Shqipëri, që kanë shkëmbyer mendime me njëri-tjetrin për pasurimin e gjuhës shqipe, për gjenezën e popullit shqiptar, për historinë e të parëve tanë, për shkencat ekzakte, për shkencat shoqërore dhe natyrore, a mund të konsiderohen këto si nxitje të shovinizmit dhe të irredentizmit shqiptar?

A mund të konsiderohen vallet dhe këngët tona popullore që janë shfaqur në Jugosllavi si nxitje të shovinizmit dhe të irrendentizmit? Ky është thesari ynë, i gjithë shqiptarëve, i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë në veçanti. Planet dhe programet tona jua kemi paraqitur dhe i keni aprovuar. Ato i ka pëlqyer shumë publiku, i ka duartrokitur. Të bukurën dhe të shëndoshën të gjithë e duan. Ansamblet tona artistike kanë shkuar kudo. Ato janë pritur dhe janë duartrokitur me një simpati dhe entuziazëm të madh nga populli grek dhe udhëheqësit e tij, nga artdashësit dhe shtypi i këtij vendi. Po e njëjta gjë, vallet dhe këngët tona popullore i kanë pëlqyer shumë populli turk dhe udhëheqësit e tij të çdo rangu. Kështu ka ngjarë në Francë, në Itali, në Algjeri, në Tunizi, në vendet nordike e kudo. Asnjë s’na ka akuzuar as për nacionalizëm, as për shovinizëm. Ata kanë respektuar ndjenjat tona dhe ne kemi respektuar të tyret. Pyesim: Pse ky qëndrim i udhëheqësve jugosllavë? Çfarë i shqetëson ata në realitet në kokën dhe në ndjenjat e tyre? Pse nuk e kanë ndërgjegjen të qetë? A mos mendojnë ata se kanë shkuar shumë njerëz ose grupe njerëzish nga ana jonë në Jugosllavi? Statistikat tregojnë të kundërtën dhe ne gëzohemi.

Apo mos duan të gjejnë një arsye pa bazë që këto marrëdhënie t’i ngushtojnë, t’i zvogëlojnë vajtje-ardhjet dhe shkëmbimet në shkencat, në kulturë, në arte? Ata, po të duan, e kanë të drejtën e tyre ta bëjnë një gjë të tillë. Ne dyert nuk i sforcojmë. Ne do t’i kemi dyert të hapëta për të gjithë miqtë e sinqertë, cilët do qofshin këta dhe veçanërisht për vëllezërit tanë shqiptarë që jetojnë në Jugosllavi. Kjo do të shërbejë që ata të shohin “skëterrën shqiptare”, sikurse thonë udhëheqësit kryesorë të Krahinës Autonome të Kosovës dhe të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe ta barazojnë atë me “parajsën jugosllave”, sikurse themi ne. Por mendimin tonë ne po e themi: në rast se jugosllavët i marrin këto masa nacionaliste e shoviniste, do të jetë gabim i madh nga ana e tyre. Shqiptarët e Jugosllavisë dhe gjithë populli shqiptar do t’i dënojë ata dhe kanë të drejtë të thonë se jugosllavët kanë frikë nga zhvillimi i kulturës shqiptare dhe s’kanë frikë nga kultura dekadente! Po u themi sinqerisht jugosllavëve, që masa të tilla nuk do ta qetësojnë opinionin shqiptar në Kosovë dhe në viset e tjera të Jugosllavisë dhe opinioni i shëndoshë jugosllav e ai botëror do ta dënojnë, gjithashtu, këtë veprim. Edhe një herë e kemi për detyrë t’u themi udhëheqjes jugosllave dhe shqiptare në Kosovë dhe në vise të tjera, të ruajnë gjakftohtësinë në mendime dhe në veprime.

Udhëheqja jugosllave të shikojë me drejtësinë më rigoroze nevojat e shqiptarëve të Jugosllavisë, të mos i trajtojë keq dhe të mos diskriminojë popullsinë shqiptare, të shikojë me seriozitet dhe me objektivitet kërkesat e ligjshme të kosovarëve, të mos prekë dhe të mos trajtojë keq rininë heroike shqiptare, veçanërisht rininë studenteske, mësuesit, profesorët dhe gjithë inteligjencien patriote të Kosovës dhe të të gjithë shqiptarëve në viset e tjera të Jugosllavisë, të mos i konsiderojë Universitetin e Prishtinës dhe shkollat fillore e të mesme shqiptare si çerdhe armiqsh, kundërrevolucionarësh, shovinistësh etj., të mos e sakatosë Universitetin e Prishtinës, me pretekstin se ka superprodhim të të shkolluarve dhe t’i hallakatë studentët shqiptarë në të gjitha universitetet e Jugosllavisë, pse asnjeri nuk gënjehet përse bëhet kjo. Shqiptari nuk e harron «vendin ku ka lerë dhe ku e ka nderë». Asnjëherë nuk mund të ketë superprodhim të shkolluarish, në qoftë se shtohet prodhimi në Kosovën e pasur dhe të varfër njëkohësisht. Këtu duhen marrë masa serioze, të mos fshihet ky realitet i hidhur, pa ju lejojmë të bërtitni sa të doni se në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë “populli s’ka të hajë, s’ka liri”. Këto gabime të mëdha mos i bëni, po i ndreqni.

Nuk duam t’ju japim mend dhe as të ndërhyjmë në punët e brendshme tuajat, por po jua themi për të mirën e përbashkët të të dy vendeve tona, se shumë i keni acaruar çështjet me kosovarët e me shqiptarët e viseve të tjera në Jugosllavi dhe me emigracionin ekonomik shqiptar jashtë Jugosllavisë. Ju po krijoni dasi te këta të fundit. S’janë «agjencitë tona diplomatike» jashtë, zoti Miniç, që e bëjnë këtë dasi, por jeni ju. E theksojmë edhe një herë, dhe për këtë kemi bindjen e plotë, se Kosova nuk mund të jetë kurrë për minimin e Federatës, në rast se kjo e studion dhe e zgjidh me drejtësi këtë çështje të madhe që vetë shqiptarët kosovarë e kanë hedhur në tryezë, që vetë Titoja, Moshe Pijade, Miladin Popoviçi kanë folur për këto çështje nga ana teorike dhe praktike. Kosova duhet të qetësohet, po atë nuk e qetëson heqja e Mahmut Bakallit dhe sjellja në krye e një Mahmut Çakalli. Kosova do të qetësohet, po të hiqet shtetrrethimi, të tërhiqet ushtria dhe policia ndëshkuese serbe, të normalizohet gjendja, të lirohen të burgosurit e pafajshëm që kanë mbushur burgjet, t’u kthehen familjeve të vrarët e tyre në demonstrata, se kjo është një çështje e shenjtë dhe humanitare. Studioni me vëmendje dhe me drejtësi kërkesën e popullit të Kosovës për republikë, zgjidhini drejt problemet ekonomike të saj. Vetëm kështu do të qetësohet Kosova, vetëm kështu do të jetë një mike e republikave të tjera të Jugosllavisë dhe brenda Federatës. Memorie.al

©MekuliPress/ Ndaje artikullin me familjen dhe miqtë tuaj. MekuliPress mbetet e pandikuar nga partitë politike. FOTO: No copyright infringement is intended.