Flokët e dekoloruar janë mjaft problematikë dhe të vështirë për t’u trajtuar, sepse janë më të thatë, më të hollë e të ashpër, ndryshe nga floku natyral apo i lyer me bojë pa dekolorues. Dekoloruesi nuk ka veti vetëm të heqë pigmentin e flokut, por edhe e bën atë “të vdekur”. Ndaj floku i dekoloruar ka nevojë për një trajtim të veçantë, sepse është më i ndjeshëm edhe ndaj faktorëve të jashtëm si i ftohti dhe lagështia. Për ta pasur flokun të shëndetshëm, duhet kujdes, në mënyrë që të mos përballesh më maja të djegura dhe flokë të këputur.

Ndiq disa këshilla:

Mos i laj flokët çdo ditë. Lejo yndyrën natyrale që t’i ushqejë e t’i hidratojë, sepse flokët e dekoloruar janë vetë të thatë.

Laji flokët me ujë të vakët, jo të nxehtë dhe të bollshëm.

Përdor një shampo specifike, pa përmbajtje sulfati dhe sa më pak kimikate.

Përdor balsam çdo herë që i lan flokët, por pa prekur rrënjët. Balsami bimor do ishte zgjidhja më e mirë.

Një herë në javë përdor një maskë rigjeneruese për flokë të dekoloruar dhe mbaje për rreth 30 minuta. Shpëlaji me ujë të ftohtë, sepse ndihmon në hidratimin dhe ruajtjen e lagështirës dhe forcon rrënjën.

Mundohu që ta eliminosh fare tharësen, por nëse nuk mundesh, përdore në temperaturë sa më të ulët.

Apliko kristalinën dhe maska natyrale për flokë të dëmtuar.

Mos harro vajin e ullirit! Është ushqyes shumë i mirë dhe i hidraton flokët.

5 lugë vaj ulliri dhe dy të verdha veze. Aplikoje maskën në flokë , vendos një qese dhe lëre të veprojë për 30 minuta. Shpëlaje me ujë të bollshëm.

Floku i dëmtuar ka nevojë që një herë në javë të trajtohet me vaj të nxehtë (vaj argani, vaj arre kokosi, vaj ulliri, recini etj).

Përdor krehër me dhëmbëza të mëdha dhe krihi sa i ke të lagur për të shmangur këputjen e tyre.

Përdor maskën me mjaltë. Përzje 2 lugë mjaltë dhe 3 lugë vaj ulliri. Aplikoje në flokë dhe mbaje për 20 minuta. Shpëlaje me shampo dhe ujë të bollshëm.