Që prej themelimit të aviacionit ushtarak, më 24 prill 1951, sot bëhen 72 vite. Por në këtë ditë shënjuese, aviacioni është lënë në hije e nuk ka rëndësinë e dikurshme.

“Në kohën time kishte flotë ajrorë e përbëhej nga më shumë se 250 pilotë, sot janë a nuk janë 20 apo 30. Aviacioni është mbyllur, në Kuçovë, Rinas apo Berat”, tha Koço Biku- pilot.

“Keq më vjen, plasja më vjen se kemi dhënë shpirt e gjak për aviacionin. E prekem kur shoh që hapësirën tonë ajrore e ruajnë pilotët grek apo italianë, kur kujtoj sa të zotë kemi qenë. Duhet investuar më shumë”, Petrit Bebeqi- pilot.

Koço Biku dhe Petrit Bebeqi kanë qenë çifti i parë organik në avionët supersonik mig-21, e që atë atëherë kanë mbetur shok të pandarë, shkruan Top Channel.

Gjatë punës së tyre si pilotë, nuk ishin të pakta rastet kur përballeshin me situata të panjohura e të dyshimta, që tashmë në pension i kujtojnë të përmalluar me buzën në gaz, sepse të gjitha sprovat i kanë kaluar me sukses duke e mbyllur karrierën me sukses.

“Momenti kur jam gjetur ngushtë ka qenë kur gjeta avionin jugosllav me bomba në hapësirën tonë ajrore. U tremba, por rezultoi që ishte gabimisht si pilot i ri kishte ngatërruar rrugën”, tha Koço Biku- pilot.

“Në fluturimin e tretë mua më nisën në Kinë bashkë me Kocon, me avionin më të shpejtë të Shqipërisë. Edhe kinezët nuk kishin besim te unë për shkak të orëve të pakta që kisha, e s’donin të më linin të kryeja misionin. Por pilotët e parë thanë o të gjithë o asnjë dhe ata pranuan sepse ndryshe prisheshin marrëdhëniet!”, u shpreh Petrit Bebeqi- pilot.